Faqe kryesore arrow Shoqëria arrow Rinia viktimë, jo e kalbëzuar
Rinia viktimë, jo e kalbëzuar PDF Print E-mail
21 Prill 2009
Astrit Lulushi

Këto janë disa paradokse të kohës sonë; shumë personalitete të fushave të ndryshme, vecanërisht të artit, vlerësohen për talentin – zërin, mimikën, penelin a penën - dhe dekorohen. Por a nuk do të meritonin edhe një farë kritike? Sepse ata ishin pjesëtarë të vetëdijshëm të një armate propagandistësh të idealeve të diktaturës në art, letërsi, muzikë, theatër e kinematografi, ku cdo duartrokitje nga salla përfaqësonte një tru të indoktrinuar si rezultat i rolit të luajtur me mjeshtëri prej tyre në skenë. Tradita është e mirë, por jo e gjitha; kur merret e plotë, ajo prodhon viktima.

Sot shumë të rritur shprehin zhgënjim kur shohin një rini që s’e kishin pritur. Ata ndoshta harrojnë se ndryshimi fillon nga vetja. Me rininë gjithmonë luhet. Ajo manipulohet e keqpërdoret lehtë dhe i beson brezit më të rritur, sepse ashtu e kanë mësuar; t'a fajësosh për këtë, eshtë njësoj si të dënosh viktimën.

Faji është barrë e rëndë, por edhe më i rëndë është faji i brezave. Kur ky faj u ngarkohet të rinjve, gjunjët e tyre këputen. Ata shkurajohen, ndërsa më të rriturit sikur shpërblehen për dështimet a ndihmesën e dhënë për këto dështime të suksesshme.

A është faji i të rinjëve edhe kur veprojnë gabim? Përgjigja do të ishte, po, sikur ata të kishin arritur këtë moshë pa ndikimin e prindërve dhe shoqerisë, ku më të rriturit, jo medoemos më të pjekur, ushtrojnë autoritetin e tyre. Në fakt këta më të rritur janë të vetmit të interesuar për t’u cliruar nga barra e gabimeve, jo të pakta për një shoqëri relativisht e sapodalë nga diktatura.

Mjegull sikur krijohet kur rinia ende e paprovuar cilësohet e paaftë, e dështuar a e kriminalizuar, edhe pse ajo ndjek shembullin e të parëve. Eshtë njësoj si të goditet pasqyra, sepse nuk na pelqen fytyra që shohim në të. Eshtë fytyra jonë!

Rinia është brezi më i pafajshëm. Por ky brez ka aleat kohën, prandaj shihet edhe si më kërcënuesi a më sfiduesi ndaj pushtetit të më të rriturve. Rinia gjithashtu është plot energji. Nëse të rriturit janë më të vërtetë të “pjekur” sic nënkupton shprehja, nuk duhet të lejojnë që kjo energji të shndërrohet në entropi, kaos, rrënim. Edhe pse më të rriturit në pushtet nuk mendojnë të dorëhiqen thjesht për hir të rinisë, të paktën duhet t’a kuptojnë se ka ardhur koha të freskojnë a rinojnë botëkuptimin e tyre duke afruar brezin e ri, në mënyrë që kur të vijë dita, vendi të lihet në duart e një rinie të shëndetëshme, që këta do t'ua lënë atë pasardhësve më të shëndetshëm.

Qytetërimi zë fill më stërgjyshin, thotë një fjalë e urtë. Duhet të fillojë sot, që pas 100 vjetësh njerëzit të thonë; “jemi të qytetëruar”. Cdo ndryshim pa rrënjë, është i sipërfaqshëm, dhe nuk ka ndryshim më të cekët dhe as gabim më të thellë sesa kur brezi i më të rriturve vetëshpallet i pafajshëm duke ia lënë gabimet viktimës, rinisë së sotme.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?