Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow FESTA E ABETARES NË SHKOLLËN SHQIPE TË BOSTONIT
FESTA E ABETARES NË SHKOLLËN SHQIPE TË BOSTONIT PDF Print E-mail
03 Qershor 2008
Article Index
FESTA E ABETARES NË SHKOLLËN SHQIPE TË BOSTONIT
Page 2

Nga Rozi Theohari - Boston

          Pranvera e Bostonit me shpërthimin e bujshem të magnolieve  karakteristike të  Nju-Inglandit, sot, ditën e diel, më 12 maj 2008 ka  zbritur në oborrin e Katedrales shqiptare të  Shën Gjergjit, në South  Boston. Dhjetëra vajza e djem të vegjël shqiptarë, me ngjyrat e tingujt  e pranverës, presin me padurim fillimin e Festës së Abetares. Pranë  tyre qëndrojnë të emocionuar  prindërit dhe mësueset. Ndërsa brenda  Katedrales At Artur Liolini duke zhvilluar shërbesën  kishtare përsërit  herë pas here për festën e fëmijëve që do të zhvillohet në një mjedis  të kishës.

Megjithëse për organizimin e kësaj feste u aktivizua drejtoresha  e shkollës, shoqëria BESA dhe aktivistë të tjerë të komunitetit, si për  çdo aktivitet tjetër që zhvillohet në kishë, kujdesin  kryesor e ka At  Liolini, i cili, përveç se një ndërtesë për besimtarët, e ka kthyer  Katedralen në një qendër kulturore të shqiptarëve. Ndërsa Fan Noli  krijoi klasat e shkollës shqipe në kishat  shqiptare afër 100 vjet më  parë, At Liolini, pasues i Nolit,  për vite me radhe ka qenë drejtues i  shkollës shqipe me oret e mesimit që zhvilloheshin në sallat e  Katedrales së Shën Gjergjit.

Historikisht, shkolla e parë shqipe në Amerikë është hapur më  1908 në Netik të Massaçusetts, nga iniciatori dhe mësuesi Kristo Dako ,  ku ka dhënë mësim edhe patrioti e  mësuesi i shqipes Petro Nini Luarasi.  Është frekuentuar gjithashtu shkolla shqipe me emrin  "Dardha", e  themeluar nga dardhari patriot Kosta Isak. Po ashtu shkolla shqipe në  grupe te vogla emigrantësh janë hapur vazhdimisht në diasporën  shqiptaro-amerikane. Me çeljen e  kishave të para në Boston e në Uster,  Mass, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Fan Nolit, u  krijuan edhe  shkollat shqipe pranë këtyre kishave. Në vazhdimin e kësaj tradite  shekullore, në këta hapa të sigurt po ecen edhe Shkolla e Gjuhës dhe e  Trashëgimisë Shqiptare në  Boston. Është për t'u theksuar ndihma dhe  përkrahja që i dha shkollës qysh në fillim ministri i Arsimit të  Shqipërisë Genc Pollo dhe vetë ministria, duke dërguar programe, libra  dhe informacion. Deputeti Arben Malaj, gjithashtu, ka ndihmuar me libra  dhe është kujdesur në  vazhdimësi për hapat e pare të ecurisë së  shkollës në Boston. Mes shumë emrash  aktivistësh të komunitetit  përmendim edhe Stefan Koçin, Konsull i Nderit i Shqipërisë, i cili  është interesuar vazhdimisht për mbarëvajten e punës së shkollës.
     Qysh nga dita e hapjes  në mars të vitit 2006 Shkolla e Gjuhës dhe  e Trashëgimise  Shqiptare ka ecur drejt sukseseve të pritura, mbasi   mësuesit dhe grupi drejtues i kësaj  shkolle kanë bërë përpjekje për të  ngritur nivelin e mësimdhënies. Orët e mësimit bazohen  ne një plan pune  të huazuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences e Shqipërisë. Shkolla  ka katër klasa, dy prej tyre zhvillohen ne Universitetin e Bostonit dhe  dy ne South Boston. Mësueset të cilat kanë në patronazh nga një klasë,  janë të diplomuara ne universitetet shqiptare dhe amerikane. Shkolla ka  gjithsej 25 nxënës me moshë 6 vjeç e lart. Pas një  pune këmbëngulëse të  grupit drejtues dhe te mësueseve, tashmë është krijuar një pervojë e  mirë: ka filluar bashkëpunimi ndermjet shkollës së Gjuhës dhe  Trashëgimisë në Boston me shkollat e tjera simotra, me Akademinë  Shqiptaro-Amerikane në Vashington DC dhe me  shkollën shqipe në  Filadelfia. Grupe te vogla pune, prindër apo të interesuar, gjithashtu,  kanë bërë vizita të ndërsjella. Drejtuesit kane në plan që në një të  ardhme të organizohen ekskursione për të vizituar këto shkolla, me  qëllim që nxënësit e mësuesit të përfitojnë nga  përvoja e  njeri-tjetrit. Gjithashtu, studentët shqiptarë në Universitetin e  Bostonit kanë prezantuar shkollën shqiptare në ambientet e  Universitetit dhe në komunitetin shqiptar.  Studentët se bashku me znj.  Anila Radovani organizuan një koncert më 1 mars 2008 dhe te  gjitha të  hollat e fituara ia dhuruan fondit të shkollës.
        Në Festën e Abetares, e cila filloi pas mbarimit te sherbimit  kishtar, moren pjese prinder, gjysher, studentë, mësues, veprimtarë të  komunitetit dhe shqiptaro-amerikanë të  Bostonit. Mes të ftuarve ishin  At Liolini, Albana Orgocka e Mark Kozmo, bashkekryetarë të  Shoqatës  Shqiptaro-Amerikane, MASS/BESA, juristi Agron Alibali, pedagogu e  studiuesi Niko Dako, grupi i TV te Usterit si dhe aktivistë të  komunitetit shqiptaro-amerikan: Agron dhe  Edlira Gjerasi, Fatmir Beja,  Gentiana Pambuku, Artan Simeqi, Vilma Simeqi, e cila ka qenë  mësuesja e  parë e kësaj shkolle.  Merrnin pjesë gjithashtu drejtoresha e shkollës  Roza Mija dhe mësueset Myzafere Omeraj, Iljana Kule dhe Vjollca Avrami.   Me ngrohtesi e dashuri u  priten nga të pranishmit familjet kosovare  Gashi: nënat Rifadije dhe Fatmire Gashi me   fëmijët e tyre, Arditin,  Arjolën dhe Arianin.. Fatkeqësisht, gjatë një aksidenti tre femijët  Gashi pësuan djegie të rënda të trupit. Por me ndihmën dhe kujdesin e  organizatave  shqiptaro-amerikane të Bostonit këta fëmijë po kurohen me  sukses në SHBA.
       Në fjalën e hapjes së ceremonisë, drejtoresha , Roza Mija  falënderoi pjesëmarrësit në  emër të kolektivit të shkollës.. "Mësueset  e shkollës dhe unë personalisht,- tha ajo,- urojmë  që kjo Festë e  Abetares të jetë fillimi i një tradite të bukur për komunitetin tonë,  që, në çdo pranverë të festojmë mbarimin me sukses të klasës nga  nxënësit...Nxënësit e shkollës e  meritojnë te festojnë sot perfundimin  e Abetares bashkë me ju për të kurorëzuar punën e  tyre të palodhur në  mësimin e gjuhës shqipe...Ne do të vazhdojmë t'i kushtojme cdo nxënësi  vemendje te veçante, duke u nisur nga motoja e shkollës sonë : "asnjë
nxënës të mos mbetet prapa'. Të gjitha mësueset tona kanë punuar  seriozisht e me  përkushtim për t'u mësuar nxënësve jo vetëm të  shkruajnë e të lexojnë shqip, por gjithashtu t'u japin atyre njohuri  për kulturën, historinë e traditat shqiptare. " Më tej drejtoresha  nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit ndermjet prindërve  dhe personelit  mësimor. Ajo tha se shkolla e ka "derën te hapur" për  çdo këshillë apo sugjerim. "Në bazë t  propozimeve që kemi marrë nga  prindër e dashamirës,-nënvizoi  ajo,- gjatë vitit të kaluar  është bërë  diferencimi i nxënësve nëpër klasa, është rritur gjallëria e hareja  gjatë kohës së tyre të lirë, jane shtuar aktivitetet në klasë dhe  jashtë saj. Komunikimi ne gjuhën shqipe  ndermjet nxënësve si dhe  dëshira e tyre për të marrë pjesë aktivisht në orët e mësimit dhe  në  aktivitetet jashtëshkollore, janë shpërbilimi më i mirë i punës sonë."  
Sipas drejtoreshes,në mënyrë që shkolla të jetë sa më efektive, në  semestrin e ardhshëm  do të ketë tri nivele: nivelin fillor, nivelin e  ndërmjetëm dhe nivelin e avancuar. Cdo nxënës do t'i nënështrohet një  provimi të miratuar nga grupi drejtues, për të përcaktuar nivelin që i  përshtatet. Fëmijët që mbaruan abetaren, do të vazhdojnë me studimin e  librit "Gjuha Amtare" 1 dhe 2 (Këndimet), të cilat u sollën nga  Shqipëria. Pastaj ajo ftoi të gjithë mësuesit  e diplomuar në Shqipëri  ose në Amerikë, të ndihmojnë që të hapen klasa të reja në zonat  jashtë  Bostonit, me qëllim që t'u krijohet mundësi të gjithë fëmijëve  shqiptarë në Massaçusetts për të mësuar gjuhën shqipe. Duke përfunduar,  drejtoresha falënderoi  Shoqatën MASS/BESA pa ndihmën dhe bashkëpunimin  e së cilës për shkollën do të ishte vështirë të arriheshin këto  suksese. Ajo falenderoi qeverinë lokale amerikane dhe atë të  Shqipërisë  për ndihmën e dhënë, falenderoi Universitetin e Bostonit, kishen e Shen  Gjergjit dhe kishen e Shën Trinisë që i kanë hapur dyert për të krijuar  mjedise të përshtatshme  mesimi për nxënësit e shkollës. Gjithashtu, ajo  falenderoi drejtorin e TV te Usterit  Arben  Kamberin, i cili ka  ndihmuar ne prezantimin e shkolles se Bostonit ne televizion. "Së  fundi, në mënyrë të veçantë falënderoj vetë nxënësit e shkollës për  përpjekjet e tyre të  vazhdueshme, prinderit, gjyshërit e gjyshet qe me  kujdes e dashuri i ndihmojnë ata në shtëpi, si dhe mësueset e tanishme  dhe ato të mëparshmet për punën e tyre fisnike e të nderuar."
        Në vazhdim, të pranishmit ndoqën një koncert artistik me  recitime e këngë nga nxënësit e shkollës. Fëmijët shqiptarë, veshur  bukur e me kapele të bardha ku ishte vizatuar  një shkronje e alfabetit,  kënduan këngën e abetares duke duartrokitur e duke persëritur vargun  "Abetare, abetare - si vjen dielli në dritare!" Gjyshërit e prindërit i  ndiqnin të mallëngjyer nga salla e bashkë me fëmijët lëviznin edhe ata  buzët duke i shoqëruar në këngë apo në recitime. Kur po këndohej kënga  e mësuesit : / Ditën e mësuesit/ Ne sot po  festojmë / Lulet më të  bukura / Ne do t'i dhurojmë.../ iu afrova  Niko Dakos, ish- pedagog i  Universitetit "Fan Noli" të Korçes. "Para dy vjetësh, më 2006, kur u  themelua kjo shkollë, -tha ai,- e pata krahasuar me nje tempull. Sot  shpreh gëzimin dhe dëshirën që ky tempull i denjë  i atdhedashurisë, ky  institucion i mësimit të gjuhës shqipe, të mbajë të ndezur dritën e tij  dhe, me këtë dritë të frymëzojë dhjetëra e dhjetëra fëmijë të tjerë  shqiptarë. Vërtet ndjehem i gëzuar që kjo shkollë është vazhduese e një  tradite të shkollës së parë shqipe në  SHBA, që e themeloi dhe ka dhënë  mësim nje nga paraardhesit e mi, Kristo Dakoja, 100 vjet  më parë e  pastaj u vazhdua nga Fan Noli gati para një shekulli. Dëshiroj dhe uroj  që kjo traditë të mos ndryshohet por të vazhdojë gjithnjë e freskët,  e  fuqishme... Në këto momente  ndiej ngazëllim kur shoh këta fëmijë sepse  nuk shkëputem dot nga profesioni i mësuesit, të cilin e kam ushtruar  për 40 vjet. Jeta e mësuesit është e bukur me fëmijët dhe  ndjehem i  lumtur kur kujtoj që bashkë me kolegët e mi kemi kaluar nëpër duar 40  breza nxënësish...Uroj mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle ta mbajnë  gjallë dashurinë për gjuhën tonë amëtare dhe ta duan me gjithë shpirt  Shqipërinë, aty ku janë rrënjët e tyre, rrenjet e te gjithe neve."
       Ndërkaq, fëmijët përshëndesin që nga skena: "Të dashur prindër! Të dashur gjyshër e gjyshe! Të dashur nxënës dhe  mësues! Ju urojmë të gjithëve mirëseardhjen në festën tonë të bukur të  Abetares:
Që kur nënat tundin djepin,
Gjuhën shqipe na mëkojnë
Dhe na lenë amanetin
Që si sytë atë ta mbrojmë"
Gjuha jonë arbërore / Gjuhë e bukur, gjuhë trimash / Vjen si flladet  pranverore/ Ligjërim pa fund bilbilash/..../Shkronjës "A" dhe shkronjës  "T",/ Po t'i shtojmë edhe rrokjen "DHE"/ I bashkojmë, i lexojme dhe  dëgjojmë emrin "Atdhe"./"
       Ndërkohë që dëgjojmë recitimin: "Gjuha jonë sa e mirë, sa e  ëmbël, sa e gjerë,/ Sa e lehtë, sa e lirë, sa e bukur, sa e vlerë/, ne  sallën e ceremonisë disa prindër sollën e  vendosën mbi tavolinë tortat  e bardha, si faqe fletoresh, të stolisura me shkronja të arta të  alfabetit shqiptar. Nxënësit këndojnë në kor:
    " Gjuha jonë, gjuhë gjyshe, tridhjetë e gjashtë dallëndyshe."
       Erdhi dhe çasti i lumtur, kur nxënësve, një nga një iu dha  dëftesa e kalimit të klasës dhe ata i lenë lamtumirën Abetares, librit  të parë, për të studiuar libra të tjerë. Gjyshërve u  vezullojnë sytë  nën syze. Prindërit ndjehen krenarë. Juristi Agron Alibali, me banim në  Boston, që ka dy djemtë e tij në këtë shkollë, në diskutimin e tij tha:   "Shkolla shqipe e Bostonit është një arritje e madhe e bashkësisë, që  përcjell më tej traditën e shkollave më t  hershme të ngritura nën  drejtimin e "Vatrës" së Nolit, Konicës dhe burrave të tjerë të shquar  të kombit tonë. Themeli i hedhur nga ata dhe i çimentuar sot nga  bashkësia e Bostonit pritet të sjellë në një të ardhme të afërt  institucionalizimin e plotë të shkollës shqipe të Bostonit,  duke  siguruar, para së gjithash edhe ndërtesën e përshtatshme të shkollës.
Le të punojmë të gjithë bashkë për blerjen dhe administrimin në të  ardhmen të godinës së shkollës shqipe të Bostonit"

   Albana Orgocka  e Mark Kozmoja përshëndetën  në emër të shoqatës  MASS/BESA dhe pergëzuan  drejtoreshën dhe mesueset e shkollës për punën  e tyre të mrekullueshme e të  përkushtuar. Dy drejtuesit gjithashtu iu  drejtuan komunitetit shqiptar të Bostonit që të  dërgojnë fëmijët e tyre  në shkollë.
    Gjatë ceremonisë u perkujtua dhe festa tjetër dhe u uruan nënat   per ditën "Mother's Day". Myzi Ormanaj, me këte rast, recitoi një poezi  kushtuar nënës. Para recitimit ajo përshëndeti  të gjitha nënat që  ndodhen këtu, në Amerikë, dhe ato që ndodhen në atdhe. Në vargjet e saj prekëse pershkruhej  zemerdhembshuria e nënës, që, dikur, herët në  mëngjes vendoste në një tepsi racionin e bukës për fëmijët që niseshin  për në shkollë. Tani tepsia, në vend të  ushqimeve është mbushur me  mall, sepse fëmijët janë rritur e janë shpërndarë nëpër botë.     
    Në përshëndetjen e tij At Liolini tha: " Jam krenar për punën e  perkushtuar të drejtoreshës Roza Mija dhe të mësueseve...Ta mësojmë, ta ruajmë dhe ta vazhdojmë gjuhën tonë të  shenjtë e të shtrenjtë shqipe...  Festën e Abetares për koincidencë, po e kremtojmë në përvjetorin e  100-të te Kongresit të Manastirit, ku u caktua alfabeti i gjuhës  shqipe. Ndërsa gjuha angleze e përdorur në tërë botën, ka vetëm 26  shkronja, gjuha shqipe, gjuha e nje vendi te vogël, numëron 36  shkronja!" Pastaj ai iu drejtua nxënësve, u uroi suksese e u tha  me  humor: " Kapelet tuaja që keni vendosur në kokë, seç më ngjajnë si  kapele peshkopi ! Uroj që një ditë, ndonjeri prej jush të bëhet  peshkop, sepse na mungojnë peshkopët!"
      Pasi morën dëftesat dhe ua dorëzuan prindërve, fëmijët, të shpenguar, filluan të vraponin nëpër mjediset e kishës të ndjekur nga  vështrimet e qeta të shenjtorëve. Të mësuar me  cicërimat e tyre në  dhjetëra e dhjetëra vite, duket sikur edhe shënjtorët nga muret  përshperitin  fjalë shqip nga buzët e tyre të holla. Takohem me dy  nxënëset e kësaj shkolle Majlinda Bajrami dhe Angela Bajrami, dy  motrat, të cilat më treguan se kishin dalë në  fotografi me Hillari  Klinton ne Boston, në shkurt 2008, gjatë fushatës elektorale. "Hillari  do të bëhet presidente!" ,- më thanë ato gati me një gojë.
       Në mbarim të ceremonisë të pranishmit shijuan disa pjata me  gatime shqiptare. Vëreja këta prindër shqiptarë të diasporës që bëjnë  kaq sakrifica per t'i sjellë e për t'i marrë fëmijët  nga shkolla, pa  llogaritur ngritjen e çmimit të benzinës. Prindër të tillë meritojnë të  cilësohen "patriotë!". Aktivisti i komunitetit dhe prindi i dalluar  Agron Gjerasi tha para të gjithëve: Pse i  çoj fëmijët e mi në shkollën  shqipe? 1: Sepse gjuha shqipe është gjuha e prindërve, e  mëmëdheut që  nuk duhet harruar. 2: Është gjuha e gjysherve dhe e gjysheve. Djali im  i vogël do ta humbiste dashurinë për gjyshen, në qoftë se nuk do të  dinte gjuhën shqipe të komunikonte me të. 3: Duke ditur gjuhën shqipe,  fëmijët tanë, kur të rriten, do të dinë një  gjuhë më tepër se  moshatarët dhe do të jenë krenarë kur të prezantohen se janë shqiptarë.
4: Nëpërmjet shkollës nxënësit kanë kontakt me njer-tjetrin dhe kjo  shoqëri do të vazhdojë edhe kur ata të rriten e mbase, mund të bëhemi  edhe krushq! Ku ta gjej të bëj krushqi me shqiptarët!"
       Prindërit e kujdesshëm Ardit  dhe Vjollca Dibra, me banim në  qytetin e Lynnit i sjellin dy fëmijët e tyre me kënaqësi në shkollën e  Bostonit, por edhe me sakrifica, sepse, mbi të  gjitha duhet koha për  t'i çuar e per t'i kthyer.  "Duke mësuar gjuhën shqipe fëmijët e  mi,-thotë Arditi,- do të pasurojnë kulturën e tyre, dhe, më e  rëndësishmja, veç përvetësimit të gjuhës amtare, do të perfitojnë edhe  traditat dhe zakonet e mira që populli ynë ka  trashëguar në shekuj...Do  ta pasurojmë bibliotekën e shtëpisë me libra në gjuhën  shqipe...Do të  pajtohem   edhe te gazeta "Illyria", nëpërmjet së cilës, familisht, do  të mbajmë lidhjet me atdheun."
        Grupi drejtues i shkollës shqipe të Bostonit, me moton:  "integrim pa asimilim" po bën përpjekje për te  çuar më tej  punën  mësimore-edukative të shkollës, që ajo  të jetë e  koordinuar me  pjesëmarrjen e arsimtarëve dhe nxënësve, me programet e mësimdhënies,  me pajisjen me libra, mjete e kaseta mësimore etj. Komuniteti  shqiptaro-amerikan i  Massaçusetsit është rritur me mbi 20.000  emigrantë. Shkollat shqipe të çelura për fëmijët e  tyre do të ruajnë  dhe zhvillojnë gjuhën dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare. Fëmijët  emigrantë do të mësojnë gjuhën shqipe si dhe kulturën, historinë e  gjeografinë e Shqipërisë. Të rinjte qe do të mësojnë në këto shkolla,  nuk duhet të mjaftohen vetëm me studimin sa  për të folur e shkruar  shqip, por, më tej, kur të rriten, të zgjerojnë njohuritë shkencore për  gjuhën shqipe, si gjuhë kulture, për ta përdorur krahas gjuhes angleze.  Gjenerata e re që po hedh shtat sot, është e pajisur me zgjuarsinë e  guximin natyror që gjenden të trashëguara në gjenet e shqiptarëve. Këta  të rinj e të reja do të përçojnë më tej pulsin e shqiptarisë nëpër breza.

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-06-05 11:24:16
Pershendesim me gezim te math, FESTEN E ABETARES. 
Lexuam me endje kete ngjarje shume domethenese qe u zhvillua ne Katerdalen e SHENGJERGJIT ne Boston,me rastin e 100 vjetorit te celjes se SHKOLLES SE PARE SHQIPE nga perkuidesi i At ARTUR LIOLINIT dhe gjithe 
emigranteve te brezit te vjeter dhe te ri. Ndjehemi krenare qe 
stafeta e brezave vazhdon te kaloje nga njeri brez ne tjetri 
per gjuhen tone, sa te lashte aq edhe te vecante.Nje pune e tille behet edhe ketu ne Fildalfia ne Kisha e SHEN JOHANIT, 
ne qender te qytetit, me aq vlera te medha historike edhe per shqiptaret emigrante.Intelektualet emigrante te rinj, kane nje mision te math sot ne SHBA,jo vetem te ringjallin traditat aq te mrekullushme te Patrioteve legjendare te shqipes dhe kultures tone,si talenti i math Fan S.Noli, me mesonjesit e shquar K.Dako,P.N.Luarasi etj, por ti cojne me lart keto 
gjurme te tyre,ne nje kohe kur pa kuidesin e mesonjesve te rinj,rezikohet edhe pakesimi i femijeve tane per te mesuar  
me perkushtim gjuhen e nenes,gjuhen shqipe.Na duhet ne te arthmen te ngrihet nje grup pune i vecante me mision:Kordinimin e punes me abetaren shqip,ne te gjithe 
Ameriken.Ky grup pune se pari te regjistroje familjet shqiptare ne qytetet e ndryshme te SHBA-se dhe me tej, ne c'do qytet te dalin emrat e mesonjesve qe do punojne me ABETAREN SHQIP.Duke pare se gjurmet e kesaj pune me tradita,na cojne ne Boston, ne Kisha e SHENGJERGJIT, le te sherbeje kjo kishe me nje grup te vecante emigratesh te rinj, 
si berthame per kordinimin e punes ne gjithe Ameriken.Neser 
kjo fillese do lavderohet nga te gjithe patriotet si nje nisme 
me vlera te gjera,per gjuhen tone te dashur shqipe. Me kete rast,urojme Z.ARTUR LIOLININ shendet dhe suksese si figuren Nr1,per kuidesin qe deshmoi,lidhur me FESTEN E ABETARES SHQIP.Kemi besim se autoriteti dhe kultura e tij e gjere do cele nje brazde te re,per nje pune me te madhe ne gjithe Ameriken, ku ka dhe jetojne shqiptare, per perhapjen 
e ABETARES SHQIP. Edhe ne emigrantet e rinj,nuk do kursehemi kur te shohim se na prin nje figure e shquar si ajo e Z.ARTUR LIOLINIT. Pershendetje nga Ligor Luarasi,Levitaun 
SHBA.

Koment nga GUEST më 2008-10-07 23:16:23
e lexova ket shkrim i cili më mujtoi ditet e mësimit të Abetarës . 
Tani edhe une që punoj në bartjen e dijës tek nxënësit,shume kujdes i kushtoj festës së Abtarës, ku kame një numër programësh të realizuara . 
N♪7se dëshironi të bashkpunoni dhe t,i shihni ,jame ne dispozicionin tuaj.adresa ime e imelit eshte

Koment nga GUEST më 2008-11-14 00:54:43
Ju lumte atyre qe mendojne si te zgjerojne mesimin e gjuhes shqipe,sepse e shoh se shume shqipetar nuk kane interes te mesojne femijve te tyre gjuhen meme! 
edhe une jam nje prind qe kam shume deshire te mesoj gjuhen shqipe dy femijeve te mij por me ka ngelur vetem shtepia ajo qe munde te bej per ta,pasi ketu ne NJ nuk kemi shkolle shqipe, 
duke perfunduar ju pershendes dhe ju uroj suksese te gjitheve atyre qe kane ndikuar ne hapjen e shkolles shqipe ne usa 
faleminderit nga Teki Hoda 257 7th street clifton nj 07011 usa!

Koment nga GUEST më 2009-01-08 00:10:21
keni bere shume mire.Bravo 

Koment nga GUEST më 2009-02-25 16:57:03
jeni shume te mire edhe keni be mire 

Koment nga GUEST më 2009-02-27 00:19:09
jenii shum shum te mireeeeeeee 

Koment nga GUEST më 2009-03-01 00:50:02
ju pershendesim dhe ju lumte qe nuk harroni gjuhen shqipe qe eshte e bukur dhe e vecante 

Koment nga GUEST më 2009-04-28 14:25:47
ju lumt shum bukur ju pershendet alma denisa dhe laureta

Koment nga GUEST më 2009-04-28 14:25:55
ju lumt nga adea pula

Koment nga GUEST më 2009-05-08 14:17:25
shum te mir jeni bravo



International
English
Faqe interaktive