Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Histori e anashkalime
Histori e anashkalime PDF Print E-mail
12 Shkurt 2009
Astrit Lulushi

Në vitet 1930, ai njihej në mbarë Britaninë dhe shume njerëz në botë kishin dëgjuar për të. Emri i tij ishte Çarles Burgess Fry apo SiBi Fraj.; polimath, sportist, politikan, diplomat, akademik, shkrimtar, dhe për shumë, a për pak u bë mbret.
Kur ai ishte 21 vjec, mjaft i njohur si futbollist, revista Vanity Fair shkruante; “Ndonjehere atë e thërrasin SiBi, por kohët e fundit dikush ka propozuar që ai të quhet Çarls i tretë", pas Çarlsit të dytë, mbret i Anglisë 1630-1685.
Biografët e tij thonë se Çarls Fraj ishte gjithçka; autokrat, gjaknxehtë, egoist, prepotent, ekstravagant, zemërmirë, elegant, karizmatik e ndoshta  anglezi më i talentuar i të gjitha kohërave.

Ai lindi më 1872 në jug të Londrës, u arsimua në Oksford, luajti futboll, rugbi e kriket me skuadra të ndryshme britanike e të huaja, u mor me atletikë e mbajti për shume vite  rekorde botërore në gara vrapim  distancash të ndryshme. Në vitin 1934, Fraj vizitio Berlinin, u takua me Hitlerin, por nuk arriti të  bindte Ribentropin që Gjermania të popullarizonte lojën e kriketit nëse donte të provonte se raca gjermane ishte superiore
Rreth moshës 60 vjecare, atij i lindi idea per t’u bërë edhe aktor;  shkoi në Hollivood, luajti në disa filma në role dytësore, por pa sukses. Fraj vdiq më 1956 në moshën 84 vjecare. Në hyrje të shtëpisë ku ai lindi ne Croydon sot qëndron një pllakë përkujtimore, ndërsa qyteti i ka hapur një muze.
SiBi Fraj (C.B. Fry) është autor i mbi 10 librave, përfshi edhe Key-Book of the League of Nation, që ai e shkroi bazuar në përvjën e tij si diplomat. Në vitin 1920, Fraj ndodhej në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë si delegat i Indisë, atëherë koloni britanike.
Gjatë asaj periudhe ai  u njoh edhe me Fan Nolin, me të cilin zuri miqësi, pasi Noli ngjante shumë me G.W. Grace, lojtar i njohur kriketi me të cilin Fraj kishte qenë në një skuadër. Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Fraj mund të jetë njohur edhe me atdhetarë të tjerë shqiptarë që endeshin në atë kohë korridreve të Lidhjes së Kombeve apo nëpër kancelaritë evropiane në përpjekje për të siguruar ndihmë e mbështetje për shtetin shqiptar.
Pas dështimit të princ Vidit, atdhetarët shqiptarë nuk hoqën dorë nga idea e një mbreti dhe ishin vënë në kërkim të një princi tjetër për vendin e tyre. Shumëkush e shikonte këtë si mungesë vetësigurie të një kombi, por për të tjerët kjo përpjekje ishte një manovër diplomatike, për sigurimin e njohjes më të gjërë ndërkombëtarë të shtetit të ri shqiptar e për sigurimin e ndihmave të huaja ekonomike, por edhe për krijimin e një imazhi. Vendi kishte rreth 8 vjet që kishte shpallur pavarësinë, por nuk kishte njohur thuajse asnjë ditë të pavarur. Viti 1912 u pasua nga lufta ballkanike, grindjet, trazirat e brendëshme e pastaj lufta e parë botërore.
Kongresi i Lushnjes në janar 1920 sikur e drejtoi vendin drejt një periudhe, sado të shkurtër, qëndrueshmërie, ndërsa vendi tani udhëhiqej nga një regjencë prej 4 anëtarësh.  Vetë shprehja “regjencë”, sikur lintë të kuptohej se vendi ishte i hapur a në pritje për një mbret a princ si ai i vitit 1914 ose ndryshe.
Thuhet se për të plotësuar kushtet për t’u bërë mbret i Shqipërisë, i interesuari duhej të ishte personalitet ose të ridhte nga ndonjë familje evropiane e njohur për pushtet e pasuri. Nuk kishte dyshim se SiBi Fraj ishte personalitet dhe shumë i njohur e me lidhje të shumta në kryeqytet e fuqive të mëdha. Kur Fraj i tha Fan Nolit se ishte i interesuar për fronin e Shqipërisë, ai duket se ishte në vendin e duhur në kohën e duhur. Por megjithëse Fraj ishte i famshën, ai nuk ishte i pasur dhe një mbret të varfër Shqipëria nuk e përballonte dot. Kërkesa e i tij u hodh poshtë, sepse një nga kushtet e vendosura për t'u bërë mbret i Shqipërisë ishte edhe pasuria; personi duhej të kishte një shumë të ardhurash vjetore prej të paktën10 mijë stërlinash, që Frajit i mungonin. Kështu shkruajne autorë të ndryshëm kur flasin rreth jetës së tij. Por ka të tjerë që thonë se kjo mund të jetë edhe një shaka, trillim, për vetëmburje ose pohim i njëanshëm, sepse historiografia shqiptare nuk e përmend një zhvillim  të tillë, nëse nuk e ka anashkaluar


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive