Faqe kryesore arrow Letersia arrow Lexuesit e Kadaresë në zonën e Bostonit
Lexuesit e Kadaresë në zonën e Bostonit PDF Print E-mail
05 Qershor 2007

Nga ROZI THEOHARI-- Boston

Duke nisur udhëtimin nëpër botë, vepra e Kadaresë kapërceu male e oqeane dhe u bë pronë, mesazh e retorikë e lexuesve të racave e kulturave nga më të ndryshmet.  “Kadareja është i pari shkrimtar në historinë e Shqipërisë që arriti të vendosë letërsinë shqiptare në hartën e letërsisë botërore. Për mendimin tim, kjo është merita e tij më e madhe,” - ka thënë prof. Peter Prifti. Si lexuesit e sotëm ashtu dhe ata që nuk kanë lindur akoma, një maratonë e vërtetë admiruesish, do të magjepsen me magjinë kadareane, me mjeshtërinë skalitëse faikkoniciane të fjalës, me mendimet dhe rezonimet, me fantazinë dhe simbolikën që përdor shkrimtari ynë në poezi e në prozë, në esetë dhe ne publicistikë, duke shpërndarë ne hapësire dhe ne kohë mesazhet e përjetshme të historisë së popullit të tij. Duke lexuar veprat e shkrimtarit tonë të shquar të ngjallet një dashuri e pamatë dhe respekt për gjuhën shqipe ku fjalet e saj të zgjedhura emocionalisht, si në një kaleidoskop zbukurohen nga simetritë e ndritshme të shpirtit kadarean.
      
  
Kodi i gjuhës së dyfishtë të Kadaresë, që vetëm ai di ta perdorë, shoqërohet ndonjëherë edhe nga trajektorja e të shkruarit me qellim të dyfishtë, për lexuesin shqiptar dhe për të huajin. E parë në këtë prizmë, vepra e Kadaresë sot vlerësohet nga diaspora për faktin e përhapjes gjeografike të saj perkrah rrugëtimit të shqiptarëve nëpër botë. Lexuesit shqiptarë dhe lexuesit e huaj të veprës së Kadaresë sot janë më pranë se kurrë ndonjëherë. Lexuesi shqiptar, i shpërndarë në gjithë rruzullin, e lexon veprën e Kadaresë edhe në gjuhë të ndryshme që ai parapelqen. Dhe kur themi “lexuesi shqiptar” nënkuptojmë dy ose tri breza lexuesish, të cilet ndihen te befasuar dhe krenarë kur shkëmbejnë mendime me lexues te huaj për shkrimtarin tone. Lexuesit shqiptarë dhe amerikanë interpretojnë dhe diskutojnë librat e Kadaresë duke filluar që nga diaspora shqiptaro-amerikane në veri, në Alaskë, e deri te lexuesit amerikanë në Jug, në Dallas. Pedagogu Gjeke Marinaj në kolegjin “Riçland” te Dallasit, Teksas, SHBA,  ka futur librin “Ura me tri harqe” në programin mësimor me studentët. Z.Marinaj thekson se duke u dhënë studentëve oportunitetin të studiojnë një shkrimtar të kalibrit Kadare, ai i fton ata të hyjnë në një univers krejt të ri letrar për ta dhe të perfitojnë nga thesaret e letërsisë së Ballkanit e të krejt Evropës Lindore. “Letërsia dhe artet, ka thënë Kadareja, janë ndër mjetet më të efektshme dykahëshe:  për zbutjen e së keqes brenda vendit dhe për rrezatimin e së mirës, të së fismes, jashtë vendit, tek popujt e tjerë me të cilët duam të jetojmë së bashku ne familjen evropiane.”
   Vepra dhe idetë kadareane i ngrenë në një nivel të lartë kulture marrëdhëniet e shqiptarëve të diasporës me komunitetin ku ata punojnë e banojnë. Ashtu siç u dha shprese shqiptarëve në vitet ‘70’ e ‘80’ sot idetë e veprës së Kadaresë frymezojnë shqiptarët e diasporës kudo që ndodhen në botë, t’i duan, t’i respektojnë e t’i mbrojnë interesat e kombit shqiptar. Gjithashtu shkrimtari yne këshillon mijëra familje shqiptare që jetojnë në mergim, t’ua mësojne femijëve gjuhën e nënës… “Gjuha shqipe ka nje histori paralele po aq dramatike sa vetë kombi,- thekson Kadareja.- Ndalimi i shkrimit të saj për pesë shekuj ka qenë një tragjedi e papërfytyrueshme…Shqiptarët duhet të bëhen të ndergjegjshëm për vendin që ze gjuha e tyre në hartën botërore të gjuhëve…; mund të thuhet se statusi i saj e kapercen dukshëm atë të vetë Shqipërisë.”
    

 SHËNIME  NGA  DIASPORA SHQIPTARO-AMERIKANE
                        E   MASSAÇUSETTSIT

             Ismail Kadareja me bashkeshorten e tij Elena vizituan Bostonin në fillim të vitit 1990. Ata u mirëpriten nga At Artur Liolini, nga organizata “Albanian Humanitarian Aide, Inc.”, si dhe nga bashkatdhetarët e Bostonit dhe të qyteteve përreth tij. Me këtë rast, ne Katedralen e Shen Gjergjit, me një pjesëmarrje prej 300 shqiptaro-amerikanësh u mbajt një promovim për veprën e shkrimtarit të shquar shqiptar, i cili u paraqit prej At Artur Liolinit. Intelektualët dhe anëtarët e tjerë të kolonisë shqiptaro-amerikane të Bostonit e të Nju-Inglandit u interesuan për letërsine shqiptare në përgjithësi dhe për krijimtarinë e Kadaresë në veçanti. At Liolini tregon për përshtypjen e madhe që bëri në sallë fjalimi i mbajtur nga shkrimtari  i mirëseardhur. “Ishte nje fjalim i prekshëm, që të ngrinte lart ndergjegjen kombëtare, ashtu si mesazhet që lexojmë në faqet illuminose të librave të tij”, -thotë At Liolini.
     Gjithashtu At Liolini përshkruan me nderim çastin kur Ismail Kadareja u ul në karrigen dhe në tavolinën e thjeshtë prej druri, tavolina personale e imzot Fan Nolit, ku peshkopi shkruante predikimet e përkthimet e tij. Ishin caste emocionuese për shkrimtarin shqiptar që firmoste librat e vet në atë tavolinë, por ishin minuta emocionuese edhe për të pranishmit e sallës që ndiqnin atë skenë.
    Duke komentuar  krijimtarinë e Kadaresë, At Liolini vlerëson pervojën e gjerë që ka fituar shkrimtari gjatë disa periudhave transformimi që ka kaluar kombi shqiptar, periudha kalimtare, plot rreziqe e shpresa. “Në librat e tij, -thekson At Arturi,- permblidhet koshienca jonë kombetare me referenca pikante qysh nga kohërat më të lashta të historisë sonë të larmishme, gjatë shekujve e deri sot. Proza e tij dhe konfiguracioni i permbajtjes, epikat, legjendat dhe faktet historike i shkaktojnë habi e admirim jo vetëm  lexuesit të thjeshtë,  por edhe shkrimtarëve, shkencëtarëve dhe analistëve te mbarë botës. Vepra e Ismail Kadaresë është nje “answer” (pergjigje) e pyetjes “cili është shqiptari?”, - perfundon i nderuari At Liolin. Gjatë qendrimit në Boston Ismail dhe Elena Kadareja u pritën miqësisht edhe nga patrioti Anton Athanasi dhe familja e tij në restorantin e tyre të degjuar “Pier 4” në Boston.
    Publicisti i nderuar i Bostonit, z. Van Christo tregon se e ka takuar katër herë Ismail Kadarene. Në një nga këto takime ai e ka intervistuar shkrimtarin shqiptar dhe artikullin e ka botuar në gazetën “ Liria “, ku ka qenë editor ekzekutiv. Z. Christo, i cili nuk e di gjuhen shqipe, i ka lexuar në anglisht veprat e Kadarese dhe ka mbetur i befasuar dhe i impresionuar nga ato. Ai tregon se disa nga botimet ne anglisht të autorit i ka shperndarë në intelektualë dhe bisnesmenë amerikanë.
    “Unë u njoha me Kadarenë në Tiranë, ketu e 44 vjet te shkuar, më 1962, i prezantuar nga im vella, shkrimtari Naum Prifti,- thotë profesori Peter Prifti, aktivist i diaspores së Bostonit për një kohë të gjatë. - Shumë vjet më vonë e takova ne Nju- Jork. Gjithashtu, nga koha në kohë kemi pasur letërkëmbim me njeri-tjetrin dhe permbajtja e tyre le të kuptohet se marrëdheniet tona kanë qenë gjithmonë miqësore dhe të frytshme.”   Prof. Prifti shton se ka bërë dy recensime të librave të Kadaresë, deri sot. I pari në anglisht, për librin “Chronicle In Stone” (“Kronikë në gur”).  Ky recensim u botua në librin “Writers from Eastern Europe” në Londer më 1991, ku, midis te tjerash, profesori thotë: “Vepra të magjeps me forcën poetike të prozës së saj dhe me tregimin mjeshtëror të ngjarjes. Në “Kronike në gur” Kadareja arrin të rikrijojë atë kohë të magjishme, kur jeta e njerëzve ngjante se ishte përqendruar rreth shtëpive të mëhallës. Ai sjell mrekullinë e asaj kohe, kur nuk kishte dallim midis botës së gjallë dhe asaj të pagjallë.”
   Recensimi i dytë, i cili u botua në gazetën “Illyria” të Nju-Jorkut më 4 shtator 2005, është në gjuhën shqipe dhe i takon librit “Ra ky mort e u pamë”. Për këtë libër, që është ditari i Kadaresë për krizën e viteve 1998-99 në Kosovë, prof. Prifti shprehet me këto fjalë: “ Ditari në tërësi është një armë e fuqishme publicistike në debatin shqiptaro-serb, për të ndriçuar komunitetin nderkombëtar mbi realitetin historik dhe kontemporan të Kosovës. Ai shquan për stilin dinamik të autorit, për vitalitetin e gjuhës, për fuqinë dhe lartesinë e tij mendore dhe për pasionin gati misionar që pershkon shumë pjesë të veprës. Shkurt thënë, ai është një kronikë që ruan e do të ruajë freskinë dhe dramatikën e ngjarjeve të medha qe u shpalosën në truallin e Kosovës në vitet e fundit të shekullit të 20-të.”  
    Me iniciativen e Stefan Koçit,  të as.prof. Thanas Gjikes, të Agron Alibalit dhe me përkrahjen e z. Anton Athanasi janë kremtuar disa herë ditëlindjet e Kadaresë nga shqiptarët e Massaçusettsit. Shënoj se njera prej tyre është organizuar më 28 janar 2001 në restorantin “Pier 4” në Boston për të kremtuar 65-vjetorin e lindjes së Kadaresë. Merrnin pjesë më shumë se 100 intelektuale të emigracionit shqiptar nga shtetet e Massaçusettsit dhe Connecticut. Z. Agron Alibali, i cili drejtoi mbremjen, ne fjalen e tij te hapjes tha se emri i Ismail Kadaresë eshte nje simbol krenarie për gjithë shqiptarët e diasporës. Ai falenderoi gjithashtu z. Anton Athanasi për bujarinë dhe atdhedashurinë e tij të përhershme, i cili e pat kthyer restorantin e tij në një institucion të shqiptarizmit në gjithë Nju-Inglandin. Nga të pranishmit u degjua me vemendje referati i mbajtur nga as.prof. Thanas Gjika  “ Mbi karakterin disident te veprës së Ismail Kadaresë”. Z. Gjika tha se I.Kadareja është shkrimtari me i talentuar i procesit historiko- letrar shqiptar të të gjithë kohërave. Duke vazhduar me të dhëna  biografike nga jeta e shkrimtarit, më poshtë ai nënvizoi : “  Si qytetar i zakonshem, ai dhe familja e tij nuk kishte arsye pse të ishte i pakënaqur prej regjimit komunist, por ishte ndergjegjja e krijuesit ajo që e thërriste të luante nje rol historik në shoqerinë shqiptare. Dhe për fatin tonë të mirë, ai këtë rol e luajti ashtu sic i takonte, me guxim, me finesë dhe nivel të lartë artistik…”  Z. Gjika tha gjithashtu se qëndrimi ndaj jetes dhe veprës së ketij shkrimtari te madh për shoqërine shqiptare në pergjithësi, është çështje emancipimi intelektual, kurse për shkencën letrare shqiptare është tregues i aftësise ose paaftësisë.
     Me tej, z-nja Natasha Kelliçi lexoi nje listë prej 20 botimesh ne ShBA të veprave të I.Kadarese. Shkrimtari Skifter Kelliçi me kujtimet e tij gjalleroi te pranishmit me shumë momente interesante nga jeta e Kadaresë të nderuar, i cili na mungonte ato çaste. Kujtime mbi jeten e Ismailit dhe karakterin antidiktaturë të veprës së tij solli dhe shkrimtari tjetër, Sotir Andoni. Shkrimtari devollit tregoi me humor për vizitën që kishin bërë Elena dhe Ismail Kadareja ne krahinen e Devollit, të mrekulluar nga natyra e bukur dhe aroma e këndshme e mollëve…Shkrimtaret e ftuar nga Nju-Jorku Naum Prifti e Pellumb Kulla, në pamundësi ardhjeje, kishin dërguar përshendetjet e tyre. Gjatë ceremonise u recituan poezi nga krijimtaria e Kadarese, në po atë sallë ku dikur Fan Noli pat recituar me patos vargjet e veta.
    Ne nje tjetër kremtim të ditëlindjes së Kadaresë, në Boston, ku mbizotëruan përshëndetjet shoqërore, kujtimet e recitimet, në fund te festës, Artisti i merituar Xhoni Athanasi, mori kitarën dhe iu drejtua të pranishmëve: “ Kam edhe unë disa kujtime nga takimi me Kadarenë… Por kujtimi më i bukur është ai i takimit në Berat, ku shkrimtari ynë punonte aty i ardhur me motivin e qarkullimit, kurse unë shkova vetëm sa për të dhënë një koncert. Atë ditë iu luta shkrimtarit tonë të më shkruante nja tetë vargje, tekstin e një kënge. Kadareja, i gatshëm, i shkroi aty për aty e m’i dha. Unë shkova te pjanoja, e kompozova këngën  dhe e këndova ne darkën e po asaj dite, gjatë koncertit. E përshëndes Kadarenë sonte, -perfundoi ai, - me një putpuri  këngësh korcare.”
     “Sa here lexoj librat e Kadaresë më kujtohet Gjirokastra”, -më tha Z. Kozma Koçi, me banim ne Boston. Ai më  tregoi se në vitin 1952  punonte në spitalin e Gjirokastres si përgjegjës i personelit dhe në administraten e spitalit punonte po ashtu i ati i Ismail Kadaresë. Ai nuk ia mbante mend emrin, por z.Kadare cilësohej nga të gjithë: “babai i atij djalit te shkelqyer të gjimnazit!”…”Ne nuk e dinim se ai gjimnazisti i dalluar quhej Ismail,-thotë Kozmai,- por dinim se babai i tij ishte një tregimtar i mahnitshëm. Z.Kadare lidhte e krijonte aty per aty rrëfenja e bejte, tregonte histori e ngjarje të jetuara me një aftësi treguese të habitshme…Më vonë, kur dëgjova për djalin e tij të zgjuar e te suksesshëm, Ismail Kadarene, thashë me vete, “shkoka pas damarit!”, i ati tregonte me gojë, i biri me penë…”  
      
MIKJA  IME  GJERMANE  DHE  LEXUESIT  E  TJERË


           Mikja ime gjermane Gertruda më bëri një thirrje telefonike në janar 2006 e më uronte ditëlindjen e Kadaresë, si bashkatdhetare e tij qe jam dhe si shkrimtare. Lajmin për 70-vjetorin e lindjes se shkrimtarit e kishte lexuar në gazetat gjermane. “Jemi duke pirë çajin e pasdites me mikeshat e mia,- më tha ajo,- dergojnë përshëndetje edhe ato…Jemi lexuese të librave te tij mahnitës e fantastikë…Sic mund t’i pershkruajë ngjarjet një shpirt kadarean…”
   Ky gjest i respektueshëm i grave gjermane që më hutoi e më gezoi, më solli ndër mend një profesor gjerman, mjaft te ri në moshë, të cilin e takova gjatë një udhëtimi në Angli në një nga kolegjet e Oksfordit. Kur mori vesh që isha shqiptare, ai më tregoi se gjatë rënies se Murit të Berlinit ai kryente shërbimin ushtarak në Berlinin Perëndimor. Atë kohë i kishte rënë në dorë e po lexonte “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” në frengjisht. “Nëna ime,- psheretiu ai,- udhëton përvit ne Pariz për t’i çuar lule te varri vellait të saj të vogël 17-vjeçar, ushtar, vrare gjate Luftës së dytë Botërore…Ne ishim ushtarë roje mbi Murin e Berlinit,-vazhdoi ai,- dhe në momentet kur po prishej Muri, na urdhëruan të qëllonim, por ne nuk qëlluam…Tani ju gazetarët do të thoni se ndikoi mbi mua leximi i librit të Kadaresë! Ne vendosëm si kompani të mos hapnim zjarr. Por…është e vërtëtë se ato ditë unë lexoja ”Gjeneralin…” e Kadaresë. Kam lexuar me nje frymë libra të tjerë të tij përkthyer në gjermanisht në Zurich…Ju shqiptarët duhet të mburreni me shkrimtarin tuaj të pazakontë…”
       Përballë portit te Bostonit, në Oqeanin Atlantik, dallohet nga larg ishulli i Nahantit, një nga vendqëndrimet e para të ardhësve evropiane. I përmendur për klimën e shendetshme dhe rërën e  imët, ishulli ka qenë i lakmuar si vend verimi për të pasurit dhe personalitetet e vendit. Kanë veruar aty presidente, por edhe Longfellou, i cili frekuentonte edhe kishën protestante të ishullit. Pikërisht në këtë kishë shkoj çdo të diel dhe ndonjëherë takoj aty shkrimtarë e poetë të Nju-Inglandit, të cilët e vizitojnë këtë vend të shenjtë për të kujtuar dhe respektuar Longfelloun. Kohët e fundit, duke pirë kafenë në kafeterinë e kishës, një shkrimtar, në dukje i moshuar, me një mjekër të bardhë ala kolonial, kur mori vesh që isha shqiptare, më tregoi se kisha ku ai shkon, ne Nju-Hemsher, është projektuar nga dy arkitektë shqiptarë. Gjithashtu, aty herë-herë thuheshin lutje për austronautin Alan Shepard qe shkeli në Hene dhe që ishte me origjinë shqiptare.
   -E di! ,- iu pergjigja unë e ngazëlluar.
  - Dhe e treta,- ngriti tonin e zërit ai…
  -Keni dhe nje shkrimtar të dëgjuar… – tha miku i tij në krah.
  - Mos më nderhy!,- iu kthye plaku,- kur lexova Ishmael Kadaria…Më pëlqen ta quaj “Ishmael”, sepse është një emër nga Bibla…dhe se letërsia që ai krijon është biblike…mbasi “Kadaria” i ka ngritur kombit të vet tempullin e perjetësise.
     Ai shkroi në bllokun tim “Temple of eternity” dhe vazhdoi: “ Nuk është rastësi që Shepard është Albanian.”
   Shkrimtari plak kishte lexuar “Doruntine”, “The Three Arched Bridge”, “Broken April” etj. dhe kishte mbetur i mahnitur prej ekzotizmit të tyre.
     Ishte e diela e pashkës, 16 prill 2006, dhe sherbesa në kishën e Nahantit filloi me një himn. Prifti recitoi më parë fjalët e himnit e tha se ishin fjalët e poezise “The Simple Path” shkruar nga Nënë Tereza shqiptare. Himni me fjalet e Nenes sonë ishte kompozuar nga zonja Jane Marshall, një kompozitore dhe poete e degjuar e Nju-Inglandit.
    Kur mbaroi shërbesa kishtare, më takuan disa miq amerikanë e më përgëzuan duke më thënë: “Ju keni “Kadaria” albanian, sot mësuam edhe për Nënë Terezën. “God bless Albania!” Zonja Donna Lee Hanlon, banuese e Nahantit si dhe botuese e gazetës “Nahant Harbor Review”, pasi lexoi  “Trashegimtarin” dha pershtypjet si vijon: “ “The Successor” është një roman i shkëlqyer që nxjerr në pah përballjen e shqiptarëve me errësirën dhe tiraninë…Për ndikimin e veprës së shkrimtarit, për stilin e tij të të shkruarit, për forcën, elegancën dhe nuancat…”readers are in praise of Kadare!” (lexuesit i thurin lavde Kadaresë!)

 

                       NË  NORTH SHORE COMMUNITY COLLEGE


        Ecja në korridorin oval te NSC College duke mbajtur në dore librin “The Successor” me emrin “Ismail Kadare” në fund të kopertinës, shoqëruar me okelon “Author of “The Palace of Dreams”. Ecja e emocionuar dhe e papërqëndruar drejt sallës së mbledhjeve e më dukej se krahas meje më ndiqte dhe hija e autorit Kadare. Atë dite  prilli 2006 me shira te vrullshme e stuhi në klubin tonë të shkrimtarëve dhe poetëve të kolegjit u diskutua libri në fjalë. Pasi bëra një hyrje-prezantim të librit e të jetës së autorit, fjalën e mori kryetari i klubit, poeti Joe Boyd.
   “Fjala e re qe mësova duke lexuar librin e Ismail Kadarese “The Successor”
është “tergiversate” (te dredhosh),- tha Boyd.- Që të mësoja këtë fjalë anglisht nga një roman
shqiptar nuk është për t'u cuditur,  po të kesh parasysh ngjarjen që
përshkruhet aty. Karakteri i dyfishtë ishte tipar thelbësor i anëtarëve të
partisë në Shqipërine e Kadaresë, ku njeriu nuk dinte ku të mbështeste këmbën për
shkak të situatës politike që ndërronte dita me ditë. Në  fjalinë e parë të “Successor” lexuesi mëson se pasardhesi është gjetur i vdekur. Dmth nuk ka më pasardhes. Duke u shpalosur mjegulla e thashethemeve, supozimeve, paranoiës, njoftimeve çoroditese, rrefimeve të njerëzve me njohuri të kufizuara ose identitete te papërcaktuara, bëhemi të
ndergjegjshëm për një fakt: udhëheqësi shqiptar, ndonëse i verbër dhe i
plakur, është dinak e i pamëshirshëm dhe nuk do të heqë dorë nga
kontrolli i plotë mbi shoqërinë. Në një kulture ende mesjetare, ku real. soc. ka
zevendësuar fenë dhe supersticionin, duhen sajuar, ngatërruar e kundershtuar
ngjarje në emër të besnikerisë ndaj partisë për të mbajtur në fuqi
diktatorin, "udheheqësin". Zgjedhja e një pasardhësi është në të vërtetë një
mjet për të identifikuar dhe qetësuar një rival të mundshëm, për ta
eliminuar më tej. Në një vend ku lidhjet me partine janë më të forta se lidhjet e gjakut,
dhe ku njeriu deri dje mendonte se ishte i paster si debora, por papritmas
zbulon se paskesh qenë influencuar nga ndikime të huaja, një re dyshimi
dhe pasigurie varet mbi këdo”.  Joe Boyd përfundoi:
“Megjithese kjo ngjarje e koklavitur është e çimentuar në arkitekturën e
traditave shqiptare,  paralelet e saj përshkojne globin dhe gjejnë
manipulues të pabesë idesh dhe informacionesh, qe organizojnë
gjenocidin e Ruandes dhe kuvlite e Guantanamos për të ruajtur dhe forcuar pushtetin e
tyre.”
     Më tej, nje student citoi pjese nga artikulli i gazetes “Nju-Jork Tajms”, ku kritikja L.Adams shprehet se “Trashegimtari” mund të interpretohet si një koment i koduar i vetë jetës së Kadaresë. Ashtu siç pritet me ankth te zbulohet shkaku i vdekjes së “trashegimtarit”, të shkon vetvetiu në mendje se ç’vend ka patur në të vërtetë Kadareja në Shqiperinë e Enver Hoxhes. A do ta marrim vesh ndonjëherë? - pyet Adams dhe perfundon: - Ky roman i jep vlerë imagjinatës, duke argumentuar se e verteta e një njeriu nuk gjendet gjithmonë te veprat apo fjalët e tij, por tek shpirti. Pikërisht atij i falet e gjithë letersia e madhe.”
   Pedagogia e letersise amerikane, Maureen Edison, në diskutimin e saj, theksoi: “The Successor” i Ismail Kadarese, fituesit te cmimit “Booker” jep aspekte intuitive të atmosferes mbytëse të vendlindjes së tij. Pervojë, të cilën ai e provoi edhe vetë aq sa e pershkruan në këtë fiction, ngjarje, te cilat kanë ndodhur para se ai të kerkonte azilin politik në Paris me 1990. Libri i Kadarese evokon Kafkën, e, mbase edhe Orwellin, në pershkrimin tipik të trajektores apo rrugës së ngatërruar të metodave të egra të shtypjes në diktaturë. Ai krijon atmosferen e një dyshimi endemik nën këtë rend politik. “ Më tej Ms. Edison pohon se thenia “power (fuqia) korrupton—dhe fuqia absolute korrupton absolutisht”, është ilustruar në mënyrë brilante nëpërmjet portreteve të Guide, Successor, Architect dhe familjarëve të Successorit. “Kadare,- tha ajo,- është një mjeshtër që di të përshkruajë e të na perçojë në një shtet totalitar, në një vend ku asgjë s’është e sigurt përveç pasigurise. Ideja që del nga leximi i këtij libri duket të jetë se asgjë e mirë s’mund te realizohet nga çdonjeri prej dy liderëve, sepse sistemi që i prodhoi ata të dy, është vetë përgjegjës (responsible) për krijimin e monstrave të tmerrshme.”
    Ms. Edison hamendesoi se do të ishte më mirë që ky libër të përkthehej drejtperdrejt nga origjinali shqip në anglisht. Sipas saj, rruga e perkthimit nga frengjishtja në anglisht shpjegon edhe disa anomali gjuhësore. “Megjithatë,- përfundoi ajo,- kapaciteti artistik i Kadarese për të krijuar nje zymtësi të egër e të besueshme dhe shpesh nje labirint dehumanizmi, meriton një cmim te lartë.” …Një diskutant, duke folur në pergjithësi për veprat e shkrimtarit shqiptar, vuri në dukje se Kadareja në romanet e tij, si ne nje “puzzle” (fjalekryq) e huton lexuesin duke fshehur në brendësi të fjales një enigmë. Kjo “vënie në mendime” me nje kah të dytë nuk është tjetër veçse mesazhi qe artisti i percjell kohës…. Nje diskutante tjetër, pasi dha vlerësimet, veprat e shkrimtarit tonë i quajti “The Kadaria’s Epic” (Epika e Kadarese).
   Në përfundim të diskutimeve i falënderova pjesëmarrësit e mbledhjes, të cilët i dergonin përshendetje autorit të nderuar.
                                 

                                        x      x      x

         Më 2006 prilli na e pruri pranë Kadarenë, i ftuar në Nju-Jork nga Keshilli Kombetar Shqiptaro-Amerikan, i cili e nderoi shkrimtarin tonë me çmimin “Për arritje jetësore.”
     Ismail Kadareja u gjend mes miqsh e të njohurish, intelektualë, personalitete të diasporës shqiptaro-amerikane, studentë shqiptarë… Në grumbullin e të rinjve takova një studente të Universitetit të Harvardit. “Ne të rinjtë e kemi dashur gjithnjë Kadarenë,-tha ajo,- dhe e kemi ndjekur nga pas si një yll shkëndijues…Nuk ndihem e penduar që në shkollë kemi studiuar e komentuar edhe pjesë me përmbajtje politike nga veprat e tij. Përsosmëria dhe bukuria endjesjellëse e shkrimeve të tij, simbolika dhe metafora kadareane na edukuan estetikisht…”
     “E shoh për herë të parë Kadarenë,- më tha një nënë e re nga Dibra e Madhe,- Kam sjelle me vete vajzën time të vogël ta shohë edhe ajo shkrimtarin e ta mbajë mend mirë fytyrën e tij, sepse është lexuesja e ardhshme e tij…”
      Ne, bostonianët e prisnim Kadarenë të na vinte në Boston pas Nju-Jorkut. Me këtë rast, në listën elektronike të internetit Massalbanians@ lexuesit shqiptarë dhe amerikanë dërguan përshëndetje mirëseardhjeje. Klubi i studentëve shqiptarë të Universitetit të Harvardit në bashkëpunim me Dekanatin, përgatitën programin “Kadare, i ftuar në Universitetin e Harvardit.” Por shkrimtari yne i nderuar nuk mundi të vinte ne Boston, nga që axhenda e qëndrimit të tij në Nju-Jork ishte e ngjeshur…Sidoqoftë, lexuesit e Kadarese në zonën e Bostonit shpresojnë se nje ditë do ta takojnë shkrimtarin e tyre në “Greater Boston Area”. Dhe kjo do të jetë një ditë e rëndësishme. Ashtu siç e vlerëson shkrimtarin tonë zoti Robert Taylor, i cili shkruan në gazetën “ The Boston Globe” :   “Kadareja është me të vërtetë një romancier i klasit botëror dhe një poet i prozës.”         

       
                               
 
Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-06-12 12:34:28
DJE ZOTI PER AFRO TETE ORE ISHTE NE ILIRI, ISHTE NE SHQIPERI, ISHTE NE SHQIPTARI. KY ZOT PER SHQIPTARET ISHTE I NDALUAR, PA FAJIN E TYRE POR SHQIPTARET GJITHMONE E KANE PRITUR, DHE JA DJE ME 10/07/2007 ERDHI. DERGOI MESAZHE GJITHNJE SE DO TE VIE, EDHE KUR E NDANE SHTETET E MEDHA SHQIPERIN ETNIKE, EDHE KUR DONIN TA NDANIN EDHE KETE PJESE TE SHQIPERISE SE TANISHME, EDHE KUR BARBARIA SERBO-ÇETNIKE DESHI TA SHFAROSE POPULLIN LIRIDASHES TE KOSOVES EDHE KUR RA TOMAHOVKA E PARE MBI CAQET SERBO- ÇETNIKE ME 1999, POR DJE VERTETE ENGJULLI MBRRITI, I QET ZBRITI NGA QIELLI NE PREHERIN E KESAJ TOKE TE PERVUAJTUR ME SHEKUJ, I QET I THA BOTES SE KOSOVA DO TE JET E PAVARUR, I QET I THA SHQIPERISE SE DO TE JESHE NE NATO, I QET U THA SHQIPTAREVE SE SI KURRE ME PARE DUHET TE PUNOJNE SHUME, SHUME, PER TE QEN TE DASHURIT E VETES, TE ADHURUARIT E ZOTIT. 
DJE ZOTI ERDHI NE ILIRI, ERDHI NE SHQIPERI,ERDHI NE SHQIPTARI, E JONJA MBETET TE PUNOJME ME NDER PER VETEN, PER TE NA VIZITUAR ZOTI ME SHPESH... 
ZOTI I QET ZBRITI Në KËTË TRUALL TE PËRVUAJTUR NDER SHEKUJ, I QET U NGRIT NE QIELL PER TE MOS NA HARRUAR KURR! 
 
RUHAN KADRIU BESIANE KOSOVE

Koment nga GUEST më 2008-06-03 15:26:27
a ka ndonje njeri qe te beje nje analize te pergjithshme per kronike ne gur? ju lutem 
eres

Koment nga GUEST më 2009-07-07 14:13:42
e pershendese shum ismail kadaren eshte shkrimtari i mire shqiproni nga kosova

Koment nga GUEST më 2009-11-26 21:19:58
Une jam nje lexuese e rregullt e librave te Kadarese dhe i adhuroj ato. Eshte shkrimtari me i mire.Te gjithe librat e tij jane me te mirat dhe me te pershtatshmet per tu lexuar.

Koment nga GUEST më 2010-04-23 00:57:23
Ismail Kadare meriton ti jepet nje cmim sepse eshte me i madhi


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?