Faqe kryesore arrow Politika arrow Balli Kombëtar në politikën post-komuniste shqiptare: 1990 - 2009
Balli Kombëtar në politikën post-komuniste shqiptare: 1990 - 2009 PDF Print E-mail
31 Mars 2009
Marrëdhëniet të Ballit Kombëtar me PD dhe z.Sali Berisha

Kryetari i PD-së dhe njëkohësisht kryeministri Berisha ka një histori të vjetër me Ballin Kombëtar. Në fillim të viteve 90, kur PD-ja ishte vetëm një grup drejtuesish dhe kërkonte një bazë në popull, Berisha midis të tjerash, ju kërkoi ndihmë familjeve me origjinë balliste. Këto familje, duke dëshiruar më shumë se çdo gjë përmbysjen e komunizmit dhe duke patur paraysh se nuk ekzistonte një parti e Ballit Kombëtar në Shqipëri në atë kohë, e përkrahën fuqimisht PD-në dhe votuan për të në zgjedhjet e vitit  1992. Kjo edhe për faktin se drejtuesit e Ballit Kombëtar në emigracion dhanë orientimin që të votohej për PD-në me qëllimin e përmbysjes së komunizmit.

Pas fitores së PD-së në zgjedhjet e vitit 1992, Balli Kombëtar filloi përpjekjet për t'u organizuar në formën e një partie politike legale  shqiptare. Ky qëllim u arrit në vitin 1993 me regjistrimin e partisë dhe pas një viti me mbajtjen e Kongresit të Partisë Balli Kombëtar (PBK) në Tiranë, kongres i cili zgjodhi unanimisht si kryetar Prof. Abas Ermenjin, i cili gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist e kishte ushtruar aktivitetin e tij politik në mërgim.

 Kthimi i Prof. Ermenjit si kryetar i Ballit Kombëtar në Shqipëri më 22 tetor 1995 u prit me shumë entuziazëm nga mijëra antarë dhe simpatizantë  të Ballit, nacionalistë dhe dashamirë të cilët kishin formuar një kolonë të gjatë makinash me flamuj kombëtarë, kolonë që zgjatej nga Vora në Rinas.

Me t'u vendosur në Tiranë, pasi priti në takime një numër shumë të madh të familjarëve të Ballit dhe nacionalistë të tjerë, Prof. Ermenji nisi një tur konferencash në të gjithë Shqipërinë në përgatitje të zgjedhjeve parlamentare të majit 1996. Në këto konferenca Prof. Ermenji fliste gjerësisht për historinë e Shqipërisë, të Ballit Kombëtar dhe përpiqej të ngrinte ndjenjat kombëtare shqiptare, në përgatitje të  zgjidhjes së çështjes së Kosovës që po afronte me shpejtësi.

Konferencat e Prof. Ermenjit u ndoqën nga dhjetëra mijë vetë në të gjithë vendin dhe patën një sukses të madh. Elektorati i Ballit, i cili në vitin 1992 kishte votuar për PD-në, filloi të kthehej masivisht drejt forcës së tij politike natyrore, Partisë së Ballit Kombëtar (PBK) të drejtuar nga prof. Abas Ermenji. dhe pritej një rezultat mjaft i mirë për zgejdhjet e majit 1996.

 Por kjo situatë nuk i konvenonte PD-së, e cila shihte që elektorati i Ballit po i largohej dhe po shkonte në origjinë. Fillimisht PD-ja u përpoq që ta tentonte Prof. Ermenjin me ndonjë post gjoja të rëndësishëm në dukje, por pa rëndësi në realitet. Por shumë shpejt  konstatoi se Prof. Ermenjit nuk i interesonin gjëra të tilla, porse ai kishte një projekt të vërtetë politik nacionalist, i cili synonte ribashkimin e Shqipërisë Etnike.

Atëherë Berisha ndryshoi taktikë. Pas disa sabotimeve të vogla aktiviteteve të Ballit Kombëtar në rrethe, një gazetë e madhe e përditshme botoi një artikull ku Organizata e Veteranëve të LANC-it kërkonte gjykimin e Abas Ermenjit për gjoja "krime kundër njerëzimit" si komandant i Ballit Kombëtar gjatë Luftës. Natyrisht që bëhej fjalë për shpifje të zakonshme komuniste, por në atë situatë qëllimi ishte që të trembej Abas Ermenji. Por kjo nuk ndodhi, përkundrazi Prof. Ermenji njoftoi se në rast se qeveria do të ndërmerrte veprime në këtë drejtim, ai nuk do të pranonte kurrë të gjykohej mbi bazën e ligjeve komuniste dhe paralajmëroi se do t'iu  bënte thirrje antarëve të PBK që të grumbulloheshin në Tiranë për ta mbrojur.

  Me kaq kjo çështje u mbyll, por nuk përfunduan përpjekjet e PD-së kundra Ballit Kombëtar. Disa antarë të kryesisë së PBK u afruan nga Berisha, u përkrahën dhe vetëm 2 muaj para zgjedhjeve, kërcënuan të shkaktojnë përçarjen e Ballit Kombëtar duke krijuar një parti tjetër të Ballit. Prof. Ermenji u ndodh përpara një dileme të madhe, por më në fund vendosi të evitonte përçarjen dhe ta mbante brenda PBK-së fraksionin e përkrahuar nga PD. Cmimi i mbajtjes së unitetit formal ishte tepër i lartë, sepse PBK humbi kontrollin efektiv mbi procesin zgjedhor. Por kryetari i Ballit shpresonte në një "raz de marée" apo dallgë të nacionalizmit shqiptar për ta tejkaluar këtë mungesë.

Por kjo nuk ndodhi më 26 maj 1996, të paktën jo në masën e shpresuar. Jo vetëm kaq, por PD e manipuloi krejt procesin zgjedhor, duke  përvetësuar midis të tjerash edhe votat e PBK. Në këtë situatë Prof. Ermenji mblodhi urgjentisht kryesinë e PBK në mbrëmjen e 26 majit. Arriti që ta bindte kryesinë që të vendoste mosnjohjen  e zgjedhjeve. Dhe më pas personalisht e dorëzoi deklaratën e PBK për mosnjohjen e zgjedhjeve në KQZ-në e asaj kohe.
Por për fat të keq, antarët e tjerë të kryesisë nuk qëndruan në këtë vendim. Gazeta "Balli i Kombit" e datës 29 maj 1996, nënkuptonte pranimin e zgjedhjeve nga PBK dhe më vonë një anëtar i kryesisë së PBK tërhoqi deklaratën e mosnjohjes së zgjedhjeve.

 Në këto kushte, i izoluar politikisht dhe i përballur me peshën e inercisë së një adminstrate shtetërore që festonte "fitoren", Prof. Abas Ermenjit nuk i mbeti rrugë tjetër veçse të bënte një deklaratë publike si  kryetar i PBK ku i cilësonte zgjedhjet fallco dhe të manipuluara si dhe të jepte dorëheqjen nga kryesia e PBK. Disa javë më pas u largua nga Shqipëria.

  Ndërkohë Këshilli Kombëtar i PBK i mbledhur 1 muaj pas zgjedhjeve, nuk e pranoi dorëheqjen e Prof. Ermenjit dhe e rikonfirmoi si kryetar të PBK. Kurse në vjeshtën e vitit 1996, lindi në Shkodër një aleancë lokale politike e quajtur DBSH (e Djathta e Bashkuar Shkodrane)  ku bënte pjesë edhe PBK. Kjo aleancë pati një sukses të madh elektoral në zgjedhjet lokale të nëntorit 1996, duke fituar  edhe kryetarin e bashkisë së qytetit të Shkodrës. DBSH u përpoq të zhvillohej në nivel kombëtar dhe për këtë i bëri thirrje Prof. Ermenjit të kthehej si kryetar i saj. Prof. Ermenji nuk u kthye menjëherë, por ngjarjet e 1997-ës e përshpejtuan kthimin e tij.

Kthehet në Tiranë në prill 1997 dhe merr drejtimin e DBSH tashmë e quajtur e Djathta e Bashkuar Shqiptare. Gjendja e Shqipërisë ishte e mjerueshme. Politikisht Shqipëria ishte ndarë në dy pjesë: në jug PS-ja dhe në veri PD-ja. Rreziku i ndarjes dhe i një ndërhyrje në jug nga grekët ishte real, pa folur pastaj për impaktin negativ që kjo situatë kishte në çështjen e Kosovës. DBSH iu vu punës për të paraqitur një alternativë të tretë, të paqes dhe të bashkimit.

Megjithëse në kushte shumë të rrezikshme për shkak të mungesës totale të shtetit, në periudhën prill-qershor 1997 Prof. Ermenji në krye të DBSH zhvilloi përsëri një seri konferencash në qytetet Shkodër, Vlorë, Berat, Elbasan, Lezhë, Tiranë etj. duke përcjellë përsëri mesazhin e bashkimit dhe të interesit kombëtar. Është për t'u shënuar që në fushatën e zgjedhjeve të parakoshme parlamentare të vitit 1997, DBSH ishte e vetmja forcë politike që zhvilloi konferenca në të gjithë Shqipërinë dhe ruajti imazhin e një bashkimi politik kombëtar.

 Megjithatë në “parlamentin e kallashnikovëve”, DBSH mundi të përfaqësohej vetëm me 3 deputetë. Një nga shkaqet e këtij rezultati ishte që DBSH-së iu desh të përballonte edhe një fushatë agresive denigrimi nga ana e PD-së, e cila nuk dëshironte ekzistencën e një koalicioni tjetër brenda së djathtës. Më vonë, DBSH u shpërnda si pasojë e në rezultati të dobët në zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe sidomos pas largimit të PR-së drejt PD-së.

Viti 1998 shënon edhe vitin e kongresit të dytë të PBK në Shqipëri. Prof. Ermenji, që ishte edhe kryetar i DBSH, kandidoi përsëri për kryetar të PBK. Përballë tij kandidoi edhe z. Hysen Selfo, nënkryetari i PBK dhe drejtues i fraksionit të përkrahur nga PD. Një moment shumë domethenës i Kongresit ishte edhe ardhja si i ftuar e z. Sali Berisha, i cili sigurisht synonte të inkurajonte përkrahësit e tij dhe fraksionin pro-PD. Në momentin që z. Berisha hyn në sallën e kongresit, një pjesë e vogël e delegatëve të PBK, nisin tê thërrasin emrin e tij. Por pa kaluar as një minutë, e gjithë salla filloi të oshëtinte nga thirrjet "Abas Ermenji!". Që në atë moment delegatët e PBK treguan se kishin një kryetar të tyrin, se kishin identitetin e tyre dhe se nuk do të lejonin që askush tjetër të tallej dhe të bënte lojëra me Ballin Kombëtar. Do të dëshironim që zoti Berisha ta mbajë mend mirë atë moment, sepse asgjë nuk ka ndryshuar.
 
Si përfundim votimi nxorri fitues Prof. Abas Ermenjin dhe kongresi e shpalli kryetar të Ballit Kombëtar për në mandat tjetër. Një muaj më pas, z. Hysen Selfo shpalli krijimin e Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, e cila siç e tregon edhe vetë emri ishte shumë pranë partisë demokratike dhe nuk dëshironte që Balli Kombëtar të kishte një identitet dhe politikë të tijën të pavarur. Krijimi i PBDK ishte një goditje e rëndë për PBK sepse theu mitin e unitetit të kësaj partie dhe tërhoqi një pjesë të vogël të elektoratit të PBK. Megjithatë, rezultatet e proceseve zgjedhore që nga 1998-a e deri më sot tregojnë, se megjithë përkrahjen e madhe nga PD, PBDK nuk ka tërhequr dot më shumë se 20% të elektoratit të Ballit.

 Marrëdhëniet midis PD dhe PBK ndryshuan në prag të zgjedhjeve të vitit 2001. PD, e ndodhur në opozitë, kishte tashmë nevojë për një bashkim sa më të gjerë kundër së majtës në pushtet. PD-ja nisi bisedime me nënkryetarin e PBK në atë kohë z. Shpëtim Roqi në lidhje me një koalicion të mundshëm. U organizua edhe një takim midis z. Berisha dhe Prof. Abas Ermenjit në rezidencën e prof. Ermenjit. Në përfundim u ra dakord që PBK do të hynte në koalicionin "Bashkimi për Fitore" të drejtuar nga PD me qëllimin e rrëzimit të pushtetit të së majtës. Ky objektiv nuk u arrit, por "Bashkimi për fitore" konsolidoi opozitën e djathtë dhe PBK fitoi në ato zgjedhje 4 deputetë.

Zgjedhjet e vitit 2001 ishin të fundit për Prof. Abas Ermenjin. Në gjendje jo të mirë shëndetësore, kryesisht për shkak të moshës 88-vjeçare, Prof. Abas Ermenji detyrohet të largohet nga Shqipëria duke ia lënë drejtimin e partisë antarëve të kryesisë së PBK Shpëtim Roqi, Alfred Cako dhe Uran Metko. Pas një jete të tërë në shërbim të Shqipërisë dhe Ballit Kombëtar, Prof. Abas Ermenji, u nda nga jeta më 10 mars 2003 në Paris.

Ndërkohë në Shqipëri ishte zhvilluar kongresi i radhës i PBK i cili e kishte rizgjedhur si kryetar nderi. Por kryetar efektiv ishte zgjedhur z. Shpëtim Roqi, i cili qëndroi në këtë funksion vetëm një vit, deri në dhjetor 2003, ku një kongres i jashtëzakonshëm e shkarkoi për shkak të mungesës në një votim në parlament. Kongresi i jashtëzakonshëm zgjodhi kryetar z. Adriatik Alimadhi, i cili deri në atë kohë ishte drejtues i organizimit për degën e Tiranës.

Në zgjedhjet e vitit 2005 PBK u radhit në koalicionin e djathtë. Para zgjedhjeve Z. Alimadhi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me z. Berisha, marrëveshje e cila nuk u respektua kurrë në pjesën e saj publike. Për shkak të mungesës së eksperiencës së z. Alimadhi dhe disa gabimeve të tij, PBK nuk arriti të fitonte asnjë deputet me gjithë potencialin e madh që ka.

Aktualisht PBK ndodhet në një moment tejet të vështirë dhe jetik. Fakti që nuk ka deputet, nuk i lejon PBK të marrë pjesë në zgjedhjet e qeshorit 2009, gjë që do të sillte pasoja shumë të rënda për këtë forcë politike. Në realitet ka dy mundësi që të kalohet kjo pengesë:
- e para të mblidhen 10 mijë firma të antarëve të PBK që të justifikojnë hyrjen e PBK në zgjedhje ( plotësisht e mundur sepse në korrik 2005 PBK fitoi 23 mijë vota, në 2007 - 17 mijë)  
- e dyta PBK të futet në një koalicion që i lejon pjesëmarrjen në zgjedhje (deri tani ka patur të paktën një mundësi me Polin e Lirisë)

Kurse PD-ja duket se nuk është e interesuar për një koalicion me PBK. Kjo ka arësyet e veta. PD preferon të ketë të bëjë vetëm me PBDK, ku ka një kontroll të plotë. Për këtë arësye mundohet që në propagandën e saj ta identifikojë PBDK-në me Ballin Kombëtar, gjë që sigurisht nuk është e vërtetë.

PBDK nuk përfaqëson në asnjë mënyrë Ballin Kombëtar sepse:

1.    PBDK u krijua me nxitjen dhe përkrahjen e një force tjetër politike
2.    PBDK nuk ka identitet të saj të vetin, por huazon atë të PD-së
3.    PBDK përfaqëson vetëm 25% të elektoratit të Ballit Kombëtar

Pika 3 vërtetohet nga rezultatet e proceseve zgjedhore të viteve 2005 dhe 2007:

2005: PBK :   22896 vota
          PBDK:   7632

2007: PBK:    17,675 vota
         PBKD :    7613


Nga ana tjetër, PD së fundi, gjoja në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit të vitit 2005, i propozon kryetarit të PBK, z. Adriatik Alimadhi, një post me rëndësi në administratën shtetërore, pikërisht vetëm 3 muaj para zgjedhjeve dhe 1 muaj para regjistrimit në procesin zgjedhor. Është kjo një tentativë e PD-së për të larguar PBK-në nga zgjedhjet dhe për të përvetësuar Ballin Kombëtar. Por nuk ka për të patur sukses, sepse Balli Kombëtar nuk është një parti që lindi dje, por ka lindur që para 60 vitesh për t'i dalë zot vendit para një pushtimi të huaj, sepse Balli Kombëtar nuk është një parti interesi, por është një parti  ideali, i idealit të Shqipërisë Etnike, sepse Balli Kombëtar ka rrënjë të thella dhe i ka dhënë kombit me qindra dëshmorë dhe male me sakrifica. Siç e thoshte dhe z. Luan Myftiu në kongresin e fundit të PBK në korrik 2008, Balli Kombëtar  nuk mund të shuhet kurrë, sepse sa herë ta godasin dhe të tentojnë ta zhdukin, po aq herë do të ringrihet edhe më i fortë se më parë.

A.M


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-04-01 21:44:23
Miredita 
Me behet qejfi qe Balli kombetar po distancohet nga partit neo komuniste.Eterit e mij nuk kane qene ballista (natyrisht as Komunista).Une jam nga lezha dhe ne vitin 1992 ,im ate ka qene nje nder anetaret e pare te PD per Lezhen.Por shpejt u zhgenjye.Sot une nuk e dij se kujt tjeter mund ti besojne shqiptaret pervec se Ballit.Them kete vetem per historine ,sepse per sa i perket asaj qe ka ofruar ne keto vite, nuk ka ndonje merite te vecante.Balli duhet te filloj te flase per gjera konkrete qe i interesojne popullit .Dhe jo te kerkoje poste sic bejne partit neokomuniste.Duhet te kerkoje te drejtat e emigranteve qe jan taksapaguesit e vertete te kesaj ekonomie te ngordhur.Te flas per de drejten e femres ,sepse po ti hellesh nje sy parlamentit, kupton se aty ndollen akoma mjeleset e dalluara.Te flase per te drejtat e punetoreve ,te cilat i gjen edhe ne kanunin e Leke Dukaqinit dhe ne ligjet shqiptare nuk thuhet asgje.Dehet te flase per shkaterrimin e familjes Shqiptare ,gje e cila ,nga midiokret e kultures komuniste sot shihet si dicka moderrne ,e per shume gjera te tjera. 
Shpresoj qe kjo parti te behet vertet ne parti liberal Demokrate,sic ka qene ne fillimet e saj , Propaganden komunste ta shperfill sepse shqiptaret nuk hane me idiotsira komuniste.(te pakten keshtu shpresoj) 
Me respekt 
Paloka David. 
Milano

Koment nga GUEST më 2009-04-05 20:56:31
URIME Shqiperis per pranimin ne NATO qe ka qen endrra e nacionalisteve Shqiptar qe nga fillimi i themelimit te NATO-s. 
Urime te gjith ballisteve .

Koment nga GUEST më 2009-04-05 20:56:57
Te gjithe ishim me Partine Demokratike te Sali Berishes ne vitet 1990 per permbysjen e Diktatures Komuniste ne Shqiperi,por per fat te keq ai eshte bere shume i korruptuar,diktator dhe lidhje miqesore e shoqerore e klaneve antishqiptare sllave,serbo-malazeze.Mendojme qe Partia e Ballit Kombetar eshte nje Parti Kombetare(Nacionaliste) dhe si e till ajo nuk ka asgje te perbashket me PD dhe Sali Berishen,prandaj duhet te distancohet prej tyre,per te fituar me shume besimin dhe respektin e popullit shqiptar,i cili aktualisht ka nje simpati te vecante per Partine e Ballit Kombetar dhe e shehe ate si parti e te ardhmes e me perspektiv dhe ne krye te pushtetit per te shpetuar Shqiperine nga rruga e keqe ku e ka futur Sali Berisha dhe PD-ja e tij.

Koment nga GUEST më 2009-04-05 20:57:40
balli kombetar duhet te jete i bashkuar,e jo me fraksione.sic e ka njohur babai im para vitit 1944.po injoroni idealin e prinderve tane.shqiperia e shqiptareve,vetem e shqiptareve,vdekje tradhetareve.

Koment nga GUEST më 2009-04-06 14:29:58
Ej  
sapo lexova tek tiranaobserver ,se u shit ne treg edhe Aliamadhi.Por problemi eshte se u shit lire fare.thjesht per 4 kembet e nje karrigeje

Koment nga GUEST më 2009-04-10 11:29:06
Eh mer vellezer,ku duhet te ishim e ku jemi.Te kuqte paskan qene fare e keqe...Kane degjeneruar gjithshka.Per ta crrenjos sduhet te kete as jug as veri,por vetem nje SHQIPERI.Jemi perkul si komb,por sjemi thyer.Me shprese per me mire per te GJITHE SHQIPTARET.KURAJO.


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?