Faqe kryesore arrow Letersia arrow Poezi nga Dalan Luzaj
Poezi nga Dalan Luzaj PDF Print E-mail
08 Janar 2009
Ditë të mirë, paç Mëmëdhe!

Ditë të mirë paç Mëmëdhe!
Gjaku yt kënd më kënd shpërndarë.
Sa më larg aq më pranë na ke
Gjithësesi të urojmë për mbarë!
Natën e mirë, paç Mëmëdhe!
Si u errën bijtë e vuajtur, bijtë e tu aty?
Për shpërblim jepu dy pashë dhè,
Për gjithë ç’vuajtën, ndizu një qiri!

Velat e bardha

Velat e bardha mbi liqen,
Si luleshqerrat e livadhit të vendit tim.
Tej horizonti i fsheh
Për të çelur buzë…
Çhikagos në Perëndim
Karaburun e Sazan ka përballë!
Përgjaket dielli supeve shkëmbore.
Syri pikon bëhet mall.
Malli rritet e bëhet Vlorë.

Motra

Motra ka krah’e të vjen.
Motra pas nënës bëhet nënë.
Motra ka zemër e të ndjen.
Motra brenda shpirtit të gjen!

Në Vlorë

Në Vlorë!-tha Ismaili, I pari vet çau në këmbë.
Shtizë bëri krahun, flakë u bë në erë.
Qasi gurët e themelit, gurët më të rëndë.
Në gjunjë ra Isa, sy e zemër prerë.
Rilindi Shqiperia.  Brofi Mëmëdheu.
Mëhallat e Atdheut Kosovë e Camëri.
Sheshit të Flamurit sosi Skënderbeu.
Athdheun Ismail, ta besova ty!
Kanina djep, varr dhe lavdi.
Të gjallë e të vdekur bashkë çdo Nëntor.
Shtiza bën lart, qiellit kuq e zi.
Feston Shqipëria, kuq e zi nëVlorë.

Fshatarët

Bujkrobërit e mesjetës, Fshatarë.
Zgjedha u plagoste qafën çdo vit.
Të urtë fshatra, si ishuj mes detit shpërndarë.
Mallkimi i Zotit i shkonte çdo ditë.
Gomari dhe veglat e varrit.
Mbrëmjeve bymeheshin pranë hi-zjarrit.
Mesnatës binin në mallkim.
Fshatarin e njihte i pari rreziku.
Për bukën, fjala tutej.
Rëndë e turpëronte vetëm miku.
Bosh sofra, hapur dhé të futej.
Të munduarit, të harruarit, mbetur shkretë.
Të përbuzurit, të varfërit fshatarë.
Kolona vertebrore u qëndronte drejtë.
Fytyrën dielli dhe nderi ua kish larë.

ALI PASHA
 
Hëna nxinte, Pasha ndante.
Gjithë trishtimin me Alinë.
Pas tradhtia vehten  hante.
Vranë Pashanë, jo historinë.
Ra Janinës terr e nxinë,
Mjekër e thinjur larg udhëton.
Trupi ngeli pa Alinë.
Koka digjet, por s'perëndon.
Ngriti ngjoli dallgë e shkume,
Vec qytetin s'mund t'a zgjojë.
Erdhën nga larg, e vunë në gjumë.
Gjaku tij, dorë e huaj.
Shqipëri qindra vjet,
Ngjoli namin s'e përpiu,
Në cdo gjak që shqipen flet.
Gjallë ka qenë e është Aliu.
Ngjolit thellë në Janinë.
Ra e s'mbyti pabesinë.
Zbriti mal i Trebeshinës.
Për të lënë në fron Alinë.
Tepelena këmbë mali,
Qanë dhe sot me lotë të nxehtë.
Ali Pashë o Ali djali.
Prerë Vjosa shkon në det.
Dolli dielli  nga Dhembeli.
Ere e ftohtë, ra  e fshiu.
Ali Pasha gjallë ngeli.
Jo mor jo s’vdes kurre Aliu!
 
Me ditë e netë pres

Më rren mesnata e pabesë.
Besnike mike aq e rrallë.
Në paça jetë një shekull pres.
Ndaj nisma shpresën të bëj gjallë.
A thua ndihemi me mend?
Apo më ndien kur më ke pranë?
Thellë shpirtit është një vend,
Kur zemra zemrën ngrohtë e mban.
Ngatërroj me kohë ç’kaloi,
I marrë marrosa dikë tjetër.
Të mori malli e të çoi,
Mbi blunë e detit aq të vjetër.
Me ditë e netë pres mbi shkëmb.
Pulebërdha tej në klithmën blu.
Mbi krah malli aq i rëndë.
Pa krah veç klithma sos këtu.

Po vjen

Po vjen tha syri
Brofi zemra për të dalë,
Malli djeg si qiriri.
S’mësoi malli asnjë fjalë.
E madhërishme bëre ballë.
Për rreth shpërtheu kaq shkëlqim.
Ky vezullim nga ç’diell ka dalë?
Nga sytë e saj gjithë ky burim?
U qesh pak, sytë më tepër.
E rrok…me zemrën që ta njohë.
U shkund mbi ne gjithë qielli vjetër.
Brenda saj, asgjë më s’shoh.

Atë natë

Atë natë mike u marrose.
Edhe hëna u dogj me ne.
Duke tretur mbeti hark kose.
Hyr e dil, mbi ulli, mbi ne.
Atje nga zjarri ende s’ka mbir’bar.
Ullinjtë mpleksur bërë rrjetë.
Hënë e qielltë mbushur është me re.
Për t’u zbrazur në të dy na prêt.

Preu flokët gjimnazistja

Kur preu floket një degë e fshehu.
Sa mbi vetull aq mbi sy.
Qyeteti sytë mbi ta i shkrehu.
Sa zemra fshehur rrinë aty.
Kur preu flokët u zhveshën pyjet.
Skaj globi çeli një rrafshnaltë,
Sa lart, mbi hënë një grusht me yje.
I ndrine asaj mbi ball të artë.
Kur preu flokët ndriti qielli,
Shkëlqen ajo dhe në mesnatë.
Dy shtiza në mes nisi nga qielli.
Ylber do thurrte për dhuratë.

Dy zemra

Do të fluturoj, the, drejt meje.
Mbi det, lum, me krah si zog.
Shpinës vitet do t’mi ndjeje,
Si ortek do binin në tokë.
Casti I rralle sa do zgjasi?
Ç’të zbres të ndihesh më lirë.
Të nxjerr zemrën jashtë që t’ju flasi?
Se ndoshta gjuha s’flet aq mirë?
Kudo e bardhë, kudo e ngrohtë.
Qerpiku i njomur, për c’na prêt?
Nje mall dy zemra bërë tok,
Mbi ne një pulëbardhë kërkon det!






Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-01-15 00:49:41
Poezit tuaja jane te bukura,Nuk me ngelet vecse te uroje suksese,sepse fusha e poezise eshte pa fund dhe sa me shume qe ta levroshe ate,me shume zbulone thesaret e medha te saj. 
 
Te uroje eshe nje here susese. 
Andi,from New York,USA.

Koment nga GUEST më 2009-06-05 13:58:56
Pergezime e urime nga Jorgo S. TELO, i nderuar poet dhe bir i denje e te madhit DIJETAR, profesorit Isuf LUZAJ! 
sSapo lexova keto poezi me shperthime te fuqishme ndjenjesore , ku malli per medhedhene eshte ndjesia paresore. Poezite pershfaqin individualitet poetik, ku rrjedhin natyrshem emocionet tuaja, mendimet, te pasuruara keto me figura stilistike te kendshme, por qe kuptohet lehte spontaniteti e bukuria e tyre. Uroj te mos e nderpresesh punen me poezine, te mos e klesh rehat penen ne kete fushe, per t'u lene brezave sa me teper vjersha te cmuara si keto. Ju pershendes nga Gjirokastra!

Koment nga GUEST më 2010-04-22 00:59:34
Pershendetje zoti Luzaj.Per here te pare kam lexuar poezite e juaja dhe kam mbetur e afashinuar.Me kane prekur shume poezite qe lexova tek fjala e lire;Nenat e Kosoves, Kasollja e shpirtit dhe te gjitha poezite e tjera! Poezi aq te ndjera dhe aq prekese, sa me kane emocionuar shume.Ju keni dalur fitimtar mbas asaj lufte te gjate klasash, qe shkaterruan klasen inteligjente, qe e shihnin si rrezikshmeri.Jam e gezuar qe mbas gjithe ketyre peripecish jetesore, me ne fund keni gjetur jeten qe ju hoqen padrejtesisht.Urime dhe suksese te metejshme! Me respekt nje moter shqiptare nga Italia! Adelina!

Koment nga GUEST më 2010-09-18 22:00:18
Pershendetje Dalan ! 
Me mrekullove me lirizmin tend. Urime. Zoti ka punuar me merak qe me talentin e babait tuaj dhe me ju nuk kishte si ndodhte ndryshe. Roland Beqiraj Korce


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?