Faqe kryesore arrow KulturĂ« arrow Histori e pathënë gojore
Histori e pathënë gojore PDF Print E-mail
24 Mars 2008

Astrit Lulushi

Joe Ferdinand Gould është quajtur i fundmi i bohemëve të Amerikës. Bostoni ishte  qyteti i tij, ku e ndjente veten të huaj, thoshte shpesh ai. Më 1916,  Xho shkoi  në Nju Jork dhe për 35 vjet e u pa të endej në Greenwich Village i  vecuar, i  rrënuar, ose sic thonë, i damkosur nga tri “P”; Papunë,  Pastrehë, Pijanec, si të  ishin pronarë që e mbanin të mos ngrihej. Raskapitur, ai dukej i  pavlerë  dhe  jetoi si i tillë mes atyre që psherëtinin për vitet e humbura,  gënjenin veten  për ato që mund të kishin bërë, e mburreshin për ato që thonin  se do të bënin  por kurrë nuk i bënë.

Xho dukej i plakur para kohe. Atij i ishte bëre zakon sa herë takonte  ndonjë të  njohur a të panjohur t’a pyeste sa vjec dukej. Hamendjet e tyre  ishin midis 65  dhe 75; Xho ishte 53 vjec.  Por atij nuk i vinte keq, përkundrazi e  shikonte  moshën si shenjë superioriteti. “Une marr nga  jeta në një vit më  shumë sesa  njerëzit e zakonëshëm marrin në 10 vjet”, thoshte ai.

Xho vishej me rrobe që të tjerët i hidhnin ose ia falnin; flinte  kudo; në dhomat  më të lira të hoteleve më të lira, në shkallet e pallateve, në  pragun e  shtëpive, në stolat e lulishteve. Gjatë  ditës, me një dosje nën  sqetull, ai  endej rrugëve, restoranteve, klubeve, takonte miq të vjetër  e  bëntë të rinj, në  mbarë qytetin.

Baza e tij ishte Minetta Tavern në Greenwich Village. Aty ai ulej për  të  shkruar, pronari i jepte  për të ngrënë e ndonje klient i ofronte  dicka për të  pirë. Kur e pyesnin c’donte ai përgjigjej se parapëlqente uiski,  por pranonte edhe birrë. Në vitet ’40 Gould tërhoqi vemendjen e një piktori  të njohur, dhe që  prej asaj dite portreti i tij qëndron i varur edhe sot ne Minetta  Tavern, krahas  fotografive, skicave e pikturave të njerëzve të shquar klientë te  rregullt të  kësaj taverne,  here-herë prone e afaristëve të ndryshëm shqiptaro  amerikane.

Xho Gould qëndronte shpesh me orë të tëra në bibliotekën e  qytetit, i merrte me  radhë dyqanet e librave të përdorur. Atë e kishin parë të  shkruante papushim nga  mesdita në  mesnatë. Palarë, paruar, pakrehur, rrobet i ndërronte  vetëm kur  dikush i jepte të tjera, të vjetra. Shume njerëz e ndihmonin se u  vinte keq, të  tjerë sepse kështu dukeshin se qëndronin më lartë se ai. Disa i  jepnin për arsye  që as vete nuk e dinin e të tjerë e ndihmonin sepse  besonin se një  libër që ai  kishte vite që thoshte se po shkruante, mund të diltë një  kryevepër, dhe donin  ta nxisnin të vazhdonte të shkruante.

Xho nuk ishte askushi. Më 1911 ai ishte diplomuar nga universiteti  Harvard.  Shumë nga shokët e tij të klasës arritën të bëheshin të  suksesshëem. Ndonje edhe  kryepeshkop e kryeministër.
Si student në Harvard, Xho nuk kishte ndonje shoqëri të zgjeruar,  përvec tre  shokëve të ngushtë, një prej të cilëve shqiptar. Në atë kohë  Harvardi kishte  tërhequr disa shqiptarë si  Konica, Cekrezi, Noli e ndonje tjeter.  Biografi  Joseph Mitchell thotë se nëpërmjet këtij studenti  shqiptar, më  1914, Xho u njoh  me Fan Nolin, nga i cili thuhet se u frymëzua që të bëhej një zë  anglishtfolës  për cështjen shqiptare në SHBA. Shqiptarët e Amerikës përbënin  në atë kohë  komunitetin më të ri të emigrantëve dhe kishin nevojë për miq e  përkrahës për  cështjen e tyre.

Më 1913, Xho krijoi një fond për Shqipërinë dhe filloi t’u  dërgonte letra the  gjithë të njohurve të tij duke u kërkuar të ndihmonin  financiarisht për cështjen  shqiptare. Ai krijoi në Boston edhe  shoqatën Miqtë e pavarësisë  së Shqipërisë  dhe u lidh me redaksitë e gazetave të njohura  amerikane duke u  kërkuar të  botonin shkrime e komente mbi Shqipërinë te cilat pergatiteshin  nga  Noli. Kjo  ishte koha e luftrave ballkanike; Shqipëria e djegur ndodhej në prag  të  copëtimit; mijëra refugjatë e të shpërngulur kishin nevojë për  ndihmë; bota  ndodhej në prag të luftës së parë. Dhe ndërsa Xho Gould u  kerkonte  amerikane të  kontribuonin për cështjen, Fan  Noli nga ana e tij u drejtohej  shqiptarëve. Ishte  pikërisht periudha kur Noli shkroi edhe poezinë  e njohur “Jepni  për nënën” që  kishte për qëllim mbledhjen e ndihmave financiare:
”Sa kërkon e sa të duhen?/Burrat nga detyra s'druhen,/Trimi i mirë  do t'të  japë,/Sot me vrap e  nesër prapë./Hidhni, Hidhni tok dollarë,/Të  mos mbetemi të  share.”

Xho Gould qëndroi përkrah Nolit e shqiptarëve të Bostonit deri më  1916, kur  vendosi të shkonte në Nju Jork ku për disa vite punoi si gazetar.  Një numër  persiatjesh që ai shkroi gjatë kësaj  kohe patën ndikim të thellë  tek shkrimtarë  e poetë të njohur amerikanë. Më 1920, E. E.  Cummings i kushtoi atij  një poezi,  ndërsa Saroyan në atë kohë një 20 vjecar që përpiqej të  cante  rrugën si  shkrimtar tregon se kur lexoi një ese të Gouldit u lehtësua e sikur  u clirua nga  shqetësimi rreth formës. Për shkrimtarin a gazetarin, shkruante  Gould, kryesorja  është të thotë c’ka për të thënë, sepse kur vjen koha për  të thënë patjetër  dicka, forma nuk ka rëndësi.

Por jeta e tij ndryshoi, jo për mirë, kur i lindi idea se bota kishte  nevojë për  një histori ndryshe, informale, dhe vendosi ta shkruante. “Idea për  një histori  të tille” tregon Gould, “më erdhi në  orën 10:30 dhe më 10:45,  telefonova  redaksinë e gazetës ku punoja dhe i thashë së nuk vij  më” Për  një histori të  tillë atij i duhej të endej për të patur mundësi të takonte e  bisedonte m  sa më  shumë njerëz. Në këtë drejtim ai punoi afro 30 vjet. Librin e tij  ai e quante  “Histori gojore” e ndonjëherë shtonte “e kohës sonë”. Pjesa  e pare e librit do  të përmblidhte persiatje, ndërsa pjesa tjetër bisedat e zbardhura  që ai kishte  dëgjuar lart e poshtë, dhe që mendonte se ishin me vlerë. Xho  kishte një kujtesë  të cuditëshme. Ai mund të harronte një bashkëbisedim  që kishte  degjuar një ditë  më parë, dhe mund të riprodhonte fjalë për fjalë një bisedë  interesante që  kishte dëgjuar kalimthi vite më parë.

Xho mendonte se cdo gjë; ngjarje, fjalë apo veprim, varet nga mënyra  se si  interpretohet; dikush mund ta kuptojë fjalën ashtu sic thuhet,  ndërsa të tjerë  hyjnë nën të dukshmen, dhe  marrin kuptimin e thellë të saj. Një  njeri mund të  dëgjojë dy pleq që flasin e biseda t’i duket e  mërzitëshme, një  tjetër dëgjon të  njëjtën bisedë dhe gjen në të kuptmin e thellë historik. Ky  ishte  pak-a-shumë  argumenti që Xho Gould përdorte ndaj atyre që shprehnin mosbesim.  “Në  të  ardhmen”, thoshte ai, “ky libër do të lexohet per të kuptuar se  ku gabuan  njerëzit e kohës sonë, njësoj sic lexohet sot “Rënia e Romës”  e Gibonit për të  parë se ku gabuan romakët.

Ai thoshte se libri i tij ishte sa 10 bibla së bashku, por nuk besonte  se do të  botohej sa ishte  gjallë. 2/3 e dorëshkrimeve, ai thoshte se do t’ia  linte  universitetit Harvard dhe 1/3 institutit  Smithsonian.  Më 1942, Muzeu  metropolitan i Nju Jorkut, i hoqi veprat kryesore të artit nga  ekspozita dhe i  magazinoi në bodrume e strehime të nëndheshme, nga frika e  bombardimeve.  I  shtyrë nga e njëjta frikë, Xho Gould, i ndau dorëshkrimet e tij në  shume pjesë,  i paketoi vec-e-vec dhe i fshehu a groposi në vende të ndryshme.

Xho vdiq më 1957, në moshën 68 vjecare. Menjëhere pas varrimit,  miqtë e tij  filluan kërkimet për të gjetur dorëshkrimet e Historisë së tij  gojore. Pas disa  ditësh ata arritën të gjenin disa  poema, pjese eseshë e ndonjë  shënim. Pas një  muaji gjetën edhe disa letra të tjera. Më pas  asgjë; asnjë nga  fletoret e  mbushura me shkrimet e tij. Vështirë të thuhet se si qëndron e  vërteta. Shumë  nga ata që besonin në ekzistencën një historie të tillë, kanë  hequr dorë ose  nuk  janë më dhe misteri rreth ‘Historisë gojore” vazhdon.

“Joe Gould’s Secret”, filmi rreth jetës së tij, shfaqur vitet e  fundit, lë të  kuptohet se “Historia  gojore” ekzistonte vetëm në mendjen e  Gouldit, dhe për 30  vjet ajo mbeti vetëm ide. Kush  mund të bënte më shumë në kushtet  e një jete si e  tij?

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?