Faqe kryesore arrow Shkencë arrow Të prekësh Hënën!
Të prekësh Hënën! PDF Print E-mail
28 Janar 2009
Nga Këze (Kozeta) Zylo

             Kishim kohë që mendonim për ditën e Vitit të Ri ndryshe, pak larg traditës, vallëzimit, përgatitjeve të ushqimeve të shijshme, fantazisë për veshjen e mbrëmjes, etj…

Ky mendim pak tjetër për këtë vit, më tundonte shpesh për fillimin e ditës së re të Vitit 2009,  por jo në momentin e ndërrimit të moteve.

Dielli i zjarrtë i Floridës, gjethet e gjelbra të pemëve që fëshfërisnin si serenatë në flladin e mbrëmjeve, qetësia blu e Oqeanit, të jepnin një ndjesi krejt ndryshe, herë-herë të çuditshme, krahasuar me netët e ftohta të dimrit në New York , apo kudo ku kam jetuar.

Rrezet përvëluese të diellit të puthnin trupin që në mëngjes, ndërsa stërkalat e dallgëve të lehta freskonin mjedisin në një harmoni të plotë me natyrën paksa të nxehtë.

Këto çaste të magjishme t’i sjell pranë një vend i bekuar që në të njëjtën kohë mund t’i gëzosh të gjitha stinët.

Pikërisht kjo stinë e ngrohtë më intrigonte më shumë për ta pritur këtë Vit, me diell, me cicërrima zogjsh të shumëllojshëm nëpër degë pemësh, me pulëbardha që rrahin krahët të gëzuara buzë oqeanit, ndërsa perdet e mëndafshta të dhomës të duken sikur vallëzonin nën ritmin e flladit pranveror apo veror, nuk di c’stinë t’i vë, pasi aty i ndjeje këto të dyja njëherazi…

Pranë plazhit “Daytona Beach”, Florida, ndodhet vendi gjithë mistere, vendi ku shkencëtarët, astronautët, njerëzit më të veçantë në botë, nisen me anije kozmike për të vizituar planete jashtëtokësore, në një botë të padukshme për ne të tjerët…që akoma s’e kemi prekur atë!

Kjo misteriozja, e çuditshmja, e paprekshmja më isnpironte që fillimin e Vitit 2009 ta kaloja atje…
në NASA, në “ Kenedy Space Center ”.

Që në hyrje të kësaj qendre dy astronautë dukeshin sikur përshëndesnin dhe na uronin mirëseardhjen, për ditën e Vitit të Ri që e kishim zgjedhur ta kalonim së bashku me ta, ndërsa anijet kozmike të vendosura në mjediset përjashta, të jepnin idenë sikur do të të përpinin dhe do të çonin në një botë tjetër, në botën që veçanërisht kur ke qenë fëmijë ke ëndërruar, ke pyetur sa herë mësuesit e astronomisë për misteret e planeteve të tjera, ndërsa sot të dukej sikur i prekje yjet, hënën, botën tjetër.

Aty do të hyje në portën e Qiellit, ku shkencëtarët kanë 50 vjet që eksplorojnë, ndërsa mua më endeshin në mendje qindra poetë, të cilët kanë shkruar vargje dashurie për hënën e cila ka qëndruar besnike në sekretet e puthjeve të tyre, për të dashurat që i kanë krahasuar me yjet…! Një prej poezive që kujtoja ishte: “Ti dhe Hëna”, shkruar nga shkrimtari shqiptar me famë botërore, Kadare.  Ja c’shkruan poeti:  “Kësaj nate me hënë të vjeshtës/ Dola fushës të bredh kuturu/ Retë shtyhen me vrap pa reshtur/ Hëna duket aty-këtu/ Porsi vetë mendimet e mia/ Po më shtyhen ndër mend më shpesh/ dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti/ si kjo hënë që duket mes resh.  Hëna shpejt do të zhduket dhe netët/ do të mbeten pa të kurse ti/ në ëndërrimet e mia pa jetë/ perëndim s'do të kesh kurrsesi”.

Një dridhje në trup do më kalonte kur shikoje dhe prekje teknologjinë që kishin prodhuar inxhinierët shkencëtarë për të çuar anijet kozmike në Hënë së bashku me astronautët.

Duke udhëtuar përreth Qendrës “Kenedy”, në ekrane shfaqeshin herë pas here shkencëtarë, shefa, drejtorë që spjegonin për punën titanike të 6500 të punësuarëve që punonin posaçërisht për këtë qendër shkencore madhështore.

Hapësira internacionale, anijet kozmike në Hënë shtriheshin para syve tanë, që mundoheshin të zhbironin cdo gjë brenda kësaj dite shumë të shkurtër me atë informacion aq të gjerë.

Nëpërmjet muzeumit, ekspozitave të ndryshme që ndodheshin aty, filmimeve të herëpashershme të jepnin mundësinë të shikoje se çfarë astronautët (superman) kishin bërë deri tani.  Aty ndjeje paksa nga afër se si astronautët jetonin atje në botën misterioze, që shumica absolute e popullsisë në botë, nuk e kanë prekur dhe shijuar akoma.

Brenda sallave me porta hermetike, jepeshin filmime të shkurtra rreth eksplorimit në hënë, ku rrënqethje dhe duartrokitje të fuqishme do të jepte kur në ekran u dha qëndresa e njeriut të parë në Hënë, në 20 Korik 1969, nga astronauti Neil Armstrong me anijen “Apollo 11”.

Sapo zbriti në Hënë, filloi të këndonte, e vetmja besnike zemre, që të inspiron për të mposhtur të pamposhturën, është një mike pa shpenzime, që nuk paguan billa, por që e shoqëron zemrën e njeriut gjithë jetën.

Njeriu i parë që shkeli në Hënë arriti që të fokusonte numrin më të madh të teleshikuesve në gjithe historinë e audiencës televizive. Amerika e arriti ate brenda dekades, 1960- 1970, ashtu sic e kishte parashikuar ish presidenti Kenedy, në një nga fjalimet e tij:         "I believe that this nation should commit itself to achieving the goal, before this decade is out, of landing a man on the Moon and returning him safely to the Earth."

Anija me emrin: “Apollo”, përsëri e përsëri më vinte në mendime, ndalesha përpara figurës së Apollos shfaqur gjigand në mur, dhe me miqtë bisedoja se: a do të arrihet një ditë që të vendosen dhe emra shqiptarësh në vendet më të vizituara në botë?

Ndoshta, ndoshta ka ardhur koha…, por kjo do të arrihet kur ne më së pari mos të kafshojmë veten tonë, njeri-tjetrin, atehere bota do të na çmojë dhe do të na vendosë në vendin ku e meritojnë ata: “Apollot” shqiptarë të Kombit tonë!


Bashkë me ne ecnin dhe një grup fëmijësh, të cilët kishin ndaluar dhe preknin një sferë gjigande me 9 ton granit, ndërsa uji që rridhte pa ndërprerje në sferë më jepte imazhin e këtyre vogëlusheve që do të jenë shkencetarët e ardhshëm, ndoshta do t’i japin jetë dhe gjallëri botes së padukshme një ditë, ashtu si uji që është një nga elementët jetësorë për njeriun dhe gjithësinë.

Duke vazhduar vizitën sytë papritur do të më ndaleshin në International Space, ku astronautet amerikanë dhe rusë i jepnin dorën njeri-tjetrit. Bukur të shikosh se si i japin doren njeri-tjetrit lart mbi ne, në hapësire, se në tokë herë jane bashkuar duartë dhe herë janë ndarë!

Shumë koleksione personale të astronauteve ishin ekspozuar, si veshjet e tyre tejet hermetike dhe pajisjet e nevojshme, kurse brenda anijes së parë kozmike, do të shikoje vendin ku uleshin ekuipazhi i anijes dhe gjithcka që ata kishin përdorur atje…në botën gjithë mistere…

Ciceroni shkencëtar fliste me një perkushtim për punën heroike të tyre, shkencën, hapësirën internacionale, ku shtetet më të fuqishme kanë vendet e tyre dhe marrin informacione për interesat e tyre përkatese.

Inxhinierët e NASA-s po punojnë intensivisht për projektin: “Constellation”, me qëllim që hapësira të shfrytëzohet nga njeriu.

Po kështu teleskopi ka sjellë dhe imazhin e parë për një planet jashtë sistemit tonë diellor.

Shkencëtari përmendte shpesh nevojën e domosdoshme të një buxheti, që me siguri do të realizojë planet afatgjata që Hëna të jetë një bazë për fluturimet e njeriut në Mars.

Ndërsa në një dhomë të veçantë ishin ekspozuar shtatë kozmonautët që bashkë me Anijen Kozmike amerikane: “Kolumbia” shpërtheu tragjikisht në ajër duke shkaktuar vdekjen e tyre.  Kjo anije kishte kryer një sërë eksperimentesh shkencore, por që fatkeqësisht të shtatë kozmonautët u dogjëen 15 minuta para, se të zbrisnin në qendrën “Kenedy”

Edhe pse vizitës tone po i afrohej fundi, kuriozitetet, informacionet shkencore nuk kishin të sosur, dhe ato nuk mund të kishin kurrsesi!

Ajo që më bëri më shumë të kishja një ndjesi të çuditshme, të rrallë në gjithë jetën time ishte shfaqja e objektit magjik ku shkruhej me gërma të florinjta si vetë ngjyra e Hënës: “Touch the Moon”!

U ndala pak si me ndrojtje, dhe me kujdes ose medyshje futa dorën brenda xhamave, për të prekur gurin e vogël që ishte sjellë nga Hëna!

Një drithërrimë rrënqethëse me përshkoi tërë trupin kur preka atë gur të vogël me formë afërsisht trekëndshi, të vendosur bukur në një vend të dukshëm të Qendrës “Kenedy”, në NASA.

E ripreka përsëri dhe së brendshmi një vrushkull ndjenjash më shpërthyen:

E preka Hënën në Ditën e Parë të Vitit të Ri, 2009!

Eshtë fat mendova ta prekësh atë gur sjellë nga hëna, të paktën kështu u ndjeva unë duke respektuar punën vetëmohuese shkencore të kozmonautëve dhe shkencëtarëve amerikanë në gjithë botën, nëse ata i shërbejnë vetëm për mirë njerëzimit!


Janar, 2009

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?