Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow Poeti i britmės sė kumteve amtare tė lashta e lirikave
Poeti i britmės sė kumteve amtare tė lashta e lirikave PDF Print E-mail
29 Maj 2007
Klajd KAPINOVA, New York

Anton Çefa (1934),  u lind në Shkodër, ku  edhe kreu mësimet fillore e të mesme.  Studimet e larta i ka ndjekur në  Institutin Pedagogjik 2-vjeçar Shkodër e i ka kryer ato në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës, Letërsisë e  Historisë së Shqipërisë-Dega e Korrespondencës, në vitin 1962. Ka shërbyer si mësues në shkollat 8-vjeçare dhe të  mesme. Për punën e tij si mësues është nderuar, mbas rënies së diktaturës, me titullin “Mësues i merituar” (19).  Gjatë periudhës së regjimit komunist, ka botuar në shtypin e qytetit e shtypin qëndror periodik, shkrime rreth  psikologjisë etnike dhe pedagogjisë popullore të popullit tonë. Mbas përmbysjes së këtij regjimi, ishte një ndër themeluesit e gazetës demokratike “Shkodra” (1991), e para gazetë lokale demokratike në Shqipëri, dhe anëtar i këshillit botues të saj. Gjithashtu ka qenë anëtar i këshillit botues të revistave “Rrezja e jonë” (Shkodër, 1991) dhe "Kumbona e së Dielles" (Shkodër, 1992), që filluan të botohen në Shkodër asokohe. Për një periudhë të shkurtër, ka  punuar si drejtor i Radio Shkodrës (1992). Në vitin 1993, ka emigruar familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Që nga viti 1994, është editor i gazetës “Dielli” (1909), organ i Federatës Panshqiptare “Vatra” (1912) dhe bashkëpunon pa ndërprerje.

Ka botuar në gegnisht, përmbledhjet poetike: “Dritarja e një britme” (Lezhë, 1999), “Heshtja ka tingull guri”  (Shkodër, 2002). Poeti i talentuar Gjekë Marinaj, me banim në Dallas (Texas), për artin poetik të Anton Çefës,  krijime të ruajtur në fshehtësi, gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri (1944-1990) vlerëson: ““Heshtja ka tingull guri”, ndonëse po bie në duart e lexuesit për herë të parë, është ruajtur si fosil në shpirtin e poetit që nga dekada e katërt dhe e pestë, të shekullit që sapo kaloi, a edhe pak më vonë. Pra kemi të bëjmë me atë kohë, kur në  bisedat e ditës së qytetarëve flitej kryesisht për pushkatimet e njëpasnjëshme të intelektualëve, klerikëve, poetëve  e të gjithë atyre që guxonin të komunikonin zëshëm me ndjenjat e tyre. Mirëpo, për natyrën njerëzore, në një përspektivë të veçantë, shprehja e ndjenjave është e barabartë me instiktin e frymëarrjes. Ndërsa për poetët,  kjo domosdoshmëri humane, është e disafishuar në më tepër se një kuptim.”. “Fjalë në vargoj të muzgët”  (Shkodër, 2003), është vëllimi tjetër poetik i editorit A. Çefa. Libri shoqërohet me parathënien: “Poezia si formë e mbijetimit dhe e pasurimit shpirtëror”, shkruar nga studiuesi e pedagogu i Universitetit të Kozencës në Itali Prof. Anton Nikë Berisha. Pjesa e mbasme e vëllimit, ka një vlerësim sintetik, hartuar me kujdes e kulturë fine nga  studiuesi i njohur në Rumani Prof. Ardian-Christian Kyçyku. Ai ka gati për botim 2 libra studimor, për të cilat, ka  punuar në një hark kohor prej 30 vjetësh: “Psikologjia etnike e popullit tonë-tradita”, “Edukatë popullore shqiptare”.  Punimin voluminoz e ka paraqitur për gradën shkencore, por për arsye biografie nuk i është pranuar.  Studiesi e publicisti Çefa, punon pandërprerje në hulumtimet e kulturës dhe traditës së hershme shqiptare, duke i dhënë jetë dorëshkrimeve, që presin të botohen: “Kritikë letrare: syzime-analiza-intervista”, “Ftillime publicistike”,  “Portrete”, “Noli e Konica” (ese), një përmbledhje poezish origjinale dhe një përmbledhje poezish të përkthyera nga  italishtja e anglishtja. Për lexuesit e rubrikës profil poeti, po ofroj të kundrojmë sëbashku, kënaqësinë që të japin tubëzat lirike: “Motivet e gurit”, “Kulti i fjalës”, “Motivet e Shkodrës”, “Motivet e stinëve” të pabotuara më parë.  Poeti Anton Çefa, jeton me familje në New Jersey.



   Jehe melodish

Në mendimin tim
thërmohet nji tingull guri
e vorbuj flake
ngre në çdo pikël gjaku
mandej nji mal me dhimbje
e jehe melodish
ma të lashta se kohë e gurit.

   Enigma e gurit

Gjithkush dashunohet n’diçka
e unë u dashunova në enigmën e gurit.

Në rebusin e gurtë
gjeta shtegun e andrrës
e mugullimin e sythit të njomë
në prak pranverash.

Xixa stralli
ma ndezin eshkën e gjakut
e jam dell i ngrimë në ballin e shkambit.

Gjithkush dashunohet n’diçka
e unë u dashunova në enigmën e gurit.

Guri - rit i shejtë i të parëve të mi.

   Mallkimi i gurit

Që në kohnat ma të para
stërgjyshi im në logun e kuvendit
faqe burrave urtakë
u përbetue mbi gur…

Dhe guri ia lëshoi namën e vet :

“Mallkue qoftë çdo gja qi s’asht gja,
mallkue qoftë fjala,
nëse nuk zbulon të vërtetën,
lëvizja nëse nuk synon drejt dritës,
ngjyra nëse nuk ruen fytyrën,
forma nëse shtrajtëson njeriun,
pesha nëse nuk randon ku duhet !
Mallkue qofshin !

E mallkimi më ndjek që shtatqind brez.

   Pesha e fjalës

Kur dora e brengës troket
në damarët  e votrës
e prushi i saj përndizet
e harliset
në të gjitha enët e gjakut,
të dhemb shpirti, vëlla,
e peshon si guri fjala
e ma tepër se guri.

   Filli i fjalës

Fëmijë,
ia kërkova fillin fjalës:

Përtej bukurisë, qielli,
Përtej dashurisë, nana,
Përtej flijimit, Atdheu,
Përtej vetvetes, emni.

Emni,
në mes të kangës
e të gjamës.

   Miha në gojën e shpresës

Miha në gojën e shpresës
e mbolla nji fjalë
e fjala u ba dhimbje.

Lule e shpeshtë e kësaj zagne
qi quhet jetë.

   Kryqëzim

Kryqëzohem tek fjala,
fjala kryqëzohet tek unë.

Në fjalën time digjem,
përsëdytem prap tek fjala.

Hini i stërdjegun i Feniksit
Fjala .

   Kulti i  fjalës

Ka nji kufi të artë
gjithësia :
aty ku mbaron së djeguni
nji botë
fillon nji tjetër botë
e gjallë me fije bari e jete.

Në altarin mes dy botëve
si lutje e shejtë
kulti hyjnor i fjalës
ringjallë në dritë.

   Shnjoni

Si çdo vjetë
Shnjoni i ndezi flakadajt
Dhe valles ia dogji hapin.

Deri në ag të ditës
Përzhiten kambët e shpirtnat.

Kristianizmi pagzoi me emen të ri
Zakonin e vjetër
E arbërit mbeten arbër.

Zjarre të fikuna dikur
Ndezen rishtas në gjokse e të rijve
Ditën e Shnjonit.

   Pax  Vobis !

“Pax vobis ’, kufoma jetësh të zhgënjyeme!”
Pëshpërisin gjuhët e blerta të selvive
E shelqeve u ranë gojët
Në litani mortore pa mbarim.

Mbi eshtna martirësh randojnë
E dridhen prej pezmi gurët e zajeve,
Kullojnë helm kaltërsitë.

*U kushtohet patriotëve të pushkatuem
 mbas mureve të Rmajit, në Zall të Kirit.
    
   Stinë panairesh

Stinë panairesh dehëse,
Pranverë e delireve
Që tallaziten në gufim të gjakut
Ndër dej.

Panair tingujsh të blerë
Kah dridhen në fërgëllim të kalesës,
Ma të lehtë se drita
Që feks mbas degëzave të kopshtit.

Panair ngjyrash
Ma të brishta se fjalët e zogjve
Në endje ylberesh.

E aromat,
Oh panairet e aromave,
Ma të kandshme
Se fryma e foshnjeve në djep!

Stinë panairesh dehëse,
Pranverë e delireve!

   Vapa djegagur
    (Vera)


Fjolla rrezesh të zjarrta
Që nuk shihen
Gëzojnë ditët e dasmës
Me rituale vape.

Nji gjinkallë e çmendi
Gushtin djegagur
Deri në frymë të fundit.

Mendimet si kallijt
Kanë ulun krenat
Mbi ditën që digjet
Pa zhurmë.

   Në damarët e vjeshtës

Më zverdhon gjaku në damarët e vjeshtës.
në ninëzat e syve të saj
më pushon mendimi.

Krahët e drujve
përkulën prej peshës së mallit.

Strehët pikojnë pa pra
lirika me gri të muzgët.

   Çast

Në pritje të blerimit
damarëve të mendimit
rrjedh gjaku i vjeshtës.

   Akuarel

Me fishkëllima ernash
masgallave të jetës
    rreh krahët vjeshta.

Me njolla ari e bakri
varet në degët e pemëve
    andrrimi.

Me tinguj të verdhë e të kuremtë
rekton mbi gjethet që bien
nji kumbim
    si lutje jetimi.

Në foletë e fjalëve
trumhasen të trembun
    trishtilat e trumcakët.

   Tundzitet ajri

Tundzitet ajri hapsinave të qelqta
e zhurmat
e fjalët.

Randue prej mija puthjesh buzlagëta
të shiut
që rigon pritueshëm,
gjethet murmurisin
meloditë e erës n’kalim.

Si çerdhuklat
tremben vegimet
n’flutrim drejt brigjeve t’andrrueme.
   
Humbja e kujtesës

Në pëlhura damarësh të gjetheve
të vjeshtës
u mplak kujtesa e blerimeve të dikurshme
e humbi.

Sythat në stinët e ardhshme
nuk do të trashigojnë asgja
veç dhimbjes së degëve të mardhuna
dhe ankthit
me thanë një fjalë të blertë.
    
   Grishje e brymtë e gjetheve

Gjethe që bien,
një grishje e brymtë
lamtumire.

Çerdhe që varen
ndër degë t’lakuriqueme
e lëkunden
n’ kujtime t’harrueme.

Shi që s’pushon
e lan kalldrame ankthesh
kah dalin ma të dlira
n’shkelqim me ngjyra t’ikjes.

   Rosat e egra

Në horizontet e mbylluna
përhumbet e tretet ngadalë
vizatimi  gjeometrik i rosave të egra -
trazim i përkohshëm
i qiellit gri të shpirtit dimnuer,
që tërhiqet i trembun
nga mospërfillja e klithmave të tyne
të lamtumirës.

   Puthjet e bardha

Flurore fjolla bore
zbresin fushoreve.

Nji mori lulesh në xham
sajojnë puthjet e bardha.
dikush shpejton të hapë nji shteg
te rruga,
nën derë të moshës nji plak
i ndrydh mendimet.

Fjollat e borës flurore
ngadalë
zbresin fushoreve.

   Dimen

Dheun e mbulon
bardhësia e mendimeve të borës.

E flokët e saj
mbi shpirtin e qelqtë të dimnit
me mija forma
lulet i çelin të ngrita.

Andrra të dridhshme
të ftohta
puçrrizen mbi gishtat e degëve
që presin pranverën.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-06-05 10:12:59
amelia prej shkodre 
urime autorit z klajd kapinova. antoni qenka me te vertete nje poet sintetik, me nje mendim te ngjeshur e pa shume uje. me pelqeu shume gjuha e nenes qe eshte gegnishtja. te lumte anton, te jesh krenar qe je bir i shkodres djeli i kultures dhe civilizimit shqiptar nder shekuj.

Koment nga GUEST më 2007-06-05 10:17:06
nje shkrim shume interesant nga autori klajd kapinova me banim ne new york. urime.


International
English
Faqe interaktive