Faqe kryesore arrow Letersia arrow Drita e fjalëve
Drita e fjalëve PDF Print E-mail
11 Dhjetor 2008
Baki Ymeri (Bukuresht)

Para do kohësh e pa dritën e botimit në Bukuresht një libër i ri i një autori shqiptar nga Kosova. Fjala është për vëllimin Lumina Cuvintelor (Drita e fjalëve), i poetit Fatmir F. Salih, ish i përndjekur politik, tashmë me banim të përkohshëm në Zvicër. E strukturuar në kapitujt Qielli, Hijet dhe Partiturë jete, librit të Fatmirit i paraprin parathënia e eseistit Marius Chelaru, e cila del në të dy gjuhët, si dhe dy medalione eseistike të Ali Podrimjes dhe Sali Bashotës. Sipas Aliut, “në letrat shqipe kaptinë e re mund të konsiderohet letërsia e burgjeve, e internimeve tona në kohë të diktaturës, do të thotë të ndrydhjes së rëndë të qenies sonë e të shqetësimeve të mëdha, për të cilat shpesh nuk ekzistonin fjalë, pasi edhe ato ishin të burgosura. Sidoqoftë, librat e tillë dëshmojnë për udhën tonë të vështirë. Po këto ndrydhje dhe po këto shqetësime, i hasim edhe në librin e Fatmir F. Salihut, i cili vetë e përjetoi tmerrin e kazamateve serbe. Prandaj, poezia e tij na vjen si mesazh nga fundi i së keqes”. Sipas autorit të parathënies, “përmes përkhimit dhe përkujdesjes së Baki Ymerit, Fatmir F. Salihu vjen në gjuhën rumune nga Gjilani i Kosovës. Për bindjet e tij demokratike, para 30 vitesh ka qenë i persekutuar politik nga ana e autoriteve komuniste jugosllave. E ka dashur poezinë, të cilën e ka kultivuar që nga periudha e përkohshme e studentërisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.. Në ndërkohë, vjershat me vlera të padiskutueshme letrare, i ka përfshirë në vëllimin Valle (Rozafa, Prishtinë, 2002)”.  Në vazhdim, eseisti rumun thekson:

„Kam shkruar dikurë për një zë të fuqishëm të lirikës shqipe, Visar Zhiti. Visari ma përkujton qëndresën shqiptare, dritën e fjalëve dhe Fatmir F. Salihun. Vjershat e Visarit m’u dukën tejet domethënëse, sidomos përnga pikëshikimi i forcës me të cilat arrin të ri/krijojë një atmosferë të veçantë, pa ekzagjeruar përdorimin e figurave të stilit, në një fjalor deskriptiv/ imagjistik, të pasofistikuar. Poezitë e Visar Zhitit dhe Fatmir F. Salihut janë të prekura nga fatkeqësitë që i provokojnë njerëzit, fantazmat dhe mundimet shpirtërore të burgut, mungesa e lirisë, flakja në vetmi dhe refuzimi i dyfishtë i  revoltës dhe etjes për liri, liri të cilën e kuptojnë vetëm njerëzit e persekutuar. Mund të themi se këta dy poetë dallohen përnga një spektër pikëshikimesh të mbështetura mbi platforma të ndryshme, jo vetëm përnga substanca lirike, sidomos kur vjen fjala për ndërtimin dhe atmosferën e vargut, ngase edhe Fatmir Salihu përpiqet në njëfarë mënyre personale të sjellë eksterioritetin në interioritet dhe të ri/konstruktojë botën e jashtme, një botë që përkon me ndjesitë e tij.

Në përpjekjen për të gërshetuar këto dy pikëshikime, ai krijon një botë të veçantë përkufizimesh që ka të bëjë me njëfarë lloj përkufizimi ndaj shtypjes. Kjo botë e mbuluar me një qiell të paskajshëm është një botë në të cilën udhëkryqet janë të një valence me dy kahje të çuditshme të cilat i kujtojmë si: „simbole tragjike/ të ndarjeve”, por, njëherit duhet patur parasysh se „rrugët puqen// për të këmbyer përvojë/ e krijuar miqësi”. Poezia e Fatmir F. Salihut mund të kundrohet edhe si një „sqenë” e brendisë së një shtypjeje të brendshme, të vazhdueshme dhe presante, dhe, ndoshta për këtë, thot poeti, shkruhet që duke i ruajtur të gjitha në kujtesë, ndërsa „ndëshkimi/ i qëndrimit në vetmi” është diç e tmerrshme, donatore e kuptimeve të një thellësie të veçantë. Në poezinë e tij gjen vend edhe dashuria si një ndjenjë që më parë lind pyetje se sa sjell përmbushje, apo çështja e lirisë që kaplon përmasat e vëmëndjes së një shprehjeje vendimtare lidhur me mënyrën mendimtare të poetit që e quan mashtrimin e xhokerëve apo „patriotizëm deklarativ”.

Në lirikën e tij gjen vend koha, miqësia si një ndjenjë „me peshë”, ngase „më i rëndë është Gjëmimi i Vëllaut/ se sa forca e kamxhikut”). Fatmir Salihu shkruan për dashurinë ndaj jetës dhe „dhembjet e mallkuara të shkatërrimit”. Shkruan në një stil pa „lulëzime” të kurdisura, por të cilit nuk i mungon metafora, duke arritur të nxjerrë nga shtjella e fjalëve fjalë që të befasojnë, shprehje të mahnitshme („jam një ëndërr kur shoh Parajsën e tmerrit/ dhe kënaqësinë e Ferrit”, „pranvera/ luan me orën e nxitjes së mashtrimit”). „Poezia nuk vret” thot poeti, duke e konsideruar atë si “shpërthim i lumturisë”, lumturi të cilën e mban natë për natë në zemër, njësoj si „vendlindjen dhe banorët e saj”. Autori nuk e kërkon me këmbëngulje simbolin, edhepse nganjëherë shprehja e tij të shpie drejt një hermetizmi të zbukuruar me velin e mistershëm të qartësisë. Pa marrë parasysh faktin se shkruan pak, konkludon autori i parathënies, poezitë e përfshira në vëllimin Drita e fjalëve, e ngrejnë Fatmir F. Salihun në rangun e një autori që ka resurse për t’u bërë një zë intersant i lirikës së sotme shqiptare. 

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?