Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow RIHAPET SHKOLLA SHQIPE E LYNN-IT, MASS
RIHAPET SHKOLLA SHQIPE E LYNN-IT, MASS PDF Print E-mail
28 Janar 2009
Nga ROZI THEOHARI - Boston

             Dëshira për te shkruar gjuhën shqipe, në qytetin e Lynn-it daton qysh para 100 vjetësh, kur  emigrantët e parë shqiptarë, punëtorët nëper fabrikat e lëkurëve dhe të këpucëve të Lynn-it mësonin  në grupe të vogla njeri-tjetrin të shkruanin e të lexonin në gjuhën shqipe. Fakte këto që janë përmendur edhe në muzeumet e qytetit. Këta burra e djem, kur vinin të dielave në kishë dhe e  informonin Fan Nolin për ç’ka kishin arritur, prifti shqiptar, i mallëngjyer, i përgëzonte e i uronte.
       Sot kjo traditë vazhdon me hapjen e shkollave shqipe të rregullta, me mësues profesionistë, me programe e libra të nevojshem. Shkolla e parë shqipe e Lynn-it u hap kryesisht për fëmijët kosovarë e funksionoi vetëm për vitin 2006-2007, me mësuesin e nderuar kosovar Afrim Hoxha. Më 10 janar 2009 u zhvillua ceremonia e rihapjes së shkollës së gjuhës shqipe në Lynn. Është hera e dytë që familjet shqiptare kosovare festojnë hapjen e shkollës shqipe në qytetin e Lynn-it, Mass. Në vitin 1999 erdhën si refugjatë 100 familje shqiptare nga Kosova e pasluftës dhe u vendosën në Boston e në rrethinat e tij. Qyteti i Lynn-it priti me bujari shumicën e refugjatëve. Komuniteti amerikan i strehoi, i punësoi, u shëroi plagët e trupit e të shpirtit e, së fundi, u krijoi kushtet të hapnin një shkollë shqipe për fëmijët e tyre. Festa e shkollës mblodhi shumë prindër, nxënës e të ftuar në një nga mjediset e Qendrës Kulturore të Lynn-it, ndërtesa ku pikërisht ndodhen edhe klasat për mësimdhënien e gjuhës shqipe. Salla ishte zbukuruar me flamurët shqiptar, kosovar e amerikan dhe me vizatimet e fëmijëve. Shumica e nxënësve janë nga familjet shqiptare kosovare, por shkolla do të përfshijë edhe fëmijët e familjeve të tjera emigrante nga të gjitha trojet shqiptare. Koordinatori i shkollës z Besim Demaku po interesohet për pjesëmarrjen në shkollë të të gjithë fëmijëve shqiptarë të qyteteve përreth Bostonit, që nga Çelsea, East Bostoni, Somerville, Pibadi, Lynni, deri nga shteti i Nju-Emshrit. Besimi thotë:  “  Ne shqiptarët e Kosovës jemi të bashkuar dhe kemi qenë gjithnjë pranë njeri-tjetrit, sepse kemi vuajtur nga pushtuesit e huaj. Kjo traditë na shoqëron kudo që të ndodhemi, edhe këtu në diasporë.  E ardhmja do ta provojë!”
  Te pranishmit i përshëndeti  z Agim Sejdiu, kryetari i Shoqatës së shqiptarëve kosovarë.               Përshëndetje të veçanta dhe përgëzime ai u drejtoi edhe nxënësve të shkollës shqipe….”Ne sot ndjehemi të gëzuar e krenarë që arritëm të rihapim shkollën shqipe të Lynn-it,- tha ai.- Rihapja e shkollës shqipe u arrit falë interesimit dhe kontributit tuaj, motra e vëllezër, falë angazhimit të bashkëkombasve tanë, njerëzve atdhetarë  të kombit tonë….Themelimi i Shoqatës sonë të shqiptarëve kosovarë po na mundëson që të jemi të organizuar për çdo rast e veprimtari me  karakter kombëtar, humanitar, arsimor, kulturor e sportiv. Do te veçoja këtu rolin e bashkëpunimit  me shkollën shqipe të Bostonit, me ish drejtoreshën z Roza Mia, si dhe interesimin e Konsullit të Nderit z Stefan Koçi, ndihmës së pakursyer te  bashkëkryetares së shoqatës BESA , z Albana  Orgocka dhe të anëtarit të bordit drejtues  të kësaj shoqate z Fatmir Bejo.” Më tej z Sejdiu falënderoi të ftuarit e kësaj mbledhjeje z. Stefan Koçi, z Fatmir Bejo, si dhe drejtoreshën e re të shkollës së  gjuhës dhe trashëgimisë shqiptare “Besa” të Bostonit, z Myzejen Ormenaj, që nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Kryetari falënderoi gjithashtu komisionin e shkollës shqipe të Lynn-it nën drejtimin e z Besim Demaku, falënderoi dhe vlerësoi gatishmërinë dhe vullnetin e mësuesit kosovar  Ramadan Çalaj për të punuar me pasion e për t’u mësuar fëmijëve tanë alfabetin, shkrimin e leximin e gjuhës së ëmbël shqipe. Falënderime iu drejtuan edhe z Adnan Lubçeviç, i cili ndihmoi për  sigurimin e lokalit për klasat e mësimdhënies. Z Sejdiu përfundoi: “ Mbi të gjithë, duhet t’ju falënderojmë ju, motra e vëllezër, prindër të dashur, të gatshëm për të financuar e investuar për të  ardhmen e fëmijëve tuaj…Nxënës të dashur! Ju jeni ardhmëria e kombit tone, ndaj ne, sot, ju japim një porosi juve të gjithëve: ju duhet ta dini dhe ta mbani mend mirë se tani Kosova jonë është e lirë—është shtet i pavarur dhe demokratik…Kosova ka nevojë për ju, fëmijë të dashur…Ju, me dijet  tuaja që do të fitoni në shtetin mik dhe demokratik të Amerikës, t’i ktheheni Kosovës e ta ndihmoni  atë në zhvillimin e përparimin e mëtutjeshëm…Dhe porosia jonë është: KUDO QË TË SHKONI, GJUHËN SHQIPE DHE KOSOVËN KURRË MOS E HARRONI!”
       Afrohem tek një grup grash kosovare. Hidajete Sejdiu thotë: “I kam fëmijët te rritur. Këtu, në këtë takim kam ardhur vetëm për të përshëndetur rihapjen e shkollës sonë”. Nusja e re Vlora  Sejdiu, me nje fytyrë të qeshur, tregon se do të sjellë katër fëmijët e saj në shkollën shqipe të Lynn-it. “Jam shumë e lumtur që u rihap shkolla!”- thotë ajo. Zonja Hysnie Kadriu thotë se nuk ka  fëmijë për këtë shkollë, por ka ardhur nga gëzimi në këtë ditë feste, një ditë e paharrueshme për të gjithë.
      Mbrëmja festive vazhdoi me urime e dolli, me muzikë e vallezime nga vajzat kosovare. Sa herë jam ndodhur në festat e hapjes së shkollave shqipe, kam provuar një mbindjeshmëri kur u kam  kërkuar nxënësve të shkruajnë emrin e tyre në një fletë fletoreje. Këtë zakon e kam huajtur nga Fan Noli. Ai mblidhte emërshkrimet e fëmijëve. Ja disa prej firmave të tyre: Albin Asani, Dijana  Asani, Blenda Hoxha, Blendon Hoxha, Blertushe Xhemajli, Nuhi Xhemajli, Arlind Shehu, Gresa Sejdiu, Benit Sejdiu, Besa Sejdiu, Blinere Demaku, Melisa Demaku, Betim Sejdiu…Pastaj vogëlushi kosovar  Betim Sejdiu recitoi vjershën “Gjuha jonë”, pasuar nga vajza e vogël Minera Demaku, e cila recitoi  vjershën e abetares: /Are, are, abetare/ Në çdo faqe një dritare/ Po më çel ti për çdo ditë/ E më jep gëzim e dritë/…
   Drejtoresha e shkollës shqipe “Besa” të Bostonit z Myzejen Ormenaj duartrokiti fëmijët e përshëndeti me emocion: “Është  kënaqësi e lumturi që ndodhem mes jush, te dashur prindër e  fëmijë. Fëmijët shqiptarë kudo, në Boston e në rrethinat e tij, do ta ndiejnë veten më të gëzuar, se do të ketë më shumë nxënës që do të mësojnë gjuhën shqipe, se do të ketë më shumë pena në  gishtat e vogla të fëmijëve shqiptarë, të shkruajnë gjuhën e bukur shqipe! Jam e nderuar që, në emër të shkollës shqipe të Bostonit, t’ju përshëndes sonte të gjithë…Ne do t’ju ndihmojmë me të gjitha mjetet, sepse bëhet fjalë për një gjuhë, për një komb.”
    Mësuesi i ri z Ramadan Çalaj, një mesoburrë veshur me sqimë, serioz dhe i  sjellshëm, ndihet i prekur, por e përmban emocionin. “Kam qenë mësues i gjuhës shqipe në shkollat e Kosovës, -thotë  ai,- dhe filloj sërish të jap gjuhën shqipe këtu, në një vend të huaj… Detyra jonë parësore është t’u mësojmë fëmijëve gjuhën tonë të gjyshërve, sepse e ardhmja e tyre lidhet me ruajtjen e gjuhës dhe traditave familjare që kemi patur në vendlindje. Kështu do të ndihemi sikur jemi në atdheun tonë… Ndiej kënaqësi që po i hyj punës së mësimdhënies përsëri. Ndiej kënaqësi të punoj përsëri me nxënësit e mi,.. Sigurisht që ka edhe vështirësi. Gjithsesi, më qetëson bashkëpunimi me  shkollën shqipe të Bostonit. Ata janë më të avancuar, kanë krijuar tashmë një përvojë  të mirë. Ne do të bashkëpunojmë me shoqatën BESA dhe shkollën e Bostonit…Ne po marrim mbi supe një  barrë të rëndë. Secili prej nesh duhet ta mbajë atë barrë, është detyrë patriotike.” Pastaj z Çalaj pohoi se fëmijët nuk kanë të njëjtin nivel. Në ato familje ku flitet shqip, nxënësit janë më të përgatitur dhe e përvetësojnë më mirë mësimin, për të folur e për të shkruar.  Sidoqoftë,  çdo gjë  do të nisë që nga fillimi, duke bërë seleksionimin e nxënësve për t’i ndarë në klasat përkatëse. Ata që janë më të mirët, do të tubohen në një klasë të veçantë, në grupin e dytë, dhe do të studiojnë  me librin “Gjuha shqipe”, i cili përmbledh edhe librin e leximit. Ndërsa në grupin e parë do të regjistrohen fillestarët, të cilët do të nisin me librin e abetares. Mësuesi përfundon: …” Dëshiroj ta  mbaj gjallë gjuhën shqipe, megjithese jemi larg me Kosovën.”
      Përshëndetjen e tij, z Stefan Koçi, Konsulli i Nderit në Massaçusetts, e hapi me fjalën “Urime!” Ai vazhdoi: “Është kënaqësi të shohësh aktivitetet e shumta që kryen Shoqata e shqiptarëve të Kosovës…Rihapja e shkollës kalon mes vështirësish, por e rëndësishme është se si kalohen ato.. Ato do t’i kalojmë të gjithë së bashku. Do të punojmë të gjithë. Gjërat e mëdha arrihen duke punuar  së toku. Urime edhe juve prindërve, që, si fëmijët edhe ju ndjeheni të emocionuar sot.”   Më tej z Stefan përmendi një detaj: Fëmijët i tërheq anglishtja në shkollë, ndaj duhen përpjekje, durim  e kohë nga ana e familjarëve për vemendjen që u duhet kushtuar fëmijëve. “Ne presim që ky brez nxënësish,- vijoi ai,-  kur të rriten, jo vetëm ta dinë gjuhën shqipe, por ta mesojnë atë më mirë e ta  përvetësojnë shkencërisht, duke marrë kulturë edhe nga librat shqip. Kështu ata do të bëhen  ndihmës aktivë për atdheun e prindërve të tyre. Urime shoqatës e mirupafshim në festimin e përvjetorit të parë të pavaresisë së Kosoves në muajin shkurt.”
            Në përshëndetjen e tij z Fatmir Bejo tha se shoqata BESA ka bashkëpunuar me Shoqatën e shqiptarëve kosovare në shumë aktivitete e tash po interesohet edhe per rihapjen e shkollës. Ai vazhdoi:  “Është një gëzim i madh per ne të gjithë rihapja e shkollës së Lynn-it, pas gjithë atyre perpjekjeve e planeve që kemi hartuar së toku... Është gëzimi juaj dhe gëzimi ynë. Është puna juaj  dhe puna jonë. Dhe kështu të vazhdojë! Mbështetja e shoqatës BESA do të jetë në të gjitha drejtimet. Do t’ju furnizojmë me libra, programe e mjete mësimore. Detyra juaj si prindër është që t’i sillni fëmijët në shkollë vazhdimisht. Duke mësuar të gjithë së bashku fëmijët do të njihen më mirë me njeri-tjetrin e do ta ndiejnë veten si në një familje të madhe. Nesër, kur të rriten, do të krijojnë së bashku një skuadër futbolli,n jë grup muzikor ose valltar etj. Grupi i valltarëve “Bashkimi” i Bostonit ka në plan te punojë me nxënësit e shkollave shqipe për t’u mësuar të vegjëlve vallet e bukura shqiptare”.  Më tej z Fatmir tha se shoqata BESA do t’u siguronte librat e shkollës , të cilat  vijnë nga Shqipëria. Ai përmendi një “zakon” të ri të shkollës shqipe të Bostonit:  nxënësit shqiptarë i ruajnë e i mbajnë pastër librat, e, kur nuk i përdorin më, i kthejnë prapë në shkollë për nxënësit  që fillojnë sërish klasën. Ai nënvizoi se shkolla shqipe nuk u sherben vetëm nxënësve, por edhe prindërve. Ata njohin më mirë njeri-tjetrin dhe mund të ndihmojnë prindërit e rinj, të posaardhur, për  të gjetur punë, shtëpi etj. Z Fatmir përfundoi: “ Ajo që na bashkon këtu, është gjuha jonë dhe e kaluara. Koha me kohën ndërron, kurse gjuha mbetet përjetë dhe ajo do të na bashkojë të gjithë.”
      Mbas shume shekujsh bashkë e më pas të ndarë, u bashkuam përsëri këtu në Amerikë e kudo në diasporë shqiptarët e të gjitha trojeve, duke ruajtur identitetin kombëtar.
                Le të rrojë gjuha shqipe dhe shqiptaria sa të ketën jerëz mbi tokë!
   

Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-01-31 22:01:08
Ta gezojme diten e bukur te shkolles ne Amerike e kudo neper bote. Se para vitit 1990 as qe mund ta mendonte njeri te shkonte neper bote, sepse xhelatet qe quhen socialiste sot do te ta kishin bere gropen, ose do te kishin zhdukur fare. Ata shtremberuan edhe historine e kombit. Edhe dosiet prandaj nuk duan qe te hapen se ajo eshte vertete fundi i zi i gjithe atyre qe kane lyer duart me gjakun e vellezerve te tyre. Mallkuar qofte fara socialkomunizmit qe ka marre ne qafe mijera dijetare dhe biznesmene nga malarja komuniste.

Koment nga GUEST më 2009-02-04 18:30:27
Krejt mir ne rregull u hap shkolla por edhe keta dy fmi jan ne ket shkoll por emrat e ktyne kerkun nuk po lexohen, ZIJADIN LATIFI, ELMEDIN LATIFI, faleminderit..

Koment nga GUEST më 2009-03-04 18:54:05
ARMATA KOMBETARE SHQIPTARE  
Nderi kombit SHqiptar. 
Luftetaret e AKSH atdhedashesit me te medhenj. 
 

Koment nga GUEST më 2009-03-11 23:45:57
Përshëndetje të gjithëve, veçanërisht organizatorin- kryetarin e shoqërisë " BESA" zotin Agim Sediun i cili edhe në Kosovë ka qenë orgonizator i aktiviteteve me karakter kobmbtar. Uroj që nga kjo shkollë të dalë edhe ndonjë nobelist si Ferid Murati. 
familja Ilazi nga Sojeva me kryefamiljarin  
Hajredinin

Koment nga GUEST më 2009-04-11 13:43:36
Shumë keni shkruar këtu për të treguar shumë pak. Në Evropë janë çelur me mijëra shkolla shqipe dhe nuk kemi bërë kaq zhurmë sa shihet këtu. Po sa ka shkolla shqipe në Amerikë? Po sa shqiptarë jetojnë atje' 
Me mijëra të rinj e të reja që jetojnë në Amerikë sot nuk dinë fare shkrim e lexim. Ka shumë mundësi të bëhet se është bërë tepër vonë. Po ju mësues që jetoni atje faji juve do tu ngelet për atë çfarë po ndodh me të emigruarit tanë. Që ta mësojmë gjuhën tonë nuk është ndonjë krenari por është borxh. Ajo duhet të inicohet gati në të gjitha ato vendet ku jetojnë shqiptarët e sidomos në Amerikë. 
Punë të mbarë e mos e rrisni mëndjen se bëtë kaq që hapët një shkollë me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Thoni edhe të tjerëve që ta bëjnë një gjë të till. Vazhdoni e punoni pa u ndalur në këtë çështje madhore. Mësoni fëmijët tuaj shqip se toka do tiu nëm nëse se bëni. 
Urime për shkollën e RIHAPUR! Por mbane gjithnjë të hapur!

Koment nga GUEST më 2009-04-11 13:43:43
Përshëndes RIHAPJEN e shkollës e mësim plotësues në gjuhën shqipe.


International
English
Faqe interaktive