Faqe kryesore arrow Politika arrow Një parlament “bikameral”; Përse pikërisht tani?
Një parlament “bikameral”; Përse pikërisht tani? PDF Print E-mail
18 Prill 2007

nga Astrit Lulushi, SHBA

Ky system qeverisës që ndan funksionin e legjislativit në dy dhoma “e ulët” dhe “e lartë” apo Dhomë e Përfaqësuesve dhe  Senat, nuk është një dukuri e re, ndërsa për shqiptarët lindi me formimin e shtetit të tyre modern. Më 28 Nëntor 1912,  Asambleja e parë Kombëtare e përbërë nga 83 delegatë nga të gjitha krahinat shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Pas kësaj,
dy vendimet e tjera të radhës të këtij kuvendi ishin krijimi i qeverisë dhe formimi i Senati prej 18 anëtarësh që do të luante rolin e ndihmësit dhe këshilltarit të qeverisë së re me kryeministër Ismail Qemalin.(O. Pearson)

Kjo praktikë u ndoq edhe nga Mbreti Zog, që mendohet se e pa të nevojshëm një sistem të tillë legjislativ; për të ruajtur traditën “bikamerale” parlamentare; por edhe si të domosdoshëm politikisht po të kihet parasysh ndarja e thellë shoqerore, bujq-feudalë, me një shtresë të mesme pak të zhvilluar që nuk ishte në gjendje ta zbuste këtë hendek.

Shprehja “bikameral” u përdor për herë të parë në fillim të viteve 1800, megjithëse si koncept për ndarjen e funksioneve të deges legjislative  ajo zë fill që në shekullin e XIV me ndarjen e parlamentit britanik në Dhomën e  Lordëve dhe Dhomën e Komunave. Historianët thonë se një ndarje e tille mund të ketë filluar si mënyrë për lehtësimin e veprimtarisë  se një parlamenti, por edhe për të përfaqësuar me saktë interesat e dy shtresave të ndryshme të një shoqerie mesjetare; të lordeve a princave; dhe masës së thjeshtë, bujqërve e zejtarëve.(J. A. Corry)  

Megjithëse shprehjet “Dhomë e ulët” apo Dhomë e lartë” kanë mbetur nga koha kur keto dy dhoma përbëheshin nga
perfaqësues të shtresave përkatëse, sot ato si shumë shprehje të tjera i janë larguar kuptimit fillestar. Për shembull historia  e vet parlamentit britanik, tregon se që pas të ashtuquajturit “Revolucioni i Lavdishëm” me 1688, ku monarku u detyrua të hiqte dorë nga sundimi absolut, rëndësia apo fuqia ka anuar më tepër drejt Dhomës së Komunave.(J. Bentham) Në fakt, fuqia e Dhomës së Lordeve u pakësua dukshëm nga vendimet parlamentare të viteve 1911 dhe 1949 dhe megjithëse  Dhoma e Lordëve vazhdon të debatoje dhe votojë mbi projektligjet, funksioni i saj sot është kryesisht një rol këshillues.

Në vitet 1700, kolonitë Britanike të Amerike veriore gradualisht përshtatën sistemin “bikameral”; ku në Dhomën e lartë ose Senat  zgjidheshin apo emëroheshin perfaqësuesusit e kolonive në tërësi, ndërsa në Dhomën e ulët zgjidheshin përfaqesuesit e zonave zgjedhore ose elektoratit. Sipas studiuesve, miratimi i të njëjtit system legjislativ për Kongresin e Shteteve te Bashkuara, është ndikim i praktikës së periudhës koloniale. Megjithatë, Nebraska, është i vetmi shtet
amerkan ku legjislativi përbëhet nga një Dhomë, pra “unikameral”.( D. Schaffter)

Në Francë, në shek. XVIII, disa teoricienë si Monteskue, parapëlqenin një ligjislaturë dy-dhomëshe sipas shembullit britanik. Por filozofë iluministë si Rusoi, ishin kundër një sistemi të tillë. Gjatë periudhave revolucionare dhe Napoloniane, Franca provoi forma të ndryshme parlamentare, dhe më në fund mbajti sistemin “bikameral”.( S. H. Beer)

Pas luftës së dytë botërore, sistemi  njëdhomësh “unikameral” u bë i zakonshëm për vendet komuniste, ku “barazia shoqërore” ishte sllogani kryesor. Edhe Shqipëria komuniste, përqafoi sistemin legjislativ me një dhomë. Kjo për të këputur cdo lidhje me të kaluarën, por edhe dhe si një parathënie e politikës së ardhëshme, atë të barazitizmit material e shoqëror. Por kjo ishte vetëm një mënyrë organizimi vetëm për sistemin legjisativ te vëndit, pasi sundimtarët
komunistë zgjodhën për funskionimin  e partisë së tyre sistemin “bikameral” ku Komiteti Qëndror ishte Dhoma e ulët e elitës, ndërsa Byroja Politike, Dhoma e lartë.

Më 1990, pas një barazitizmi 50 vjecar, shoqëria shqiptare e gjeti vetën përpara dyerve të një bote të lirë. Ndërsa më 1944, shqiptarët u futën në një rrugë që shumëkush nuk e dinte se ku do të shpinte, më 1990, të gjithë e dinin se ku donin të shkonin, por pak ishin të vetëdijshëm për vështirësitë që duhej të kalonin.

Këtë herë njerëzit ndjeheshim të rrënuar materialisht, të vrarë shpirterisht, të përcarë ideologjikisht, por edhe të lire; për herë të parë të lirë pa kufi. Puna u braktis, pasi ajo ishte e shtetit. Prona e “përbashkët” u bë pronë e secilit dhe  gjithkush vërshoi për të “marrë pjesën e vet.”

Ethet e pronës u shndërruan në epidemi ku  më i ethëshmi u bë pronari më i pasur duke lënë tjetrin të mbetej skamësi më i varfër.

Shqipëria, ku një brez i tërë  nuk kishte njohur kurrë pasuri a pronë private, brenda pak vitesh u bë fusha e bollëkut të “këpurdhave pas shiut” (falë punës, shansit, por edhe korrupsionit). Sipas të dhënave, Shqipëria është vendi me nivel papunësie ndër më të lartit në Evropën Lindore; me jetesën ndër më të shtrenjtat ndoshta edhe në Perëndim; dhe me varferi e pasuri ndër më të skajshmet.

Fakti që tani lind ideja e krijimit të një sistemi “bikameral’ legjislativ, tregon se gjendja e krijuar cilësohet e  pandreqëshme dhe që ajo të rregullohet me ligj a të perjetësohet duhet një Dhomë përfaqësuese për shtresen e ulët  dhe një Senat për shtresën e lartë. Kjo gjendje ekzistuese gjithashtu bën të mendosh se nje ndarje në mënyrën e  përfaqësimit bëhet më tepër nisur nga konceptit i absolutizmit mesjetar te ndarjes shoqërore dhe jo sic ekziston sot ndarja e legjislativit në vendet e zhvilluara demokratike.

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-04-19 22:22:53
I respektuari Astrit lulushi artikulli i juaj eshte shum i mire 
por desha te shtoj se edhe ne regjimin komunist ka pasur 
dy dhoma dhe ai quhej presidiumi i kuvendit popullor qe vete 
vendoste dhe vete vuloste per cdo vendim qe merrte kuvendi, 
Ashtu si Enver Hoxha qe e zevendesoi emrin mbret me  
emrin sekretar i pare i p.p.sh qe vendoste or vendosej asnje  
gje pa mendimin absolut te tij.


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?