Astrit Lulushi, SHBA
Ajo që nuk njihet urrehet, thotë nje fjalë e urtë. Kështu, njeriu i paditur urren gjithcka të panjohur. Më këtë ai tregon se ka frikë dhe ndaj saj ai hakmerret duke e urryer. Dhe hakmarrja rrallë vihet re mes njerëzve të ditur. Frika e padituria janë burimi i hakmarrjes. Kështu ndodh kur njeru mbyllet e ngujohet nga frika e hasmit, ashtu si edhe pajtohet e zbutet kur mëson se shkaku i hasmërisë ka qënë një fjalë fyese e thënë nga dikush pa të keq kundër dikujt që pat jetuar qindra vjet më parë. E njejta gjë ndodh kur një njeri, grup njerëzish, kulturë, gjuhë respektohet ose adhurohet. Ato përqafohen, kopjohen, përvetsohen. Gjuhëtarët thonë se një fjalë e huaj, kur vështirë të dallohet si e tillë, është huazim i vjetër. Nisur nga kjo mund të thuhet se huazimi i një fjale, kulture e sjelljeje është shenjë respekti e adhurimit që njerëzit kane treguar e tregojnë për kulturën ose popujt me të cilët kanë lidhje tërthorazi ose drejtpërdrejt.
Fëmija lind me dhuntinë e gjuhës, Ai është i aftë të mësojë lehtë cdo lloj gjuhe sado e vështirë që të jetë, thotë Chomsky. Gjithashtu nga natyra fëmija dëshiron e ëndërron të rritet sa më shpejt, njësoj si një i moshuar qe përpiqet të duket i ri dhe rrallë e quan veten plak. Duket se kjo është arsyeja që një i moshuar ka mall për të shkuarën, fëmijërinë, ku ndodhen rrënjët e tij. Por sepse ky process është në kundërshtim me ligjet e natyrës, kjo e bën atë të quhet konservator i “prapambetur”. Ashtu si një fëmijë a i ri që kopjon ose adhuron cdo sjellje, veprim, e shprehje të një të rrituri, nga natyra ai është i lirë ta bëj këtë prandaj quhet liberal, “përparimtar”. Dhe liberali i djeshëm është konservatori i nesërm, tregon përvoja.
Kështu edhe në fushën e gjuhës sa më e re të jetë ajo, aq më e vjetër përpiqet të provohet se është. Ashtu si një popull, komb, shtet i ri përpiqet të kopjojë atë më të zhvilluarin. Dhë të gjitha gjuhët e kombet në një fazë a një tjetër kanë qënë në periudha foshnjore, fëmijënore, prandaj nuk ka gjuhë në botë që të mos ketë patur shembullin e vet të adhurimit e respektit e të mos ketë kopjuar të tjera gjuhë.
Gjuhët me më shumë fjalë të huazuara janë ato që janë formuar nga një bashkësi fisesh të ndryshme ku asnjë prej tyre nuk ka qenë mbizotërues. Për shembull, prej ilirishtes sot gjuhëtarët dinë shumë pak. Historianët e arkeologët përpiqen të gjejnë dicka nëpërmjet interpretimeve të zbulimeve të tyre ose mundohen të provojnë se ilirët nuk lanë shkrime pasi nuk treguan kujdes ose dokumentet e shkruara u shkatërruan qëllimisht nga armiqtë e tyre. Por një arsye tjetër mund të jetë se ilirët nuk kane patur një gjuhe relativisht të njësuar ose kanë folur gjuhë të ndryshme madje aq të ndryshme sa shpesh shqipja e sotme që rrjedh prej tyre herë është quajtur “centum” herë “satem”. Gjurmët e shkrimeve ilire, nëse kanë ekzistuar, ka të ngjarë të gjenden të harruara, shpërndara ose te shkrira mes letrave të shumë kombeve të tjerë dhe asnjëra prej tyre të mos i ngjajë tjetrës.
Fakti që gjurmët e shkrimit shqip datojnë jo me thellë se shek. XIII-XIV dhe që kjo periudhë përkon me fillimet e formimit të kombit shqiptar, pas disa shekujsh errësire gjatë së cilës humbi edhe identiteti ilir, mund të merret edhe si pikënisje e fillimit te gjuhës së sotme shqipe.
Në atë periudhë trojet shqiptare ndodheshin nën ndikimin romak e bizantin dhe dyndjeve të tjera, prandaj edhe prania e fjalëve latine e greke mund të merren përgjithësisht si huazime të vetëm asaj periudhe kur një komb i ri ose në proces formimi e shikonte me frikë, respekt e adhurim kulturën e popujve të tjerë për rreth, si grekë, latinë, sllavë etj.
Duke i hedhur një vështrim shtypit, letërsisë dhe dokumenteve të sotme zyrtare, mund te thuhet se për nga pikëpamja gjuhësore shqipja ndodhen në një proces transformimi të thellë për shkak të huazimeve pa masë e pa rregull. Gjuhëtarët pas 500 vjetësh, në se do të bazoheshin vetëm në ndryshimet gjuhësore, ka të ngjare të arrijnë në përfundimin se trojet ku flitet gjuha shqipe, kanë qenë të pushtuara nga anglo saksonët. Po të kihen parasysh ndryshimet e toponimeve nga serbe ne shqipe që janë kryer e vazhdojnë të kryhen në Kosovë, ata do të arrijnë në përfundimin se serbët kurrë nuk kanë shkelur në këto treva.
Përhapja e sllavizmave në gjuhë e toponime shqipe, është thënë se ka ndodhur si pasojë e shtrirjes së fiseve sllave pas mbërritjes së tyre në Ballkan, në shek, VI-VII dhe se cdo vend me toponim sllav ka qënë vendbanim ose nën administrimin e tyre. Por duke qenë sot dëshmitarë të mënyrave të huazimit të fjalëve, mund të thuhet se e njëjta mënyre huazimi ka ndodhur edhe ateherë, pra sllavët nuk kanë krijuar a themeluar vendbanime në trojet shqiptare, por ka qenë kultura e tyre që ka qenë shtrirë dery aty dhe hapja e vendasve e ndoshta servilizmi ndaj kësaj kulture.
Huazimet sllave ashtu si edhe ato latine nuk janë të pakta. Të tilla nuk janë edhe ato arabe e turke, megjithëse sot këto të fundit ndeshen më rralle, për shkak të ndryshimit të mendësisë që ndodhi gjatë periudhes që u quajt Rilindje, kur vështrimi prej disa shekujsh nga lindja u hodh drejt perëndimit. Pikërisht në atë periudhë, fundi i shek. XIX- fillimi i shek. XX, ndodhi edhe pastrimi më i madh i gjuhës shqipe nga këto huazime.
Sot shqiptarët vazhdojnë t’i mbajnë sytë drejt perëndimit, jo me frikë por me shpresë e adhurim. Pikërisht kjo e bën gjuhën e tyre më të pambrojtur ndaj huazimeve krejt të panevojëshme ashtu sic janë sendet luksoze, shpesh të papërballueshme.
|