Faqe kryesore arrow Shoqëria arrow Transparencë virtuale
Transparencë virtuale PDF Print E-mail
03 Nentor 2008

Astrit Lulushi


Ishin vite të mesjetës a rilindjes evropiane, kur  Makiaveli këshillonte princin se si duhej të qeveriste në mënyrë të efektshme. Sipas tij, vartësit duheshin mbajtur vazhdimisht në tension nëpërmjet krijimit të situatave të ndërlikuara a kundërthënëse. Kjo e bënte përpjekjen e njerëzve të pafund; qëllimin e tyre të paarritshëm; dhe përdorimin e cdo mjeti nga ana e princit, të justifikueshëm.

Ndërhyrje e tillë arbitrare, si ndryshimi i rregullave në mes të lojës, krijojnë një atmosferë pasigurie, amullie shpirtërore, frike, ndrydhje mendimi e paralizim veprimi. Edhe më të afërmit  e “princit” në këtë mjedis e gjejnë veten të përfshirë në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur veten, por edhe për të luftuar ata që dëshirojnë t’u marin statusit të favorizuarit. Ky cikël i pandërprerë, krijon një shoqëri të mbyllur, me njerëz servilë, pa shokë, pa miq dhe me shumë pak transparencë. Lufta për grada, tituj, poste, ndere e shpërblime bëhet mënyrë jetese e secilit. Cdo ndjenjë e sinqertë mirëbesimi e mirëkuptimi minohet ose shkatërrohet, për t’u zevendësuar me të kundërtat, si smira, genjështra, xhelozia, pabesia e grykesia.

Interneti është një botë virtuale në fillimet e saj. Si cdo gjë iluzive ajo është edhe e tejdukshme. Banorët në një botë të tillë e ndjejnë veten në gjendje më pak natyrale, prandaj janë edhe më të sjellshëm, më të arsyeshëm e më tolerantë, herë sepse duan e herë sepse janë të detyruar (nga instinkti). Por ka edhe raste kur ndodh e kundërta, cka vërteton se mendësitë jo gjithmonë ecin krahas zhvillimit dhe se jo gjithmonë së bashku me pamjen e jashtme ndryshon edhe karakteri.

Në botën reale, njerëzve u thuhet se duhet të falin e harrojnë, si kusht për të ecur përpara. Ata gjithashtu jetojnë brenda mureve jotransparentë, ku gjithkush mendon se është më i mire. Kjo i bën ata më të prirur për të sulmuar, sharë, keqtrajtuar a fyer tjetrin, sic ndodh shpesh në rastet kur njerëzit jetojnë të izoluar. Mungesa e tejdukshmërisë ua lejon këtë, sepse mbyllja e mostransparenca është kusht për pabarazi. Në raste të tilla zemërimi grumbullohet për një kohë të gjatë duke pritur të shpërtheje në hapjen më të parë. Kështu ndodhi në Shqipëri me hapjen e saj më 1991 apo edhe më 1997, kur megjithëse izolimi ishte hedhur tej, disa ende nuk e kishin kuptuar këtë realitet të ri dhe vazhdonin të mendonin si dikur.

Në një botë virtuale, internetike, njerëzit sikur riaftësohen për të kujtuar atë që më parë e kishin harruar; se askush nuk është më i mirë se tjetri. Forumi online, është një lloj komuniteti ku njerëzit diksutojnë ide nga më të ndryshmet, pavarësisht se nuk njihen e mund të mos takohen kurrë. Lidhjet mes tyre janë virtuale. Ata ndjehen të barabartë. Një komunitet i tillë thuajse i ngjan një qyteti ku secili jeton në shtëpi prej xhami. Veprimet e njerëzve, negative a positive,  janë të dukëshme. Ata përbëjnë një bashkësi falë më shumë jo harmonisë sesa transparencës apo dëshirës dhe energjisë që nxit instinktin për të mbijetuar, sic mund të shprehej Frojdi. Eshtë kjo transparence që i bën pjestarët e një forumi në internet të tregohen të kujdesshëm, sepse cdo mesazh mund të kthehet në bumerang. Njerëzit që jetojnë në shtëpi prej xhami e dinë se vetëm një vetshkatërrues do të guxonte të luante a të gjuante tjetrin me gurë.

Por megjithatë “hedhje gurësh” ndodhin,  dhe forume virtuale shpesh pushtohen nga zemërimi që pasqyrohet me shkëmbime mesazhesh të ashpra e fyese, publike e personale. Dhe kur anëtarë të tjerë largohen në kërkim të forumeve më toleruese ndaj ideve e debateve, kjo është shenjë e shpërthimin e zemërimit, që jo rastësisht i ngjan shfryrjes së zemërimit në botën reale ku jo rrallë pjestarë të një grupi a komuniteti, të një fshati, qyteti a shteti ikin kur jeta bëhet e padurueshme.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?