Faqe kryesore arrow Arti arrow Pikturoj jo njerëzit, por botën e tyre të brendshme
Pikturoj jo njerëzit, por botën e tyre të brendshme PDF Print E-mail
05 Mars 2009
Pak javë më parë në ambientet e Ambasadës shqiptare u inaugurua ekspozita e pikturës e Pjetër Koleci, me origjinë nga Fishta (Lezhë),që prej vitesh jeton e punon në Treviso. Te kjo ekspozitë piktori Pjetër Koleci kishte sjellë 24 punime të përmasave të ndryshme dhe të krijuara në periudhave të ndryshme e me një tematikë që e përcakton me termin "Pafundësi ..." mbasi çdo punim është një shteg kërkimi dhe piktori këtë kohë e konsideron si kohë në të cilën është dukë krijuara personalitetin e tij në krijimtari...

Ekspozimi në selinë e ambasadës për piktorin Pjetër Koleci përbënte një moment dyfish emocionues e vlerësues. Në Itali ai arriti në '95 me një ekspozitë pikture (pas përfundimit të studimeve për pikturë monumentale në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë) dhe falë talentit të tij gjeti bashkëpunim me shumë ndërmarrje arti në Treviso ku dhe vendosi banimin e tij.

Kështu arti kthehet në një mënyre jetese për piktorin, një ëndërr për shumicën e artistëve që mes aplikimit, punës së përditshme vazhdojnë studimin e kërkimin e formave e stileve të reja shprehëse të talentit e dijeve artistike. Kjo ekspozitë në ambasadën shqiptare ishte për Pjetër Kolecin edhe një moment bilanci i një rruge artisti të përshkuar jashtë atdheut ku ai mori formimin e tij.
Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj ekspozite përveç miqve e dashamirësve shqiptarë e italianë, studentëve e përfaqësuesve të shoqatave shqiptare, personaliteteve të artit e të kulturës ndodheshin edhe vetë ambasadori shqiptar SH. T. zoti Llesh Kola, ministri i kulturës pranë ambasadës shqiptare, poeti i mirënjohur Visar Zhiti, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Romë, të cilët me mesazhet e tyre shprehën vlerësimin e interesin për veprat e ekspozuara, të cilat qëndruan në këtë sallë për dy javë në disposizion të vizitorëve shqiptarë e të huaj.
Me këtë rast ne intervistuam piktorin për të mësuar diçka më shumë mbi biografinë e formimin e tij dhe projektet që shoqërojnë gjithnjë artistin.

Në biografinë tuaj tregoni që ishte mësuesi juaj i shkollës fillore në Fishtë, Pjetër Gjoni, ai që njohu talentin tuaj për pikture. Si e kujtoni këtë episod ?

Isha në fillore. Kur bënim vizatim, unë ndihesha i kënaqur dhe vizatoja me shumë dëshirë. Kishim një problem të vogël atëherë në shkollë, nuk kishim fletë vizatimi. Kështu kur mbaroja fletoren time, mësuesi Pjetër Gjoni me jepte fletoret e nxënësve të tjerë.. e kështu unë kisha mundësi të vizatoja gjithnjë.

Çfarë "peshe" ka Fishta, vendlindja juaj, në formimin tuaj si artist?

Fishta është vendlindja ime dhe e mbaj gjithnjë me vete..! I kam krijuar dhe një faqe interneti www.fishta.tk. E dua shumë. Kur isha fëmijë, prindërit e mi krahas edukimit fetar më recitonin pjesë të "Lahutës së Malcis" dhe të veprës së At Fishtës. Mendoj që njeriu lind me talentin, po pastaj sipas mundësive e zhvillon ate. Për këtë falënderoj prindërit e mi që më dhanë mundësinë për të studiuar.

Studimi në liceun artistik "Prenke Jakova" Shkoder i dha formë talentit tuaj. Cilët nga profesoret e kësaj shkolle kanë lënë gjurmë në këtë formim?

Profesorët si Liljana Cefa, Ismail Lulani, Jakup Keraj, Danish Jukniu, Ikbal Kalaja kanë kontribuuar në formimin tim artistik të asaj kohe...

Për fat të ekzistencës së një regjimi diktatorial në fuqi e "luftës së klasave" juve, si shumë të tjerëve, ju mohohet vazhdimi i studimeve të larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku arrini të regjistroheni dhe të përfundoni studimet vetëm pas vitit 1991. Çfarë kujtoni nga këto dy ngjarje. Sa gjurmë kanë lënë te ju e te krijimtaria juaj e re e asaj kohe?

Kam konkurruar dy herë për në Akademi të Arteve në vitet e diktaturës dhe nuk fitova!
U zhgënjeva, pse mendova se nuk vlej si piktor. Në vitin 1992 fitova të drejtën e studimit për në Akademinë e Arteve. Në fund të konkurrimit komisioni na bënte një test. Mua ma bëri Ali Oseku, profesor dhe ish i burgosur politik. Kur pa datëlindjen time, ngriti kokën dhe qeshi "ku ke qenë këto vite? " "Në krijimtari të lirë!"- iu përgjigja!
Në të njëjtën kohë mora vesh se më parë nuk kisha fituar për arsye politike.
Mundësia e studimit në vitet e demokracisë ka ndikuar shumë sepse shkolla ka pasur gjithnjë bashkëpunim me jashtë. Kemi marrë leksione nga profesorë dhe artistë të akademive Europiane e Amerikane.

Ku keni ekspozuar për here të pare punimet tuaja? Me cfarë tematike e punimesh u prezantuat e si u prit nga publiku?

Ekspozita e parë personale është në Galerinë e Arteve në Lezhë ku kam prezantuar punime shkollore. Kujtoj që ka pasur shume polemike, për konceptin abstrakt të punimeve dhe nudot e paraqitura.

Sa ka ndikuar ardhja në Itali në krijimtarinë tuaj?

Kam studiuar në shkollë artin italian. Duke qenë në kontakt me artin e një vendi si Italia dhe me aktivitete të rëndësishme një ndër të cilat "La Biennale di Venezia" është i paevitueshëm ndikimi. Vazhdoj të studioj për pikturën nëpërmjet internetit dhe jam gjithnjë në kërkim. Por pa iu larguar kanavacës.

Sa mundësi e pengesa keni gjetur për të afirmuar talentin në vend të huaj?

Mundësitë: këtu janë njohës të artit - pengesa: shumë. Duhet të krijosh vetë, të punosh shumë, të paraqesësh punime emocionuese për publikun. Mendoj që suksesi i pikturës sime është ngjyra, e veçantia e realizimit teknik që është unike. Kam pasur shumë pengesa përsa u përket konkurseve të artit dhe ekspozimit në galeritë e njohura. Dhe vazhdoj të kem...
Mbase kjo ndodh dhe në Shqipëri. Kam bërë një kërkesë për ekspozitë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve. U bënë dy vjet dhe nuk kam marre asnjë përgjigje. Jam në pritje!!!!!

Ku keni ekspozuar gjatë këtyre viteve?

Në Treviso e Venezia e vazhdoj të punoj si dekorator, afreskist dhe Trompe l'oeil (arti i iluzionit)

Ekspozita juaj në selinë e Ambasadës në Romë. Një vlerësim i dyfishtë për krijimtarinë e një artisti. Si e pritet ftesën e këtij ekspozimi?

Me kënaqësi të madhe. Të paraqesësh punën tënde në shtëpinë tënde, ndonëse larg saj.

Çfarë prezanton piktura juaj sot e ç'projekte keni?

Nuk pikturoj persona por personalitetin e tyre, tek një gjë e madhe kërkoj të voglën.
Projekte: të realizoj gjithnjë vepra emocionuese për shikuesin, dhe të vazhdoj të kem mundësinë për të ekspozuar punën time.

Albana Temali
Shqiptari i Italisë, mars 2009

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?