POETI DANEZ PETER POULSEN - LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”
Laureat i Çmimit te madh "Naim Frashëri" të Edicionit IX të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit" është poeti danez Peter Poulsen. Ky është vendim i Jurisë së Festivalit i përbërë nga prof.dr. Isak Shema (Kosovë), Niels Hav (Suedi) dhe Ahmet Selmani (Maqedonia). Në kete edicion Drejtoria e Festivalit do ta shpalle laureatin e sivjetshëm edhe Anëtar Nderi t; Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit 2007” do të mbahet prej 18 – 21 tetor në qytetin e Tetovës.Këtë e bëri të njohur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 16 shtator në Qendrën kulturore në Tetovë, drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit" Shaip Emërllahu. Fitues të mëhershëm të këtij festivali janë emra të njohur si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Ali Podrimja (Kosovë) etj.
Në edicionin e sivjetëm ardhjen e kanë konfirmuar 42 poetë nga 22 vende të botës: SHBA, Kanada, Uruguaj, Karaibe, Danimarkë, Lituani, Gjermani, Suedi, Francë, Itali, Palestine, Turqi, Qipro, Hungari, Kroaci, Islandë, Slloveni, Rumani, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe poete shqiptare nga Mali i Zi, Shqiperia, Kosova dhe Maqedonia. Drejtori Shaip Emërllahu, në vazhdim ka prezentuar pesë titujt që janë botuar në kuadër të edicionit botues të Festivalit. Ato janë; “Kënga e shigjetave” e poetes jugkoreane Moon Chung Hee, “Kthimi i barbarogjenive” i kroatit Drazhen Katunariq, “Lumi që rrjedh drejt burimit” i poetes gjermane Silke Liria Blumbach, “Vetmia e nëntëshes së madhe” i asaj turke Biba Ismail dhe “Torzo e gjallë” i poetit shqiptar Osman Gashi. Sikurse në të shkuarën, edhe sivjet Drejtoria do te botojë antologjinë me poezi të poetëve pjesëmarrës.
Në vazhdim anëtari i Drejtorisë dhe i Jurisë së Festivalit Ahmet Selmani lexoi një biografi të shkurtër të fituesit, kurse kryetari i Jurisë prof. dr. Isak Shema paraqiti arsyetimin për dhënien e çimimit. Peter Poulsen është shkrimtar i shquar i letërsisë bashkëkohore daneze. Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e realizuar artistikisht. Ai është afirmuar si poet, prozator, publicist, eseist dhe përkthyes letrar. Poulsen kultivon poezinë moderne dhe bën pjesë në grupin e shkrimtarëve danezë, të cilët kanë sjellë risi në artin letrar. Në krijimet poetike trajton motive të llojllojshme, në të cilat shfaqen ndjenjat subjektive dhe njëkohësisht shprehen mendime dhe vlerësime lidhur me fenomenet e natyrës dhe të jetës shoqërore. Ai është njeriu i ballafaquar me vështirësi jetësore, sepse shpesh herë lumturia për të mbetet vetëm ëndërr. Ate e quajnë profesor të dhembshurisë. Në fjalorin poetik përfshihen dendur fjalët me të cilat në aspektin figurativ paraqitet aktual! iteti i jetës së përjetuar me forcë emocionale. Ai nuk përfill reifikimin në letërsi, pra çvendosjen e njeriut nga fokusi i interesimit të tij dhe nuk e zëvendëson atë me gjësende. Poulsen është i interesuar që të arrijë motivimin artistik të brendisë së poezisë dhe të komunikojë në mënyrë efektive me lexuesit. Mendimi refleksiv, i pranishëm në poezi dhe i paraqitur në formë kontrasti, është në harmoni me vizionin humanist të shkrimtarit. Ai nuk është indiferent ndaj fenomeneve, reagon në mënyrën e tij dhe me sinqeritet, pa ia imponuar pikëpamjet e veta lexuesit. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do te hapet nje ekspozite pikturash, do te promovohen libra, do te vizitohen lokalitete kulturore dhe historike etj.
Skenen edhe për sivjet e ka ideuar piktori Savash Veliu, anetar i Drejtorise se Festivalit. Festivalin do ta mbeshtes financiarisht Ministria e Kultures, firma “Veze Sharri” etj. Per shkak se harxhimet e festivalit jane te medha, Drejtoria kerkon edhe donatore e sponzore te tjere pa ndihmen e te cileve veshtire e ka ta realizoje programin e parapare per sivjet u tha në konferencën e shtypit.
Artan Arsllani
|