Faqe kryesore arrow Diktatura Komuniste arrow Demokracia shqiptare nuk i ka shëruar plagët e ish të përndjekurve politikë.
Demokracia shqiptare nuk i ka shëruar plagët e ish të përndjekurve politikë. PDF Print E-mail
21 Maj 2007
(Intervistë me ish të përndjekurin politik Memo Gjonzeneli)
 
Zoti Menisha Gjonzeneli ose Memo siç e njohin shokët dhe miqtë e tij është një bashkatdhetar shqiptar nga rrethi i Vlorës me banim në Chicago, Sh.B.A. Ai, si një pjesë e mirë e shqiptarëve ka një histori jete tepër të dhimbëshme. Regjimi komunist shqiptar i ka dhënë goditjen e madhe atij dhe familjes se tij. Zoti Gjonzeneli është ndër ata njerëzit e shumtë fatkeqë që ka provuar në shpinën e tij vuajtjet,  burgosjen, torturat, internimin  nga regjimi komunist shqiptar.
Biseda që zhvillova me të zbulon një pjesë të plagëve, të cilat koha ende nuk ka mundur që t'i mjekojë.
 
 

- Zoti Gjonzeneli! Mund të na tregoni diçka për veten dhe familjen tuaj, si kundërshtarë të regjimit komunist?
 
     - Familja ime është një familje nacionaliste shqiptare.
Kushëriri  ynë  avokati  Skënder Muço ishte  një  nga  udheheqesit  kryesor  te nacionalizmit në Shqiperi dhe kryesisht në pjesen e jugut.
Babai im ka  qenë  ballist  dhe për këtë aresye ne vitin 1945 e arrestuan dhe u dënua ne fillim me vdekje dhe me vone 25 vjet, nga te cilat vuajti vetëm 12 vjet.
 
     - Pra, qellimi i goditjes së familjes suaj nga komunizmi ishte se familja juaj ka qenë me bindje nacionaliste dhe jo komuniste.
 
     - Po. Ne në familjen tonë ishim 7 fëmijë, 4 djem dhe 3 vajza. Kur arrestuan babain  kushtet e jetesës sonë u bënë të mjerueshme. Gjithmone morsa komuniste na shtrëngonte të gjithëve.
Kjo e detyroi vëllain e madh Qamilin, në kohën kur kryente shërbimin ushtarak ne brigaden e punes ne Çukë te Sarandës të arratiset me not nga Saranda në Korfuz, sepse ne te gjithe vëllezerit ishim notar shumë te mire. Pa kaluar 4 muaj nga arratisja e vëllait, më arrestuan edhe mua me pretekstin se kisha dijeni per vellain që do arratisej.
Më 17 Nëntor 1958 në mosën 17 vjeçare me arrestuan dhe me dënuan me 9 vjetë dhe me pas me 6 vjetë, nga te cilat bëra 5 vjetë. Dënimin e kam vuajtur në fillim në Thumanë dhe më pas në Spaç dhe në Tirane. Në vitin 1967 familjen tonë e shpërngulën nga Vlora dhe e internuan  në Tragjas, fshati nga ku e kemi edhe prejardhjen.
Shumë shpejt pas internimit arrestojnë vëllain e vogel Murat Gjonzeneli me pretekstin se ka sharë qeverinë, i cili u dënua 10 vjetë.
Pasi e vuajti të gjithë denimin e burgut, pa mbushur vitin që kishte dale në liri, e arrestojnë, përsëri dhe dënojnë prap me 10 vjet, sepse gjatë kohës në burg kishte mbajtur qendrim anti qeveritar. Kur vëllai i vogël ishte ende në burg arrestojnë edhe vëllanë më të  madh se unë, Teki Gjonzeneli, i cili u dënua me 8 vjet heqje lirie. Gjithmonë me te njëjtat akuza, pakenaqesi ndaj Pushtetit Popullor.
 
     - Emrin e vëllait tuaj Teki Gjonzeneli e kam lexuar në disa shkrime shumë të dhimbëshme për vuajtjet e tij dhe të familjes suaj. Juve j'u shoh tani në këtë moshë dhe j'u pyes: Po Ju, pse nuk shkruani rreth atyre vuajtjeve që keni kaluar?
 

     - Ne fakt te gjithe ma bëjnë këtë pyetje Zoti Simsia, pse nuk shkruan?
Gjithë ato vuajtje që ka përjetuar familja jonë dhe shumë familje të tjera si ne të goditura nga regjimi kriminel komunist shqiptar në Shqiperi, tani po shkruajnë, pothuajse të gjithë vuajtësit dhe, jam i bindur se shokët kanë shkruar për ato që do shkruaja edhe une...
 
      - E megjithatë, vuajtjet dhe dhimbjet e njerëzve të ndryshëm kanë të përbashkët atë që quhet vuajtje, burg, persekutim, internim...
 
     - Është më se e drejtë. Sigurisht, që unë nuk kam asgjë te veçantë nga të tjerët vuajtës si unë. Komunizmi na luftoi aq shumë sa u lodh me shtresën tonë dhe poshtersia e madhe e shkaterroi. Nuk jemi per hakmarjen. Ne duam qe ligji dhe drejtesia te veprojë...
 
     - Është interesant fakti se shumë ish vuajtës të burgosur dhe të persekutuar politikë e kanë të përbashkëtën e tyre. Janë kundra hakmarrjes.
Pa dashur t'ju lëndoj plagët, a mund të sillni ndonjë kujtim nga e kaluara juaj e hidhur, nga vuajtjet tuaja në burgjet komuniste shqiptare?

 
     - Ashtu siç j'u thashe dhe më lart unë u arrestova në vitin 1958.
Erdhën ne punë katër njerëz te veshur civil me një xhips bojë ulliri. Ata m'u hodhën menjeherë dhe më lidhën pa më thënë asgjë. Kur me shtynë në makinë më hodhën një batanie në kokë dhe më shtypën te këmbët me kepucë. Në birucë më priste një spiun, i cili  dinte çdo gje per mua dhe per ne si familje. Ai ishte afro 50 vjeç dhe ishte nga Kuçova. Ai  ishte profesionist per keto punë. Pasi mësova me vonë për të edhe ai ishte i dënuar 15 vjetë. Pa mbaruar akoma prezantimin, kapteri mori një te burgosur ordiner. E hoqi zvarrë deri te dera ime dhe filloi ta qëllojë me një tub gome dhe me shqelma.  Ai bërtiste dhe i lutej policit, se nuk do bënte më, ... ndoshta dhe i improvizonte, sepse atje kishte plot "artista".
I burgosuri që ishte në dhomen time filloi te dridhej nga frika. - Cfarë ke? - e pyeta unë. Ai më tha, se e kemi ne radhën. - Ne nuk kemi berë asgjë, - i thashë. Ai m'u pergjigj. "Këta janë kriminela, s'ke fare nevojë të bësh ndonje gjë". Unë me të flisja lirshëm dhe më dhimbsej nga mënyra se si ankohej.   Shpesh herë, kur familja ime më sillte ushqime, unë i ndaja me të, por disa herë nga ato ushqimet që familja ime më sillte ata nuk m'i tregonin mua por ia jepnin atij.
Pas çdo bisede që unë bëja me të, më merrnin dhe më çonin tek hetuesi dhe dihen torturat që të prisnin kur shkoje atje. Pasi mbaroja "punë" me hetuesin ata i thoshin policit të më bënte pak "masazh" dhe, kur polici mbaronte punën me mua më thoshin: - Ik tani dhe na shaj prapë.
Më vonë e mësova se ai ishte spiuni i tyre.
Sapo ishte arrestuar një qytetar tjetër dhe dhoma ku rrinte spiuni duhej liruar urgjentisht. Mua me çuan në një birucë që ishte perballë WC. Më duket se ka qenë biruca numër "7", sepse biruca e parë ishte numër "19".
 Në ditë më jepnin vetëm nje racion buke  300-400 gram. Unë e haja gjysmën e bukës dhe pjesën tjetër e lija afër kokës që ta haja më vonë. Kur u zgjova të nesërmen në mëngjes nuk e gjeta bukën. Në fillim mendova se e kisha ngrënë vetë nga uria. Përseri të nesermen hëngra gjysmën e bukës dhe gjysmën tjetër e lashë afer kokës.  Përsëri nuk e gjeta bukën. Më lindi dyshimi ne vetvete, sepse asnjeri nuk më hynte ne dhome. Diten tjeter veprova ashtu siç veprova dhe ditet e meparshme dhe po beja sikur po flija , pa bërë asnjë lëvize. Degjova një zhurmë, fësh fësh të vogel. Menjëherë hapa syte. Ç'të shoh?! Një mi i madh  mbi 1kg e kapi bukën dhe në të njëjten kohe e kapa dhe une buken nga ana tjeter. Edhe pse ia rrëmbeva menëherë, miu kishte marrë një copë bukë...
 
      - Ndonjë kujtim që hedh dritë mbi rrezikun që j'u rrinte mbi krye?
 
 
     - Më ka mbetur në mendje diçka e tmerrshme. Kishim gati katër orë që punonim. Kampi ishte mbi një orë larg. Ecnim në rresht për tre. Në ballë të rreshtit, anash dhe në fund të tij na shoqëronin ushtarët dhe policët me qen. Ne ishim mbi 1200 vetë. Punonim në hapjen e kanalit të Thumanës. Sipër nesh ishte rruga automobilistike Tiranë-Shkodër. Në krah të djathtë ishte një fushë dhe më pas vinte një arë me misër. U dëgjua bilbili, që na njoftonte pushimin e drekës. Të gjithë duhet të uleshim. Asnjeri nuk duhet të rrinte në këmbë.
Tre-katër metra larg meje ishin dy të burgosur që unë i njihja shumë mirë, madje njërin e njihja qysh fëmijë. Quheshin  Mehmet Hamza nga Dukati i Vlorës dhe Ilia Iliadhi, minoritar.(Ndoshta edhe gaboj për mbiemrin e Ilias)
Sapo futa në gojë kafshatën e parë të bukës, Mehmeti më tha: - Mirupafshim- dhe menjëherë vrapuan të dy në drejtim të fushës. U dëgjua urdhëri: - Të gjithë barkas!
Nga të gjitha anët u dëgjuan krismat e armëve të të gjithë llojeve, por ajo që na tronditi të gjithëve ishte zhurma e tmerrshme e katër mitralozëve.
Të dy ata djem të fuqishëm po vraponin si furtuna drejt arës me misër. Shpesh herë, nga presioni i plumbave të mitralozëve humbisnin edhe ekuilibrin, e megjithatë, vraponin. Në një moment, Mehmeti rra dhe ne menduam se u qellua për vdekje. Ilia nuk mund ta linte shokun në baltë, ndaloi edhe ai, i dha dorën për ndihmë dhe përsëri menjëherë vrapuan dhe hynë në arën me misër.  Dhe tani që po ta tregoj më del përpara ajo skenë e tmerrshme dhe më dridhet mishi...
Shikoj dy shokët e mi që ishin bërë tabelë qitje dhe nuk kishe mundësi të bëje gjë.
Pas 5 ditë kërkimesh, ata u kapën. Ilia ishte plagosur në kofshë dhe ata nuk i dhanë asnjë lloj mjekimi.
Ndërsa ne të tjerëve, deri sa ata u kapën, nuk na dhanë ushqimet tona. Kur i sollën në repart, plaga e Ilias ishte infektuar shumë. Policat ia lëndonin plagën me shqelma. O Zot! Të bërtiturat e Ilias nga dhimbja e madhe, shkonin lart, larg, deri në kupë të qiellit.
Ata i bënin këto tortura për të na trembur ne të tjerëve, të mos vepronim si ata, nëse ndonjeri kishte ato qellime.
Mehmetin e rrihin 3-4 policë në oborin e kampit, përpara syve tanë. Nuk mund t'i përshkruaj dot ato dhimbje që ndjenim për shokët tanë dhe  atë urrejtje ndaj atyre njerëzve katila dhe kriminelë, që torturonin shokët...
Të nesërmen na çuan përsëri në punë dhe jeta vazhdoi përsëri në rrjedhën e saj.
(I uroj atyre shokëve, nëse jetojnë, Zoti t'u japë lumturi. Nëse nuk jetojnë, u prefshin në qetësi.
 
      - Me renien e komunizmit, u duk sikur klasa e vuajtur e ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë, do merrte një prioritet nga klasa e re politike shqiptare. E ndjeni veten të trajtuar apo të harruar pas rrënies së komunizmit?
 

     - Demokracia kurrë nuk ka qenë pjesë e ndarë e jona. Ne e shtruam rrugën e demokracisë me gjokset tanë të bërë shoshë nga plumbat komuniste, me burgjet, internimet, përdhunimin, prestigjin, që nuk është nevoja të flasim.
Sigurisht, demokracia ishte kontributi i të gjithë popullit, por ne që në fillim, na zhgënjyen.
Ne krijuam shoqata jopolitike, kur ishim të vetmit ne që vuajtëm dënimin për politikë. Ne duhet të kishim përfaqësuesin tonë në parlament, pasi ishim fprce e konsideruar dhe patjetër do dinim t'i mbronim të drejtat tona....
 
      - Ju si i burgosur politik keni fatin e mirë sot të jetoni në Sh.B.A.  Çfarë duhet të bëjë ajo klasë politike shqiptare sot për të gjithë ish të burgosurit dhe ish të persekutuarit?
 
      - Fatkeqësisht, të gjitha ato premtime të demokratëve menjërë sapo u përmbys komunizmi, nuk u mbajtën, të paktën për klasën tonë të vuajtur. Gjatë këtyre 17 vjetëve, le ta quajmë vite demokracie nuk kemi parë asgjë të bëhet ndaj nesh, ish të burgosurve dhe të dënuarve politikë. Janë ato mospremtime që tregoi edhe në votimet e fundit që Partia Demokratike Shqiptare stonoi kësaj radhe. Unë jam i bindur, megjithëse më vjen shumë keq, që një pjesë e shokëve, vuajtësve të mi, nuk kanë votuar për PD-në. Për këtë më vjen jashtzakonisht shumë keq, sepse tek ajo parti ne shikojmë shumë gjëra që edhe ne si nacionalistë i kemi në platformën tonë.
 
     - Mund të më thoni diçka për familjen tuaj?

 
     - Kam ardhur para16-të viteve në SH.B.A. në Chicago. Jetoj bashkë me familjen time këtu. jemi shumë të lumtur dhe të gëzuar që jetojmë në këtë vend të bekuar.
Edhe pse tani jam në moshën 66 vjeçare, jam i gatshëm t'i shërbej shtetit amerikan me çdo mundësi, në çdo kohë dhe vend. Ato gjëra që nuk m'i dha Atdheu im, Amerika e bekuar m'i dha me të dyja duart.
Unë kam dy fëmijë; një vajzë dhe një djalë. Vajza ime ka qenë një ndër studentet më të mira në mësime në Chicago.
Universiteti me famë botërore Harward në Bonston i dërgoi dokumentat për të aplikuar në atë shkollë, por ne të paditurit nuk e lamë...
Ajo mban 15-të medalje të ndryshme, që i ka marrë në konkurse të ndryshme, gjithashtu ka edhe dy kupa të viteve 1996 dhe 1997.
Në murin e një ndër dhomave të shtëpisë sonë, përveç çertifikatave të shumta, është edhe çertifikata e ish Presidentit Bill Clinton që e zbukuron së tepërmi.
Vajza ime ka dalë nxënësja e parë në mësime në gjimnaz dhe nxënësja e parë në mësime në Universitetin e North Uster, që është një ndër dhjetë universitetet më të miera në Sh. B. A.  Pasi mbaroi studimet, vajza ime tani punon në Federal Bank. Është gjithmonë studjuese dhe vetëm me studime ndjen gëzim dhe kënasqësi.
Djali gjithashtu është nxënës i shkëlqyer në mësime. Ai sivjet mbaron shkollën për inxhinieri kompjuterike.
 
     - Është fakt zoti Gjonzeneli që, pothuajse të gjithë fëmijët e ish të burgosurve dhe të dënuarve politikë janë fëmijë të zgjuar, studentë që kanë mbaruar shkëlqyeshëm shkollat si në Shqipëri dhe në shtete të tjera të huaja ku kanë emigruar. Është fatkeqësi e madhe për ata dhe prindërit e tyre që morrën atë goditje të rëndë padrejtësisht nga kriminelët, injorantët e politikës shqiptare komuniste.
 
     - Ashtu është vërtetë. Pavarësisht se jeta jonë kaloi në vuajtje, burg, internim, përbuzje.. ne sot ndjehemi shumë të lumtur kur shohim fëmijët tanë të shkëlqejnë në mësime dhe të ecin në udhë të mbarë në jetë. Si prind, i jap bekimin tim fëmijëve të mi dhe për këtë jemi shumët ë lumtur në këtë moshë.
 
     - Po bashkëshortja juaj, i përket klasës së persekutuar politike?
 
     - Pas gjithë atyre vuajtjeve që kalova në jetë, nuk doja që të isha tabelë qitjeje, prandaj dhe nuk pretendoja që edhe bashkëshortja ime të ishte i të njëjtës klasë politike si unë. Zgjodha një vajzë nga një familje e varfër, por të ndershme. Nëna e saj fshinte pusetat e Vlorës.
Gjatë gjithë viteve të jetës sime jam shumë i lumtur me gruan time, me të cilën kemi dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.
Në Shqipëri kam punuar në profesionin e saldatorit, profession të cilin e ushtrova edhe këtu në Chicago. Tani nuk punoj, jam në pension.
 
     - Cili është mesazhi juaj?
 
     - Gjithë bashkëvuajtësve të mi u jap mesazhin që të jenë të bashkuar me njëri tjetrin dhe të përpiqemi sa të jetë e mundur, ashtu si luftuam në kohën e komunizmit, që dhamë jetën dhe bëmë të gjitha sakrificat. Është e rëndësishme dhe kryesore që të vëmë në vend dinjitetin tonë. Atë dinjitet që na e morrën padrejtësisht, ta justifikojmë me pjekurinë, logjikën, maturinë tonë.
 
 - Ju faleminderit shumë i nderuar zoti Gjonzeneli për këtë intervistë kaq interesante që na dhatë, duke na njohur edhe me vuajtjet tuaja.

 
     - Edhe unë ju falenderoj zoti Simsia. Na keni nderuar shumë me ardhjen tuaj këtu dhe dëshirojmë që lidhjet tona të vazhdojnë dhe të jeni i sigurtë; të na vini përsëri në Chicago, sepse përherë do të gjeni ngrohtësi, ashtu siç edhe gjetët shokë dhe miqë.
 
Pierre-Pandeli Simsia

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-06-05 10:27:28
lexova artikullin tuaj ,ju falenderoj nga zemra qe gjetet kohe te shkruanit per nje nga grimcat e plageve qe jo demokracia nuk munde ti sheroj por asnje sistem ,sado i perkryer te jete ,sepse plaget qe shkaktoi Komunizmi jane bere Gangrene e Ganrena do shume kohe do shume metoda sepse kjo Gangrene nuk ka demtuar vetem lekuren por te gjithe qelizat e trurit te zemres pra eshte krijuar nje Metaztaze qe eshte UTOPI sherimi i ketyre plageve . Jetova dhe une disa caste me intervisten tuaj me nje nga pjesetaret e familjes GJonzenelaj u preka shume me vuajtjet te pershkrura do te deshiroja nepermjet ketij komentite falenderoj zotin Memishah qe ju dha mundesi te gjithe lexuesve rastin te njohin nje nga grimcat e vuajtjeve dhe sukseset e jetes ne ditet e sotme.(Ilda Zaicaj )

Koment nga GUEST më 2007-08-20 12:05:30
Qofte mallkuar komunizmi dhe ajo miter qe e krijoj!


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?