Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Diktatura Komuniste arrow Dy martirė tė Radio Tiranės - Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho
Dy martirė tė Radio Tiranės - Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho PDF Print E-mail
30 Tetor 2006

Nga Skifter Këlliçi
 
Atë pasdite përvëluese të së dielës së 13 korrikut të vitit 1963, i bëmë një vizitë urimi në shtëpi një shokut tonë të redaksisë së kulturës në Radio.Dhe jo pa arsye:ai martohej.Çuditërisht, Fadil Kokomani dhe shoku i tij i ngushtë, Vangjel Lezho, që punonin në këtë redaksi, shumë të vëmendshëm në kësi rastesh, munguan.

Merreni me mend habinë tonë e, mbi të gjitha timen, kur të nesërmen në mëngjes, sapo filluam punë, mësuam se Vangjeli ishte arrestuar në një orvatje të tij dhe të disa shokëve të tjerë për t'u arratisur nga liqeni i Pogradecit për në Jugosllavi.

Me Fadilin isha lidhur me një miqësi të madhe.Dhe për këtë miqësi isha krenar. Me të mbaruar studimet e larta për gazetari në Lenigrad, duke punuar menjherë në Radio Tirana, Fadili ishte bërë, pa dyshim, gazetari mi i mirë në fushën e reportazheve dhe emisioneve me nivel shumë të lartë për kulturën, artin dhe madje muzikën.Thuajse i këtij niveli ishte dhe Vangjeli, që edhe ai kishte mbaruar studimet e larta për gazetari, por në Moskë.
Me Fadilin kisha bërë jo rrallë biseda me "zarar". Besimi që pati tek unë duke u shprehur hapur për shumë e shumë gjëra që lidheshin me rregjimin e atëhershëm,më bëri ta doja dhe më shumë.
Dhe ja, shoku i tij më i ngushtë, Vangjel Lezho, ishte tashmë në burg. Atë pasdite, kur dolëm nga zyra në ballkonin e katit të tretë të Radios, e pyeta me shumë frikë se si kishte ndodhur kjo gjëmë."As unë nuk e di,"-m'u përgjigj.-Për këtë çeshtje më thiri dhe më pyeti edhe sekretari i partisë,"-dhe përmendi emrin e tij.M'u duk kaq i shpenguar në këtë bisedë tepër të shkurtër, sa njëmend e besova..
Kaluan ditë.Erdhi dhe pasditja e 5 gushtit,një pasdite çuditërisht e flladitur, me një diell që tek shkiste nga perëndimi , i jepte vezullime të purpurta zyrës sonë,duke na krijuar një gjendje humori.Na e shtoi dhe më tepër këtë humor Fadili,me barceletat e tij që i rrëfente me një mjeshtri që do t'ia kishin zili dhe aktorët e estradës.
"Në parkun "Gorki" të Moskës,-po tregonte kur po vinte koha të linim punën,- një grua e bukur iu afrua një djaloshi thatim që kishte dalë aty të lypte gjëkafshë se po ngordhte urie, dhe i tha me zë lutës:"A do të kishit mirësinë të vinit në shtëpinë tim?.E si të mos pranonte djaloshi këtë propozim!Iu vu pas gruas që tundte vithet sikur t'i thoshte;"Ja, bëj gajret, se pas pak do të jemi në shtëpi dhe atje...".Dhe, njëmend,me t'u futur në korridor, e ftoi djaloshin thatim që mezi mbahej më këmbë , që të shkonte në dhomën pranë dhe atje të zhvishej. Djaloshi, pa e bërë të gjatë, hoqi fët e fët pantallonat e këmishëm duke zbuluar trupin si ciragë e thatë, në pritje të ethshme të këasj zonje që kishtë rënë siç duket ne sevda me të.Dhe merreni me mend se, pa kaluar as disa dekika, zonja me një buzëqëeshje të mirakandshme, u fut në dhomë dhe kur po i afrohej duke nazetuar, tha;"Fëmijë, pa ejani këtu në dhomë.!"Djaloshi që ashtu siç i ngriheshin zorrët përpjetë, po i ngrihej dhe ai mjeti i perëndisë nën brekët e zhubravitura në pritje për të bërë hyxhym aty ku duhej,mbeti i shkordhur kur pa t'ia behnin në dhomë dy fëmijë të vegjël."Po këta,ç'duan këtu,"-tha me vete.Dhe gati sa nuk u shastis kur dëgjoi që bukuroshja shtoi me rreptësi:"Siç është si karthi ky xhaxhi, kështu do të bëheni dhe ju, po të mos hani."Doemos, pas kësaj barcelete të bukur, ne qeshëm me të madhe.Mirëpo ishte e qeshura e fundit.
Me të zbritur poshtë, nga kabina e oficerit të rojës u dëgjua zëri i dezhurit:"Fadil., a nuk vjen një çikë këtu?"U ndamë aty, për t'u takuar përsëri të nesërmen në mëngjes. Dhe ja, aty nga ora dhjetë e mëngjesit, përgjegjësi i redaksisë, edhe ai i diplomuar për gazetari në Leningrad, por që vuante nga smira dhe nakari që Fadili ishte shumë më i zoti se ai, pa e fshehur fare gëzimin që i gëlonte në shpirt, na kumtoi:"Siç e dini, para tri javësh Sigurimi i Shtetit arrestoi Vangjelin. Mbrëmë, duke dalë nga Radio, u arrestua dhe Fadili. Edhe ai është përpjekur të arratisej me shokun e tij të ngushtë."Nuk di se si përmbajta një klithmë që ishte gati të më shpërthente nga buzët që më dridheshin.
Ishte e martë e të enjten në mbrëmje do të transmetohej emisioni "Universiteti Popullor i Radios", krijuar nga vetë Fadili, një emision që ishtë bërë kaq i pëlqyer nga radiodëgjuesit.Pa humbur kohë, përgjegjësi i redaksisë më porositi që të përfundoja emisionin e nisur nga ai.Me duar që më dridheshin, hapa sirtarin e tryezës së tij dhe në një fletë të bardhë më ranë së sy këto radhë:"Sonte në emisionin "Universiteti popullor i Radios, në vazhdim të ciklit kushtuar pikturës së periudhës së klasicizmit francez, do t'ju flasim për krijimtarinë e piktorit të shquar, Nikola Pusen..."Kaq kishte mundur të shkruante Fadili.Dhë në vazhdën e atyre shkronjave të rrumbullakta të shkrimit të tij të qartë, unë duhej të përfundoja atë që duhej ta kishte përfunduar ai...
Çdo gjë më shkoi ndër mend: Fadili i arrestuar, hetuesi që e pyeste me kë kishte biseduar,përgjigja e Fadilit se midis të tjerëvë kishte biseduar dhe me mua...Arrestimi im...ballafaqimi me Fadilin...dënimi im për agjtacion dhe propagandë...Asnjë nga këto nuk ndodhi.Fadili mund të ishte kërcënuar, por emrin tim dhe të të tjerëve me të cilët mund të kishte biseduar, nuk e kishte zënë me gojë.Pas disa muajsh, kur u binda se nuk do të arrestohesha, e falenderova me vete.
Kishte tek-tuk ndonjë keqdashës që gjatë atyre ditëvë thoshte se një pjesë të barceletave Fadili i rrëfente me nëntekst.Një e tillë ishte dhe barceleta e mësipërme.Në fakt ajo nuk ishte ruse, por italiane.Por Fadili qëllimisht e zhvendoste ngjarjen në Rusinë revizioniste, që " vuante për bukë", duke nënkuptuar se edhe në Shqipëri ndodhte e njëjta gjë.Dhë kështu ishte.
Gjyqi i tij dhe Vangjelit u bë në nëntor-dhjetor të atij viti. Ata u dënuan me 25 vjet heqje lirie, sipas vendimit të gjykatës së lartë, datë 6.12.1963, për krimin e tradhtisë, vepra terroriste, agjtacion e propagandë,armëmbajtje pa leje....
..Kalonin vite por unë kurrë nuk mund t'i harroja ata dy shokë nga të cilët kisha mësuar shumë. Në sallën e shtypit të huaj të Bibliotekës Kombëtare jo rrallë takoja të motrën. Nuk guxoja ta pyesja.Po, më së fundi një herë e theva akullin.Me zë të ulët dhe plot frikë m'u përgjigj se atë e kishin lëvizur sa në një kamp në tjetrin dhe se tani nuk e dinte se ku e vuante dënimin.
Dhe ja, më 1979,pas 13 vjet jete në burg, mora vesh lajmin tragjik të pushkatimit të tij dhe Vangjelit. Pikërisht atëhërë kur ata me uljen e dënimit, siç ndodhte në raste festash, edhe mund të ishin liruar.
Pas shëmbjes së diktaturës kumuniste nga publicisti Robert Vullkani, i cili kishte kaluar vitet e dënimit mizor se bashku me ta në të ashuqujturat kampe të riedukimit në Fushë Krujë,Elbasan,Shrovotinë,Spaç, Burrel,, mësova të vërtetën.Pikërisht në gusht të vitit 1978 , Vangjeli dhe Fadili i kishin dërguar një lëtër anëtarëvë të Byrosë Politike, në të cilën theksonin se në rast se ata nuk dot të ndalnin diktatorin Enver Hoxha, ai do ta shpinte Shqipërinë, tashmë të izoluar nga bota, në greminë."Para se ta shkruanin atë letër,- më thoshte një ditë Roberti ,- i këshillova se me këtë veprim do të përfundonin në togën e pushkatimit.Por ata kishin marrë parasysh gjithçka."
Në librin e tij "Ridënimi" publicisti i njohur Fatos Lubonja, përshkruan me ngjyra tragjike se ç'ndodhi më pas.Në një sallë të Burgut të Ri të Tiranës, ku ndodheshin dhe shumë të burgosur të tjerë, midis të cilëve edhe Robert Vullkani dhe vetë Fatos Lubonja, u zhvillua procesi gjyqësor. Dhe gjatë atij procesi Fadili dhe Vangjeli, u dënuan me pushkatim për krimin e krijimit të një organizate kundërrevolucionare, revizioniste për të kryer krime kundër shtetit. Kurse Fatosi dhe Roberti u dënuan edhe me dhjetë vjet të tjera burgim të rëndë. Si Fadili, ashtu dhe Vangjeli, siç kujton Fatosi ,e pritën dënimin me gjakftohtsësi. Dhe jo vetëm kaq. Në fjalën e tyre të fundit prej 30 faqesh ata, midis të tjerash, shqiptuan plot siguri:
"Në plenumin e 4-t të Komitetit Qendror më 1973,vetë sekretari i parë, Enver Hoxha,ndër të tjera thotë:''Burgu është forma e fundit e edukimit.Bukur fort!Po ç'del nga kjo procedurë e fundit e nënshtrimit, torturës dhe vdekjes së ngadalshme? Akuzantët na propozojnë;"O mangi questa minestra,o salti fuori dalla finestra!"Jo, zotërinj akuzantë,ne nuk do ta hamë këtë çorbë helmatisëse dhe as do të hidhemi nga dritarja, por do të kërkojmë energjikisht që përgatitësit e kësaj kornize ...të kësaj hakmarrjeje pa doreza,(dhe kjo ,sipas mendimit tonë kryesisht për letrat e dërguara),të vinë këtu dhe të japin llogari...Ne , Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho...jemi muzikantë dhe gazetarë në muzikën e nëndhëshme të asaj aperture njerëzore që quhet jetë-liri-luftë-revolucion-patriotizëm.Pra, disa nga aperturat e aktakuzës dhe procedurës hetimore u përpoqëm t'ia paraqesim kolegjit gjyqësor të këtij procesi..."
Më 29 maj 1979 ata u pushkatuan."Disa ditë më pas,-siç kujton Abdulla Sallaku, edhe ai gazetar në Radio Tirana, i dënuar me 30 vjet për tentativë arratisje,-një oficer madhor na mblodhi në Burgun e Spaçit dhe na tregoi dy fotrografi; në njërën shihej Fadili dhe Vangjeli para gropës së varrit të tyre të përbashkët dhe në të dytën të dy të masakruar brenda në varr."Kështu do ta pësoni edhe ju,në rast se do të bëni si ata"- na u kërcënua ai duke skërmitur dhëmbët"
Ky qe fundi tragjik i këtyre dy martirëvë të Radio Tiranës, të cilët, ndonëse e dinin që do të pushkatohëshin, mbajtën një qëndrim të paparë deri atëherë,para xhelatëve të diktaturës enverhoxhiane.

Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2006-11-04 20:07:06
....te mencur, te ndieshem, krenare, te forte, besnike te vetvetes, intelegjente, por viktima te vogelaneve te patalentuar. 
E lehte u qofte lendina atyre dhe gjithe te tjereve si ata. 

Koment nga GUEST më 2006-11-13 15:29:21
E dhimbshme por e denje, per brezat qe vijne. Ata provuan ligesine dhe kanibalizmin Enverist, por e keqja eshte se sot Enveri eshte me i plote se kurre. Kjo tregon se, ne ende po hedhim dhimbje mbi keta martire, duke e neperkembur gjakun e tyre per liri dhe demokraci.

Koment nga GUEST më 2006-11-13 15:24:10
Kam qene punonjes i sigurimit te shtetit per 8 vjet ne diktature dhe shumekush mund te thote :"He qen i diktatures,ti me mire se te tjeret i ke njohur torturat dhe ke lyer duart me gjakun e shqiptareve ne kerkim te lirise".Po cfare ndodh me mua.?Une sinqerisht ndjej dhimbje te thelle per tragjedite e ndodhura ne ate kohe.Te me besoni se ndjej dhimbje te dyfishte per rastet e Fadil Kokomanit,Vangjel Bezhos,Havzi Neles,Genc Lekes e Vilson Blloshmit qe e mbyllen jeten tragjikisht me pushkatim apo me varje ne litar.E shpreh shpesh edhe mes shokesh se ne keto raste jane tejkaluar edhe vete ligjet e diktatures.Denimi kapital ishte parashikuar ne kodin penal te diktatures vetem per tradheti te larte ndaj Atdheut.Por tradheti e larte ndaj Atdheut nuk eshte te shkruarit e poezive ku eshte perdorur dendur alegoria.Do te deshiroja qe te pakten tani ne demokraci te ndjenin pendimin ata hetues e gjyqtare qe kane hetuar e gjykuar keto raste ekstreme.Kur fillova karieren time ne 1982 e u futa ne boten e dosjeve ndjeja eren shkrumb qe kishte lene lufta e klasave ne perdorimin e nenit famekeq 55\a te agjitacionit e propogandes armiqesore.Ishin denuar njerez te thjeshte qe nuk dinin fare te dallonin sistemin kapitalist me ate socialist e qe pas thikes qe ju kishte shkuar ne kocke shprehnin te vertetat e veshtiresive ekonomike per te perballuar jeten ne famije.Per hir te se vertetes,ne vitin 1979,edhe pse ende ne diktature,filloi nje epoke lehtesuese.Ne aktet normative qe u vendosen sanksionohej orientimi se arrestimi duhet te jete fisheku i fundit.Per te gjitha rastet qe para ketij viti denoheshin me bugim,filloi te aplikohej ne mase keshillimi i personit qe kishte "dale nga rruga e zotit" ose demaskimi para popullit.Sidoqofte ishte nje mase shume me demokratike pasi frenonte ne kete menyre dyndjen e te pakenaqurve te sistemit drejt burgjeve te Spacit,Burrelit,Qafe Barit e shume te tjere.Edhe pse ndjej mekatin qe kam punuar ne diktature,jam i lumtur qe si shume kolege te tjere patem fatin te punojme ne periudhen e zbutjes se dares se diktatures dhe duke shtuar "Paaftesine tone profesionale" nuk derguam asnjeri ne burg dhe nuk internuam apo debuam te tjere.Nese do te me jepej mundesia me dhimbje te thelle ne shpirt dhe me shume respekt do te vendosja buqeta me lule ne varret e Fadilit,Vangjelit,Gencit e Vilsonit.

Koment nga GUEST më 2007-01-29 18:29:11
...eshte per te ardhur keq per njerez si intelektuale, gazetare , kengetare e tjere mbyllen jeten e tyre ne " MURIN E BERLINT " shqipetare, i ndertuar nga gjakater e kriminele te pa fare ne rruzillin tokesore. 
Qofshin te bekuar emrat dhe kujtesa e ketyre largpamese.

Koment nga GUEST më 2011-04-05 15:07:37
diktatur e pashpirt o lale ishalla ka vajt ne djall diktature e mallqakume .................................................................................................................................................................................................................................................................


International
English
Faqe interaktive