Faqe kryesore arrow Historia arrow Bisedë rasti me prof. Dr. Reshat Nexhipin, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit
Bisedë rasti me prof. Dr. Reshat Nexhipin, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit PDF Print E-mail
03 Nentor 2008
MANASTIRI DHE OBJEKTI I KONGRESIT, PËR SHQIPTARËT, SI MEKA DHE QABEJA PËR MYSLIMANËT

A. Selimi: Si e arsyetoni këtë thënie interesante e cila zuri vend në disa artikuj të shtypit shqiptar?
R. Nexhipi: Fare lehtë: Meka nxorri Muhamedin a.s., kurse Manastiri Alfabetin. Pa Muhamedin a.s., Arabia kurrë nuk do të mund të bashkojeh, të forcohej dhe të mbrohej nga okupatorët e ndryshëm të asaj kohe, kurse shqiptarët pa Alfabetin e përbashkët, vështirë se mund të komunikonin lehtë me njëri-tjetrin për luftën kundër pushtuesve osman.
A. Selimi: Objekti i Kongresit të Manastirit për shqiptarët, sipas jush, është si Qabeja për myslimanët, pse?
R. Nexhipi: Këtë e kam thënë, më tepër në mënyrë figurative, simbolike, edhe pse, në to ka edhe të vërteta. Sepse, çdo mysliman në plotkuptimin e fjalës, ka dëshirë të vizitojë Qabenë, ashtu si çdo shqiptar që do të vizitojë objektin e Kongresit të Manastirit, vendin pra, prej ku ka dalë “nusja”, e cila, 100 vjet me rradhë po u shërben dhe sa të jetë bota do t’ju shërbejë tërë shqiptarëve të rruzullit tokësor.
A. Selimi: Pse Kongresi i Alfabetit u mbajt në Manastir?
R. Nexhipi: Sepse, veç tjerash, këtu vepronte familja patriotike e Qiriazëve, 5 antarët e së cilës, dy femra dhe tre meshkuj, ishin kush më patriot dhe më i civilizuar se tjetri, sidomos Gjerasimi, pa të cilin Manastiri vështirë se mund të shëndrohej në qendër të Lëvizjes Kombëtare shqiptare dhe në Vendlindje të Alfabetit. Dy motrat – Sevastia dhe Parashqeva ishin femrat më të emancipuara në Ballkan dhe më gjerë, njohëse të 8 gjuhëve të huaja, pra poliglote në plot kuptimin e fjalës, kurse Parashqeva ishte e vetmja femër në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919.

A. Selimi: Rol të rëndësishëm ka luajtur edhe familja e Gërmejve, apo jo?
R. Nexhipi: Ashtu është. Këtë më së mirti e dëshmon fakti që në hotelin e saj, “Liria”, u mbajt Kongresi në fjalë. Përndryshe, se çfarë patrioti ishte Themistokli Gërmenji, flet edhe momenti para pushkatimit të tij, kur nga xhelatët kërkoi që mos i mbyllen sytë dhe të vishet me rroba kombëtare.
A. Selimi: Kur jemi te hoteli “Liria”, Ju, në një shkrimin Tuaj, e quani Klub kombëtar, pse?
R. Nexhipi: Për këtë flet edhe emri i tij Liria. Në të, pothuajse çdo natë organizoheshin mbrëmje gazmore, ku këndoheshin këngë patriotike, luheshin valle kombëtare, etj.
A. Selimi: Në këtë hotel, gjithmonë sipas shkrimeve Tuaja, kishte edhe një dhomë sekrete, me libra të ndaluara, apo jo?
R. Nexhipi: Ashtu është. Derisa njerëzit e rëndomtë dëfreheshin në sallën e madhe, patriotët futeshin në dhomën që theksuat Ju dhe aty shpalosnin programin kombëtar, duke shfrytëzuar libra të ndryshme nga patriotë dhe mendimtarë të shquar, siç ishin Naim Frashëri, Sami Frashëri, etj., libra këto që vinin nga Selaniku, Sofja, Vjena dhe vende të tjera përmes hekurudhës e cila lidhte këto qytete me Manastirin.
A. Selimi: Manastiri ishte edhe qytet konsujsh, gjë që me siguri shkonte në favor të mbajtjes së Kongresit të Alfabetit?
R. Nexhipi: Keni plot të drejtë, sepse konsujt e këtij qyteti kishin besim të plotë tek fjala e shqiptarit dhe trimëria e tyre, kështu që zakonisht për kavazë ose truprojë caktonin shqiptarët. Në zyrat e tyre kishte poashtu plot shqiptarë, siç ishte, fjala vjen, Gjergj Qiriazi, etj. Pushteti osman ishte i vetëdijshëm për këtë, prandaj nuk kishte guxim që të pengojë veprimtarinë e patriotëve shqiptarë, pra as mbajtjen e Kongresit, sidomos pas shpalljes së Hyrijetit në këtë qytet.
A. Selimi: Pse?
R. Nexhipi: Sepse, rolin dominant në këtë ngjarje, e luajtën shqiptarët, në krye me Nijazi Be Resnjën. Pra, pa shqiptarët, xhonturqit nuk do të kapardiseshin dot në krye të shtetit, prandaj edhe shqiptarët menjëherë pas Hyrijetit themeluanë Klubin Qendror “Bashkimi” i cili organozoi mbajtjen e Kongresit të Alfabetit.
A. Selimi: Kur jemi te Kongresi, vallë si u pritën delegatët nga shqiptarët e Manastirit?
R. Nexhipi: Në ditët e Kongresit, nga 14 deri më 22 nëndor, në Manastir ndjehej një gjallëri e papërshkruar. Hotelet, restoranet etj., ishin mbushur plot me njerëz të cilët takoheshin me delegatët, sepse, për ta kishin dëgjuar por, si kishin parë kurrë. Ata ishin njerëz më të ditur të kohës, nga vende të ndryshme dhe me konfesione të ndryshme fetare: myslimanë, të krishterë, bektashinj, synitë, katolikë, ortodoksë, protestantë, etj., prandaj edhe si të tillë ishin atraktivë për popullatën vendase të përzier në aspekt fetar.
A. Selimi: Si ishte atmosfera para objektit ditën e fillimit të Kongresit?
R. Nexhipi: Qysh në orët e para të mëngjezit ishin grumbulluar mijëra shqiptarë dhe të tjerë për tu takuar me delegatët. Të ftohtin e përballonin përmes këngëve dhe valleve kombëtare, gjë që krijonte përshtypjen e një dasme të madhe shqiptare.
A. Selimi: Fare në fund më lejoni t’Ju bëj këtë pyetje: Ju, sipas një shkrimit në “Lajmin” e para disa ditëve, shprehni indinjatën Tuaj ndaj Këshillit Organizativ për manifestimin e 100-vjetorit të Kongresit.
R. Nexhipi: Shëkoni, antarët e Këshillit, siç thuhet, i ka propozuar Qeveria, e cila, siç duket ka marrë mendjen e ndonjë johistoriani që nuk ia di rëndësinë historike të Kongresit. Populli thotë: “Po shkojte pas brumbullit, dihet se ku mbaron”. Për të mos më keqkuptuar, duhet patjetër të them se, edhe sikur të më bëhej ndonjë ofertë, si manastiras për antar të Këshillit, do refuzoja, sepse, skam kujtime të mira nga manifestimi i 95-vjetorit. Atëherë, kur u bë fjalë që manifestimi do të mbahet edhe në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, në cilësi të antarit të Këshillit, thashë që s’shtë keq, por, nëse aty këndohet Himni kombëtar, nuk besoj që të ngrihen nga vendi disa akademikë të atij institucioni të dëshmuarë si komunistë dhe albanofobë. Himni, atje, nuk u këndua, ndoshta s’kishte nevojë!, megjithatë nuk mbeta pa shkruar se, sikur Mitat Frashëri, kryetari i Kongresit, më vonë edhe i Ballit Kombëtar, !
ta dijë që emri i tij ka hyrë në një vend të tillë, disa herë do rrotullohej në varr dhe do ngrihej për të na pështyrë në fytyrë. Gjithashtu shtoja se, është paradoks fakti që patriotët e para një shekulli, në Manastirin e rrobëruar e mbajtën dot Kongresin, kurse ne pasardhësit e tyre, pas 100 vjet dhe në Manastirin e lirë, se mbajtëm dot manifestimin qendror.

Bashkëbisedues: Afrim Selimi


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-11-14 01:00:17
gzuar 100 vjet kongresit i alfabetit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?