Faqe kryesore arrow Letersia arrow GJUHA SHQIPE
GJUHA SHQIPE PDF Print E-mail
14 Nentor 2008
“Gjuha shqipe të fisnikëron shpirtin”
                                                                              Holger Pedersen


Skicë për një poezi për gjuhën shqipe, kushtuar: Kujtimit të paharrur të Mësuesit Atdhetar, Salih Elhyka, nga Kavaja, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shkollën Shqipe të Boletinit historik, mbolli tek brezat atdhetarë dashurinë e shenjtë për gjuhën shqipe, për kulturën kombëtare, për atdheun, për flamurin dhe kombin. Salih Elhyka u likuidua për veprimtarinë e tij atdhetare nga shërbimet sekrete jugosllave, të cilët nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, e dërguan në Burgun famëkeq të CZ së Beogradit, ku pas 17 ditë torturash mizore e likuidojnë. Qoftë i paharuar Kujtimi dhe Nderimi për Salih Elhykën dhe për Veprën e Tij Atdhetare e Arsimore në Shërbimin e Shenjtë, sa Fisnik aq edhe Heroik, për Shqipërinë Mëmë…

Në ligjërimin shqip e në këngëtimet e gjakut
në thëllimet e shekujve me krahë vetëtimash
degët e trungut ilir me rrënjët bri pragut
me vite nëntorësh mbi supe e me re suferinash
përflakur dhe përgjakur fletëve të meshareve
nisej të shkruhej gjuha shqipe
me Gjakun e shqiptarëve.

Nisej me një Formulë Pagëzimi
nga Pal Ëngjulli,
në datën 8 të nëntorit të vitit 1462
një copë e shkëputur e mbishkrimeve të përgjakura
një zë ëngjullimi në fletët e përflakura
viteve dhe shekujve
nisej Gjon Buzuku e Lekë Matranga
Kënga e Përshpirtshme e Gjuhës Shqipe
nisej Pjetër Budi Pjetër Bogdani Frano Bardhi
të çante shekujt me zërin shqip
nisej shqiptari

Nisej Mësues Todri
me ca shkronja mbështjellur në gji
kaptonte malet me fusha
kodrat me brigje
në borë dhe në shi
çante shtigje të diturisë
nisej Mësues ì Gjuhës Shqipe
në mes territ dhe errësirës
Dritërrëfenjësi
nëntorëve të bardhë sogjetar amshimi
mes baltës dhe shëllirës
e në zemër kish pengun e dëshirës
të sillte Shkronjat e Gytenbergut
në Tokën e Skënderbeut

Ca shkronja shqipe
ca fjalë dhe ca rrokje si një melodi
si këngët e zogjëve shtegtarë
pranverave me shi ciu ciu ci
do flasësh me shkronjat e shpirtit tënd Shqipëri
do flasësh me shkronjat e zërit tënd Shqipëri
do shkruash me shkronjat e zemrës sate Shqipëri
me zanoret me rrokjet dhe me bashkëtingëlloret
e gjuhës sate Shqipëri

E tutje Naum Panajot Bredhi Veqilharxhi
qëndisej me shkronja ari Evërtari
Martiri ì Gjuhës Shqipe
e Konstantin Nelko Kristoforidhi
Dritësjellësi
Babai ì Gjuhës Shqipe
me ca shoqëri biblike angleze
Biblën përkthente shqip
O ja që edhe Jezu Krishti
ditka të fliska Shqip
Shqip niste të shkruante Shqipëria
e shkronjat hidhte prej Gjakut të kulluar
Tej Petro Nini Luarasi
Shqiponja e Gjuhës Shqipe
epikë e shekujve me shkronja stralli
Papa Kristo Negovani
Dëshmor ì Gjuhës Shqipe
për shqipen e digjte malli
e Naim Frashëri me gjuhën qilizmë
Bilbili ì Gjuhës Shqipe
e Princi ì saj Faik Konica
me zjarrin e qëruar të fjalëve
niseshin të shkruanin dhe të flisnin
me gjuhën e të parëve



Vinte vargut
Samiu Asdreni Çajupi
Dom Ndre Mjeda e Gjergj Fishta
matanë detit
Jeronim De Rada Serembe Santori
e Gavril Dara ì Riu
Gjuha Zonjë
përanash
Porta e Lartë e Patrakana Greke
rrethuar me Scillës dhe Haridbës
mes kudhrës dhe çekanit
kështu niseshin dhe vinin
Ata
me kokën në torbë
e me libra në duar
viganë dhe madhështorë
parakalonin
Ata
të fliste Shqipëria
të shkruante ato që si shenja të shenjta
si ndjenja të ndrydhura shekujve
ì ruante relike të shtrenjta

O edhe Shekspiri fliska shqip
edhe Dante
O madje edhe Eskili
gjëmonte Salla e Kombeve tek fliste
Theofan Stelian Noli
dhe Kisha Autoqefale niste të fliste shqip
ushtonin teatrot nga zëri ì Aleksandër Moisiut

Mërmërisnin armiqtë e Atdheut
të Kombit
e të Gjuhës
po çanin tufanet
udhërrëfenjësit e dritës dhe të diturisë
flamurtarët e zemërthirrjeve të Shqipërisë
me thinjat e bardha flokëve
e me peshë të viteve mbi supe
me ca shkronja në duar
e me ca rreze dielli në sy
me ca traste me libra
e me ca abetare në gji
një Pashko Vasë
një Thimi Mitko
Koto Hoxhi
e një Hoxhë Hasan Tahsin:

Gjethi fletënjomë ì diturisë u hodh!
Qeshu e gëzohu o Korçë o lule
nisnin vargëzimet dhe ligjërimet e tyre
Bilbilat e Gjakut Tënd Shqipëri
meloditë e këngëve nëpër kapilarë
viteve dhe shekujve
me flakë vetëtimash
me supe nëntorësh
për Gjuhën Shqipe
për Kombin Shqiptar
Kongresi ì Manastirit
tek Kongresi ì Drejtshkrimit
e Kongresi ì Drejtshkrimit
Një Ditë
tek Kongresi ì Mbarëshkrimit
si ushtarë të rrjeshtuar
nën urdhërat e Atdheut
niseshin Poemat e Gjakut Tënd
të ngrenin Gjuhën Shqipe
të Bijtë e Shqipërisë
siç ngrenin të parët tanë
Flamurin e Lirisë
Kështjellave të Skënderbeut.



Xhemal Ali Peci


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?