Faqe kryesore arrow Letersia arrow Tregim - Çanta e panjohur!
Tregim - Çanta e panjohur! PDF Print E-mail
05 Mars 2008
Nga Pierre-Pandeli Simsia

Ai hyri në metro' mes njerëzve të shumtë që lëviznin në drejtime të ndryshme. Shpejtoi hapat, duke zbritur shkallët që të çonin në katin e tretë të nëndheshëm.
Ajri i ngrohtë dhe i lagësht i asaj mbrëmje korriku përzierë me erën e nëndheshme dhe ajrin e tymosur, që në thellësi të metrosë dukej si një perde e hollë mjegulle e hirtë, krijonin një zagushi të madhe që nderej e rrëndë në të gjithë hapësirën e metrosë.
Njerëzit që prisnin në stacion me fytyra të djersitura, po u dukej se treni po vonohej më shumë se netët e tjera. Edhe pse ora akoma nuk tregonte 12:15, kohë kjo, kur mbërinte treni zakonisht në atë stacion, atmosfera e lagësht e kishte bërë të padurueshme qendrimin në atë stacion të nëndheshëm të metrosë në atë orë pas mesit të natës.
Shpesh herë, njerëzit, si për të thyer durimin e pritjes, afroheshin dhe zgjasnin kokat në thellësinë e tunelit metro për të parë ardhjen e trenit. Poshtë, në shina, dy minj të mëdhenj ecnin herë të qetë e herë duke vrapuar, për të kërkuar ushqimin e tyre, ndonjë hedhurinë nga pasagjerët pritës.

"Po vonohet shumë treni sonte" - foli ai me vete dhe fshiu djersën në fytyrë me një letër pecetë. Zhurma e madhe e disa trenave ia prishi mendimet. Dy trena në anën tjetër të platesë po ecnin me shpejtësi në anën e kundërt nga do vinte treni që ai priste.
U afrua edhe Ai; zgjati kokën në drejtimin nga duhet të vinte treni.
E hodhi përsëri shikimin poshtë ku shtriheshin shinat e trenit. Mes shinave rridhte uji i qetë, duke u penguar në një grumbull plehrash të grumbulluar nga punëtorët e pastrimit të metrosë, për të vazhduar përsëri rrjedhën e tij drejt një grope mes shinave.
- "Çudi"! - mendoi. - "Ky stacion treni ndodhet tre kate nën tokë. Ku shkarkohen këto ujra?!"
Nga larg u dëgjua zhurma e trenit dhe pas pak vagoni i parë mbërriti përpara tij. Çdo mbrëmje ai priste trenin në stacion në të njëjtin vend.
Dyert e vagonave u hapën dhe njerëzit, si për t'i shpëtuar ajrit të ngrohtë me lagështirë, hynë shpejt në vagonët me ajër të kondicionuar, pa pritur ata pasagjerë brenda vagonit që donin të dilnin jashtë tij.
Ajri i freskët dhe i qendrueshëm brenda në vagon ishte qetësues; të dukej se merrje frymë lirisht dhe lodhja të largohej.
Shpesh herë, ashtu si edhe në atë mbrëmje, ishin njerëz të moshave të ndryshme të sapokthyer nga puna. Të ulur në ndenjëse, pjesa më e madhe e tyre kishin mbështetur kokën mbi kraharor me sytë mbyllur. Ndonjëri edhe dremiste. Disa pasagjerë të tjerë mbanin përpara duarve një libër të hapur. Shumica e pasgjerëve kishin vënë kufjet në vesh dhe dëgjonin muzikën e tyre të pëlqyer. Një djalë i ri në moshë i zhytyr thellë në botën e tij muzikore, e shoqëronte vijën melodike të këngës me lëvizje të duarve dhe të kokës.
Një gruaje, rreth të dyzetave që dukej se po lexonte librin e hapur të mbështetur sipër gjunjëve me sytë ulur, i ra libri përtokë. Ajo nuk e ndjeu, vazhdonte të "lexonte", vetëm kur një burrë i ulur në ndenjësen përballë saj, zgjati trupin duke u përkulur, e mori dhe me librin e goditi lehtë në dorën e saj të djathtë. Ajo u përmend dhe atëhere e kuptoi se e kishte zënë gjumi.
Si çdo natë kur kthehej nga puna, Ai ndjehej i lodhur me një kapitje të bezdisshme. Donte të zinte një ndenjëse dhe të ulej. Në vagonin me ajër të freskët, do t'i mjaftonin 45 minuta udhëtimi me tren derisa të mbërrinte në stacionin e tij, të rrinte ulur me sytë mbyllur.
Po kërkonte me sy, kur në fund të vagonit, i zuri syri një ndenjëse dyvendëshe. Shpejtoi mes njerëzve që rrinin më këmbë. Kur u afrua, pa se në njërën ndenjëse ishte një çantë letre ngjyrë bezhë me luledisangjyrëshe. Madhësia e çantës nuk ishte shumë e madhe. U ul në ndenjësen bosh, duke vështruar me bisht të syrit çantën. Kërshëria po e shtynte të dinte se ç'kishte brenda ajo çantë, megjithëse tregohej mosinteresues për të. "Patjetër që dikush do ta ketë harruar" - mendoi.
Treni ndaloi në stacionin tjetër. I njëjti ritual; disa pasagjerë dolën nga vagoni dhe disa të tjerë hynë brenda, duke shprehur kënaqësinë që ndjenë me kontaktin e ajrit të freskët në vagon, të shoqëruar me një pasthirmë, "ooohhh"
Nuk e dëshironte në ato çaste që ndonjë pasagjer të vinte e të ulej në ndenjësen tjetër ku ishte çanta.
Në hapësirën midis dy dorezave të çantës, në fundin e saj, ai pa një kuti të vogël të mbështjellë me letër të kuqe të ndritëshme. "Paska blerë dhuratë..." - mendoi. "Mos ndoshta..." - dhe mendja i shkoi menjëherë... Vazhdonte t'i mbetej në mendje ai peng që shpesh herë i trokiste në ndërgjegjen e tij, që më tepër i dukej si një brengë, që ia trazonte shpirtin, mosplotësimin e një dëshire-kërkesë gruas së tij. Megjithëse kishte qenë vetë bashkëshortja e tij ajo, që e kishte qetësuar, madje edhe bindur, duke menduar edhe vështirësitë e tyre ekonomike familiare.
Edhe pse ai vetë ishte shprehur i një mendje me gruan e tij, përsëri dëshira e gruas së tij për të mbajtur edhe ajo në gishtin e saj një unazë me gurë diamanti, ato unaza, që djemtë e dashuruar ua dhurojnë vajzave, të dashurave të tyre për t'i shprehur dashurinë e tyre të sinqertë dhe vendosmërinë e lidhjes së përjetshme midis tyre, e godiste herë si një çekiç i rëndë dhe herë si një limë e bezdisshme ndërgjegjen e tij.
Shteti nga ata kishin ardhur, nuk e kishte këtë traditë, por si emigrantë të ardhur në shtetin e madh, duke gëzuar edhe statusin e qytetarit të atij shteti, si disa bashkatdhetarë të tjerë të tyre dëshironin edhe ata t'i përshtateshin asaj jete të re me traditat e atij shteti.
Në dyqanet e ndryshme kur kishin shkuar kishin mësuar për çmimin më të ulët të unazës me gur diamanti, që ishte pothuajse me pagën mujore të tij, kryefamiliar në një familje me pesë veta. Në familjen e tij ishin të kënaqur me rrogën e kryefamiliarit, si një rrogë mesatare, mirëpo, kur kishin mësuar çmimin më të ulët të unazës kishte qenë bashkëshortja e tij vetë ajo, që ishte tërhequr njëherë e përgjithmonë nga dëshira e saj për të mbajtur edhe ajo një unazë të tillë në gisht.
Ndërsa atij vetë, nuk ishte e kollajtë t'i hiqej nga mendja dora e gruas, që i ishte dukur shumë më e bukur me atë unazë.
Treni bëri edhe disa ndalesa të tjera në stacione dhe askush nuk po kujtohej të vinte e të merrte atë çantë. I erdhi një mendim; në stacionin ardhës ta merrte çantën e të dilte jashtë vagonit të trenit, për të vazhduar pastaj udhëtimin me trenin tjetër, që sipas orarit të përnatshëm, trenat pasmesante lëviznin çdo 20 minuta, kohë lëvizje e ngadaltë kjo në krahasim me kohën e lëvizjes së trenave gjatë orëve të ditës.
Vështroi me ngadalë përreth. Përballë, midis tabelave të ndryshme, lexoi edhe tabelën e shkruar, që disa herë e kishte lexuar në udhëtimin e tij të përnatshëm: "Pasagjerë, nëse shikoni në tren pako ose diçka tjetër të dyshimtë, menjëherë lajmëroni autoritetet e hekurudhave dhe policinë". Një tabelë tjetër shkruante shifrat e vitit të kaluar të numrit të madh të qytetarëve të atij qyteti të madh që kishin parë diçka dhe kishin njoftuar.
"E çfarë mund të ketë të rrezikshme në këtë kuti të vogël brenda kësaj çante...? Keq më vjen për atë që e ka blerë këtë dhuratë dhe... fatkeqësisht e paska harruar këtu, por... fati kështu të vjen nganjëherë" - mendoi.
Në këto mendime, treni ndaloi në stacionin e radhës. Nuk u mendua gjatë, morri çantën dhe doli jashtë derës së vagonit. Njëherë mendoi të ngjiste shkallët e metrosë e të dilte jashtë, por shpejt ndëroi mendje. "do presë trenin tjetër"
Pas pak platia e ngushtë e metrosë u boshatis nga pasagjerët, ndërsa ai vazhdonte lëvizjen e tij të ngadaltë. Donte ta hapte e të shihte se ç'kishte brenda ajo kuti e vogël. Pastaj mendoi "do jetë më bukur ta hap në shtëpi, si një e papritur e këndëshme për gruan dhe fëmijët".
Dy burra rreth të 50-tave po rrinin në krye të platisë, pikërisht në atë vend nga doli edhe ai nga vagoni i trenit. Nuk e kuptoi nëse ata dy burra kishin qenë aty më parë, apo ishin edhe ata pasagjerë të porsaardhur, sepse edhe disa njerëz të tjerë po hynin në plate'.
U dëgjua zhurma e shurdhët dhe e largët e një treni. Tabela elektronike tregoi numrin e trenit që po vinte. Ishte treni që ai priste. Zgjati kokën në tunelin e metrosë dhe nga larg, në thellësi të tij pa dritat e trenit.
Ndërmjet atyre njerëve në plate', ai pa dy burrat të ishin pranë tij. Zhurma e trenit që po afrohej sa vinte e bëhej më e fortë. Dy burrat qendruan përballë tij. Ai bëri të largohej. - Më falni - i tha njëri nga ata. Ai bëri sikur nuk kuptoi, ktheu trupin dhe u largua pak nga ana e majtë.
- Shoku qytetar! - i foli tjetri dhe iu afrua shumë pranë.
- Ç'kërkoni nga unë? Nuk j'u njoh! - dhe ndjeu rrahje të forta në zemër. Nga shokët dhe miqtë e tij kishte dëgjuar t'i thoshin raste të ndryshme të rrezikshme të ndodhura nëpër stacionet e metrove, sidomos pas mesanate, prandaj edhe e kishin këshilluar të ishte i vëmendshëm dhe i kujdesshëm gjatë kthimit me tren. Këtë këshillë ai e kishte marrë si një ndihmë për jetën e tij të përditëshme nga ata shokë dhe miq të mirë të cilët i vlerësonte, megjithëse asnjëherë s'e kishte menduar se mund t'i ndodhte diçka e keqe. Edhe pse mesanatë, stacionet e metrosë ishin me njerëz, si të ishte mesi i ditës. Ata ishin pothuajse njerëz të përnatshëm, fytyra të njohura.
"Ç'po ndodh?! Mos ndoshta... edhe unë po bije viktimë e këtyre grabitësve tani?" - mendoi.
- Mund ta shohim pak çantën? - i tha tjetri.
- Pse duhet ta shihni? Çanta është personale...
Zhurma e trenit u ndje shumë pranë; treni ndaloi në stacion. Ai bëri të ecë në drejtim të derës së trenit. Mes njerëzve që po dilnin nga vagoni i trenit, tjetri i doli përpara, zbërtheu kopsën e xhaketës, duke e mënjanuar pak atë. Ai dalloi didektivin, shenjën policore, varrur në gjoksin e tij. "Qenkan policë civilë" - mendoi. Gjunjët filluan t'i dridhen si purtekë e bashkë me to i gjithë trupi. Vetëm mendimi që ata ishin policë, bëri që atij menjëherë t'i ndryshonte pamja dhe ngjyra e fytyrës. Nga dridhja e duarve po lëvizte lehtë edhe çanta që mbante në dorë.
- Mund ta shohim kartën tuaj të indentifikimit, ju lutem? - i foli njëri nga ata.
Ai futi dorën që po i dridhej në xhepin e pantallonave, nxorri një portofol të vogël të zi, e hapi dhe ua tregoi. Ata e panë, i hodhën edhe një shikim atij dhe fotografisë; u bindën që ishte qytetar i atij shteti të madh.
- Mund ta shohim pak çantën ju lutem?
Ai nuk foli, i pa në sy, si për t'i thënë: "Çanta është personale".
Tjetri e zhbiroi me sy. Për ta bindur, pa folur preku dedektivin me dorën e majtë si për t'i thënë: "Policia ka të drejtë të kontrollojë cilindo dhe çdo gjë të dyshimtë".
Përsëri nuk foli; në vetvete u dorëzua. Një shkëndijë frike i shkrepi në mendje; u zgjati çantën. Pastaj, pa e kuptuar as ai vetë tha: - Nuk jam vjedhës! Pse dyshoni tek unë?
Ata nuk folën. Njëri nga ata futi dorën në xhep dhe nxorri një palë doreza të tejdukshme plastike. Futi duart brenda në to dhe kapi çantën. Nga xhepi i pasëm i pantallonave nxorri një palë gërshërë të vogla. E nxorri kutinë e vogël nga çanta dhe me majën e gërshërës preu me kujdes njërin cep të saj.
Ai ndiqte veprimet e policit civil; ishte edhe kurioz të dinte çfarë mbante brenda ajo kuti. Polici nxorri me kujdes kutinë pa ia prishur formën letrës mbështjellëse. Shikimet e atyre të treve ishin përqendruar tek misteri i asaj kutie të vogël. Me kujdes e hapi kapakun e saj. Ata panë gjashtë copë letra të bardha, që dukeshin si të palosura disa herë në formë drejtkëndëshi.
"Ç'farë janë ato"? - tha me vete, i zhgënjyer se çfarë mendonte të kishte ajo kuti. Nuk po kuptonte ç'ishin ato copa të vogla letre të palosura.
- Ku i ke blerë këto? - pyeti ai që mbante kutinë në dorë.
- Ç'farë janë? - pyeti ai me zë të mekur.
Polici civil e vështroi me ca sy që i vetëtinë dhe me një buzëqeshje misterioze, që atij iu duk e çuditshme. - Të pyeta, ku i ke blerë, ose ku kërkon t'i shesësh? - foli polici me ton thumbues.
Ai nuk foli. Fytyra i ndëroi shprehje, i morri ngjyrën e një të vdekuri me një shprehje të shuar. Sytë i morrën një shprehje të zbrazët, si të tejdukshëm. Një hije e rëndë frike përzier me një ankth e përshkoi gjithë trupin e tij. Fjalët nuk po i dilnin t'i përgjigjej; i kishin mbetur si kockë në grykë, që atij iu duk se po i bllokohej frymëmarrja.
Polici morri njërën nga ato letrat e palosura dhe e hapi me kujdes. Nuk u zhgënjye kur i pa. Sinjalizimi i ardhur nëpërmjet një telefonate anonim, brenda një çante, duke përshkruar formën, ngjyrën dhe madhësinë e saj, në vagonin e parë të trenit, ndodhet lëndë narkotike, ishte e vërtetë.
- Duhet të vini me ne tani - foli polici tjetër, fytyra e të cilit kishte një pamje të akullt dhe djallëzore.
Edhe pse i hutuar dhe i frikësuar, duke ndjerë shikimin hetues të policit, Ai gjeti forca të menjëhershme të flasë me zë të vendosur, për t'i bindur ata në pafajësinë e tij. E mohoi atë çantë si të tijën, madje u tregoi edhe të vërtetën e gjetjes së asaj çante.
Dy policët, si të mos kishin dëgjuar se ç'farë fliste ai, njëri futi kutinë e vogël në çantë, ndërsa tjetri nxorri nga xhepi dy "unaza" metalike, të lidhura me njëra tjetrën me një zinxhir metalik. Ato dy "unaza" shërbyen për t'i mbajtur të lidhura dhe të shtrënguara duart e tij prapa.
Ata të tre po u ngjiteshin shkallëve të metrosë. I vënë në mes nga dy policët që po e mbanin për krahu, zëri i tij dilte i mekur, si nga fundi i një shpelle, duke u folur policëve për t'i bindur në pafajësinë e tij. Fjalët e vakëta dhe të mekura i rëkëlleheshin njëra pas tjetrës.
Ata nuk flisnin, vetëm vazhdonin ngjitjen e shkallëve.
E kuptoi veten e tij të pashpresë, një viktimë e pafajshme nga ajo rastësi fatkeqe, që mund të dënohej si përdorues dhe shpërndarës i lëndëve narkotike i kapur në flagrancë.
Si nëpër mjegull, përpara syve i doli tabela e shkruar në vagonin e trenit "Pasagjerë, nëse shikoni në tren pako ose diçka tjetër të dyshimtë, menjëherë lajmëroni autoritetet e hekurudhave dhe policinë". Të mjegullta i vraponin mendimet dhe pyetjet e shumta enigmatike, që ai nuk mundej dot t'i përgjigjej; "Përse duhej të ishte ajo çantë në ndenjësen e trenit?! Kush e la dhe pse e la?! Mos vallë personi i vërtetë i çantës e nuhati ardhjen e policëve në tren, më se e zakonshme kjo, prania e policëve kudo dhe, i frikësuar e braktisi?! Mos vallë i njëjti person anonim që kishte çantën njoftoi policinë?! Po edhe nëse e ka bërë, pse e bëri?! Apo ndonjë pasagjer i zakonshëm ndoqi të gjitha veprime e mija, dyshoi tek unë dhe lajmëroi policinë?!" Këto mendime dhe pyetje i stiseshin në mendje, ndërsa ngjiste shkallët e metrosë nën shoqërinë e dy policëve civilë.
Ishte i bindur që atë natë do ta gdhinte në zyrat e policisë. Por sa netë të tjera do qendronte atje?
Ç'farë prove tjetër duhet të kishte për të vërtetuar në pafajësinë e tij?
Vetëm një fije të hollë shprese kishte, për t'ua bërë të besueshme organeve policore pafajësinë e tij që nuk ishte përdorues dhe shpërndarës i lëndëve narkotike vdekjeprurëse. Ai shpresonte në mungesën e shenjave të gishtave në kutinë, që për fatin e tij, nuk e kishte prekur dhe, se në përbërjen e grupit të gjakut të tij nuk kishte asnjë përqindje të lëndëve narkotike.

Shkurt 2008

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?