Faqe kryesore arrow Kulturë arrow Kur mitet ndihmohen
Kur mitet ndihmohen PDF Print E-mail
10 Prill 2009
Astrit Lulushi

“Heshtja është flori”. Kjo shprehje bëhet dy herë e urtë e dy herë metaforë nëse thuhet “heshtja është ngatërresë”. Ndoshta këtë kanë dashur të thone edhe të parët, por nuk janë kuptuar.

Kur një ngjarje ndodh dhe ajo nuk njoftohet, fillimisht vendin e zë heshtja që pasohet nga zërat dhe prej tyre lindin legjendat. Kur njerëzit rilindin a rizgjohen, gjëja e parë që kërkojnë është e vërteta. Ata duan të dijnë se ku janë dhe cfarë ka ndodhur. Në këtë rrugë ata ndonjëherë vonohen, sepse ajo që kanë mësuar nga përallat e legjendat, që u kishin treguar kur ishin në heshtje a gjumë, ndryshon shumë nga e verteta, e cila për disa mund të duket relative e me pak rëndësi që të mësohet.

Ndonjëherë ekziston më shumë se nje e vertete por jo dy të vërteta në te njëjten kohe. Dhe është periudha e heshtjes midis dy epokave, periudha e kalimit nga një realitet në tjetrin, ajo që krijon hutim, kampe a grupime të kundërta që grinden për të vërtetën. Kjo ndodh jo vetëm sot, kështu ishte dje njësoj si mijëra vjet të shkuara.

Historia është ngjarje apo rrjedhë kujtimesh të dokumentuara. Ajo shtrembërohet kur kjo vazhdimësi kujtimesh ndërpritet. Dhe ndërprerje do të thotë heshtje që krijohet për shkaqe të ndryshme, qëllimisht ose si pasojë e rrethanave. Gjatë kësaj periudhë heshtjeje a mungese informacioni, hedhin rrenjë legjendat të cilat mund të quhen copëza kujtimesh që "mbahen" të lidhura me hallka imagjinare. Shembuj mitesh e legjendash bashkëkohore ka plot, duke filluar nga ato më të fundit si, heshtja me frike e dhunë dhe mitizimi i luftës nacional-clirimtare, kur shumë dëshmi tregojnë se ajo ishte më tepër një luftë e brendshme; apo legjendat rreth përpjekjeve të ashtuquajtura heroike për ndërtimin e Shqipërisë së re, kur në shume raste njerëzit vriteshin për t’u shpallur heronj ose armiq, pavarësisht se cfarë ishin në të vërtete. Të vdekur ata vlenin më shumë për t'u përdorur nga makina e propagandës që
funksiononte vetëm për krijimin e miteve dhe legjendave.

Rezultatet e disa studimeve të fundit në fushën e psikologjisë i kanë shtyrë shkencëtarët të dalin me idenë se truri është i prirur të besojë më lehtë një gënjeshtër sesa një të vërtete. Kjo, thonë ata, vjen sepse për vlerësimin e informacionit truri përdor rregullin e gishtit – “rule of thumb”, mënyrë matjeje e përafërt por jo e saktë, sic përdoret ndonjëherë edhe nga robaqepsi a muratori. Gjithashtu, ekspertët thonë se një lajm vetëm me një burim por i përsëritur disa herë, merret si i vërtetë njësoj si një lajm me shumë burime.

Nisur nga kjo, gjatë periudhës së heshtjes a mungesës 45 vjecare të lirisë së fjalës, shkëlqime të rreme u krijuan rreth disave, përfshi diktatorin, dhe baltë e hodh mbi figurat e traditës, përfshi Fishtën, Konicën, Zogun, Kupin, Frashërin e shumë të tjerë. Dhe kjo baltë merr kohe të pastrohet, ndërsa shumë vetë ende jetojnë nën ndikimin e perceptimit të gabuar, krijuar nga propaganda psikologjike.

Një tjetër periudhë heshtjeje, por më e gjatë e më e vështirë, ishte ajo që filloi me vdekjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, shek. XV, e deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare, shek. XIX. Mes kësaj heshtjeje, as figura e Heroit Kombëtar nuk kishte si ti shpëtonte fillimisht harresës e pastaj mitizimit. Po ashtu as Marin Barleti nuk mund t’a kishte përshkruar ndryshe jetën e Heroit, po të kihet parasysh se ai e shkroi librin jashtë vendit, rreth 40 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, duke u mbështetur kryesisht në të dhëna gojore. Dhe ndërkohë që vetëm një brez kishte kaluar nga vdekja e Skënderbeut, emri i tij në trojet e pushtuara kishte filluar të harrohej. Ishte kjo heshtje e detyruar për 300 vjet, që e veshi Heroin me mitin të cilin vazhdon ta mbajë e disa përpiqen t’ia heqin.

Ekziston mendimi se mënyra më e mirë për t’iu kundervënë miteve është që ato atë të vihen përballe fakteve. Por studimet e kohëve të fundit në fushën e psikologjisë kane zbuluar një paradoks të ri, se ballafaqimi me faktet ndikon në rigjallërimin e miteve dhe jo ne mposhtjen e tyre.



Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-04-11 13:44:51
 
Serish nje vezhgim i sakte, i ftohte, i mevetshem dhe kthjellues i Astrit Lulushit. 
 
Thuajse te gjitha "historite shqiptare" e kane provuar heshtjen ne shpine te tyre, si vete shqiptaret. Astrit Lulushi kqyr me lupe te afert, deri ne detaje, por pamje mberthen skajet e horizonteve. Kerrkend nuk permend me emer, por thonjte e heshtjes grricin terkend. 
Ne fushen e letrave, bje fjala, heshturazi dihet se edhe Fishta ka qene propozuar per Nobelin, ashtu sic dihet heshtja me te cilen u percolle marrja e Nobelit prej Gonxhe Bojaxhiut- Mother Terezes; madje as Kadare nuk guxoi ta permendtte, edhe pse ishte ne udhe per tek ajo permendjeje edhe vet! 
Kush e dinte krijues te ketij klasi Martin Camajn? Dhe Lasgushin, vetem kur vdiq e mesuan se paskej qene gjalle, dhe qe paskej qene poet aq i madh, ate dite e moren vesh kur e sollen te shtrire tek salla e Lidhjes se Shkrimtareve, ku Naim Frasheri vuante vetmine pa e dashur. Po ne nuk dinim se pikerisht ai ishte Naim Bej Frasheri dhe se prej tij dhe vellezerve te tij, Sami e Abdyl, rridhnin edhe Mehdi e Mitat Frasheri, per te cilet edhe sot ka qe mendojne se hyjne nder "kolaboracionistet"!!! 
Si mund te rrijme pa mite false dhe as si mund te mesohemi me to, ja pse nuk mund te mos shkruante Astrit Lulushi. 
 
Faruk Myrtaj 
 
Kanada 


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?