Faqe kryesore arrow Letersia arrow Letërsia nga burgu - mes referencës dhe preferencës
Letërsia nga burgu - mes referencës dhe preferencës PDF Print E-mail
05 Qershor 2007

Shkruan: Mr. sc. Myrvete Dreshaj – Baliu

Duke lexuar librin e Bajram Kosumit, Letërsia nga burgu - kapitull më vete në letërsinë shqipe, “Botimet Toena”, Tiranë, 2006.


Në fillim të viteve ’90, në Kosovë filloi botimi i literaturës së shkruar fshehtas në burgjet e ish-Jugosllavisë, ndërsa në Shqipëri mori hov botimi i literaturës së botuar në diasporë dhe asaj të shkruar në burgje. Këto botime pasuruan letrat shqipe me disa veçanti të cilat i kishin munguar historisë së letërsisë shqipe: në Tiranë letërsisë shqipe i kthehej krijimtaria e ndaluar e diasporës (Martin Camaj, Arshi Pipa etj.), e disa krijuesve mes dy luftërave (Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica etj) dhe ajo përplotësohej edhe me disa emra të rëndësishëm të njohur më shumë apo më pak (Kasem Trebeshina, Bilal Xhaferi, Pjetër Arbnori, Lekë Pervizi, Visar Zhiti etj). Letërsisë shqipe të botuar në Kosovë ndërkaq, i kthehej një pjesë e letërsisë së ndaluar të traditës, i rikthehej vepra e ndaluar e Adem Demaçit dhe përplotësohej me një numër krijuesish të formuar brenda burgjeve serbe, kryesisht pas vitit 1981.
Mbi këtë art të shkrimit dhe përvojën e një sërë krijuesish të suksesshëm dhe veprave të tyre të krijuara në burgje, pra në kushte dhe rrethana të caktuara, filluan edhe kërkimet e studiuesit Bajram Kosumi, të cilat dhanë edhe sprovën e parë, librin Letërsia nga burgu - kapitull më vete në letërsinë shqipe. Kështu, në këtë fushë Bajram Kosumi, së pari, na del krijues i kësaj letërsie, së dyti, përmbledhës, sistemues e botues i saj, dhe së treti, vlerësues i kësaj trashëgimie.

Shfaqja e një letërsie të qarkuar
 

Libri i Bajram Kosumit është ndërtuar mbi gjashtë tërësi, të cilat më shumë se një strukturë të mbyllur, paraqesin një ndërtim linear. Pra, më parë se një vepër e karakterit monografik, sikur mund të kuptohet në hapjen e saj, ajo paraqet gjashtë tërësi të cilat mund të bëjnë një monografi shkencore për letërsinë e shkruar në burgje. Këto tekste të shkruara në kohë dhe në rrethana të caktuara, jo rastësisht nuk janë identifikuar si njësi të ndërlidhura, por si njësi që përplotësojnë njëra-tjetrën. Apo, sikur do të gjykojë autori, letërsia e shkruar në burg, përkatësisht letërsia nga burgu është ajo që e përbën strukturën dhe boshtin e sprovave të këtij libri.
Kërkimin e vlerave letrare e artistike të krijimtarisë nga burgu, autori e kishte diktuar fillimisht në letërsinë epistolare të burgut, duke bashkëpërgatitur një vëllim me letra të tilla, ndërsa kërkimet e tij më tutje i kishte vazhduar duke u marrë drejtpërdrejt me poetikën e lirikës së burgut, strukturën e simboleve të saj, prozën letrare dhe joletrare dhe më në fund duke u marrë me dy nga përfaqësuesit e kësaj letërsie.
Libri hapet me një parathënie brenda së cilës janë projektuar rrethanat, kryesisht historike dhe hapësira gjeografike që e ka nxitur dhe e ka prodhuar këtë letërsi.
Studimi “Ese për Letërsinë nga burgu”, i cili i prinë veprës me nëntitullin “Një letërsi e re?”, sikur mund të shihet prej referencës shpjeguese është botuar në vitin 2004, me një nëntitull madje më domethënës Sprovë për njohje. Në këtë sprovë autori artikulon disa nga esencat letrare dhe jashtëletrare, dilemat teorike dhe metodologjike të shqyrtimit të saj, sprovat domethënëse etj. Në këtë ese autori trajton disa probleme teorike, konceptuale dhe metodologjike të studimit të letërsisë nga burgu, si: nocioni letërsi dhe tekstet e pabotuara, nocioni letërsi nga burgu, përkufizimi kohor dhe vendor i kësaj letërsie, përkufizimet letrare, identitare, rrethanat historike dhe vlerat letrare të saj. Sado fragmentare qofshin qasjet e tij brenda kësaj teme edhe brenda këtij kapitulli, dhe sado hamendëse qofshin disa përfundime, ato paraqesin sprova këmbëngulëse për diskutim të mëtejshëm për vendin e kësaj letërsie në historinë e letërsisë shqipe: si dokument apo si poetikë e dokumentit; si kohë apo si hapësirë e krijimit; si letërsi që është krijuar dhe në mënyrën e vet ka bërë edhe një ‘jetë të saj’ në burg; si pjesë vëllimore e letërsisë shqipe që duhet të botohet; apo si letërsi që ka pasur botën e saj të brendshme. Pra, një letërsi e re, një pjesë e panjohur e letërsisë së sotme shqipe apo një letërsi e pabotuar që duhet t’i bashkohet vëllimit letrar të letërsisë shqipe? Këto janë çështje, disa prej të cilave ngritën edhe këtu, duke hedhur hapin e parë kërkues në vlerësimin e saj.
Besoj se tezat e diskutuara në sprovën e autorit kanë përfundime të qarta. Letërsia nga burgu e ka vendin në kapitullin e gjysmës së dytë të shekullit XX të letërsisë shqipe, jo vetëm pse është krijuar në burg, por pse e ka bërë edhe një jetë të saj brenda burgut, ndërsa sot, pjesa e botuar e ka krijuar sistemin e veçantë të vlerave komunikuese: me temat, idetë e gjuhën poetike, pra, me mjeshtërinë artistike të secilit krijues.
Në rrethana të tjera kjo letërsi do të mund të quhej vetëm një fond i letërsisë së pabotuar, pra e një letërsie të panjohur, e cila duhet t’i ‘bashkohet’ letërsisë shqipe, jo vetëm si kapitull më vete po si vëllim dhe pasuri e saj. Kjo krijimtari letrare e artistike, e cila ka bërë jetën e saj në çfarëdo forme (gojore, fragmentare, e maskuar mes letrash personale a familjare, e lexuar dorë më dorë apo letër më letër, e përcjellë me rrugë të ndryshme nga qelia në qeli, nga familja në familje dhe nga burgu në burg, duke iu nënshtruar në këtë rrugë madje edhe vlerësimit të saj letrar, artistik e politik), në historinë e letërsisë shqipe duhet të përfshihet si kapitull më vete, por natyrisht, brenda periudhës historiko-letrare së cilës i ka takuar dhe pjesë e të cilës ka ëndërruar të jetë, pavarësisht se ka bërë ‘një jetë të ndarë’.

Shumësia e kuptimeve
 

E gjithë kjo provohet në kapitullin Lirika nga burgu, në të cilin zbërthen, sikur shprehet autori “shfaqjen e një poezie të panjohur”.
Po këtu autori ka vazhduar me kërkime krahasuese në strukturën e brendshme të lirikës së sotme nga burgu, në konceptet dhe idetë poetike të saj, në humanizmin kryengritës të kësaj lirike dhe toposin e saj, në kategoritë etike dhe estetike: jetën dhe vdekjen, të mirën dhe të bukurën; në motivet dhe temat: kërkimin, lirinë, përmasën e atdheut, dashurinë, gruan, urrejtjen etj.
I pasionuar pas simboleve, figurave dhe kuptimeve poetike, si edhe në disa studime të tjera letrare, autori i këtij vëllimi ka sjellë një fjalorth të kuptimeve poetike të kësaj poezie: fjalëngrënësit, kroi, libri i lirisë, bima e fatit, shpirti i trazuar, hakmarrja, ringjallja, antiprometeu, druri i vdekjes, varr i gjallë, formula e pagëzimit, ëndrra etj., të cilat, sikur shprehet, edhe kur janë shfaqur në poezinë jashtë burgut, kanë bartur kuptime të tjera semantike. Këtu autori bënë një rikonceptim të këtyre shenjave edhe pse figura e simbole të tilla, me më shumë apo me më pak reflektim kuptimesh, nuk është vështirë të krahasohen edhe me figura e simbole të autorëve që kanë krijuar vepra letrare jashtë burgut: Bima e fatit (Merxhan Avdyli) - Bima e dreqit (Ymer Shkreli); Druri i jetës (Ismail Syla)- Arbor vitae (Mirko Gashi), Numri njeri (Sylë Mujaj) – 509 (Erih Maria Remark); Varri i gjallë (Nait Hasani) – Varri i qyqes (Azem Shkreli); Lajmi nga atdheu (Hydajet Hyseni, Rasim Selmanaj) – Lajmësi memec (Halil Matoshi), e në gjithë poezinë shqipe shenjë emblematike e poezisë së Nolit etj.

Letërsia e mesazhit


Në epistolografinë shqiptare letërsia epistolare nga burgu paraqet një faqe më vete. Brenda tyre është ndërthurur i gjithë kompleksiviteti i krijuesit, shkrimit dhe mesazhit. Më tej se në poezinë lirike nga burgu, në këto letra është fshehur personalja, shpirti i autorit, i strukturuar edhe përmes ndërthurjes së gjinive e llojeve letrare. Sikur ka vlerësuar autori, në këto letra si në asnjë formë tjetër letrare janë rrënuar kufijtë e tyre. Është vështirë të identifikosh fillimin dhe mbarimin e kufijve të tekstit epistolar, esesë, tregimit, poezisë, mesazhit politik, mesazhit personal, familjar dhe kolektiv, që të gjitha brenda një grusht letrash të dërguara nga një i burgosur, i cili sa ka bërë hapat e parë në komunikimin letrar.
Fjala është për një studim apo për një kapitull emërtues “Ese për letërsinë epistolare nga burgu”, brenda të cilit autori ka trajtuar gjithë laboratorin kohor, ambiental, psikologjik, dhe përtej të gjithave krijues, të bërjes së kësaj letërsie, si: censura dhe lufta kundër saj, ndjenja e të shkruarit kot, lufta përkatësisht fitorja kundër tjetërsimit, ideali dhe hedonizmi, porosia politike, krijimi si proces i mbijetimit, pesha e pritjes, letra si totem, të folurit alegorik, tabuizmi, ‘ikja nga burgu’, letërsia e re dhe njerëzit.
Kjo është jo vetëm njëra prej trajtesave më interesante të këtij libri, po edhe  sinteza bazë mbi të cilën me të drejtë autori ka ndërtuar projektin e tij shkencor, për t’i dhënë letërsisë nga burgu vendin e saj në historinë e letërsisë shqipe. Zor të gjendet një tekst më personal se epistolari i kësaj periudhe, brenda të cilit krijohet mbishtresa si mesazh dhe nënshtresa si art i komunikimit. Është interesant të theksohet se derisa lirika nga burgu shkruhej, lexohej dhe përgjithësisht shpërndahej kryesisht në një qark të mbyllur, letërsia epistolare shkruhej dhe kishte mundësi të lexohej në një rreth më të gjerë, sepse mesazhi i saj përcillej përtej një marrësi të adresuar. Epistolari i të burgosurve përgjithësisht kishte më shumë se një marrës. Bie fjala, një i burgosur dërgonte një letër, e cila barte disa mesazhe: mesazhin e parë intim dhe lirik për gruan dhe fëmijët; mesazhin e dytë deskriptiv për familjen e gjerë; mesazhin e tretë politik, për miqtë  e kështu me radhë. Dhe këto tekste ndërtoheshin si poezi, si tregim (kallëzim), si ese (porosi politike) etj.
Në tipologjinë e letërsisë shqipe nga burgu, Kosumi, veç lirikës dhe epistolarit ka trajtuar edhe letërsinë politike. Megjithëse numri i teksteve të kësaj natyre, sigurisht është i vogël (pjesa më e madhe e mendimeve politike do të mund të nënkuptohen prej epistolarit dhe madje prej poezisë), kjo letërsi është e rëndësishme për vlerësim, sepse në vete ka disa nga perlat e guximit dhe mendimit politik shqiptar, si: Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion dhe Bisedë mes grilash.
Në sistemin shumështresor të veprës së tij, studiuesi Bajram Kosumi ka përfshirë dy ekzemplarë të lirikës nga burgu: një vepër të Merxhan Avdylit dhe një të Ismail Sylës, megjithëse mund të merrte, mbase një shembull model Librin e Lirisë. Për të dy autorët Kosumi ka vlerësime nga më të mirat. Se ai i njeh dhe i vlerëson sa autorët aq edhe veprat e tyre, kjo mund të shihet edhe në kapitujt e tjerë, ku vepra e Merxhan Avdylit prezanton sfondin e poezisë së lirikës nga burgu, duke u bërë madje edhe përfaqësuese e lirikës shqipe të këtij brezi, ndërsa vepra e Ismail Sylës prezanton shenjat më domethënëse të simboleve të poezisë shqipe të kësaj kohe.

Përfundime


Padashur që veprën e Bajram Kosumit “Letërsia nga burgu - një kapitull i ri në letërsinë shqipe”, ta konsiderojmë qark të mbyllur, në fund të kësaj sprove për diskutim, së pari dua të theksoj pikërisht meritën e hapjes së kësaj teme, duke e pranuar ‘pretencën’ e tij, jo vetëm si tezë të hapur dhe serioze për diskutim, por edhe obligim njëherë shkencor; së dyti, saktësisht: historiko-letrar; dhe së treti, pse jo edhe etik, të vendosjes së letërsisë nga burgu në vendin e saj: si kapitull më  vete në historinë e letërsisë shqipe.
Këso kushte tashmë ka sjellë mjaftueshëm sprova e Bajram Kosumit, sinteza e parë e kësaj teme të madhe historiko-letrare. Ajo do të nxisë, para së gjithash mendimin kreativ shkencor në fushën e studimit historik të tërësisë së letërsisë shqipe.
Realizimit të pikëpamje të tij, në të ardhmen sigurisht do t’i pasvijnë monografitë për poezinë, prozën, dramën, mendimin estetik, ditarin, filozofinë, letërsinë politike, epistolarin dhe madje përkthimin. Si e tillë, me vlerat e saj, kjo letërsi do të bëhet jo vetëm përfaqësuese e denjë e veçantive të saj, por edhe përplotësuese e strukturave letrare - estetike të prodhimit letrar të kohës së saj.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-11-07 17:17:07
ishte shum i bukur  
te lumt dota ty  
je shum i bukur per qdo shqiptar  
nga arbenita

Koment nga GUEST më 2008-01-18 14:26:51
ishte brilantë 
ishte shumë e bukur... NGA DrEnUshA

Koment nga GUEST më 2008-01-18 14:27:15
unë këtë e lexova disa her deh me pëlqeu shumë.ishte brilante dhe me pëlqeu shumë...

Koment nga GUEST më 2008-01-21 12:57:18
ishte mjaft i mire 
 

Koment nga GUEST më 2008-06-03 15:21:40
shume e bukur , shume e bukur i lumte dora

Koment nga GUEST më 2009-04-06 17:49:08
Letërsia e burgjeve,është letërsia e intelektualëve të mëdhenj,letrarëve e poetëve të sakrificës,atdhedashësve që mendja dhe zemra iu punoi për atdheun,gjuhën,kombin.Ata bënë më tepër mes grillave për letërsinë se ne që nuk ishim duar shtrënguar.Për këtë falemnderojmë shumë znj.Myrvete 
e cila njohu këtë vlerë dhe hapi këtë temë,me të cilën me shumë rëndësi do të njihen brezat e tashëm,pse jo edhe ne që i takonim atyre brezeve dhe jo që nuk i njohëm por heshtëm?!!Të shkruash për letrarët e burgut si Merxhan Avdyli,Bajram Kosumi..............,ke çka të shkruash me vite,jo vetëm znj.Myrvete,por edhe shumë nga ne.Sido që të jetë znj.Myrvete Dreshaj hodhi këtë ndriqim shumë me vend,që kërkon përkraheje e rrespekt ndaj saj,por edhe na obligon edhe të tjerëve të shkruajmë më tepër rreth kësaj letersie. 
 
Rrespekt:Shaban Cakolli

Koment nga GUEST më 2009-06-05 14:01:28
shum shum e bukur ishe poezija ju lumt atij kush e ka shkruajtur nga duffy'e nga dafina zeqiri 

Koment nga GUEST më 2010-05-26 17:44:05
Rina, 
shumicen e botimeve te te burgosurve politik i kam lexuar. 
Eshte vertete nje letersi shqiptare,prandaj, duhet ne menyre institucionale qe te vihet ne letersine e popullit shqiptare edhe letersia nga burgu nga te gjitha trojet shqiptare. 
Letersia e z.Bajram Kosumi e shkruar nga burgu, eshte vertete nje letersi qe i tejkalon gjithe kufijt e letersise shqiptare ne aspektin edukativo arsimor. 
Juve znj. Myrvete ju uroi dhe ju falemnderoi shume per kete paraqitje kaq profesionale. 
Rina , Ferizaj

Koment nga GUEST më 2010-11-13 00:36:26
te lumt halil matosh dhe te uroj jet te gjat e te lumtur se kur del ne tv krejt te shikojm me vemendje veq vazhdo perpara se ksi njerzish i duhen kosoves te dua shum lulja


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?