Faqe kryesore arrow Diktatura Komuniste arrow Në kërkim të varrit (Tregim)
Në kërkim të varrit (Tregim) PDF Print E-mail
29 Dhjetor 2007
Nga Pierre-Pandeli Simsia
 
"Hallë Nafija!" Kështu i thërrisnin asaj gruaje që sapo i kishte kaluar të 60-tat e moshës së saj të dënuar nga jeta e rëndë për t'u plakur para kohe. Në fytyrën me rrudha të hallë Nafijes, tek ata sytë e saj ngjyrë kafe të futur thellë brenda, sy që i dukeshin si dy zgavra, shihje vetëm vuajtje dhe hidhërim. Që nga dita kur i kishte vdekur i shoqi aksidentalisht i duhej të përballonte një jetë plot vështirësi.

Vdekja e papritur e djalit të saj të tretë, Ridvanit, e kishte vrarë shumë thellë në shpirt. pas kësaj, jeta e saj i dukej e pakuptimtë. megjithëse kishte edhe tre djem të tjerë të martuar dhe me fëmijë, nafijes i qante zemra, kur kujtonte birin e saj të shtrenjtë, ridvanin e vdekur. Asgjë nuk e mbushte vendin bosh të tij... Një nënë e plagosur nga vdekja e të birit. Një nënë që nuk e pa kurrë të vdekur djalin e saj. Një nënë që nuk e qau te koka birin e saj të dashur. Një nënë që nuk dinte akoma se ku ndodhej varri i të birit. Një nënë që vdekja e djalit të saj e la me "turp". Një nënë...!



- !Ah ai nëntor i mallkuar, nëntori i zi" - mërmëriste shpesh hallë Nafija, për nëntorin e atij viti që i kishte marrë Ridvanin dhe i kishte nxirrë jetën. Nusja e Qemalit, djalit të dytë të Nafijes, katër vjetë pas vdekjes së Ridvanit kishte lindur djalë dhe i kishin vënë emrin e tij. po hajt e të flisje me hallë Nafijen. A mund ta zëvendësonte ai engjëll i vogël i sapoardhur në jetë azganin e nënës?!

- Aaah ha! - kjo psherëtimë e thellë i dilte nga thellësia e shpirtit të saj. megjithëse kishin kaluar vitet, hallë nafija vazhdonte të mbante thellë shpirtit të saj atë brengë, që vazhdonte t'i rrinte si mish i huaj dhe e ngacmonte çdo ditë. Kërkonte vetëm të dinte se ku ndodhej varri i djalit të saj. Të shkonte, sikur vetëm njëherë, të qante mbi varrin e tij e të zbraste gjithë atë helm dhimbje që i ishte mbledhur në shpirt, pastaj le të vdiste. Me këtë shpresë i kalonte ditët hallë nafija, me shpresën se një ditë do të shkonte e të vajtonte mbi varrin e Ridvanit. Familja e hallë Nafijes nuk do t'a harronte kurrë atë ditë të ftohtë nëntori, kur në portën e shtëpisë së tyre trokiti korrieri i policisë me një letër ku ishte shkruar se duhet të paraqiteshin në Degën e Punëve të Brendëshme. Ç'të kishte ndodhur vallë?! Sapo Skënderi, djali i madh i Nafijes u kthye në shtëpi nga Dega e Punëve të brendëshme, atë ditë të zezë fundvjeshte, në stëpinë e tyre do "shpërthente" bomba. Dhimbja do prekte të gjithë familiarët, por ajo që do ta ndiente më tepër dhimbjen ishte zemra e nënës Nafije. Ishte ajo ditë e zezë nëntori, kur jeta në atë familje do ndryshonte papritur. ishte dhimbja e madhe që kishte pushtuar atë familje dhe frika se si do rridhte jeta e tyre në ditët e ardhëshme. Ajo ditë e zezë nëntori me atë lajm të kobshëm më të zi se të korbit nuk duhet të kishte ardhur kurrë. Ridvani, djali i tretë i nafijes, që kryente shërbimin ushtarak prej 22 muajsh në një fshat kufitar, në tentativë për t'u arratisur nga Shqipëria, së bashku me dy shokë të tjerë, ishin vrarë në tokën shqiptarë nga rojat e kufirit. lajm më të zi nuk kishte. Nafija, me shpirtin e përvëluar prej nëne, me dhimbjen e madhe që i kishte hyrë deri në palcë, i duhej të përballonte edhe një dhimbje tjetër. nuk duhet të qante e të mbante zi për një tradhëtar, duke e braktisur edhe shërbimin ushtarak, paçka se ai tradhëtar ishte djali i saj. Nuk dihej edhe fati i asaj familjeje. zëra të ndryshëm flisnin edhe për një internim të tyre në fshatrat e thellë. Ku të gjente një vend e të zbraste gjithë atë lëmsh të madh dhimbje që i ishte mbledhur nënës Nafije. Mbyllej në dhomën e saj të fjetjes. Merrte fotografitë e Ridvanit. I shihte, i puthte, i shtrëngonte fort pas gjoksit të saj. I lagde me lotët e saj të nxehtë dhe i dukej se kishte aty pranë djalin e saj të shtrenjtë Ridvanin.

- Vetëm këtë të mos ma kishe bërë more bir... - Fliste mes vajit të të qarave, duke shtrënguar fort fotografinë, me frikën se dikush nga jashtë shtëpisë mund ta dëgjonte.

- Ushtari i nënës, - i thoshte ajo një fotografie ku Ridvani kishte dalë ushtar. - Të thonë armik more bir, të thonë tradhëtar. po çfarë armiku të ka nëna ty more bir që kam kaq kohë pa të parë? Po kur do të shohë nëna përsëri ty more bir. Ah ta dish sa shumë më ka marrë malli! Nëna as vetë nuk e di se ku të kanë hedhur more djali im. Oohh, si duron kjo zemra ime tani more bir, vetëm Zoti e di...! Zëri i saj ngrihej pa e kuptuar as ajo vetë, sa që shpesh herë, duhej ndërhyrja e djemve për ta qetësuar. Dy muaj kishin kaluar që kur nafija kishte marrë mandatin e të birit. Një dhimbje të fortë ndjeu në kokë, sikur ta kishin qelluar me plumb. Me plumb! Sa do dëshironte Nafija dikush ta qellonte me plumb e ajo të mbyllte sytë njëherë e përgjithmonë. Vdekja e Ridvanit e kishte vrarë më shumë se një plumb.

- Pse ndejta sot këtu?! Të kisha ikur larg, larg. larg të ikja, në male, sikur edhe prapa diellit të kisha ikur, vetëm këtu të mos rrija sot. O Zot! Pse po ma lëndon përsëri këtë plagë të madhe që më është hapur?! Përse o bir...?! - Ulërinte Nafija nën vete, tek dëgjonte nga dritarja e dhomës së saj zërin e një grup ushtarësh, që po ktheheshin përfundimisht nga kryerja e shërbimit ushtarak, pranë familjeve të tyre. makina të tjera kalonin në rrugë me ushtarë. Zëra ushtarësh dëgjoheshin, duke brohoritur të gëzuar. Zemra të gëzuara nënash po rrihnin me furri në ato çaste, kur ato kishin dalë të përmalluara të prisnin djemtë e tyre që ktheheshin nga ushtria. Ah, si do ta priste Nafija atë ditë po të lirohej Ridvani i saj, ushtari i nënës. Ai nuk do të kthehej më kurrë dhe kjo i rrinte nënës si një kob dhimbjeje në gji, si një makth prej të cilit nuk do të lirohej dot kurrë! - Ah, sa më ka marrë malli! - psherëtiu thekshëm dhe ra gati pa ndjenja mbi divan. vetëm zëri i një ushtari, biri i një nëne me zemër të vrarë, mungonte në ato çaste në korrin e zërave të ushtarëve të tjerë. vetëm një zemër nëne vajtonte në ato çaste. një zemër nëne e përmalluar për djalin e saj, rrihte kraharorin, sikur donte të ikte prej andej e të nisej për rrugë, pas të birit të dashur! Kjo ishte zemra e vrarë e nënës Nafije. E dhimbëshme ishte ajo ditë e diel, kur një makinë e madhe e shoqëruar me dy policë dhe disa burra civilë erdhi në shtëpinë e hallë Nafijes. Eh ata policë sa hije të frikshme që kishin. Njëri nga djemtë e Nafijes, dy nga ata tre burrat civilë i njihte. Ishin ata, që sorrollateshin rrugëve të qytetit, që futeshin mes grumbullit të njerëzve, nëpër stacionet e autobusave, në radhat e gjata të dyqaneve, në vende ku kishte grumbuj njerëzish, për të mbledhur informacione nga bisedat e lira të njerëzve, që pastaj t'i spiunonin atje ku kishin marrë udhëzimet dhe nga ku pagoheshin. Eh sa njerëz të pafajshëm ishin marrë më qafë nga ata njerë të poshtër! Pas vendimit të organeve partiake, atë të diel, familja e hallë Nafijes do internohej në një fshat të thellë malor. Jeta e re në internim për Nafijen dhe familjen e saj ishte shumë e vështirë. "Ah ky i mallkuar internim kush e shpiku, që mos i pastë shpirti rehat" - mërmëriste shpesh hallë Nafija. T'i lindësh e t'i rritësh fëmijët në qytet, në atë lagje, tek ajo shtëpi ku kanë lindur fëmijët dhe janë nisur brezat në rrugën e tyre të pakthyeshme dhe papritur, të vijë një ditë që të detyrojnë të ikësh me dhunë prej aty, të shkosh diku ku duhet të kërkosh leje në këshillin e fshatit për të shkuar në qytetin tënd, kjo për Nafijen ishte më shumë se çmenduri. Nuk mjaftonte vetëm kjo. Për të vizituar qytetin tënd me orar të kufizuar njëherë në 2-3 javë, 4-5 orë në ditë, kur 2 orë të duhen për të mbërritur atje, duhet të paraqitesh pranë policisë së qytetit tënd, në orën e hyrjes dhe në orën e daljes nga qyteti.

Puna në fshat, sidomos periudha e korrjes së grurut për Nafijen, djemtë e saj dhe nuset e tyre ishte shumë e vështirë.

- Ndryshe është korrja e grurit në fusha, se atje shkon edhe autokombajna, po këtu në mal..., na griu duart drapëri... - ankohej shpesh Nafija. Nafijes i vinte shumë keq kur shihte banorët e atij fshati të hanin bukë misri në kohën e pushimit të drekës. - Të zinjtë këta si bëjnë një jetë të tërë. Është mëkat i madh, gjynah nga Zoti për këta njerëz fatkeqë e të vuajtur. E mbjellin grurin dhe e korrin me shumë mundime dhe lodhje dhe, më në fund, u mohohet e drejta për të ngrënë gjatë gjithë vitit bukë gruri. Ja, "shpërblimi" që u jep kooperativistëve sistemi komunist shqiptar dhe partia-Pushtet që i shërben këtij sistemi. Nafijen nuk e linin rehat edhe "mizat", siç i quante ajo disa fshatarë injorantë që shkëmbenin fjalë me njëri tjetrin, ndërsa punonin me kazmë dhe shikonin nga Nafija dhe djemte e saj: - Heej, punoje ore tokën mirë. Kujt i shërben ti, armikut? Është Parti e Punës kjo partia jonë. - Ore, - ia kthente tjetri. Mos më fol mua ashtu ti. nuk jam unë as armik e as kulak. E kam të pastër, qelibar biografinë unë. Nuk jam familjhe unë që të kem njerëz të arratisur dhe nëpër burgje...

- Hahahaha! - Ia kthenin të tjerët me të qeshurat e tyre. Kishin të "drejtë" të qeshnin. Kishin gjetur vendin e përshtatshëm t'i jepnin argëtim vetes në atë pllajë mali, duke e shpyllëzuar. Pas rrënies së komunizmit, kur çdo gjë po shkonte drejt shkatërimit dhe ekonomia shqiptare kishte rënë tërësisht, dy djemtë e mëdhenj të Nafijes, emigruan edhe ata jashtë shqipërisë. Nafija rrinte në shtëpi me djalin e saj të vogël. Dy djemtë e saj të mëdhenj në emigracion, tek shihnin atë qytet të bukur që vezullonte nga dritat e panumërta, menjëherë, mendja u shkonte tek nëna e tyre e vuajtur. Dëshironin ta kishin pranë. Të shihte edhe ajo botën e jashtëme me sy. Të hynte edhe ajo në supermarketet e mëdhenj, që Shqipërisë i kishin munguar. Të zgjidhte vetë me duart e saja të gjitha ato mallrat e shumta që i nevojiteshin një shtëpie. Djemtë e saj i kishin bërë të gjitha përpjekjet, kishin gjetur edhe mënyrën me pagesë për ta sjellë nënën e tyre në atë shtet. Nafija një gjë të tillë nuk e dëshironte, aq më tepër, ku djali i saj, i ndjeri Ridvan, kishte lënë kockat për të shkuar deri atje. Ja që Nafija ishte ishte nënë dhe gjyshe. ashtu siç kishte pranë fëmijët e djalit të vogël dhe i shihte, donte të ishte pranë edhe me fëmijët e dy djemve të tjerë në emigracion. E kishte marrë shumë malli dhe ishte ai mall i zjarrtë, që e "detyroi" Nafijen të vendoste të shkonte pranë djemve të saj në shtetin e huaj për pak kohë. Tek një shesh i bukur në lagjen ku banonin djemtë e saj, Nafija dilte mbrëmjeve. Ishte njohur me disa moshatare të saja nga Shqipëria. Ajo sapo kishte ardhur aty nga Shqipëria ku kishte filluar tranzicioni i një sistemi tjetër politik dhe çdo gjë i dukej edhe e bukur, por edhe e çuditëshme. Ajo nuk kishte parë në Shqipëri vajza të reja në moshë të pinin cigare. I dukej e turpshme dhe e neveritshme, kur shihte djem dhe vajza të putheshin në rrugë në sy të të tjerëve. Tek shihte një vajzë në grumbullin e të rinjve pak metra larg ku rrinin gratë që kishte veshur një fustan të hapur prapa, deri në mesin e trupit, thoshte me vete: "Kujt ia nxjerr gjithë atë kuriz jashtë kjo zuskë? Të keqen e Shqipërisë, nuk kemi ne nga këto gjëra që po shoh unë këtu." Shihte djem e vajza të reja që argëtoheshin me njëri tjetrin dhe mendja i shkonte tek mbesat e saja... Duke biseduar me një shoqe, moshataren e saj, pa të afrohej një vajzë e re, që i foli gruas në gjuhën shqipe. Ndërsa vajza u largua përsëri pranë shoqeve të saja, Nafija dalloi se ishte e njëjta vajzë që kishte parë me kurrizin e "nxjerrë" jashtë. E habitur pyeti shoqen: - Shqiptare është kjo? - Po iu përgjigj ajo, është mbesa ime. - "E zeza unë, tha afija me veten e saj. Shyqyr që nuk thash ndonjë fjalë pak më parë". Nuk dallohet fare... - Eh, ia preu bisedën shoqja, pak sa e turpëruar. Është vajzë e vetme. edhe prindërit e saja kanë vuajtur shumë. I kanë vdekur tre fëmijë para kësaj. Jetonin deri pa mbushur dy vjetë dhe vdisnin. Shyqyr Zotit që e kanë edhe këtë.

- Sa vjeçe është kjo? - e pyeti Nafija

- 17 - iu përgjigj ajo menjëherë.

- T'ia falë Zoti, t'i rojë - tha Nafija. duke ulur sytë përdhe foli me vete: "Janë bërë edhe shqiptarët jashtë shtetit, nuk dallohen fare nga të huajt."

Jeta në atë qytet të huaj Nafijes nuk i jepte kënaqësi të madhe. Ajo ndjente dhimbje në shpirt kur shihte djemtë dhe nuset e tyre të vinin të lodhur nga puna. "Lekë gjaku janë. Jo jo, ta dija se si u nxjerrkërka paraja jashtë shtetit nuk do t'i pranoja kurrë ato lekë që më dërgojnë djemtë. Më mjafton lekët e pensionit që marr në Shqipëri. Nuk i vinte mirë Nafijes kur dëgjonte nga shoqet e saja se si punonin njerëz të ndryshëm, që kishin pasur profesione të ndryshme në Shqipëri. Nuk i vinte mirë, kur dëgjonte se si një pjesë e mirë e intelektualeve shqiptarë punonin duke i shërbyer pleqve të moshuar, ose edhe pastronin shtëpitë e dyerve të huaja. "Ah! psherëtinte thellë nën vete hallë Nafija. Ajo ndjente kënaqësi edhe kur dëgjonte nipërit dhe mbesat e saja të flisnin gjuhën e atij shteti të huaj. "E bukur kjo gjuha e huaj, po se si merren vesh me nj[ri-tjetrin, unë asgjë nuk kuptoj..." Përveç se gëzimit, ajo kishte një maraz në shpirtin e saj. Nuk i pëlqente kur dëgjonte t'i thërrisnin fëmijëve me emra të krishterësh. Ajo nuk e dinte as për veten e saj që djemtë e kishin prezantuar tek e zonja e shtëpisë që jetonin me qera, me një emër tjetër të krishterë. - Kanë vajtur dhe kanë ndëruar emrat, - thoshte shpesh. - kanë vënë emrat e kaurëve. Ç'kishin me emrat? pse duhet t'i ndëronin? pse ia kanë ndërruar emrin Marjolës dhe ia kanë kthyer në Marie?! Entela ka goxha emer të bukur, shkojnë e i thërrasin Eleni. Çfarë nuk u bëkërka jashtë shtetit! Ja edhe djalit, Skënderit, i thërrasin Spiro. Po me Ridvanin ç'kishin?! Ai ka emër të bukur, emrin e të ziut që po ha dheu, këta i thërrasin Vangjel. Nga i gjejnë këto emra?! Nunaja, thonë. Shkuan e i pagëzuan. Nuk shkuan të bëjnë synet çunat, po i pagëzojnë. I gëzohen kryqit të florinjtë që e mbajnë varur në qafë! Këto mendime e lodhnin shumë hallë Nafijen. Ditët kalonin. Ajo nuk ndjente gëzim në shpirtin e saj. ishte në tokë të huaj, në shtëpi të huaj. Tek shihte nipërit dhe mbesat të hanin, sikur edhe një kokër portokalli, mendja menjëherë i shkonte tek djemtë e djalit tjetër që jetonte në Shqipëri. E kishte marrë shumë malli edhe për ata. Nuk po i rrihej. Brenda shpirtit ndjente një peshë të madhe dhimbjeje që kishte vite që po i rëndonte: donte të dinte ku ndodhej varri i Ridvanit. Kishte shkuar disa herë në dyert e Degës së Punëve të brendëshme të qytetit ku banonte, tek ajo derë, ku vite më parë i kishin dhënë mandatin e të birit dhe ishta larguar me fjalët refren shpresëdhënëse: "Po interesohemi" Duke menduar këto e shumë gjëra të tjera e vendosi. Do ikte. Do kthehej në atdheun e saj, në shtëpinë e saj, pranë djalit të saj, duke lënë pas dy djemtë e tjerë në tokë të huaj. Do ikte, po si do ikte? Për Nafijen ishte mirë të ktheheshin edhe dy djemtë e tjerë me familjet e tyre në tokën e tyre... Nga thellësia e shpirtit të saj dëgjoi një zë t'i fliste përsëri: "Ridvani! varri i tij! Ç'pret akoma? Duhet të ikësh menjëherë. Të interesohesh për të gjetur varrin e tij, ku prehet trupi i tij. Të shkosh e t'i marrësh eshtrat e t'i vendosësh atje, ku prehet edhe trupi i bashkëshortit tënd, në varrezat publike...!

- Po, - tha Nafija, - do iki që nesër. Do kthehem në atdheun tim, në shtëpinë time, në tokën time, në Shqipëri. Do kthehem, të shkoj e të gjej varrin e djalit, Ridvanit. Vetëm atëhere do të më lehtësohet dhimbja e madhe e plagës, që kurrë nuk do të më mbyllet. Vetëm atëhere do iki e qetë nga kjo jetë.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?