Faqe kryesore arrow Historia arrow MID'HAT FRASHËRI
MID'HAT FRASHËRI PDF Print E-mail
27 Nentor 2008

Dr. Riza Sadiku

(pjesa e dytë)


 Pushtimi fashist italian i Shqipërisë, më 7 prill të vitit 1939, atdhetarët shqiptarë në krye me Mid'hat Frashërin i tronditi thellë për fatin e popullit shqiptar. Gjatë kësaj kohe në krye të rezistencës kundër pushtimit italian u vu rini shqiptare e frymëzuar me ndjenja kombëtare për çlirim dhe bashkim të trojeve etnike. Nga këto elemente të rezistencës  shqiptare, më 13 prill 1939, themelohet Balli Kombëtar, si kërkesë e kohës, në krye me Mid'hat Frashërin, i cili me dorën e vet i shkroi Tetë Pikat e Nacionalizmës shqiptare, në bazë të të cilaveu vun themelet e platfromës politike të Ballit Kombëtar, rreth të cilës u mblodh yndyra e inteligjencies shqiptare, duke i dhënë një hov të ri frymës së Lidhjes së Prizrenit. (28)

Në bazë të Tetë Pikave të Nacionalizmës Shqiptare, pa u ndryshuar thelbi i tyre, duke i modifikuar dhe duke iu shtuar edhe dy pika të tjera në vitin 1942, u përpilua Dekalogu i Ballit Kombëtar, i cili ishte dhe mbetet udhërrëfyes i çdo shqiptari të ndërgjegjshëm për zgjidhjen drejt të çështjes kombëtare. Ideologët e Ballit Kombëtar, në krye me Mid'hat Frashërin, të frymëzuar me fanatizëm me ndjenjat e atdhedashurisë, u përpoqën me tërë qenien e tyre shpirtërore dhe intelektuale t'i kultivojnë dhe t'i mbjellin në kombin shqiptar. "Dashuria ndaj Atdheut nuk është politikë", do të konstatojë në një rast Vasil Andoni emblematik i Ballit Kombëtar, por është një ideal i lartë fisnik dhe virtyt i ndjenjave kombëtare, të cilat arriti t'i kultivojë dhe zhvillojë Mid'hat Frashëri, përmes veprimtarisë së Ballit Kombëtar. (30)
 

 Në vitin 1941, grupet komuniste iu bashkuan Partisë Komuniste të Shqipërisë, si filiale antifashiste kominterniste. Fillimisht raportet ndërmjet PKSh-së dhe Ballit Kombëtar ishin të përmbajtura dhe pati edhe shenja të bashkëpunimit për një qëllim të përbashkët - çlirimin e vendit. Nga mesi i korrikut 1943, nisen përpjekjet për të lidhur një marrëveshje Balli Kombëtar - PKSh, për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike. Këtê nismë e ndërmori Ihsan Bej Toptani, person autoritativ me ndikim në të dy palët. (31)
 Më 26 korrik 1943, u takuan delegacionet e dy grupimeve politiko-ushtarake në shtëpinë e Ihsanit, në Tapizë të Tiranës. Delegacionin e Ballit Kombëtar e përbënin: Mid'hat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Cuku, kurse delegacionin e Këshillit Nacionalçlirimtar: Abas Kupi, Myslim Peza, Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi. (33) Mbledhjen e udhëhoqi Mid'hat Frashëri, sekretar u zgjodh Mustafa Gjinishi. Pas diskutimeve dhe polemikave të shumta u hartuan dhe u miratuan pikat fillestare të marrëveshjes. Për shkaqe të sigurisë, u vendos që bisedimet të vazhdonin në Mukje, më 1 gusht 1943, me një përfaqësim më të gjerë. Në mbledhjen e Mukjes morën pjesë 24 përfaqësues, 12 nga Balli Kombëtar dhe 12 nga PKSh-ja. Pas shumë polemikave, më 2 gusht 1943, u arrit marrëveshja historike:
 1. Formohet Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë prej 12 anëtarësh (6 përfaqësues nga Balli Kombëtar dhe 6 përfaqësues nga komunistët).
 2. Të dy partitë pranuan se do t'i luftonin si italianët ashtu edhe gjermanët, deri në çlirimin e vendit.
 3. Vendoset që, pas çlirimit të Shqipërisë, forma e regjimit të vendosej nga vetë populli shqiptar. (34)
 Kjo marrëveshje i shqetësoi përfaqësuesit e PKJ-së, si : Miladin Popoviqin, Dushan Mugoshën dhe Svetozar Vukmanoviq Tempon, personalitete me ndikim në kreun e PKSh-së. Me intervenimin e tyre, PKSh-ja e prishi marrëveshjen e Mukjes. Prej kësaj periudhe më tepër mund të flitet për luftë ideologjike, për luftë qytetare dhe vëllavrasëse, sesa për luftë çlirimtare të Shqipërisë Etnike, pasi që për antifashistët kominternistë Balli Kombëtar do të konsiderohet armik më i rrezikshëm se sa nazifashizmi italiano-gjerman. Kjo më së miri kuptohet nga direktivat sekrete të Enver Hoxhës, më 10 shtator dhe 1 tetor të vitit 1943, për të gjitha komitetet qarkore të PKSh-së:
"Ne mendojmë se me Ballin Kombëtar nuk do të jetë e mundur të arrihet nji marrëveshje. Mendojmë gjithashtu se Balli ka marrë një rrugë që do të na shpjerë në një përpjekje me ne, prandaj na duhet të punojmë në drejtimin që vijon: ta demaskojmë dhe ta diskreditojmë Ballin në popull, ta paraqesim Ballin në popull si përçarës dhe shkaktar të vëllavrasjes. Të bëjmë që populli të shohë se politika e Ballit do të na shtjerë në përpjekje me armë... që populli i tërë të revoltohet dhe kështu gjithë përgjegjësia historike e mos bashkimit të popullit shqiptar dhe të përpjekjes me armë, të bjerë pêrmbi Ballin Kombëtar". Përkatësisht: "Ne duhet të ndërhymë e tê godasim pa mëshirë Ballin Kombëtar. Asnjë hezitim... ndryshe ne jemi të humbur në qoftë se veprojmë me zemër prej murgeshe. Balli nuk ta liron pushtetin dhe askush tjetër në qoftë se nuk e rrëmben me forcë... Mbaroi çështja e bashkimit me Ballin, s'jemi më në atë periodë, tash Balli duhet të demaskohet si një organizatë reaksionare... Demaskimi të bëhet i vazhdueshëm  dhe ne vemi drejt likudimit të Ballit dhe jo të bashkimit me të. Në rast se ai gjen ndonjë rast të vendoset në ndonjë fshat a qytet, duhet të veproni përnjëherësh dhe politikisht dhe ushtarakisht kundër tij". (35)

MID'HAT FRASHËRI - BETIMI I MËRGATËS NË THEMELE TË RIBASHKIMIT TË SHQIPËRISË ETNIKE

 Me fitoren e Lëvizjes Antifashiste Kominterniste në trojet shqiptare, u thellua gjahu kriminal komunist kundër pjesëtarëve të organizatave dhe të lëvizjeve që kishin në program çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike. Protagonistët dhe simpatizantët e tyre u vranë, u burgosën dhe u ndoqën, pa mëshirshëm, nga regjimi ushtarak dhe policor shqiptar e jugosllav.
 Në mesin e atyre që preferuan ekzilin politik, në nëntor 1944, për të vazhduar përpjekjet për lirinë dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike, ishte edhe Apostulli i saj, Mid'hat Frashëri, themeluesi dhe drejtuesi i Organizatës "Balli Kombëtar", i cili fillimisht u strehua në kampin anglo-amerikan Santa Fara të Italisë.
 Pas largimit nga Shqipëria, Mid'hat Frashëri me një numër të anëtarëve dhe simpatizantëve të Ballit Kombëtar, nga kamp-strehimorja e Santa Farës do të dërgohen në kampin Reggio Emilia të Italisë. Nga malli për Atdheun, të brengosur për fatin e kombit shqiptar, çdo mëngjes do të luten me fytyrë kthyer kah Shqipëria, duke kënduar këngë patriotike kushtrimi për bashkimin e forcave liridashëse për lirinë e Shqipërisë Etnike. Njërën prej këtyre këngëve e shkroi Mid'hati, ku përmes vargjeve plot me ndjenjë, i drejtohet të Madhit Zot:

Ti neve na ndihmo,
Bashkimin na forco,
Dashurinë na shto,
Për Shqipëri. (37)


Në kampin strehimor Reggio Emilia, Mid'hat Frashëri shkroi edhe disa këngë të tjera, për Flamurin Kombëtar, për dëshmorët dhe trimërinë e Ballit Kombëtar, për Kosovën etj. Së bashku me të ishin mbi 750 simpatizantë dhe anëtarë të Ballit Kombëtar nga vende të ndryshme të trojeve etnike shqiptare.(38)
 Mid'hat Frashëri, duke qenë adhurues i flaktë i arsimit dhe i forcimit të ndërgjegjes kombëtare, me ndihmën e disa arsimtarëve, edhe në kamp-strehimore, më 1945, organizoi shkollën në gjuhën shqipe, e cila u emërua me emrin e heroit të Ballit Kombëtar, Besnik Cano.(39)
 Ndonëse i ndjekur dhe përbuzur nga pushteti në Atdhe, Mid'hat Frashëri në ekzil nuk do ta ndërpresë aktivitetin politik për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Në këtë kontekst, kontribut të çmueshëm do të japë përmes shkrimeve, apeleve dhe memorandumeve drejtuar opinionit ndërkombëtar dhe atij diplomatik, për njohjen me situatën politike në Shqipëri dhe në trojet e tjera të Shqipërisë Etnike, ku sundonte regjimi kominternist. Më 28 korrik 1946, Mid'hat Frashëri, si ish-ambasador i Shqipërisë në Athinë, Lec Kurti, ish-ambasador në Londër dhe Vasil Andoni, sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombëtar, i dërgojnë një memorandum Konferencës së Paqes në Paris, në të cilin i mbrojnë të drejtat e Shqipërisë Etnike, duke dhënë një sqarim retrospektiv për çështjen shqiptare të pazgjidhur. (40)
  Duke e pasur të qartë faktin se suksesi i një aktiviteti varet nga shkalla e organizimit, Mid'hat Frashëri, pa humbur kohë, i hyri riorganizimit të Ballit Kombëtar në gjirin e mërgatës politike shqiptare antikomuniste. Vështirësitë ishin evidente. Këso kohe në radhët e ballistëve gjallëronin disa tendenca apo fraksione, të cilat ishin kundër politikës parimore të Mid'hat Frashërit - për shkaqe oportuniste të mos bashkëpunohej me personalitetet shqiptare të cilët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishin bashkëpunuar me pushtuesin nazi-fashist në Shqipëri. Këto opsione do t'i kundërshtojnë Ali Këlcyra dhe Koço Muka, të cilëve më vonë do t'u bashkohen Hasan Dosti, Nuredin Vlora etj. (41)
  Vërtet, në atë kohë, përveç Ballit Kombëtar, në emigracion vepronin edhe disa grupime politike të tjera si: Blloku Indipendent me qendër në Romë, në krye me Ismail Vërlacin, i cili kishte përkrahjen e qeverisë italiane dhe një numër i anëtarëve të tij merrnin edhe rrogë; Zogistët dhe Legalistët të përqendruar në Kajro në krye me Ahmed Zogun, të cilët kishin krijuar organizatën "Fronti i çlirimit Nacional" etj. Edhe në këtë organizatë zogiste do të paraqiten plasaritje, sepse alternativa e Abas Kupit mbështetej nga fraksioni i demo-laburistëve të Seit Kryeziut, Ibrahim Frakës etj., të cilët ishin më afër me Ballin Kombëtar të Mid'hat Frashërit. Më pranë qëndrimeve politike të Zogut qëndronte një pjesë e grupit "Kosovar", me qendër në Siri, në krye me Xhafer Devën, kurse pjesa dërrmuese e grupit Kosovar ishte pro qëndrimeve të Mid'hat Frashërit. Ndërkaq në Francë, nga emigracioni politik shqiptar, ishte themeluar Komiteti i Bashkimit Kombëtar në krye me Nuçi Koton. Këta, edhe pse nuk ishin angazhuar në parti politike, ishin më afër qëndrimeve të Mid'hat Frashërit dhe të Abaz Kupit. (42)
 Mid'hat Frashëri në këtë kohë, duke u gjetur në një situatë të antagonizmave midis grupeve politike shqiptare në emigracion, në një anë, dhe duke i njohur qëllimet e politikës të së djathtës greke për aneksimin e Jugut të Shqipërisë londineze, në anën tjetër, ndërmori një ofensivë politike dhe diplomatike, duke vizituar grupet e së djathtës politike shqiptare në Itali, në Francë, në Greqi dhe në shtete të tjera. Në disa vende dërgon emisarët e vet, kurse disa grupe i informon me anë të shkresave. Në prill tê viti 1949, Mid'hat Frashëri viziton Turqinë, e cila kishte një rëndësi të veçantë për grupet e së djathtës shqiptare nga Kosova, në krye me Rexhep Mitrovicën. Përfaqësuesve të emigracionit kosovarë ua qartësoi qëllimet politike të qeverisë dhe të djathtës greke ndaj Shqipërisë londineze dhe Rexhep Mitrovicës ia shpalli idenë për nevojën e organizimit të një mekanizmi përfaqësues të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të botës demokratike. Udhëheqësin përfaqësuese të kêtij mekanizmi ta përbënin personalitetet e lindura jashtë territorit të Shqipërisë londineze, të cilët nuk ishin bashkëpunues të kompromentuar të okupatorit nazi-fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. (44) Pas shumë pune të mundimshme, Mid'hat Frashëri, duke udhëhequr një politikë largpamëse dhe argumentuese, arriti të kurorëzojë qëllimin fillestar. Më 26 gusht 1949, në Paris e shpalli manifestin e themelimit të Komitetit Shqipëria e Lirë, me udhëheqës: Mid'hat Frashërin (kryetar), Abas Kupi, Zef Pali, Said Kryeziu dhe Nuçi Kota (anëtarë), të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore u përkisnin organizatave të ndryshme politike. Pikërisht qëllimi politik i Mid'hatit ishte që në kuadër të Komitetit Shqipëria e Lirë të përfshiheshin përfaqësuesit e të gjitha organizatave dhe grupeve politike që vepronin në emigracion. Në organin më të lartë, Këshillin Kombëtar të Komitetit Shqipëria e Lirë u inkuadruan këto personalitete: Eqrem Telhai (Lidhja Katundare), Hysni Mulleti (Lidhja Agrare), Muharrem Bajraktari (Grupi Luftëtar i Pavarur),  Ihsan Toptani (i pavarur), Gaqo Gogo (Zogist), Myftar Spahiu dhe Gani Tafilaj (Legaliteti), Halil Maçi, Vasil Andoni dhe Abaz Ermenji (Balli Kombëtar). (45)
 Më 6 shtator të vitit 1949, Mid'hat Frashëri arrin në Londër, ku, përmes Radio BBC-së për shqiptarët në "Botën e lirë", shpalli lajmin mbi themelimin e Komitetit "Shqipnija e Lirë". Me këtë rast, Mid'hati organizoi një konferencë shtypi, ku foli për pozitën e pabarabartë të shqiptarëve të Kosovës me popujt e tjerë në Jugosllavi dhe me plot argumente denoncoi mënyrat e shkëputjes së Kosovës nga shteti amë. Gjatë konferencës së shtypit, miqtë e Jugosllavisë e ndërpresin Mid'hat Frashërin, duke ia bërë me dije se ai, në emër të Komitetit "Shqipnija e Lirë", mund të fliste vetëm për Shqipërinë dhe jo për territoret shqiptare të cilat nuk ishin nën administrimin e Tiranës. Veprimtari i shquar i çështjes shqiptare, Mid'hat Frashëri, i prekur dhe i revoltuar për shkak se ia pamundësuan të fliste për Kosovën dhe për trojet e tjera etnike shqiptare, të okupuara nga shtetet fqinje, në shenjë revolte e në mënyrë demonstrative, e prishi konferencën e shtypit. (46)
 Incidenti në konferencën e shtypit të shtatorit 1949, në radion e BBC, u bë një përvojë e mirë për Mid'hat Frashërin të mendonte edhe për kurthe të tjera antishqiptare të faktorit evropian.
 Prometeu shqiptar e vazhdoi aktivitetin politik organizativ nga një skaj në skajin tjetër të botës, nga Londra në Nju-Jork, me qëllim që t'i inkurajonte shqiptarët në mërgim dhe t'i informonte koret diplomatike se do të vijë dita kur populli shqiptar do të çlirohet nga regjimi i egër komunist dhe nga robëria sllave e greke. Në përpjekje të pareshtura me mision të Mesiut për kombin shqiptar, Madhori i Kombit papritmas ndërroi jetë, më 3 tetor të vitit 1949, në moshën 69-vjeçare. Vdiq nga pika në zemër, në hotelin "Winthrop" të Nju-Jorkut, në prani të bashkëveprimtarit besnik Talat Karagjozi.
 Vdekja e papritur e Mid'hat Frashërit pllakosi në zi botën shqiptare patriotike, sepse një jetë u martirizua për Shqipërinë Etnike dhe për këtë fakt gëzonte një autoritet jashtëzakonisht të madh dhe të pazëvendësueshëm, jo vetëm në mërgatën shqiptare, por edhe te personalitetet e ndryshme ndërkombëtare, lojalë ose miq të kombit shqiptar.
 Për këtë arësye, në shenjë respekti dhe për kontributin kombëtar që ka dhënë për çështjen shqiptare, për 53 vjet veprimtarie të ngjeshur dhe interdisiplinare, mërgata shqiptare në Nju-Jork organizoi katër ditë zi-homazh. Derisa qëndroi në shtëpinë "Funeral Home", rojë nderi i bënë këto personalitete: Shefqet Iseraj, Muho Xhake, Braho Husi, Astrit Sako, Sulejman Mane, Hysni Aliko, Hajredin Peshkopia, Skënder Omari, Iljas Guri dhe Luan Dosti. Nderime me përkulje i bënë edhe përfaqësuesit e komuniteteve shqiptare nga vende të ndryshme të botës, personalitete të dalluara politike evropiane dhe amerikane, si dhe përfaqësues të ndryshëm të organizatave ndërkombëtare. Xhenazen e Mid'hatit për varrim e përgatiti Imam Vehbi Ismaili, veprimtar i dalluar i çështjes shqiptare në mërgim dhe imam shumë vjeçar i xhamisë të Detroitit. (47)
  Pas katër ditë nderimesh dhe mallëngjimesh, Burri më i mash i Kombit, Mid'hat Frashëri, varroset në varrezat e Ferncliff të Nju-Jorkut, me nderime të mëdha. Mjerisht varri i Mid'hatit ende gjendet në Nju-Jork, jashtë trojeve etnike shqiptare, të cilave ua kushtoi tërë jetën. (48)
 Mërgata shqiptare e Nju-Jorkut po atë ditë botoi një informatë për vdekjen e Mid'hat Frashërit, e shkruar nga një pendë e hollë, nga një njohës i madh i jetës dhe veprës së Mid'hatit. Kjo është kurora ma e mirë për meritat dhe kontributin e Mid'hat Frashërit pêr kombin. (49)
 Vdekja e papritur e Mid'hat Frashërit e goditi thellë në qenie Ballin Kombëtar në diasporë dhe në mbarë trojet shqiptare. Me rastin e shënimit të Njëqindvjetorit të lindjes së Mid'hatit, Abas Ermenji, njëri nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, u shpreh me këto fjalë:
 "Mid'hat Frashëri mbylli me nder historinë e familjes së tij, si një nga pishtarët e Rilindjes Kombëtare dhe mbrojtës i paepur i Shqipërisë Etnike. Për historinë më të re të popullit shqiptar do të mbetet një personalitet i pavdekshëm dhe frymëzues i ndjenjave kombëtare dhe atdhedashurisë". (50)
  Vasil Andoni, bashkëkohës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së Mid'hatit, veç të tjerash, jep edhe këtë vlerësim:
"Këngëtari i fundit i Frashërllinjve, edhe pse fizikisht nuk është në mesin tonë, por kënga e tij jeton, këndohet dhe përkëdhel ndjenjat e atdhedashurisë, këtë këngë Balli Kombëtar do ta këndojë gjithmonë deri sa të ekzistojë populli shqiptar". (51)

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-03-01 00:50:33
do doja te vija re per lexuesin dhe krijuesin e ketij shkrimi se ndodhet nje gabim ne kete pjese: "Më 26 korrik 1943, u takuan delegacionet e dy grupimeve politiko-ushtarake në shtëpinë e Ihsanit, në Tapizë të Tiranës. Delegacionin e Ballit Kombëtar e përbënin: Mid'hat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Cuku" - ky i fundit eshte Faik QUKU, e bej kete verejtje per te nderqur historine. faleminderit

Koment nga GUEST më 2012-06-05 14:52:47
I am the daughter of Talat karagjozi and i just found this article. I found it to be very interesting. 
 
Tefta Karagjozi


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?