Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Fillimi është vazhdim
Fillimi është vazhdim PDF Print E-mail
11 Qershor 2009

Astrit Lulushi

Në kohë zhvillimesh, cdo njeri ndihmon në drejtime të ndryshme por pak janë ata që ndihmojnë në çdo drejtim. Njerëz të tillë bota i quan Rilindës, shprehje që filloi të përdorej në Evropën e shekullit të XV kur mbizotëronte idea se fuqitë njerëzore janë të pakufijshme dhe se njeriu mund të bëjë çdo gjë, mjafton të ketë vullnet. Kjo mendësi krijoi rilindësa, ndërsa zhvillimi që ata kontribuan morri emrin Rilindje e cila filloi me gjuhë, shkrim e komunikim, e pastaj vazhdoi në fusha të tjera si art, shkencë, filozofi, shoqëri e perfundimisht bashkim a komb.

Duket se historianët nxitohen kur thonë se bazat e Rilindjes kombëtare shqiptare u hodhën me Lidhjen e Prizrenit, qershor 1878. Atë vit një grup atdhetarësh u mblodhën në Prizren kur mësuan se trojet e tyre ishin ndarë për t’iu dhënë si shpërblim vendeve - Bullgari, Serbi, Greqi - që kishin ndihmuar Rusinë në luftë me perandorinë osmane. Ky vendim, shqiptarëve iu duk i padrejtë, prandaj edhe u mblodhën për ruajtjen e trojeve. Aty zuri fill edhe idea për autonomi - e paimagjinueshe deri atëherë – dhe nga që u kundërshtua ashpër, do të ushqente ndjenjën për pavarësi.

 

Eshtë thënë se krijimi i Lidhjes së Prizrenit ishte një nismë e perandorisë osmane, por fakti se shqiptarët dijtën ta shfrytëzonin deri në maksimum tregon, se ata ishin më të qartë, sa mendohej, në qëllimet e veta. Lidhja e Prizrenit ishte një nga ato zhvillime historike ku interesat e palëve shpesh të kundërta, përputhen deri-diku e pastaj ndahen. Kështu, ndërsa Perandoria osmane përpiqej të mos humbiste territoret e saj, duke i përdorur shqiptarët si mburojë ndaj planeve të superfuqive, shqiptarët nga ana e tyre nuk iu shmangën kësaj përgjegjësie, të vetëdijshëm se mbronin troje që një ditë do t’u ktheheshin. Lidhja e Prizrenit u shpërbë më 1881, por fakti se shumë prej udhëheqësve të saj u vrane, u burgosën a u syrgjynosën, tregon se Lidhja rebeloi, doli jashtë kontrollit osman, duke hyrë në histori si Lidhje Kombëtare.

Gjithashtu, vetëm nëse shihet nga një kënd vështrim lindor a osman, mund të thuhet se Lidhja e Prizrenit shënoi fillimin e Rilindjes kombetare shqiptare, sepse e parë nga një kënd perëndimor a evropian, Lidhja e Prizrenit ishte vetëm një hap në procesin e gjatë të Rilindjes evropiane që përpiqej të përhapej në mbarë Evropën, njësoj sic ndodh sot me proceset integruese në Bashkimin Evropian.

Nga Lidhja e Prizrenit, atdhetarët shqiptarë nxunë shume mësime, aq shumë sa mund të nxirren vetëm nga gabimet. Ata kuptuan se bashkimi kombëtar nuk mund të arrihej forcërisht. Ata po ashtu për herë të parë duket se e kuptuan se feja, ose më sakte 3 a 4 besimet e ndryshme fetare, nuk mund të përdorej si faktor afrimi sic kishte ndodhur me popujt fqinjë, të cilët duke patur një fe të vetme bënë përkimin e saj me kombin, duke ngritur kështu strumbullarin për rilindje e bashkim. Kjo ndoshta mund të jetë edhe një prej arsyeve përse Greqia e Serbia u shkëputën nga Perandoria osmane shumë dekada para shqiptarëve.

Por një tjetër faktor bashkimi dukej më i rëndësishëm. E vetmja gjë e përbashkët që shqiptarëve u kishte mbetur në atë kohë ishte gjuha; sado e përzier, e shtrembëruar, e pashkruar, baza e saj ishte e vetmja vlerë kulturore e pandarë që kishin trashëguar. Thonë se gjuha është mjet që kryen transplantimin e ideve në tru pa operacion. Kështu, pas Lidhjes së armatosur të Prizrenit, vemendja e atdhetarëve u kthye në një tjetër drejtim, drejt gjuhës, që në fakt ishte rigjetje e rrugës së filluar nga Rilindasit evropianë.

Lashtësia është përdorur si themel i krenarisë së cdo kombi. Megjithëse referencat e dokumentuara rreth gjuhës shqipe nga e kaluara nuk janë të shumta, intuita e cdo shqiptari për lashtësinë e saj zgjatet përtej antikitetit.

Dokumentimet e para rreth ekzistencës së shqipes datojnë rreth shek XIV, kur në një raport dorëzuar mbretit të Francës, një prift i Tivarit përpiqe të argumentonte ndërmerrjen një kryqëzatë. Në atë dokument, për here të parë shqipja përmendet si gjuhë ndryshe nga gjuhët latine, por e shkruar me alfabet latin.

Ndërsa, mes studiuesve të huaj, filozofi gjerman Leibniz(1700), përfaqësues i Rilindjes evopiane, ishte i pari që i kushtoi vemendje gjuhës shqipe por pa arritur në ndonjë përfudim rreth prejardhjes së saj. Më pas, gjermani tjeter, Thunmann(1774) doli me idenë se shqipja lidhej me trakishten. Më 1820, francezi Pouqueville hartoi një fjalor shqip, bazuar në një fjalor Shqip-Greqisht-Anglisht nga Leake mee 1814. Më 1834, Xylander sjell studimin e parë serioz rreth prejardhjes së shqipes. Kjo ishte periudha evropiane e filologjisë krahasuese që solli edhe shtimin e interesimit te studiusve të huaj rreth gjuhës shqipe. Në këtë fushë, Xylander u pasua më 1853 nga austriaku Han që sot njihet si themeluesi i albanologjisë. Por Bopp më 1855, ishte i pari që phoi se shqipja zinte një vend të vecantë si degë e pavarur e familjes së gjuhëve indoevropiane. Për rilindasit vendas ky fakt afirmonte se shqiptarët, megjithëse të njohur me emra të ndryshëm në histori, rridhin nga një popull i lashtë në Ballkan.

Më në dijeni e më pranë këtyre zhvilimeve, pa dyshim ndodheshin shqiptarët jashtë trojeve që kishin një farë statusi intelektual a arsimor. Të ndikuar nga interesimi i studiuesve të huaj për gjuhën e tyre, shumë prej tyre filluan të shkruanin tani rreth historisë, gjuhës e folklorit shqiptar. Dhe në atë kohë, kushtet më të mira për t’a bërë këtë i kishin arbëreshet e Italisë. Të dhënat flasin se që në vitet 1700 mes tyre ekzistonte një rrjet shkollash e kolegjesh ku mësohej edhe gjuha shqipe. Kështu, ndikimi i lëvizjes kulturore që filloi nga De Rada, Kamarda e Skiroi në Itali - djepi i Rilindjes evropiane - u përhap mes shqiptarëve të shkolluar në mbarë Evropën, në trojet shqiptare e deri në Stamboll.

Rrezet e Rilindjes evropiane më në fund kishin depërtuar duke prekur pikën më të dobët e njëkohësisht më të fortën të krenarisë shqiptare; gjuhën dhe prejardhjen e lashtë të saj. Pas rizgjimit të kësaj ndjeshmërie, procesi i Rilindjes do të thellohej e zgjerohej. Nisur nga ky vështrim, Lidhja e Prizrenit shërbeu si një nga ato pikat ku pas një udhe të lodhëshme, njerëzit ndalen për t’u ripërtërirë, që pastaj të vazhdojnë më fuqishëm e në drejtim më të qartë.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive