Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Shoqëria arrow Historia, por edhe trauma historike që duhet trajtuar
Historia, por edhe trauma historike që duhet trajtuar PDF Print E-mail
21 Maj 2007

nga Astrit Lulushi, SHBA

“Droga sekuestrohet”, “I riu vetvaret”,  “Pranga pengmarrësit”, “Mjeku mashtron”, “Profesori përdhunon”; ngjarje të dhimbshme për viktimat dhe për shoqerinë; plagë që trajtohen, por që duket se rihapen sa herë që shkruhet rreth tyre dhe shkrimet jane të shpeshta. Ato janë jo thjesht tituj njoftimesh në faqet e para të shtypit shqiptar, por pasqyrime psikologjike në shekullin e XXI të ngjarjeve të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Në fakt, ato jane simptoma të traumës historike.
Përse duhet historia? Cfarë lidhjesh mund të ekzistojnë midis ngjarjeve që ndodhin sot dhe një të kaluare që cdo ditë  bëhet edhe më e largët? Cfarë kuptimi mund të kenë për një periudhë si e sotmja ngjarjet apo historitë që u kane  ndodhur njerëzve në kohët e shkuara?

 

Dhe pergjigja që vjen vetvetiu në mendje është një; historia duhet për zgjimin e ndërgjegjes apo krenarisë për racën, fisin, kombin, fenë. Por nëse kjo është pergjigja e vetme, atëhere ajo është gjysmake, pasi trajton vetëm  figurat e shquara, heronjtë apo ngjarje të vecuara të fryra me mburrje dhe anashkalon humbjet, vuajtjet, dështimet  turmën, grupin, popullin, ata që mbartin kujtimet, kulturën, doket, gjuhën për t’i dorëzuar brezit tjetër. Por bashkë  me keto vlera ky grup a popull i përcjell brezit pasardhës edhe dicka tjetër, përcjell traumën historike; akumulimin emocional dhe plagët psikologjike të krijuara nga katastrofat,  humbjet, dështimet, ngjarjet tronditëse, dhuna, tirania, qe ata kanë provuar gjatë luftes për mbijetesë, ose që i kanë trashëguar nga brezi para-ardhës.

Trauma është një prej koncepteve kyc të psikoanalizës, thonë ekspertët, dhe trajtimi psikoanalitik i saj bëhet duke  rikrijuar klinikisht një version të thjeshtuar të vet ngjarjes. Trauma, shkruante Zigmund Freud (1856-1939) është nj  plagë në kujtesë, që sa herë preket (kujtohet) lëndohet, por edhe shërohet. Ajo shkaktohet nga paaftesia e trurit  për të përballuar një ngjarje, e cila tejkalon kufijtë e perceptimit. Rikrijimin e ngjarjes së dhimbshme në mendjen e pacientit, Frojdi e përdorte si mënyre trajtimi, ashtu si një kirurg që kthehet tek plaga për ndërrimin e fashos. Sipas teorisë së Frojdit, ngjarja që ka krijuar traumën, kur rikujtohet nuk është në gjendje të shkaktojë një tjetër traumë,  pasi trurit ka krijuar tashmë mekanizmin e kundërpërgjigjes, pra ngjarja nuk është më e papritur, truri nuk gjendet i papërgatitur, por i aftë të konceptojë se c’po ndodh.

Nga kjo pikëpamje, vlerë kuruese për traumen historike mund të thuhet se kanë edhe librat me kujtime, apo filmat  dokumentarë  e artistikë rreth ngjarjeve të dhimbshme apo gabimeve historike.  Përshembull, krimet e  paimagjinueshme janë traumatike dhe jo më pak të tilla jane ato që shqiptarët provuan gjate gjysmës së dytë të  shekullit XX. Ato janë ngjarje historikë dhe që të mos harrohen, duhet të shkruhen,  thote Tomorr Aliko, një prej  mbijetuesve të burgjeve komuniste dhe internimeve.  Aliko vetë ka botuar të paktën dy libra dhe shumë shkrime  rreth përvojës së tij. Dihet se kujtimi i ngjarjeve të tilla është tronditës, por jo traumatizues dhe sipas Frojdit, kurues.  Pra, trauma historike është plagë, e cila që te shërohet, duhet rregullisht të vizitohet, thotë psikoanalitika

Por duke e trajtuar cështjen nga këndvështrimi filozofik, Friedrich Nietzsche (1844-1900) theksonte nevojën për të  harruar. Kujtesa, thoshte ai, duhet të ketë një kufi. Në fakt, me një dilemë të tillë ndeshen edhe shumë prej atyre  që kane mbijetuar ngjarje traumatike. Heshtja është sinonim i qetësisë; jetës se qetë, pa rreziqe,  pra mund të  nxirret përfundimi se heshtja është mbijetesës. Por edhe liria nëse interpretohet si clirim nga e kaluara, atëherë  mund të thuhet se është nje perpjekje për të mbijetuar. Por jo gjithmone clirimi dhe harresa jane të vullnetshme. Disa nga ata që u jane nështruar torturave kane treguar se sot jane gjallë, fale harresës së sforcuar duke bëre që të  mos iu pergjgjeshin pyetjeve në hetuesi, pasi me të vërtetë nuk mbanin mend. Po ashtu, shumë mbijetues, për të harruar ngjarjet traumatike, sot merren me dicka tjetër larg zhvillimeve që i lidhin ata me të kaluarën, dhe në  këte mënyrë harresa e qëllimshme, është cmimi që ata paguajnë për të jetuar të qetë. Por nga ana tjetër, ka edhe  nga ata që bëjnë pyetjen; “Përse duhet t’i ndrydh apo kufizoj kujtimet e mia”, dhe vazhdojnë të shkruajnë. Kjo  duket se tregon që kujtesa e traumës historike është e natyrëshme, ndërsa ata që thonë se janë në gjendje t’a kufizojnë këtë kujtesë, ndoshta vetëm bëjnë sikur harrojnë ose përpiqen të harrojnë.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive