Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Shoqëria arrow Individë dhe shoqërorë
Individë dhe shoqërorë PDF Print E-mail
01 Qershor 2009
Astrit Lulushi

1945 – 1990, për 45 vjet të mbyllur e të shtypur, shqiptarët jetuan periudhën e urisë materiale dhe etjes shpirtërore. Uria dhe etja,kur nuk shuhen, konsumojnë njëra tjetrën derisa e bëjnë të kotë ekzistencën e qenies njerëzore, duke e shndërruar atë në qenie të thjeshtë.

Kur në qytete, nga lartë poshtë shikonte tjetrin edhe ai që kishte një bicikletë, në fshat, kush kishte gomar, shihte me përbuzje bashkëfshatarin e ngarkuar. Këto janë vetëm spica në karaktere, ndryshe nga pykat që rëndojnë mbi krimet e rënda të asaj periudhe, që nuk harrohen nga përjetuesit dhe të tjerë.

Kur në mendje nuk rijetohen, gjërat e vogla ushqehen, rriten e bëhen të rrezikshme. Kur nuk kujtohen, ato i ngjajnë objektit që papritmas zhduket kur kalon përpara zonës së verbër të pandjeshme nga drita në retinën e syrit; ato zhduken, sikur kurrë nuk kanë ekzistuar, njësoj si automjeti që nuk shfaqet në pasqyrën anësore. Kur hollësitë qoftë edhe më të vogla nuk mendohen a nuk kujtohen, njeriu i ngjan shoferit që harron të kthejë kokën pas, për të shmangur rrezikun e mundshëm sa here që bëhet gati të ndërrojë korsinë.
 

Koha nën diktaturë nuk bënte asnjë dallimi mes fatkeqëve të uritur që përbënin masat, të cilët shtypeshin nga një klasë e lartë. Dhe ndërsa shtresat janë të përherëshme, individët që i përbëjnë ato ndryshojnë vazhdimisht klasat, sepse personat që rrjedhin nga familje të pasura a me pushtet, nuk është e thënë se të gjithë ata do trashëgojnë pasuri a pozitë. Kështu, ndërsa brezat vijnë e shkojnë e vijnë, shoqëria i ngjan një shoshë a site që shkundet pandërprerje, shoshit. Në të pak mbeten, sepse shumica bie poshtë duke u bashkuar me të zakonshmen, të mirën, e cila ndjehet vetëm atëherë kur mungon. Kjo shoshë a sitë, bëhet mjet  përzgjedhjeje a refuzimi, varet se nga cila anë shihet; kush mbetet sipër e krahason vetem me arin; ata që bien poshtë, me miellin. Ata lartë i quajnee të poshtmit gurë, pa vlerë;, ndërsa këta thonë se të sipërmit janë mbetje, krunde. Dhe ky lloj vlerësimi, i natyrshëm për njeriun si qenie që gjithmonë cmon vetëveten, bëhet pikënisje drejt pasurimit për të dyja shtresat.

Në periudhë ndryshimi sistemesh, shtresat përzihen. Ata që shtien në dorë poste politike, shoqërore, akademike, ose marrin në pronësim toka a biznese, përbëjnë aristokracinë e re, dhe fillimisht jo të gjithë i përkasin brezit a shtresës deri dje të shtypur. Kësaj aristokracie të re shpesh i mungon ndjenja e përgjegjshmërisë shoqërore, që në raste të një aristokracie të konsoliduar shprehet me vepra bamirëse, ku njeriu që merr kujtohet edhe të japë. Qëllimi kryesor i aristokracisë në hapat e para është fitimi, me cdo mënyrë e mjet. Ajo është e ashpër, e paformuar, sepse ende vuan nga traumat e urisë dhe etjes së dikurshme.

Më 1990, kur problemit (daljes nga diktatura) iu hap rruga, sjellja e njerëzve nuk mund të pritej të ishte ndryshe. Si i urituri që bie në ushqim dhe fillon të grumbullojë rreth vetes me fanatizëm cdo kothere buke, ashtu edhe shtresa e njerëzve të zakonshëm, shumica e së cilës deri atëherë nuk dinte se c’ishte prona a pasuria, filloi të grumbullonte rreth vetes gjithcka me vlerë a pavlerë, mjaft t'a quante të vetën. Uria dhe etja e provuar kishte qenë e paskajshme; i pangopur u bë, e vazhdon të jetë, emëri i tij i dytë.

Por hiq mënjëanë përvojën e jetuar gjatë periudhës së luftës së klasave. Vecoje, të paktën tani për tani, por mos e harro, dhe pastaj shtro pyetjen: Nga cila shtresë vjen e keqja? Përgjigja, sigurisht varet nga c’anë e shoshës njerëzit e shohin veten. Një grup thotë se e keqja vjen nga shtresa e ulët; padituria, veset dhe pakënaqësitë shoqërore rrjedhin nga kjo klasë, e cila, sipas tyre, ngjan me turmën që vërshon tatëpjetës duke u përhapur në fushat e jetës për mbjelljen e farës së anarkisë.

Pala tjetër thotë se e keqja vjen nga krenaria e tepert, mendjemadhësia e ushqyer nga privilegjet dhe tirania e pushtetit në duart e një pakice që gjithnjë pasurohet. Dhe këta që mendojnë kështu nuk janë pak dhe e thonë këtë nga përvoja si viktima gjatë periudhës së luftës së klasave.

Atëherë cilët kanë të drejtë? Pyetje e vështirë, pa ekzistencën e një shtrese të mesme, që si në ekonomi, edhe në shoqëri e politikë, do të zbuste fërkimin midis dy shtresave. E mesmja do të arsyetonte se të dyja palët kanë të drejtë, por vetëm pjesërisht, sepse ne përgjithësi të dyja e kanë gabim, pasi rreziku vjen nga individë, pavarësisht se cilës shtrese i përkasin. A nuk ishte udhëheqja e Shqipërisë pas luftës së dytë botërore, një përzierje individësh nga shtresa të ndryshme? Mes tyre kishte me prejardhje fshatare, zejtare, punëtore, latifondiste, tregtare, intelektuale, të pasur, të mesëm, të varfër, të rinj, meso, të moshuar. Do të ishte e padrejtë që këto shtresa, breza a grupmosha, të fajësoheshin për ato që i ndodhën Shqipërisë gjatë 50 vjetëve nën diktaturë, kur në fakt faji u takon disa individëve, që u përzien me njëri-tjetrin, secili për ego, kundër cdo interesi të shtresave nga vinin, aspak në përputhje me ligjet shoqërorë a të natyrës njerëzore. Kështu, këta individë u ndodhën përpara asaj që vetë krijuan; një klase hibride, e pamundur të konsolidohej, prandaj u bë dhe mbeti përbindëshe, e frikëshme, mizore, vetëngrënëse.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive