Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Gjuhesi arrow Ëndërrimtari që kishte një dashuri të hatashme ndaj gjuhës shqipe
Ëndërrimtari që kishte një dashuri të hatashme ndaj gjuhës shqipe PDF Print E-mail
21 Janar 2009

Baki Ymeri (Bukuresht)


Bukuresht, 15 janar 2009. Gjeniu i poezisë rumune mbetet sot e kësaj dite një yll i pashuar, një mendimtar i thellë, një mjeshtër i rrallë i fjalës artistike. Jetoi 39 vjet dhe u shua një vit pas shuarjes së Elena Gjikës (1889). Kushdo që lexon veprën e tij, krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një përgjegjësi e jashtëzakonshme që vjen nga brendia e qenjes njerëzore. Sipas Vehbi Balës, Eminesku ishte “një dallëndyshe që hyn nga një dritare dhe del nga tjetra: aq qe kalimi i tij i rrufeshëm, që do të qëndrojë në përjetësi pasi ylli është shuar”.. Fjala e tij është bërthamë e përjetësisë, katalizator i energjisë humane, momenti, evenimenti dhe sentimenti. Qindra manifestime emocionuese mbahen për çdo vjet me rastin e lindjes së tij (15 janar 1850), nëpër shkolla, qendra kulturore, klube letrare, anembanë vendit, gjatë këtij viti edhe në shtëpinë e tij, në Botoshan.

Disa autorë shqiptarë (V. Bala, R. Qosja, R. Ismajli, A. Plasari, L. Topciu, Elida Petoshati, Mirlinda Krifca, kanë shkruar me admirim mbi ndikimin që ka ushtruar Eminesku ndaj krijimtarisë lirike të Asdrenit dhe Lasgush Poradecit. Kur kanë shkruar për poetin më të madh rumun, jo vetëm shqiptarët, e kanë prekur edhe prejardhjen etnike të tij, disa duke hedhur tezën gjoja se paska qenë me prejardhje turke, do tjerë me prejardhje persane, gjermane, hebraike, polake, serbe, armene, bullgare, suedeze apo shqiptare, por asnjëri pa prurë argumente bindëse në këtë drejtim. Foqion Miçaçio që mbante korrespondencë me dr. Latif Berishën, autor i monografisë Folclor albanez, theksonte se “Emineskun e karakterizonte një sinqeritet dhe ndershmëri e jashtëzakonshëm, se ishte temperament i zjarrtë që ka shprehur ndjenja të zjarrta ndaj shqiptarëve dhe integritetit tokësor të Shqipërisë”. I këtillë, sipas Nik Pemës (ishdiplomat shqiptar) ishte edhe nipi i tij: Viktor Eminesku: “shqiptar me tërë kokën, temperament vullkanik”. Asdreni e admironte Emineskun për simpatinë e shquar që kishte ai për shqiptarët.
Eminesku ishte një stuhi e padukshme. Jon Sllaviçi kur e sheh në Vjenë, në bazë të fizionomisë, në bazë të tipareve të fytyrës, i duket si “albanezul nostru” (shqiptari ynë). Ioana Atanasov, profesoreshë e rumanishtes në Universitetin e Shkupit, thekson se “Eminesku kishte një dashuri të hatashme ndaj gjuhës shqipe”. Kritiku i madh letrar, Gheorghe Calinescu, përmend faktin se Eminesku e fliste edhe gjuhën shqipe, ndërsa Lazim Rexhepi (1920-1983), mërgimtar shqiptar që banonte në Piatra Neamc të Moldovës, autor i dorëshkrimit Romani i ditëve të mia, kishte dëgjuar se stërgjyshi i Emineskut kishte qenë shqiptar me prejardhje dibrane. Ion Roşu boton një monografi mbi prejardhjen e poetit: Legjenda dhe të vërteta në biografinë e M. Emineskut (Cartea Romaneasca, Bukuresht, 1989). Sa i përket prejardhjes shqiptare, sipas akad. Rexhep Ismajlit, “në këtë mit arrin të marrë pjesë edhe Mitrush Kuteli ynë, i cili lansoi hipotezën mbi origjinën shqiptare të poetit rumun. Sot, natyrisht, mbisundon mendimi se Eminesku ishte nga një familje rumune, e cila mund të kishte përzjerje të ndryshme gjaku më përpara, nëse këto gjëra kanë ndonjë rëndësi”. Eqerem Petoshati (ishdiplomat i Shqipërisë në Bukuresht), pohonte se Eminesku edhepse posedonte temperament shqiptar, konsiderohet si vlera më hyjnore e Rumanisë, të cilën askush nuk ka të drejtë ta përvetsojë”. Më kot mundohen serbët ta përvetësojnë poetin më të madh rumun, derisa s’u kanë dhënë rumunëve të Timokut kurrfarë të drejtash shkollare e fetare, e të mos bëjmë fjalë për pavarësi apo autonomi kulturore.
 
“Mua ma mer mendja se gjuha më fleksibile në botë është gjuha shqipe”


     Poezia e Emineskut është e shenjtë dhe e bukur, e vështirë për shqipërim si pasojë e rimës, por po qe se e lexon në original, ajo sjell harmoni në jetën tënde. Sipas Nasi Lerës, “ajo është një poezi zemre të sinqertë që personifikon shpirtin e popullit të tij”. Përkthyesit më të njohur të Emineskut në gjuhën shqipe janë Gj. Bubani, L. Poradeci, M. Kuteli, I. Kadare, V. Bala, R. Ismajli, D. Bubani, A. Plasari, P. Jorgoni, L. Topçiu, K. Kyçyku. Në Tiranë janë mbajtur disa mbrëmje poetike kushtuar këtij poeti të famshëm. Duke shfletuar Simfoninë veneciane të autorit Oktav Minar, zonja Ekaterina Oprea nga  Brëila e Naum Veqilharxhit, u befasua kur kuptoi të vërtetën se mbreti i poezisë rumune ka patur një admirim të hatashëm ndaj gjuhës shqipe. Romani i Oktav Minarit, faktikisht është Romani i një dashurie të madhe: Eminesku-Veronika. U shkrua në fillim të shek. të shkuar dhe u ribotua në Bukuresht, në vitin 1991. Mendimet e autorit të romanit të një dashurie të madhe, lidhur me admirimin e Emineskut ndaj Veronikës dhe respektin e tij ndaj gjuhë shqipe, të shtynë të mendosh se gjenialiteti i tij shkon deri në zemrën gjeografike të shqiptarizmit:

“E tërë bota kaloi në sallon për të drekuar. Pas dreke, sipas zakonit të shtëpisë, meqë ishte verë, ëmbëlsirat dhe kafetë servoheshin në sallon, ku fillonin bisedat mbi artin dhe letërsinë. Eminesku me disponim të mirë, i kundërshtonte të gjithë. Negruzi dhe Gane-ja ia krisën një diskutimi filologjik. Ata kërkonin të fiksojnë sipas do normash, cila është gjuha më e bukur dhe më tërheqëse në botë. Gane mendonte se ky nderim i përket gjuhës frenge, e cila i ka përvetësuar përmes letërsisë sallonet e intelektualitetit universal, duke qenë e zgjedhur si gjuhë diplomatike.. Negruzi, përkundrazi, theksonte se frëngjishtja është një gjuhë sallonesh, por gjermanishtja më mirë mund ta gatuajë një mendim filozofik. Majoresku, duke u përzjerë në diskutim, mundohej t’i rregullojë, punët sipas vendit të vet, si gjithmonë, duke treguar se në çka qëndron hijeshia dhe superioriteti i një gjuhe nga pikëshikimi filologjik dhe estetik. I papërmbajtur, Eminesku çohet nga skaji i sallonit ku rrinte i tërhequr, afrohet te miqtë dhe u thot:

- Unë mendoj se gjuha më fleksibile në botë, mund të jetë gjuha shqipe. Një qeshje e përgjithshme e shoqëroi qëndrimin e Emineskut, çfdonjëri duke menduar se ai bën shaka. Por, poeti gjithnjë e më i përflakur, filloi t’u demonstrojë të gjithëve superioritetin, duke recituar pa ndërprerje, vargje popullore nga gjuha shqipe. Bashkëtryezarët u zbavitën madhërisht me argumentet e Emineskut, sidomos zonjat e përgëzuan, duke i përqafuar bindjet dhe duke e detyruar kështu, të vazhdojë më tej, ngase pat krijuar një kënaqësi dhe këndellje, shumë të dashur.” (Octav Minar, Simfonie veneţiană, roman, Editura PLOSCAU, Bukuresht, 1991, fq. 54-55).

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive