Faqe kryesore arrow Diktatura Komuniste arrow Ministria e Kulturës dekoron Musine Kokalarin
Ministria e Kulturës dekoron Musine Kokalarin PDF Print E-mail
25 Shkurt 2008

 

Ministria e Kulturës i kushton nesër Musine Kokalarit ceremoninë e dhënies së Titullit presidencial "Nderi i Kombit". Vepra i mbetet e pabotuar dhe e panjohur

Nuk kanë shije etike futja e emrave si i Musine Kokalarit në fushë beteje. Por faktet dalin kundër. Kjo zonjë e talentuar, e paepur dhe fatkeqe, po ta përkufizonim me pak fjalë portretin që ka mbërritur deri këtë ditë, nderohet sot nga Presidenti i Republikës me Titullin "Nderi i Kombit" pas vdekjes. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e cila ka bërë propozimin, i kushton në ambientet e saj në orën 11.00 ceremonialin e rastit. Specialistë të librit në Ministri na thanë se është ceremonia e parë që bëhet për Musinenë meqë dymijëeteta është vit jubile i vdekjes së saj (10- shkurt 1917- 14 gusht 1983), 25 vjetori. Kjo nënkupton, sipas specialistëve, një sinjal për ato institucione të kulturës që mbulojnë fusha për të cilat Kokalari ka kontribuar, si gjuhësia dhe letërsia, të marrin përsipër botimin e veprës, sepse është një vepër pak e njohur, pak e studiuar, pak e promovuar. Vëllimi "Vepra" rekomandohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë në listën e atyre titujve që ndihmojnë procesin mësimor për letërsinë dhe gjuhën shqipe në shkollat e mesme. Por kjo vepër është botuar nga "Faik Konica", shtëpia botuese kosovare e cila nisi ta botojë Kokalarin në vitin 2004 falë bashkëpunimit me Platon Kokalarin dhe pasi kishte dështuar në Tiranë botimi i veprës së plotë në gjashtë vëllime nga "Naim Frashëri" si projekt i Ministrisë së Kulturës së asaj kohe.



Ish- drejtori i kësaj shtëpie botuese, shkrimtari Arjan Leka, na tha se dje se trashëgimtarët e të drejtës së botimit të veprave të Kokalarit, ata që zotërojnë dorëshkrimet origjinale e kishin dhënë miratimin, por pengesat erdhën nga ministria. Në vitin 2000 "Naim Frashëri" kishte bërë një botim të pjesshëm të shkrimeve, artikujve, esseve dhe kujtimeve me titull "Si lindi Partia Demokratike". Në vazhdim, projekti parashikonte botimin e një cikli në gjashtë vepra i përbërë nga gjini letrare, me poezi tregime, rrëfenja; esse apo studime, ndër më të rëndësishmet është studimi i temës së diplomës për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, një vepër në dorëshkrim prej 152 faqesh; politikë – ku përmblidhen shënimet dhe opinioni politik i Kokalarit, duke qenë se ishte një nga themelueset e partisë socialdemokrate. Një botim më vete përbëjnë letërkëmbimet me figura të kohës, shënimet dhe komentet për personalitet komplekse të mendimit intelektual të bashkëkohësve të saj, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Branko Merxhani, Lasgush Poradeci etj. Këtu do të zinin vend kujtimet, rrëfenjat apo përrallat që për nga koha kur janë shkruar renditen më të vonat. Pra do të kishim të plotë një autor dhe kjo mungesa jo vetëm me rastin e Musinesë por edhe me raste të ngjashme ka bërë që harta e historisë së letrave shqipe të jetë diku ajsbergë, diku fiçorë dhe gurë.

Përveç dorëshkrimeve që Musineja ia kishte besuar para pak se të vdiste të nipit, Platon, me të cilin kishte letërkëmbim të rregullt periudhës së gjatë të internimit në Rrëshen, në Arkivin Qendror të Shtetit ruhen të tjera dorëshkrime të saj, kryesisht letërkëmbime. Aty gjendet një fond me emrin "Musine Kokalari" ku ruhen 6806 faqe të shkruara me dorë, apo të daktilografuara, në shqip, frëngjisht, italisht, gjermanisht, anglisht. Shënimet i përkasin viteve 1921-1983, nuk janë bërë asnjëherë publike. Në vitin 2003 u botuan 60 ese të saj nën titullin "T'isha një lule. Botimi i Prishtinës i vitit 2004 përfshin tre vepra që janë botuar deri në vitin '44, në një hark kohor 3-vejçar që bënë autoren një emër të njohur në rrethet intelektuale: "Siç më thotë nënua plakë" botim i 1939, me rrëfenja, gojëdhëna, shënime dhe recenca mbi etnografinë e traditën popullore; "Rreth vatrës", botim i 1944; "…sa u tunt jeta" 1944, vëllim poetik.

Në vitin 2006 ish-ministri i Kulturës Bujar Leskaj bënte thirrje për botimin e Kokalarit dhe shpallte Çmimin "Musine Kokalari" për shkrimtaren më të mirë grua të vitit, çmim që nuk u dha kurrë, sepse konkursi nuk u bë.

Po dje, në prag të nderimit të zonjës si "Nder i kombit" specialistët pohuan se një nga arsyet e mosbotimit të veprës së saj janë të drejtat e autorit që nuk merren kollaj nga trashëgimtarët që tani janë bërë më shumë se një.

Situata është si 13 vjet të shkuara, kur në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen "Martir i Demokracisë". E kanë izoluar nga njerëzit Musinenë, nga lexuesit, nga e drejta për jetuar nëpërmjet veprës. Ia kanë mbuluar emrin me dekorata. Kjo është hipokrizia.

"I dashur Platon,

…Vetëm një gjë dua nga ty. Të vish, të marrësh ato plaçkat që të kam thënë. Mua, në këtë gjendje, do të më dukej sikur është një kënaqësi. Por nuk më duhet ta shtysh. Sëmundjen e kam të rëndë dhe nuk dua gjithçka të merret nëpër këmbë. Mos mendo për të tjerët. Unë s'i kam kërkujt borxh dhe askujt s'i kam kërkuar ndihmë, as lehtësi, as jam ankuar që mbeta e braktisur. Kur ata që të kanë në dorë, të varrosin për së gjalli 38 vjet me radhë pa të drejtë, është e kuptueshme se asnjeri nuk do të rrezikohet. Ju m'u ndodhët në një çast të rëndë. Ju faleminderit dhe për këtë dua që ajo që mund të shpëtojë të bjerë në duart tuaja." Kjo është lutja që Musine Kokalari i dërgon në një pusullë letërkëmbimi, për dorëshkrimet, "ato plaçkat", të nipit Platon Salim Kokalari, më 3 maj 1983. Në gusht të po atij viti, Musineja vdiq në dhomën e saj të internimit, në Rrëshen. Dikushi, ai që e varrosi trupin e saj, një mirditor, banor i Rrëshenit, pas "aktit politik" u dënua.

"Mbi jetën time"

"Jam unë, ajo vajzë e thjeshtë që teto Hanemi i Maliles më shkruante që larg, tani në 60- vjetorin e ditëlindjes sime po filloj të shkruaj kujtimet." Një pasazh nga dorëshkrimi i Musine Kokalarit "Mbi jetën time". Kujtime që siç e përmend nisi t'i shkruajë në moshë të vonë. Vrulli i viteve të rinisë, kur ajo studio në Universitetin e Romës "Belle Lettere", iu kthye në vite burgu dhe internimi deri sa të vdiste. Deri pa u fituar Lufta Antifashiste kjo grua po i kalonte parashikimet e diktatorit të ardhshëm. Dhe vinin nga i njëjti trung gjenealogjik. Në të njëjtin dorëshkrim ajo ka ndërtuar pemën prej nga degëzohen dy fise Kokalarët dhe Hoxhallarët. Lista e personave farefis dhe të afërm të diktatorit, të pushkatuar, vdekur në burgje të internuar dhe të dëbuar numëron deri në 19, mes tyre motër e vëlla Musine e Salim Kokalari. "Me këto procese shfarorësese me akuzën trathtarë, agjentë etj. Ditatura e Enver Hoxhës nuk kurseu as kushërinjtë dhe profesorët e tij të liceut të Gjirokastrës… Ky njeri i lindur për keq dhe vetëm për keq, mund të jepte mend", shkruan ajo.

Musine Kokalari kreu studimet e larta për letërsi në Universitetin "La Sapienza" në Romë dhe në moshë fare të re, gjatë viteve 1937-1942, publikoi skica dhe tregime të shkurtra në gazetat "Shtypi" dhe "Tomorri i vogël". Punoi pedagoge në Institutin Femëror "Nana e Skanderbeut" në Tiranë. Kokalari ishte një nga themelueset e partisë Socialdemokrate.

Elsa Demo, Shekulli 

 

Më shumë për Musine Kokalarin:

http://en.wikipedia.org/wiki/Musine_Kokalari

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?