Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Rrugtimi i Shqipris deri te shpallja e Pavarsis n Vlor - m 28.XII.1912
Rrugtimi i Shqipris deri te shpallja e Pavarsis n Vlor - m 28.XII.1912 PDF Print E-mail
28 Nentor 2007
Me rastin e 95 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Shkruan: Sheradin BERISHA

Përmbajtja e lëndës

    * Lëvizja xhonturke dhe ideja për Autonominë e Shqipërisë;
    * Synimet e “Aleancës  ballkanike” për copëtimin e tokave shqiptare;
    * Në Kuvendin e Shkupit u vunë gurëthemelet e  Pavarësisë së Shqipërisë;
    * Rrugëtimi misionar  i delegacionit të Shkupit - përgatitja e Kuvendit gjithëkombëtar;
    * Rrugëtimi diplomatik i Ismail Qemalit nga Stambolli deri te zbarkimi  i tij në Durrës;
    * Rrugëtimi i karvanit të Ismail Qemalit nga Durrësi për në Vlorë;
    * Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Kuvendin e Vlorës më 28.XI.1912;
    * Kush e përfaqësoi Kosovën… në Kuvendin e Vlorës?;
    * Kush e nënshkroi aktin e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë?;
    * Kush e përbënte Qeverinë e parë të shtetit shqiptar?;
    * Çka i shkruan, Kryetari i qeverisë shqiptare Ismail Qemali - në një Letër, shteteve të Fuqive të Mëdha?

Lëvizja xhonturke dhe ideja për Autonominë e Shqipërisë

   Dihet mirëfilli se në fund të shekullit XIX, në Stamboll lindi lëvizja nacional-borgjeze e turqve të rinj që veten e quanin xhonturq. Kjo lëvizje vepronte përmes Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim” (Ittihad ve Terakki) dhe drejtohej kundër pushtetit absolutist të sulltan Abdyl Hamitit II.

  Në këto zhvillime, lëvizja kombëtare shqiptare, për të krijuar kushte të favorshme në luftën për autonominë e Shqipërisë dhe për të larguar rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare, u bashkua me lëvizjen e turqve të rinj. Në pranverën e verën e vitit 1908 në shumë  qytete të Shqipërisë, si  në Ohër, Prespë, Strugë, Manastir, Shkup, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë etj, krahas komiteteve kombëtare ”Për lirinë e Shqipërisë” u formuan edhe komitetet xhonturke ”Bashkim e Përparim”.1

   Zgjerimi i veprimtarisë së komiteteve xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Në rrethanat kur administrata Osmane në Rumeli (ku përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare) ishte shthurur dhe zotër të situatës ishin bërë xhonturqit, si edhe përballë rrezikut të një sulmi të ushtrisë kryengritëse kundër Stambollit, Sulltan Abdyl Hamiti II u detyrua të pranonte, natën e 23/24 korrikut, shpalljen e kushtetutës së vitit 1876 dhe rivendosjen e rendit kushtetues. 2

   Shpallja e Kushtetutës së Hyrietit (lirisë) u prit me gëzim e entuziazëm edhe nga populli shqiptar, i cili vunate prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Mirëpo ky entuziazëm nuk zgjati shumë. Qysh në zgjedhjet e para për parlamentin  turk, që i shpallën xhonturqit me 15 shtator 1908, sipas ligjit elektoral nuk njiheshin popujt joturk dhe të gjithë banorët e Perandorisë u shpallën ”osmanlinj”.3

    Meqenëse revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909-1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare, të cilat u shtypën me gjak nga ekspeditat ushtarake xhonturke.

    Për t´i joshur krerët shqiptar, sulltani ju ofronte edhe  pozita të larta ministrore. Kështu, në vitin 1909, Ismail Qemali refuzoi dy herë rresht postin e Ministrit të Drejtësisë dhe me pas atë të Ministrit të Brendshëm të Perandorisë* dhe në një takim të drejtpërdrejt që pati ai me Sulltanin ia komunikoi qëllimin për: Shpalljen e Autonomisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe emërimin e një shqiptari  në krye të shtetit të ri që pritej të lindëte. Këtë ide dy vjet me vonë (1911), Ismail Qemali nuk hezitoi t'ia përsëriste edhe Vezirit Qamil Pasha, por Veziri ndonëse nuk ishte plotësisht në dijeni të zhvillimeve që priteshin të ndodhnin në viset shqiptare, këmbënguli që Shqipëria të mbetej pjesë e Perandorisë.4

    Fillimi i luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911) krijoi kushte të favorshme për vazhdimin e  kryengritjes shqiptare. Kështu më 12 janar 1912 në Stamboll u mbajt një mbledhje e krerëve të lëvizjes kombëtare, kuu vendos që në 4 Vilajetet shqiptare të organizohet një kryengritje e përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë e pastaj të zgjerohet edhe në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua, të organizonte kryengritjen e përgjithshme, fillimisht në Kosovë..., ndërsa Ismail Qemali të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane për këtë rrugë të nisur.5

Synimet e “Aleancës  ballkanike” për copëtimin e tokave shqiptare

    Kryengritja e përgjithshme shqiptare dhe lufta italo-turke (në Jemen...), i dhanë goditje të reja sundimit pesë shekullorë turk në Ballkan. Nga këto zhvillime, ndonëse gjatë verës së vitit 1912 perandoria turke, po i numëronte javët e fundit në Ballkan, në zgjidhjen e çështjes shqiptare do të inkuadrohen edhe fuqitë e mëdha. Austro-Hungaria..., duke e kuptuar funksionin historik të Shqipërisë si digë para zgjerimit sllavë, filloi t'i bëjë trysni Turqisë që të tregojë më tepër mirëkuptim për 14 kërkesat e parashtruara të shqiptarëve.6

   Konti austro-hungarez  Berthold, (ministri i jashtëm) u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmarrin masa për decentralizimin e Turqisë evropiane në aspektin etnik, ku do të përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare, Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.

    Këtë propozim e kundërshtoi fuqishëm Rusia, e cila me planet e saj ogurzeza, synonte që tërë Ballkanin ta bënte sllave-ortodokse dhe për fat të keq në këtë drejtim ajo kishte përkrahjen e Francës dhe të Anglisë.7 Për këtë çështje, reagoi edhe Porta e Lartë, e cila deklaroi se çështja shqiptare është “çështje e brendshme e Turqisë” dhe për të dëshmuar këtë gjë ,përfaqësuesit turk, ndryshuan rrënjësisht  konkluzat e marrëveshjes të arritur me krerët shqiptar, më 18 gusht 1912 në Shkup.8

   Dhe këto marifetllëqe i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Planet serbe për një “luftë kundër Turqisë”, kishin filluar me bisedat e fshehta me Bullgarinë. Diplomacia ruse në krye me carin Nikollajin e II, ishte shumë e interesuar që sa më parë të nënshkruhet aleanca luftarake në mes Bullgarisë e Serbisë, për ndarjen e Shqipërisë etnike. Për këtë qëllim, qarqet sunduese bullgare u ndaluan edhe krerëve bullgaro-maqedonas të krahinës së Maqedonisë që të bashkpunojnë dhe të përkrahin kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912.9

  Pas një vargë takimesh (që kishin nisur qysh në tetor 1911) midis kryeministrit serb Milovanoviq dhe atij bullgar Geshov, me ndihmën e Rusisë, më 13 mars 1912, Serbia lidhi një aleanc “Traktat miqësie” me Bullgarinë, ku si synim parësor kishin kundërshtimin e formimit të çfarëdo shteti shqiptarë në Ballkan dhe coptimin e tokave shqiptare. Një aneks sekret i këtij traktati parashikonte veprime eventuale të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane, ku parashihej që Serbisë t´i takonte mbarë territori në veri të maleve të Sharrit. Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj 1912  me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.10

   Kësaj aleance, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën iu bashkua edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të "aleancës..." përfundimisht ,në emër të luftës kundër "robërisë osmane" në tetor 1912 filuan luftën e parë ballkanike për pushtimin dhe coptimin e tërsisë së tokave shqiptare.

Në Kuvendin e Shkupit u vunë gurëthemelet e  Pavarësisë së Shqipërisë

     Për ta alarmuar faktorin e brendshëm dhe të gjitha kancelaritë e fuqive të mëdha, për rrezikun që po i kanoset popullit shqiptar  dhe trojeve etnike shqiptare, më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një Kuvend të jashtëzakonshëm. Në këtë kuvend, të kryesuar nga Nexhip Draga, morën pjesë: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj. Pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan...” u morën këto vendime:

   1. Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha;
   2. Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të    përbashkët  kundër forcave osmane në Shkodër).
   3. Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”11

    Në zbatim të këtyre vendimeve, Kuvendi më 16 tetor 1912 në Shkup ia dorëzoi konsullatës austro-hungareze dhe gjermane një proklamatë, ku thuhet: ”...Serbia ,Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim të zgjerimit  tokësorë ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”.12 Pra, këto dokumente dëshmojnë qartë se në Kuvendin e Shkupit u vunë themelet e Pavarësisë së Shqipërisë.

Rrugëtimi misionar  i delegacionit të Shkupit - përgatitja e Kuvendit gjithëkombëtar

     Kuvendi i Shkupit caktoi edhe një delegacion, i cili u ngarkua  të përgatisë terenin për mbajtjen e një Kuvendi gjithëkombëtar. Pas këtyre aktiviteteve, më 16 tetor 1912 anëtarët e delegacionit të zgjedhur në Kuvendin e Shkupit: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani, e lanë Shkupin dhe me  tren u nisën për në Mitrovicë dhe prej aty deri  në Pejë udhëtuan me një qerre të mbuluar.13 Në rrugën nga Peja për në Gjakovë, delegatët takojnë reth 200 burra, që shkonin në luftë për mbrojtjen e Pejës. Në fshatin Carrabreg, takohen me prijësin Bajram Curri. Në Gjakovë takojnë edhe Isa Boletinin, që sapo kishte ardhur nga fronti i Prishtnës.14 Madje në Pejë e Gjakovë,... kishin marrë nënshkrime nga paria, duke i autorizuar ata që të vendosnin për të mirën e Shqipërisë në emër të Kosovës.

    Nga Gjakova, ky delegacion kalon në krahinën e Hasit dhe në fshatin Letaj qëndrojnë një natë. më pastaj hidhen në krahinën e Lumës dhe në fshatin Arnë takojnë prijësin lumjanë Ramadan Zaskoci.15 Disa ditë i kalojnë në Reç, Mirëditë, te kulla e Oroshit, ndërsa në  Abat të Mirditës takuan  imzot Preng Doçin.16 Nga Mirëdita delegacioni rrugëton dhe ndalon në Luginën e Fanit, në Rubik, Krujë, në Valias në çifligun e Abdi bej Toptanit dhe pasataj shkojnë në Tiranë, pastaj ndalojnë në Durrës prej nga pas disa ditësh  nisen për në Elbasan.17

  Këtij delegacioni prej katër vetësh, në Durrës * iu bashkua Dom Nikollë Kaçorri, Mustafë Asimi Kruja e Abdi bej Toptani. Këta atdhetarë kudo që shkuan ngritën zërin për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë, duke i dhënë kështu frymë idesë për thirrjen e një Kuvendi Gjithëshqiptar.

   Sipas kujtimeve të Eqerem bej Vlorës, kusheri i Ismail Qemalit dhe njëri nga figurat e njohura të politikës së mëvonshme shqiptare, mësohet se që në fillim të korrikut 1912 në Shqipëri qenë ngritur komitete për pavarësinë e Shqipërisë dhe se kusheriri i tij, Syrja bej Vlora kishte mandatin e popullit të Vlorës për një Kuvend Kombëtar, që në muajin gusht 1912. Ismail Qemali duhej të ishte në kontakt të vazhdueshem me ta, nisur edhe nga faktin se në muajin qershor - korrik, ai kishte qëndruar pak ditë në Vlorë.18 Delegacioni prej 8 anëtarësh tashmë përbënin Komitetin e Përkohshëm të Shqipërisë, për përgatitjen e Kuvendit për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, para se të shkilej Shqipëria nga forcat e “aleancës ballkanike”.

Rrugëtimi diplomatik i Ismail Qemalit nga Stambolli deri te zbarkimi  i tij në Durrës

Ismail Qemali

   Zhvillimet e  luftës së parë Ballkanike, të shpallur në tetor 1912 nga shtetet ortodokse të "Aleancës ballkanike" e që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare, përshpejtuan aktivitetin diplomatik të Ismail Qemalit.

   Kështu, më 3 nëntor 1912 Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi..., arriti në Bukuresht të Rumanisë, për t´u takuar fillimisht me komunitetin shqiptar që vepronte atje. Në Bukuresht gjetën një situatë krejt të ndryshme nga ajo që sundonte në Stamboll. Kryeqyteti rumun ishte përfshirë nga euforia dhe të gjitha organizatat shqiptare që vepronin atje, qenë të vendosura për pavarësinë e Shqipërisë (shkëputjen e plotë të saj nga Turqia).

    U desht fare pak kohë, që Ismail Qemali dhe delegacioni i tij, ta kuptonin se Turqia ishte përfundimisht e humbur dhe se pavarësia e plotë nga Turqia ishte e vetmja zgjidhje. Për më tepër, komuniteti shqiptar i Bukureshtit, kishte filluar ta konsideronte këtë akt si të kryer tashmë.

Patriotët shqiptarë në Bukuresht me kohë kishin përgatitur flamurin kombëtar, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar si dhe një bandë (korë) muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar.19

    Pas disa konsultimesh  më 5 nëntor në Hotelin "Kontinental" të Bukureshtit, u mbajt mbledhja e përfaqësuesve të komunitetit  shqiptarë dhe të delegacionit në krye me Ismail Qemalin që kishte ardhur nga Stambolli.

Në kujtimet e pjesëmarrësve të kësaj mbledhjeje, që jetuan  deri vonë, thuhet se: mbledhja vendosi njëzëri për pavarësinë e Shqipërisë dhe ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin e tyre për këtë vendim. 20

    Në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi, tregon se në momentin e largimit nga Bukureshti, Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku.21

   Dy ditë më vonë (7 nëntor) delegacioni i plotësuar edhe me katër përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, u nis për në Vjenë. Ismail Qemali me delegacioni shqiptarë sapo kishte mbërritur në Vjenë, mori një telegram nga miku i tij i vjetër, konti Andrasay, ku e ftonte që të vijë në Budapest për t´u takuar me diplomatë Austro-hungarez. Më 8-9 nëntor në Budapest I.Qemali do të takohet me kontin Hadik ish-nënsekretar shteti dhe me Ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë z.Graf Berthold, njërin nga njerëzit më të fuqishëm të diplomacisë evropiane. Në këto takime pasi u vu në pah rreziku i coptimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, Austro-Hungaria u shpreh e gatshme ta nxiste dhe ta mbështeste Pavarësinë e Shqipërisë. Konti Handik e siguroi z.Qemali se Qeveria e tyre kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit .22

    Gjatë muajit tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1912 ushtria turke në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet, ndërsa trupat ushtarake serbe, malazeze dhe greke që përbënin “aleancën ballkanike”, përmes operacioneve shfarosëse ndaj shqiptarëve, kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. 23 Meqë ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësi në Shqipëri, delegacioni shqiptarë bëri përpjekje që sa më parë të nisen për në atdhe, që të mbahet  kuvendi kombëtar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët austro-hungarez delegacionit shqiptar ia premtuan një vapor për të zbarkuar në Durrës.24

   Delegacioni shqiptar me tu kthyer në Vjenë (nga Budapesti), pati takime me Ambasadorin italian (Avana) dhe me ambasadorin anglez. Më 18 nëntor 1912, delegacioni mbërriti në Triesht dhe po atë ditë Ismail Qemali i drejtohet me një telegram komitetit përgatitor për shpalljen e Pavarësisë, dhe kërkon që të sigurohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit, për Mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që mendohej të mbahet në Durrës ose në Vlorë. Në këtë telegram thuhej: "Mbledhja e përfaqësuesve në Durrës apo Vlorë është shumë e rëndësishme. I thirrni të gjithë. Gjersa të arrij unë, mbani qetësinë e ruani bashkimin. Çështja jonë politike është siguruar përfundimisht”.25

    Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, gazetës italiane “Piccolo”,i deklaroi, se: "Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t'i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje".26

  Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, përfundimisht delegacioni shqiptar në krye me Isamail Qemalin, me vaporin austriak "Baron Bruck" nga Trieshta niset drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës.

Rrugëtimi i karvanit të Ismail Qemalit nga Durrësi për në Vlorë

Ndonëse ishte menduar që ngritja e Flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të evitonin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç'pritej. 27 Ato ditë, deti ishte bllokuar nga flota greke dhe kompromisi i dhespotit Jakov me Myftiun e qytetit e pamundësuan ngritjen e flamurit dhe mbajtjen e një kuvendi të parashikuar në Durrës.

 Për shkak të gjendjes së nderë që mbretëronte në qytet, po atë ditë Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t'i nisin për në qytetin e tij të lindjes në Vlorë. Ato ditë, meqë forcat serbe përparonin shpejtë drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (më 25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (më 26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës më 27 nëntor, ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës .28

   Delegacioni në krye me Ismail Qemalin pas 2-3 ditësh të qëndrimit në Durrës, duke iu shmangur rrugës kryesore së bashku me delegatët e Shqipërisë së Mesme niset për në Vlorë. Duke zbritur majës së Ardenicës, nga faqja perëndimore, delegatët nga Elbasani që udhëtonin në drejtim të Fierit, takojnë karvanin e kalorësve, që vinte nga Durrësi me delegatët e Bukureshtit, Durrësit, Tiranës,  Shkodrës, Kavajës etj me në krye Ismail Qemalin. Aty Mit`hat Frashëri takoi Ismail Qemalin, ”i cili kalëronte me një kalë myzeqeje të bardhë” dhe Luigj Gurakuqin. Kalojnë së bashku Semanin e fryrë nga ujërat e vjeshtës së tretë, me një lundër, apo govatë të flashkët që vente e vinte nga një breg në tjetrin për t´i bartur kalorësit e lirisë.29

   Sipas kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës, gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, ”gjenerali i divizionit turk Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, si pararojë të pjesës tjetër të armatës së Vardarit, që po vinte prapa në rrëmujë (e shpartalluar), dha urdhër të arrestohej Ismail beu me të gjithë kolonën e tij; për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut. Mirëpo gjatë natës komanda e trupave turke në Berat, nën trysnin e përfaqësuesve shqiptarë ndryshoi mendim”30 (hoqi dorë nga arrestimi-vërejtja ime).

   Nga vendi i quajtur Mifol, delegacioni i Ismail Qemalit udhëton me dy karroca 31 dhe pas shumë peripetive, në pasditen e 27 nëntorit 1912 arrijnë në Vlorë. Situata në Vlorë ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit. Populli vlonjat me këtë rast i bëri pritje madhështore delegatëve të ardhur nga disa krahina të Shqipërisë. Ismail Qemali për këto momente në kujtimet  e tij do të shkruaj: ”Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli me përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.32 Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë..., u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëri i Ismail Qemalit.33

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Kuvendin e Vlorës më 28.XI.1912

    Meqenëse anijet luftarake greke i qenë afruar portit të Vlorës dhe me të drejt i druhej ndonjë sulmi të forcave greke, por edhe për shkak të përparimit të pandaluar të ushtrisë serbe në verilindje të vendit, pa arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët  që ndodheshin në Vlorë vendosën të nesërmen të mblidhnin Kuvendin Kombëtar, për  ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë.34

Arritja e delegacionit të Kosovës në krye me Isa Boletinin (Vlorë, 29 Nëntor 1912)

Kush e përfaqësoi Kosovën… në Kuvendin e Vlorës?


   Kosova..., duke qenë e pushtuar nga ushtria serbo-malazeze, në Kuvendin e Vlorës u përfaqësua nga Sali Gjuka, Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovica, të cilët kishin ardhur nga Kuvendi i Shkupit, ndërsa një ditë më vonë (më 29 nëntor) në Vlorë mbërriti Isa Boletini dhe delegatët tjerë, si: gjeneral Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen Budakova, Tafil Boletini, Dervish Mitrovica, Zejnel Begolli, Halim Musë Bajgora, Ahmet Ali Llapi, Riza beg  Gjakova, Vehbi Dibra, Hajdin Draga etj. Ndërkaq udhëheqësit tjerë të Kosovës që ishin caktuar si delegatë të kuvendit, si: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj. nuk erdhën, sepse në fillim të nëntorit ishin kapur nga forcat serbe në Shkup dhe mbaheshin të burgosur në kështjellën e Kalemedanit në Beograd. Edhe Bajram Curri i nxënë me luftimet në Malësinë e Gjakovës nuk arriti dot të vijë në kuvend.35

  Kuvendi i hapi punimet, më 28 nëntor 1912 në orën 14 pasdite, po në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës.36 Kryetar i Kuvendit u zgjodh Ismail Qemali ndërsa sekretar Luigj Gurakuqi. Në fjalën e shkurtër që mbajti Ismail Qemali para 40 delegatëve, të përcjellur me duartrokitje të gjata e brohoritje entuziaste ”Rroftë Shqipnija e Lirë”, foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftrat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.37

   Propozimi i kryetarit për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, u miratua njëzëri nga delegatët. Në Rezolutën e Pavarësisë me titull "Në Vlonë më 15/28 të vjeshtës së tretë 1328/1912”, të cilën e lexoi sekretari i parë i kuvendit Luigj Gurakuqi, thuhet: “Pas fjalëve që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vete, e lirë e e mosvarme". 38

Akti i ngritjes së Flamurit në Vlorë Rezoluta e Kuvendit të Vlorës

Ndërkaq, gjithë emocionet e këtij akti historik i pasqyron më së miri origjinali i Procesverbalit, i cili fatkeqësisht kishte humbur në vitin 1937. 39 Dokumentin e shpalljes së Pavarësisë e botoi gazeta ”Përlindja e Shqypnies” organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, si dhe Lef Nosi në përmbledhjen e dokumenteve historike.40

Në një letër me titull “Si u bë Kongresi i Vlorës” Mit´hat Frashëri dërguar mikut të tij Kristo Luarasit, shkruan:  ”Kongresi u çel më 28 të këtij muaji dhe ishin 47 delegatë nga çdo an´e Shqipërisë, vise të shkelura dhe të pashkelura. Sot janë 65, se kanë ardhur edhe nga krahina të tjera. Këtë ditë, pra, ora 14.30, me zë të përgjithshëm u proklamua independenca e Shqipërisë dhe Flamuri u çel në portën e shtëpisë ku ishim mbledhur (...) Salla e madhe në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës ishte mbushur plotë dhe delegatët kishin zënë vendet rreth tri tryezave të mëdha të vëna afër e afër...”41

Kush e nënshkroi aktin e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë?

  Sipas  shënimeve të Mustafa Merlika Krujës, pjesëmarrës në këtë kuvend, del se Rezolutën e Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë e nënshkruan të gjithë të pranishmit në Kuvend,e ata ishin:

Ismail Kemal (Qemali);

Kaçorri (Dom Nikoll Kaçorri);

Abdul Aziz Vehbi (Vehbi Dibra, ish-myftiu i Dibrës e aty e mbrapa myftiu i përgjithshëm për myslimanët e Shqipnisë së pamvarme);

J.Karbunara;

Elmas Boco;

Vehbi Harçi;

Qazim Kokoshi;

J.Minga;

Rexhep Mitrovica;

A.Rruçi;

Abdi (Toptani);

Abas Dilaver (Qelkup-a);

Mid´hat Frashëri;

Shefqet Daju;

Zihni Abas Kanina;

Xhelal (Kopernacka);

Hajredin Cakrani;

Qemal Elbasani (Karaosmani);

Iljas Vrioni;

Salih Gjuka;

Dhimitër Berati;

Dhimitër Emanuel (Mborja?);

Dimitri Zografi;

Murat Toptani;

Pandeli Cale;

Luz (Luigj) Gurakuqi;

Bedri Pejani;

Spiro (don) Ilo;

Thanas Floqi;

Lef Nosi;

Dr.H.Myrteza;

Nuri (Sojliu);

Mustafa Asim Kruja;

M.Ferid Vokopola;

Ymer (Deliallisi);

Xhemaledin (Xhemal Deliallisi);

Nebi Sefa Lushnja;

Zuhdi Ohria, ndërsa 2 emra janë të palexueshëm...”42

   Pra, këtë akt e nënshkruan vetëm delegatët që ishin të pranishëm në kuvend, por jo edhe ata që erdhën me vones në Vlorë (Isa Bolentini me delegatët nga Kosovë etj ).43  Pas këtij akti të rëndësishëm në historinë e popullit tonë, në orën 15 e 12 minuta pasdite, Ismail Qemali në murin e ballkonit të shtëpisë ku u mbajt kuvendi e vendosi Flamurin kombëtar, po atë Flamur që zbukuronte podiumin e Hotelit "Kontinental" në Bukuresht, në mbledhjen e 5 nëntorit, me përfaqësuesit e kolonive shqiptare atje . 44 Ndërkaq, përveç këtij versioni, Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij - thotë se flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, ishte një flamur që e mbaja në shtëpi si kujtim, të dhuruar solemnisht (më 1909) nga një pinjoll i familjes Kastrioti (don Aladro Kastrioti) me banim në Paris.45

Kush e përbënte Qeverinë e parë të shtetit shqiptar?

   Kuvendi Kombëtar i Vlorës pas vendimit historik të shpalljes së Pavarësisë, u mor me organizimin shtetëror. Qysh në mbledhjen e tij të parë, kuvendi vendosi për krijimin e qeverisë së parë të përkohshme. Dhe më 4 dhjetor 1912 Kuvendi zgjodhi përbërjen e plotë të Qeverisë, ku përveç Ismail Qemali - kryetar, në të bënin pjesë:

    * Dom Nikollë Kaçorri - Nënkryetar;
    * Myfit Bej Libohova - Ministër i  Brendshëm;
    * Gjeneral Mehmet pashë Deralla - Ministër i Luftës;
    * Abdi bej Toptani - Ministër i Financave;
    * Dr.Petro Poga - Ministër i Drejtësisë;
    * Dr.Luigj Gurakuqi - Ministër i Arsimit;
    * Mit`hat Frashëri - Ministër i Punëve Botore;
    * Pandeli Cale - Ministër i Bujqësisë dhe
    * Lef Nosi - Ministër i Postë-telegrafeve.46

Po atë ditë Kuvendi zgjodhi edhe një pleqësi prej 18 anëtarësh në krye me myftiun Vehbi Dibra. Kuvendi kombëtar i Vlorës punimet e veta i përfundoj më 7 dhjetor 1912.47

Çka i shkruan Kryetari i qeverisë shqiptare Ismail Qemali - në një Letër shteteve të Fuqive të Mëdha?

  Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeversisë së Përkohshme Ismail Qemali, më 29 nëntor me një letër i njofton gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Në këtë letër Kryetari i Parë Shqiptar, ndër të tjera shkruan:

  “Kam nderin t’i njoftojë Shkëlqesitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohëshme. Shqiptarët po gëzohen që munden të hynë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër veç se të jetojnë në paqë dhe harmoni me të gjithë shtetet fqinje, shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë, ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe evropiane.

Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme Ismail Qemali- Vlorë”

Po ashtu për këtë vendim të marrë në Kuvendin e Vlorës Ismail Qemali i njofton edhe shtetet ballkanike, Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ata që ta njohin (pranojnë) aktin e Pavarësisë si vullnet politikë të Kombit Shqiptar* , por fatkeqësisht as Fuqitë e Mëdha dhe as monarkitë ballkanike nuk e njohën Pavarësinë e Shqipërisë.48 Përkundrazi ushtritë e “Aleancës Ballkanike” i vazhduan luftimet në tokat shqiptare për t´i pushtuar dhe aneksuar ato.

----------------------------------------

R e f e r e n c a t

1 Historia e Popullit Shqiptar II, Tiranë 2002, fq.370, 374.

2 Po aty

3 Po aty

* Në prill të vitit 1909 kur Sulltani i fundit turk Abdyl Hamiti II, nga presionet e shumta  për vezir të ri kishte emruar Xhevat Pashën, dhoma e deputetëve të Parlamentit turk për Kryetar të Parlamentit do ta zgjedh Ismail Qemalin.(Nga kujtimet e Sulltanit Abdyl Hamiti II, botuar në librin e Mishel de Gres "Sulltani i fundit", e që në shqip e botoi "Plejad" në Tiranë

4 Gazeta - Korrieri, Tiranë, mars  2004

5 ASHSH-Instituti i historisë ”Historia e popullit shqiptar” (II), Tiranë 2002-Toena, fq.463.)

6 Historia e  Popullit Shqiptarë, II Tiranë, 1965 fq.341 /Ajet Haxhiu: ”Hasan Prishtina” fq.75.

*Në memorandumin prej 14 kërkesash, që quheshin si ”14 kërkesat e Hasan Prishtinës” kërkohej që:

1.Nënpunësit që do të emrohen në Shqipëri duhet të dinin gjuhën shqipe e zakonet e vendit;

2.Shërbimi ushtarak të kryhej vetëm në Shqipëri e Maqedoni me përjashtim të kohës së luftës;

3.Të hartohen e vihen në zbatim ligje, duke u bazuar në ligjet e vendit;

4.T´u jepen shqiptarëve armët e nevojshme dhe moderne;

5.Të hapen shkolla reale në të gjitha qendrat e prefekturave të Kosovës, Manastirit, Shkodrës e Janinës, që kanë një popullsi prej 300 000 frymësh e të hapen shkolla bujqësore dhe të vihen në programin e mësimeve gjuha shqipe;

6.Të hapen shkolla teknologjike moderne në vende ku është e nevojshme;

7.Të lejohet në Shqipëri hapja dhe themelimi i shkollave private;

8.Të mësohet gjuha e vendit në shkolla fillore, qytetëse e në gjimnaze;

9.T´i jepet rëndësi e posaqme tregëtisë, bujqësisë e punëve botore;

10.Të vihet në veprim organizimi i krahinave;

11.Të shpallet amnistia e përgjithshme;

12.Të tregohet kujdes më i madh se përpara për ruajtjen e zakoneve dhe traditave kombëtare;

13.Qeveria turke të jap dëmëshpërblime për shtëpitë e prishura nga ana e ushtrisë dhe

14.Të nxirren para gjyqit anëtarët e kabineteve të Haki e Said Pashës.

7 Instituti i historisë -  “Kosova 20/21”, Prishtinë 1998/1999, fq. 143 Gazeta”Obzor” - Zagreb 21.XI.1912  / Edith Durham ”Njëzetvjet ngatërresa ballkanike”, Tiranë 1944, fq.99

8 Dr.Xh.Shala - Marrëdhëniet shqiptaro - serbe 1912-1918, Prishtinë 1990,, fq.36; /Dr.J.Bajraktari: Roli i Kosovës në Pavarësinë e Shqipërisë, Koha Ditore 28.II.2002, fq.23; Historia e Popullit Shqiptar, libër i cituar më lartë.

9 Konferenca shkencore, Shkup 23/24.XI.2002

10 Historia e Popullit Shqiptar (II) Botimi Toena, Tiranë 2002, faqe.502

11 Sh.Braha: Beteja e Drinit kundër agresionit serb (nëntor 1912), Prizren 2000, fq.31; /Sh.Braha: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare, (1844-1990), Gjakovë 1991, fq.135.

12 A.Haxhiu:Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës, Tiranë 1968, fq.96-97./Shqiptarët në rrjedhat ballkanike,Prishtinë 1996-fq.59

13 U.Butka - Gjeniu  i kombit, Drier 2000, fq. 48-49

14 Po aty

15 Po aty

16 Po aty

  *imzot Preng Doçi ishte pjesëmarrës aktiv i Lidhjes Shqiptare të  Prizrenit, themelues i shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër dhe bashkautor i Fjalorit të ri të shqipes të vitit 1908 dhe të alfabetit të bashkimit të paraqitur prej tij në Kongresin e Manastirit.

17 Po aty

* Gjatë rrugëtimit për në Durrës, delegacioni i Shkupit në krye me Mit´hat Frashërin, shoqërohet nga  Avdi e Refik bej Toptani. Në Durrës takohen me Mustafa Krujën, Dr.Neki Libëhovën, Stefan Kaçulinin, Mahmud Beshirin, Salih Nivitzën e dom Nikollë Kaçorrin. Pa humbur kohë në kryepeshkopatën katolike mbahet një mbledhje dhe pasi analizohet gjendja e rëndë politike nëpër të cilën po kalonte Shqipëria, Avdi beg Toptani lexoi nji letër që kishte marrë prej Syreja bej Vlorës, me të cilën ai sugjeronte mbledhjen e nji kuvendi gjithkombëtar, sa më shpejt të jetë e mundur. Ideja për mbajtjen  e nji kuvendi gjithëkombtar u pa krejtsisht e arsyeshme. (Kujtimet e Mustafa Merlika  Krujës “Të shpallët e Pamvarsisë”)

 -Atdhetarët e mbledhur në Durrës ,e përgatitën edhe një Memorandum të cilin do t´ia dërgojnë Perandorit të Austro-Hungarisë Franz Jozefit I-rë.

"Shumë të vështira e të rrezikshme janë këto ditë për ne shqiptarët e për nanën tonë Shqipërinë që të katër shtetet e Ballkanve po dojn me e përpi e me coptu".

Me këto fjalë imzot Nikollë Kacori e fillonte Memorandumin dërguar Perendorit të Mbretit të Austro Hungarisë Franz Jozefit I.

   Në këtë memorandum prezentohet e vërteta mbi Shqipërinë dhe i kërkohej ndihmë mbretit të Austro Hungarisë që shteti shqiptar mos të gllabërohet nga sfingsat sllavë, grek e turq. Këtu kërkohej që të njihet shteti shqiptar "në katër vilajetet e Shqypnisë me Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë". Këtu jipej edhe numri i shqiptarëve që jetonin në vitin 1912, mbi tre milionë frymë, dhe qysh atëherë u kërkua që Shqipëria me katër vilajetet të jetë neutrale siç ishin Zvicra dhe Belgjika. Përveç imzot Nikollë Kacorrit, nënshkrues të këtij memorandumi janë edhe zotërinjtë, Mustaf Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Fuad Toptani, Abdi Beu, Murat Toptani, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani.

Ky memorandum mbanë datën 12.XI.1912, vetëm gjashtëmbdhjetë ditë para  shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.

18 Gazeta :Korrieri ,Tiranë mars 2004

19 Po aty

20 B.Fevziu - "Udhëtimi i panjohur i Flamurit", Koha Ditore 28.XII.2000, fq.8

21 Po aty

22 Po aty

23 Historia e Popullit Shqiptar (II)  Botimi Toena, Tiranë 2002, faqe.509

24 Gazeta ,Korrieri ,Tiranë-mars 2004

25 Gazeta Korrieri, Tiranë-mars 2004 /Bardhosh Gaçe - “ Flamuri i Skënderbeut në shtëpinë e Vlorajve”

26 Po aty

27 Po aty

28 Historia e Popullit Shqiptar  II (Botimi i tretë), Prishtinë 1979 fq.351

29 U.Butka - Gjeniu  i kombit ,Drier 2000, fq.60

30 Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi i parë 1885 - 1912 , fq.315.

31 Po aty

32 Historia e Popullit Shqiptar  II (Botimi i tretë) Prishtinë 1979, fq.351

   Historia e Popullit Shqiptar (II) Botimi Toena, Tiranë 2002, fq.510

33 Gazeta Korieri, mars 2004

34 Po aty

35 ASHSH- "Kosova në vështrimin enciklopedik", fq.105

   Historia e Popullit Shqiptar (II) Botimi Toena, Tiranë 2002, fq.510

36 Në të vërtet Kuvendi në Vlorë ishte mbledhur qysh në orët e paradites së 28

   nëntorit, me shpresën se Isa Boletini me shpurën  e tij, që ndodhej rrugës për

   në Vlorë do të mbërrinte në kohë.

37 Historia e Popullit Shqiptar (II) Botimi Toena, Tiranë 2002, fq.511

   - Sipas fletores (gazetës) ”Flamuri”, botuar në korrik-Shëndre 1952, Nr.31-36,  fq.3, Romë, dhe simotrës së saj “Besa”, nânduer 1954, Nr.15, Istanbul, Ismail Qemali në kuvendin e Vlorës ka thënë (po sjellim origjinalin):

"Shqiptarët nuk e kanë harruem kurrë as gjuhën e as kombsin'e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet dhe kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjett e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t'u shpëblejë me të mirë Shqiptaret shërbimet e mëdhá qi i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t'onë. Por prap nuk vûni të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e pjestimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s'po mûjte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ qi un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdhá qi kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj prej Tyrqije. Ky mendim u pa me vênd edhe nga an'e Pushteteve të mëdhá e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t'anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare..."(Kujtimet e Mustafa Merlika Krujës ”Të shpallët e Pamvarsisë”)

38 U.Butka - Gjeniu i kombit, Drier 2000, fq.63 /Historia e Shqipërisë  dhe e Shqiptarëve, Prizren 2001 /Nga kujtimet e Mustafa Krujës ”Të shpallët e Pamvarsisë”

39 Askush nuk e di se ku gjendet origjinali i aktit të shpalljes së pavarësisë ,firmosur në mbasditen e 28 nëntorit 1912 në Vlorë. Të gjitha hulumtimet e bëra nga studiues të apasionuar, humbasin në vitin e largët 1937. Sipas studiuesit Artan Lame, kopja origjinale ishte më 1937, pronë e Lef Nosit, edhe ai firmëtar i aktit dhe një koleksionist i apasionuar nga Elbasani. Me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Mbreti Zog përgatiti disa kopje të aktit me ngjyra dhe ja shpërndau ato firmetarëve, që kishin mbetur gjallë. Më 1944, Lef Nosi u pushkatua si kolaboracionist, ndërsa koleksioni i tij, kryesisht u shkatërrua. Deri me 1944, ai dispononte në Bankën Shqiptare një kasetë sigurie, në të cilën duket se ruante edhe dokumentin me të vlefshëm të historisë së shqipërisë. Nuk dihet se cfarë është bërë me kasetën dhe nuk dihet se cfarë është bërë me aktin origjinal të shpalljes së Pavarësisë.

40 Nuk ekziston asnjë fotografi,që të dokumëntojë aktin e shpalljes së pavarësisë,përveç procesverbalit. Fotoja e vetme që tregon Ismail Qemalin me flamur në dorë, është bërë një vit me vonë (28.XI.1913), me rastin e një vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

41 U.Butka, vepra e cituar, fq.62 /Lumo Skendo “Si u bë Kongresi i Vlorës“ Letër Kristo Luarasit, 1912.

42 Nga kujtimet e Mustafa Merlika Krujës”Të shpallët e Pamvarsisë”

43 Deri më sot, askush nuk mund të thotë se sa kanë qenë firmetarët e aktit të pavarësisë. Numri i firmave në fund të tekstit nuk përputhet me numrin e delegatëve që përmenden në organin zyrtar te kohës, "Përlindja e Shqipënisë". Kjo është vetëm njëra anë. Jo te gjithë ata që kannë firmosur kanë arritur të identifikohen. Së paku katër firma në turqisht dhe disa të tjera në shqip nuk dihet se të kujt janë. Më shumë se 9 firma në total nuk identifikohen dot.

44 Z.Celaj - Nëntdhjetëvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë” - Koha ditore, 27.11.2002, fq.4/ *Sipas shpjegimit zyrtar "Flamuri që I.Qemaili ngriti në ballkonin e shtëpisë së tij u qëndis nga korçarja Marigo Pozio, që jetonte atë kohë në Vlorë. Marigoja e qëndisi atë brenda natës". Ndërkaq disa burimet venë në pah, se Flamuri që I.Qemali ka ngritur në Vlorë, prej Bukureshtit e ka sjellur Spiridon Ilo, anëtar i delegacionit të Bukureshtit, i cili e ka mbajtur me vete gjatë gjithë udhëtimit. S.Ilo meqë ishte djali i tezës i Marigo Pozios, mbrëmjen e 27 nëntorit ka bujtur në shtëpinë e saj në Vlorë dhe sipas dëshmive, M.Pozio ka qëndisur brenda natës vetëm theket e flamurit dhe zbukurimet e shqiponjës.

45 E.bej Vlora - Kujtime ,Vëllimi i dytë 1912-1925,fq.14

   -Këtë pohim të Eqrem bej Vlorës e vërtetojnë plotësisht disa dokumente (letërkëmbime) që janë gjetur në maj të vitit 2004 në arkivin e ministrisë së jashtme të Shqipërisë.

  Në arkivin e kësaj ministrie ekzistojnë:

 1.Dokumenti i Qeverisë shqiptare i vitit 1930, ku ka marrë një vendim të rëndësishëm që flamurin e ngritur në Vlorë ta kthente në një material muzeal

2. letra zyrtare ministrisë së brendshme të Shqipërisë (asokohe ministër ishte Musa Juka) në të cilën sqaron se flamuri, që Ismail Qamali e ka ngritur në Vlorë ishte pronë private e Eqrem bej Vlorës...

 3. Letra e z.Rauf Fico, ministër i jashtëm i Shqipërisë, dërguar z.Eqrem bej Vlora që atëkohë ishte zyrtarë i qeverisë shqiptare në Athinë, ku kërkohet që ta dorëzon flamurin për ta vendosur në muzeun kombëtar.

 4. Letër-përgjigjja e z.Eqrem bej Vlora, i cili ndër të tjera, me keqardhje thotë,  se ai flamur nuk ekziston më dhe sqaron: Flamuri që ishte ngritur më 28.XI.1912 në Vlorë, nga shtëpia e tij ishte marrë për t´u ruajtur nga zonja Delvina dhe në vitin 1914, është djegur bashkë me gjësendet tjera në shtëpinë e saj, nga forcat rebele greke ”vorio-epirote”.

46 U.Butka - vepra e cituar, fq.64. /E.bej Vlora - Kujtime, vepra e cituar më lartë, fq.10 / Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve, Prizren 2001, fq.164

47 Qeveria e Ismail Qemalit, që doli nga Kuvendi i Vlorës, qëndroi në detyrë deri më 22 janar 1914. Nga kjo ditë e deri në ardhjen e Princ gjerman  Vilhelm Vid, më 7 mars 1914, funksionet qeverisëse i mori përsipër Komisionin Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) i formuar nga Fuqitë e Mëdha.

48 Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve, Prizren 2001 ,fq.164. Xh.Shala - Marrëdhëniet Shqiptaro - serbe 1912 -1918, Prishtinë 1990, fq.98-100.

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-02-21 10:08:14
oooooooooooooo MITROVICA esht e jona edhe .

Koment nga GUEST më 2009-04-22 12:29:11
kjo eshte rrug e vështir per tu arritur e mundimshme dhe e lodhshme por vetem shpresa për nje shqipëri te pavarur e beri te mundëshme këtë rrug te pa shkelur.kjo ndoshta nuk pati shm ndikim ne shqiperi por i dha nje shtys te madhe kombit shqiptar qe deri ne ate koh qe i shfrytezuer i shtypur i masakrua por edhe i shgenjyer nga fuqit e medha boterore

Koment nga GUEST më 2011-12-07 14:50:01
Një shkrim shum i mirë,shka edhe kujtoj që ska nevoj as të komentohet se nuk di se amund ti jap komentet e merituara që meriton ky shkrim i z.Sheradin Berishës. Vërtetë me ka lan pershtypje te shumta gjat leximit të këtij shkrimi të shkruar nga autori në fjalë. 
Përshëndetje nga zeqirjau nga Hotla e Kumanovës

Koment nga GUEST më 2012-06-05 15:00:59
Vërtetë me ka lan pershtypje te shumta gjat leximit të këtij shkrimi të shkruar nga autori në fjalë.


International
English
Faqe interaktive