Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow “BALKAN CAESAR” nga P. Lucas, roman me shumë të vërteta
“BALKAN CAESAR” nga P. Lucas, roman me shumë të vërteta PDF Print E-mail
04 Maj 2009
Astrit Lulushi

Peter Lukas, është një figurë e njohur e gazetarisë amerikane. Për shume dekada, ai ka punuar për gazeta të njohura se Boston Globe e Boston Herald. Lukas, edhe shkrimtar, është bir emigrantësh shqiptarë nga shteti Masachusets, që u vendosën në ketë vend aty nga fillimi i shekullit XX.

Sulmi japonez në Pearl Harbor, dhjetor 1941 e detyroi SHBA-në të hynte në luftën e dytë botërore. Gjatë kësaj lufte, në radhët e ushtrisë amerikane shërbyen edhe shumë shqiptarë. Karakterin e njërit prej tyre sjell Peter Lukas në romanin anglisht, Balkan Caesar. Nëpërmjet tij, lexuesi njihet me protagonistë të tjerë; me jetën, ngjarjet e rrethanat që i bënë ata të jenë të tillë.

Më 1939, Shqiperia u pushtua nga Italia fashiste, ndërsa më 1941 filluan të ndjeheshin krismat e para të organizuara kundër këtij pushtimi; ky është trajtimi i periudhës ’41 - 44 që komunistët i bënë historisë. Kuptohet se nën një diktaturë, kjo histori u sfidua vetëm nga heshtja dhe mendja e mbyllur; kusht për mbijetesë, gënjeshtër e tirani.

"Balkan Caesar", padyshim, është një roman historik, megjithëse autori nxitohet të thotë se “cdo ngjarje, person a emër që ndeshet në libër vetëm rastësisht përkon”; thënie standarte e përdorur shpesh, sepse kështu shkrimtari i lejon vetes të shprehet lirshëm, për hir të formës artistike e në disa raste për hir të së vërtetës “lakuriq”. Në këtë mënyrë libri bëhet tërheqës, por edhe autori u shmanget sulmeve nga rrethi shoqëror ose nga persona a të afërmit e tyre që rastësisht mund të “njëtësohen”.

Që në kapitullin e parë, autori Lukas krijon skenën ku do të zhvillohen ngjarjet e romanit ku lufta vëllavrasëse e intrigat zenë vend;
“…. një nga personat e armatosur, më shtatlart se të tjerët, doli nga vendi ku ishte fshehur, iu afrua trupit të të vrarit dhe hodhi mbi të një letër ku ishte shkruar vetëm një fjalë; HOXHA”.(Lucas, 17)

I vrari ishte ushtar italian, arbëresh, ndërsa komandanti i grupit të armatosur ishte Enver Hoxha. Këtë ngjarje, Lukas e vendos në gusht 1941, në Pezë, si për të paralajmëruar nga një tjetër kënd, fillimin e luftës së shqiptarëve kundër njëri-tjetrit, të një luftë plot viktima jo vetëm fizike por edhe shpirtërore.

Pastaj Lukas kalon në një ngjarje krejt ndryshe por njësoj domethënëse. Më 1941, një djalë i ri paraqitet vullnetarisht në zyrën e rekrutimit ushtarak në Boston. Ku ishte 22 vjecari Tom Stevens, një tjetër shqiptar nga përtej oqeanit, bir i një familjeje emigrantësh nga Korca. Lindur në Amerikë, ai kurrë nuk kishte qenë në Shqipëri, por shqipen e fliste mjaft mirë; prindërit ishin kujdesur për këtë.

Fakti që ai fliste dialektin tosk, tërhoqi vemendjen e Zyrës së Shërbimeve Startegjike – OSS, organizatë elitë kundërzbulimi, paraardhëse e CIA-s. Planet e kësaj zyre ishin dërgimi i agjentëve përtej vijave të frontit, për mbledhje informatash dhe për të nxitur luftën kundër nazizimit. Për këtë arsye Tom Stevens i nënshtrohet një stërvitjeje intensive, vecanërisht psikolgjike. Gjatë këtij kursi, ai njihet nëpërmjet fotografive e imazheve filmike, me personat që do t’i duhej të shoqërohej për disa vite, përfshi Hoxhën, Shehun, Pezën, Fajën, Kapon, Xoxin e shumë të tjerë. OSS e dinte se dërgimi i agjentëve në radhët e partizanëve i ngjante një “marreveshjeje me djallin, por veprimi shihej i domosdoshëm pasi komunistët ua kishin mbyllur rrugën misioneve britanike me pretekstin se ata përkrahnin Legalitetin e Ballin. Detyra e Stevensit ishte për të arritur të vendosej pranë shtabit të përgjithëm të nacional-clirimtares, për të fituar besimin e Hoxhës, si dhe për të dërguar informata rreth gjendjes së forcave naziste në Shqipëri dhe rolit që luanin sovjetikët.

Më 1943, Stevens me grupin e tij zbarkon fshehurazi në Sarandë. Prej këndej, autori Peter Lukas përshkruan veprimtarinë e këtij “ushtaraku të parë amerikan në tokën shqiptare”. Krahas kësaj, Lukas e njeh lexuesin me figura, karaktere e ngjarje; të njohura, të fshehura, të panjohura, të mira, të këqia, të shëmtuara, tronditëse, zhgënjyese, të hidhura, por si kurrë ndonjëherë më parë pranë të vërtetës historike.

Pas luftës së dytë botërore, gjatë luftës së ftohtë, deri më 1990, shume shqiptaro amerikane, kryesisht ish-emigrantë ekonomikë të fillimisht të shek. XX, kishin një mendim ndryshe nga ai i të aratisurve nga regjimi i Hoxhës. Këta shqiptare, vecanërisht brezi i moshuar, besonin se se popujt nën komunizëm vuanin, sepse kishin aq shumë vite në Amerikë sa të ishin në gjendje të bënin dallimin. Por ishte mungesa e empathisë, pasi shumë prej tyre kurrë nuk kishin përjetuar përndjekje politike, që të dyshonin se shqiptari mund t’a trajtonte shqiptarin shtazërisht vetem pse mendonte ndryshe apo se E.Hoxha nuk ishte një clirimtar, dhe se gjëra të tilla mund të ndodhnin vetëm në Bashkimin Sovjetik, Bullgari, Rumani e cdo vend tjetër nën komunizem, por jo në Shqipëri. Vetëm kur komunizmi u ra dhe Shqiperia u hap, shume prej këtyre shqiptaro amerikanëve u njohën me të vërtetën e së vërtetës, ose filluan t'a
pranonin atë, dhe u kthyen për t’u dhënë të drejtë të ikurve, atyre që i kishin cilësuar “tradhëtarë”.

Një përforcues i kësaj të vërtete, është edhe libri në anglisht Balkan Caesar i shkrimtarit Peter Lukas, i cili gjithashtu ndihmon për ndarjen e atdhetarizmit nga ideologjia, xhveshjen nga romantizmi, por edhe nga ngjyrat bardh-e-zi.



Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive