Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow U realizua me sukses vėllimi i parė poetik nė gjuhėn rumune pėr diasporėn shqiptaro-amerikane
U realizua me sukses vėllimi i parė poetik nė gjuhėn rumune pėr diasporėn shqiptaro-amerikane PDF Print E-mail
07 Nentor 2007
(Merita BAJRAKTARI McCORMACK, prezantohet në botën letrare, në gjuhën e Emineskut)

Këto ditë, në prag të Vitit të Ri, falë Shtëpisë botuese Albin, e pa dritën e botimit në Tiranë, vëllimi Ferestrele Sufletului / Dritaret e Shpirtit, i korçares me banim në Amerikë, Merita Bajraktari McCormack. Botimi u realizua nga komuniteti kulturor i shqiptarëve të Bukureshtit, nën kujdesin personal dhe udhëheqjen profesionale të zt. Albert Voka (pseudonim letrar i Baki Ymerit). Lektore e librit është poetesha Joana Trika, korektore për gjuhën rumune, Paula Kovalçiuk, lektor për gjuhën shqipe, Ilir Kosova, ndërsa redaktor artistik, Mihnea Gafica.

E lindur në Korçë (1966), pas diplomimit për Ekonomi në UB - Tiranë, Merita Bajraktari Mccormack kreu studimet Pasuniversitare në Angli, ku mori Titullin MBA (Master of Bussines Administration). Letërsia, muzika dhe teknologjia moderne, janë jo vetëm pasion por edhe fusha të angazhimit të saj. Është ideatore, drejtuese e grupit të punës dhe bashkautore e Antologjisë letrare “Mozaikë të një portreti”. Ka themeluar dhe drejton disa grup-lista dhe forume virtuale. Shkruan rregullisht në shtypin e diasporës dhe atë shqiptar. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës (LSHSHA) dhe Anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Poetëve (ISP).


Në prill të vitit 2006 u zgjodh gjysëm-finaliste në konkursin ndërkombëtar poetik të organizuar nga Libraria Ndërkombëtare e Poezisë dhe fitoi çmimin “Editor’s Choice Award” si dhe medaljen “Ambasadore e Poezisë - Poetry Ambassador” (qershor, 2006), për “Outstanding Achievement in Poetry”. Poezia e saj “Shpirti i Gruas /A Woman’ Soul” hap antologjine poetike të vitit 2006 “Timeless Voices”, botuar nga Libraria Ndërkombetare e Poezisë me 220 poezi të zgjedhura nga poetë nga e gjithë bota.

Në profesion Merita punon si “Managing Director” e kompanisë amerikane “Adria Global” që ushtron aktivitet në fushën e konsulencës teknike në biznes dhe administratë. Së bashku me bashkëshortin e saj John, Merita ka dhënë kontribut profesional në disa vende të botës, si në Afrikën Jugore, Europë dhe Amerikë. Autorja, së bashku me bashkëshortin dhe tre femijët e tyre jetojnë sot në SHBA.

Bibliografi lirike: Me Zërin e Zemrës (poezi, Dituria, Tiranë, 2003; Lulet e jargavanit (tregime, Albin, Tiranë, 2005); The Lilac flowers short stories (në anglisht, tregime, Albin, 2005; Mozaikë të një portreti (antologji, drejtuese e punës dhe bashkëautore, Albin, 2004; Tinguj malli (poezi, Albin, 2005); Dritaret e Shpirtit / Ferestrele Sufletului) (poezi në rumanisht, botim I Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (2006); Kur të digjem (antologji, bashkëautore, botim i festivalit “Ditët e Naimit”; Timeless Voices (antologji, bashkëautore, botim i Librarisë Ndërkombëtare të Poetëve, 2006. Bashkëautore në Antologjinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës (në botim, 2006).

Më poshtë Ju sjellim, për kënaqësinë Tuaj, pjesë nga parathënia shqip e vëllimit, pak biografi letrare për Meritën, pjesë të aktivitetit krijues të Albert Vokës, si dhe fotografi të ballinës, autores dhe përkthyesit. (Laura Rushani)

Poezia e Meritës

Magjia e rrugës për në yje

(Parathënia e vëllimit Driatret e Shpirtit)

Ç’është poezia? Zëri i zemrës, lulet e jargavanit apo tingujt e mallit? „Cilën krijoi më parë njeriu, lutjen apo poezinë, pyet Visar Zhiti dhe përgjigjet: Nëse krijoi lutjen, ajo është forma e parë dhe më modeste që i drejtohet Zotit për t’i kërkuar ndihmë, mëshirë, njohje të jetës dhe të vdekjes, fat. Nëse u krijua poezia e para, ajo është një formë e lutjes, e lartë artistikisht, që i drejtohet njeriut për ta bërë Zot, i kërkohet emocioni i bukur, dhimbje për të përsosur vetveten, dashuri dhe dritë për terret e brendshme, hapësirë për endjet e shpirtit, natë për t’u çlodhur përkohësisht ose përjetë.

Paralelisht me një serë ëndërrimtaresh të frymëzuara, Merita Bajraktari McCormack është njëra ndër poeteshat më të shquara të diasporës shqiptare. Sipas Koçi Petritit, vjershat e saj përfshijnë mallin e një shpirti të ndjeshëm: Ti të marrosesh pas meje e unë të çmendem pas teje. Ajo është ftesa e një dashurie të thellë, e cila në totalitetin e saj i drejtohet sa një personi po aq edhe një lumi, një bregu, një atdheu të tërë. Merita është një shpirt poetik e cila kërkon metaforën e lumit të vendlindjes në brigjet e një lumi të huaj, duke mos e harruar kurrë mallin ndaj shtëpisë. Ajo është poezia e një ndjeshmërie të thellë që ta lumturon shpirtin, një libër që të mëson ta gëzosh jetën, të mos jesh i shqetsuar, të mos biesh në prehërin e fjalës së hidhur, të kërkosh të bukurën, të admirosh petalet e lules, të fjalës, të bletës, të zogjve. Unë jam si pëllumbi, thot poetesha që ka marrë rrugën e mërgimit, e etshme për të komunikuar dy fjalë në gjuhën amtare, qoftë edhe nëpërmjet telefonit.

Sipas Zhuliana Iorganxhiut, zëri i Meritës është një zë i qetë dhe i dhembshëm. Është zëri i ëmbël i një gruaje, i një mamaje të re në përditshmërinë e saj, me ëndërrat, shqetsimet, brengat dhe gëzimet, me hidhërimet dhe mallin përvëlimtar të cilin e shpreh ashtu siç e ndjen, qetë dhe pa zhurrmë. Syri i saj nuk kalon indiferent në asnjë çast përpara fëmijëve të saj dhe personave të tjerë. Ajo është përmallimi dhe dashuria për atdheun që ka mbetur në largësi, atje ku janë prindërit, vëllezërit, motra, miqët e vjetër të fëmijërisë dhe rinisë. Merita është një shpirt i përflakur që shprehet nëpërmjet lotit dhe dhembjes të cilën e ndjen kudo dhe në çdo ditë feste e gëzimi. Sipas Pëllumb Kullës, poezia e saj është një përgëzim i ngrohtë dhe i sinqertë. Ajo është një qenje fisnike e frymëzuar, të cilën e gjen në Long Island të Amerikës, e rrethuar nga fëmijët e saj të mrekullueshëm, pranë shoqit të saj John, gjithmonë me një libër në dorë, gjithnjë e më shpesh në shoqëri të penës së saj të frymëzuar.

Duke i shijuar poemat e Meritës, konstatojmë se ato burojnë nga një shpirt i frymëzuar, i përbujshëm, delikat dhe i ndjeshëm. Poezia e saj shpërndan përshpëritje dashurie që rrjedhin si një lumë drite, që na bën më të mirë dhe më të njerëzishëm. Merita është një dritë mirësie dhe dashurie. Ata që e kanë njohur kanë deklaruar se frymëzimet e saja janë të bukura dhe se zgjojnë emocione, se poeza e saj që ta trondit shpirtin, transmeton mendime, kujtime dhe sentimente, se ajo është një qenje e bukur dhe e dashur, një shpirt i ngrohtë dimensionesh të mëdha, se ndjenjat e saja janë të larta e fisnike. Sipas Agim Bacellit, vargjet e saja të joshin ngase rrjedhin shumë natyrshëm dhe me ëmbëlsi. Janë frymëzime që mbeten përherë të gjalla në kujtime. Duke e deshifruar shpirtin e saj, Valter Lazeri konstaton se ajo ka një poezi shumë intime dhe shumë të prekshme. Të këtilla i kemi motrat tona në diasporë: vlera letrare me një intensitet të lartë të ndjeshmërisë.

Sipas Schopenhauerit, Poezia është si ëndrra: një shoqërim i lirë përfytyrimesh. Pronarja e Driatereve të shpirtit është një shkëndijë që të përvetëson nga leçitja e parë. Në original vargjet e saj janë të pajisura me rimë. Në përkthim të lirë, ato dëshmojnë se autorja din ta zotërojë zemrën dhe mëndjen. Krijimtaria e saj është njëfarë dalldisje hyjnore që mbetet në kujtesë si një këngë e dashurisë ndaj fëmijëve, fjalëve, pemëve, luleve, zogjve. Në disa poema të shkurta defilon poezia e jetës, Merita duke u bërë një njeri i të gjitha shkencave. Ajo din se si mbahet ekuilibri i jetës, ekuilibër që s’është zotëruesi yt, ngase Zot i ekuilibrit je vetëm ti (Ekuilibri). Ajo e din se po qe se zgjohemi nga kotësia në hapsirën e zbraztë të dëshprimit, me sy të terratisur nga lotët e mallit dhe rrugët e harresës, nuk dimë se ç’kërkojmë në këtë botë, fillimin a po mbarimin (Botë gënjeshtare). Ja pra se si duket bota gënjeshtare e kësaj bote: Dy botë të shembura, dy jetë/ Dy ëndërra, dy zemra, dy dashuri/ Që për hirë të dikujt janë shndërruar në hi (Dy jetë).

Edhepse e thurrur në disa raste në vargun klasik, poezia e Meritës është një poezi moderne. Besnikëria, trimëria, nderi, fjala e dhënë, janë disa nga vetitë më të admirueshme të shpirtit shqiptar: Fijet e pëlhurës së Peneëopës moderne/ Janë elektronë në hapësirë/ Thurin e ndërthurin pëlhurë fjalësh/ Për Odisenë e humbur mes valësh (Penelopa moderne). Ja pra se si vjen poezia diasporës shqiptare edhe në Rumani! Merita është poetesha e parë shqiptare të cilës i botohet një libër në gjuhën e Emineskut: Ti shpesh vjen pa trokitur/ Herë herë si studi e marrë/ Erëra të forta sjell me vete/ Tufan e bën, mbart acar/ Rrëmben me vete ç’gjen përpara/ Mbush lumin tënd prej kohësh të vdekur/ E ik pastaj me vrap, pa menduar/ Për burimin që dha ujë kur ti ishe etur (Ti vjen tek unë). Është mirë të thuash me pak shumë, të ndjesh shumë dhe të shtosh vlerat kombëtar edhe përmes fjalës, ngase vetëm kështu mund të arrish në yje. (Baki Ymeri)

DISA FJALË PËR PËRKTHYESIN DHE KRYEREDAKTORIN E VËLLIMIT

Albert Voka (pseudonim letrar i Baki Ymerit) është i njohur si poet, përkthyes, eseist dhe publicist. U lind para 50 vitesh në Shipkovicë të Tetovës, nga një baba shqiptar (Ajvaz Voka), dhe nga një mama rumune (Aurelia Graur). Kreu gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969-73). Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, arratiset në Rumani (1973), vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1974) dhe në Bukuresht (1975). Ndërkohë shkruan, përkthen dhe boton artikuj e studime mbi lidhjet farefisnore rumuno-shqiptare, përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë, shpifet, ndiqet, arrestohet (1975) dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë (1976). Arsyetimi i procesit të montuar politik ishte: bashkim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste.

Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar, merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, afirmon diasporën shqiptare, bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në veri dhe jug të Danubit, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë. Të gjitha aktivitetet i kryen vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash.

Gjatë këtyre viteve ka botuar në revista të ndryshme mijëra vargje nga vepra të dhjetëra shkrimtarëve rumunë klasikë e bashkëkohorë, në gjuhën shqipe, maqedonase dhe sllovene, si dhe disa vëllime që u përkasin poetëve që pasojnë: Nikita Stënesku: Ekspozitë e të palindurve (Prishtinë, 1986), Angjel Dumbrëveanu: (Kënga e mullibardhës (Shkup, 1986), Sllavko Almëzhan: Xhuxhmaxhuxhët harruan të rriten (Prishtinë, 1989), Marin Sorescu: Eja të ta them një fjalë (Prishtinë, 1990), Halil Haxhosaj: Umbra cuvintelor/Hija e ëndrrav (Bukuresht, 2004), Karolina Ilika: Duke dashur në fshehtësi (Pogradec, 2004), Sali Bashota: Exilul sufletului/Ekzili i shpirtit (Bukuresht, 2004), Ibrahim Kadriu: N-a rãmas timp pentru sãrbãtori/ S’mbet kohë për kremte (Bukuresht, 2005), Merita Bajraktari: McCormack, Ferestrele sufletului, Dritaret e shpirtit (2006).

Bibliografi lirike: Kaltrina (botim dygjuhësh shqip-rumanisht, Bukuresht, 1994); Dardania (botim dygjuhësh, Bukuresht, 1999; Zjarr i Shenjtë (Tetovë, 2001; Lumina Dardaniei/Drita e Dardanisëi (Muzeu i Letërisës Rumune, Bukuresht, 2004): Drumul Iadului spre Rai/Rruga e Ferrit për në Parajsë (Bukuresht, 2005). Për poezinë e tij kanë shkruar: Marin Soresku, Oktavian Soviany, Luan Topçiu, Radu Voinesku, Marin Kodreanu, Xhelku Maksuti etj.

Baki Ymeri është autor i qindra artikujve për diasporën shqiptare dhe bashkautor i dy monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të Danubit: Shqiptarët e Rumanisë (Tetovë, 1994), Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani (Shkup, 2004). Ai është njëherësh njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujve mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë Drita, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominuar nga Instituti Biografik Amerikan (ABI): Njeriu i Vitit 2001. Jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, boton, udhëheq dhe shpërndan revistën Shqiptari/Albanezul. Sipas dr. Luan Topçiut, Baki Ymeri është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë dhe, mbi të gjitha, për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë të frytshme.

(Laura Rushani)


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive