Faqe kryesore arrow Arti arrow Koncert madhështor i muzikës klasike në New York
Koncert madhështor i muzikës klasike në New York PDF Print E-mail
11 Qershor 2009

Nga Këze (Kozeta) Zylo

    Baritoni Kreshnik Zhabjaku dhe sopranoja Era Limani-Hoxha, përndezën notat e pentagramit në një koncert të muzikës klasike në NY, brenda shpirtit shqiptar
në “Sudio Theatre-Lehman Stage”.  Baritoni i suksesshëm Kreshnik Zhabjaku dhe sopranoja Era Limani-Hoxha dhanë një koncert të muzikës klasike para publikut shqiptar dhe amerikan.
Dashamirësit e artit dhe të muzikës klasike kishin zënë vendet në sallë dhe me një kurreshtje të posaçme, lexonin programin e shpërndarë nga moderatori i kësaj mbrëmjeje, z. Xhevat Limani.
Ngjyra kuq e zi brenda teatrit, jepte efekte të veçanta dhe emocionuese, është një kontrast i shkëlqyer që përcjell kuptueshmërinë e këtij kombinimi sa harmonik aq dhe domethënës për ne shqiptarët.  Mjedisi të impononte një qetësi dhe mezi prisje që në skenë të shqaqeshin dy yjet e muzikës klasike, Zhabjaku dhe Limani-Hoxha.
Mes duartrokitjesh u prit në skenë moderatori i këtij koncerti, regjisori dhe aktori i mirënjohur i të gjitha trevave shqiptare, z.Xhevat Limani.

 

Përshëndetja e tij kishte fjalë të përzgjedhura, ashtu siç di të flasë vetëm Limani.
Ndërmjet të tjerash ai tha se: Opera është selektive, zakonisht në koncerte klasike vinë njerëz qe e duan dhe e respektojne pakufi këtë gjini të artit klasik.
Pikënisja për cdo gjë të mire, apo e kundërta e saj, është individi i ndërgjegjësuar se çfarë do t’i dhurojë publikut, çfarë shtyse për më tej do t’i japë shoqerisë dhe të ardhmes që e prêt.
Bota është e mbushur me antiteza…përkrah luftës është dhe paqja, përkrah grykësisë është dhe bamirësia…!
Ndërsa publiku artdashës e duartrokiste me një respekt të veçantë artistin, unë shpesh mendoja:
kanë të drejtë që e duartrokasin veçanërisht për bamirësinë, ngase ky koncert muzikor klasik ishte falas, dhënë nga shpirti i bardhë si bora e bjeshkëve, e baritonit Zhabjaku, sopranos Limani-Hoxha dhe pianistes së mirënjohur shqiptare, znj. Nermin Daja-Zhabjaku.

Zërat e tyre gati-gati hyjnorë u shpirtëzuan brenda publikut artdashës

    Në skenë ngjitet vajza shqiptare nga Maqedonia, sopranoja me zë të brishte, Era Limani-Hoxha, ajo dukej si një mjelmë liqeni, delikate, veshur me fustan me ngjyrë të kaltër, thurur i tëri me vija të agjendta, tepër të holla.
Ajo e hapi pjesën e parë të koncertit me operën: “Ave Maria” të Caccinit, ku interpretimi i saj ishte rrënqethës, i magjishëm, befasues.
Publiku kishte hyrë në rezonancë me sopranon, e cila kishte arritur të krijonte një lidhje të padukshme, por shumë shpirtërore, atë lidhje që kanë nevojë gjithë artistët e skenës.
    E dëgjoja me kënaqësi Erën, që sot ndodhej shumë pranë nesh, dhe në mendje më shfaqej: “Hymni Homerik XVI për mbretëreshën Hera, (Era) ku desha të veçoja nga ajo grua e lumtur e Zeusit prehërin e kaltër të saj, që dërgon puhitë e buta jetëdhënëse për të vdekshmit…dhe vazhdon…
…Eja pra zonjë…Perëndeshë…Eja tek ne e gëzuar, shpirtmirë dhe e bukur…
Ja ashtu u shfaq Era, me atë zë koke, hyjnor, që të emociononte dhe të futej në shpirt, me gjithë shpirtin e saj të butë, femëror.
Pas operës së Caccinit në skenë do të vinte baritoni i suksesshëm Kreshnik Zhabjaku.
Ai interpretoi Rivolgete a Lui lo Sguardo të Mozartit.
Eshtë një kënaqësi tepër e rrallë të shikosh në skenë nënë e bir, Kreshnikun duke kënduar opera, nën tingujt magjepsës të pianos, interpretuar nga nëna e tij,
pianistja Nermin Daja – Zhabjaku, ish profesore në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë.  
Po aq magjepsëse është dhe sopranoja Era Limani së bashku me të atin e saj, regjizor, aktorin z.Xhevat Limani.
Një familje artistësh, familje që debutojnë me kulturë, jo vetëm në skenat shqiptare, por dhe në skenat e New Yorkut dhe në botë.
Zëri i baritonit, një zë burrëror, dukej sikur dilte nga një gjoks kreshnikësh, por me lirizmin e tij jepte efekte tejet emocionale.
Ishin tinguj muzikorë, grykorë, që dukej sikur shkonin në stratosferë, këta tinguj çonin peshë zemrat e artdashësve, që vazhdimisht në fund të interpretimit përcilleshin me duartrokitje të fuqishme.
Eshe pse Baritoni e ka emrin Kreshnik, një emër epik, që të sjellë ndërmend këngët e kreshnikëve kënduar në dasma, apo ceremoni të tjera pranë oxhakut të kullave të malësorëve trima, ndër beteja, në zjarre duetesh, shpirti i tij është shumë lirik në interpretim, është një zë që të ngelet në kujtesë gjatë.
Ai krijoi lidhje të fuqishme me publikun, lidhje që nuk mund të ndaheshin më, në atë natë të paharrueshme me lirika të operës botërore dhe shqiptare.
Pas debutimit dinjitoz të pjesës së parë me pjesë nga Mozarti, Brahms, Caccini, Bellini, Dargomisky, Rahmaninoff, Txhaikovsky, regjisori Limani do të shfaqej përsëri në skenë duke sjellë disa perla nga poetët më të njohur shqiptarë.
Aktori me një profesinalizëm dhe kulturë maksimale në interpretim, jo vetëm që rrëmbeu zemrat e publikut me interpretimin e tij, por kishte përzgjedhur pjesë dhe fragmentet më të bukura nga autorët shqiptarë, duke u hyrë spektatorëve në zemër me peshën e madhe dhe ngarkesën emocionale që ato mbartin…
Kështu poezia e Azem Shkrelit me titull: “Këngë e turpshme”, drithëroi shpirtrat e artdashësve me vargjet:
Sonte/ Qava sonte, për ty/Arbëri !/ Nuk më vjen turp/ Pse qava,/
Më vjen turp pse s'munda të bëj tjetër.../ Nga turpi qava!
Në pjesën e dytë të koncertit u interpretuan pjesë nga autorë shqiptarë si:
“Elegji për Luigj Gurakuqin” nga Limoz Dizdari.  
Z.Zhabjaku me elegjinë e Nolit për Luigj Gurakuqin, solli drithërrima, ngase shumë shqiptarë e dinë përmendsh këtë elegji, i cili u rikujtoi gjithashtu disa mësueseve të letërsisë në këtë sallë, komentet dhe analizat që ata bënin para auditorit, para klasave të tyre.
Eshtë një elegji e pavdekshme, që edhe pse kanë kaluar dekada, sheh brenda këtyre vargjeve, se si historia përsëritet, ku në shumë raste ndodhin të njëjtat fatalitete, të njëjtat përbuzje dhe përçmime për yjet e Kombit.
Ja disa prej këtyre vargjeve që aq dhimbshëm dhe me një zë të thellë, erdhën brenda nesh, sa dukej sikur çahej tavani nga interpretimi i z. Zhabjaku:
Nëno moj, mbaj zi për vëllanë, /me tre plumba na i ranë, /na e vran´ e na e shanë, /na i thane tradhëtor.
    Kurse kënga folklorike nga Arbëreshët e Italisë: “Moj e bukura More”, interpretuar nga Era Limani, kishte efekte të papërshkrueshme emocionale, në këto raste është e pamundur të mbahen çurgat e lotëve nëpër faqe.
Edhe pse e ke dëgjuar disa herë këtë këngë, këtu në vend të huaj, se ç’hap nje dhimbje tjetër, një brengë tjetër, dhe të bën ta kuptosh edhe më shumë ikjen e dikurshme të arbëreshëve nga pushtuesit turq, që mua më duket se është gati njëlloj me ikjen e madhe të shqiptarëve pas përmbysjes së diktaturës, një hemorragji që s’po ndalet kurrë…!
Nuk ka vashë emigrante shqiptare, që të mos preket dhe shpirti t’i dridhet si një gjethe në erë, kur dëgjon fjalët: Atje lashë unë zonjën mëmë, atje lashë unë zotin at, atje lashë dhe tim vëlla…!
Sopranoja e bukur Era, me aq mjeshtëri dhe dhimbje e interpretoi këtë këngë aq të dashur dhe aktuale për ne shqiptarët.
E magjishme dhe e papërshkrueshme ishte kënga: “Lule Bore” nga Simon Gjoni, interpretuar nga dueti Zhabjaku dhe Limani-Hoxha.
Salla shoqëronte me duartrokitje këtë këngë hymn kompozuar nga legjenda e muzikës simfonike Simon Gjoni, një këngë e kompozuar gati 62 vjet më parë, por që ka fituar pavdekësinë në të gjitha trevat shqiptare.
Arti nuk njeh kufij, nuk njeh ngjyrë, por është pronë e të gjithëve, nëse artisti, kompozitori ka arritur të shpirtëzoje këngën, vargjet.
Ndaj dhe gjithë publiku e shoqëronte duetin me vargjet:
Tuj kërkue n`ar e n`koder/Tuj prek lulet t`gjith me dor`/Veç n`nji kopsht të vogël n`Shkoder/Ty të gjeta lulebore...."
Zonja Fico, një ish mësuese fisnike pas interpretimit të kësaj kënge, u dhuroi lule artistëve shqiptarë, një gjest mirësie, që u prit me duartrokitje nga salla.
    Të gjitha pjesët e kompozitorëve shqiptarë si: “Hej ju male” nga Cesk Zadeja, “Për mu paska ken kismet” nga kënga folklorike A.Paparisto, “Agimet shqiptare” nga Avni Mula, i dhanë një kënaqësi të vecantë gjithë publikut pjesëmarrës.
Koncerti elegant u mbyll nga moderatori z.Limani duke falënderuar Institutin “Gjergj Kastriot Skanderbeg” dhe stafin e këtij Instituti, si: z.Q.Zylo, z.Rrape Ruci, z.M.Pacuku, A.Lacaj, B.Bejleri, të cilët bashkëpunuan për realizimin e këtij aktiviteti.  
Ai përshëndeti dhe nxënësen e kësaj shkolle Dea Bejleri që me doçkat e saj të vogla duartrokiste artistët.
Njëkohësisht falënderoi dhe zotërinjtë Luan Bexheti, Kol Camaj, Nexhat Imeraj, Mjaftime Dushollari, Valbona Çano, Qazim Doda, Engjëllushe Imeraj, Zef dhe Mariana Nacaj…etj, që nderonin me pjësëmarrjen e tyre.
Z.Limani përshëndeti dhe autorin, z.Agron Fico për publikimin e librit të tij:
“Rilindje e Shqipërisë Etnike” një libër që sjell pranë ëndrrën e shqiptarëve, për një Shqipëri etnike.
Koncerti madhështor u filmua nga z.Skender Pali.
Ndërsa z.T.Watkins filmoi gjithashtu dhe intervistat e dhëna nga artistët Limani-Hoxha dhe Zhabjaku, që së shpejti do të transmetohen në TV shqiptar.

Maj 2009
Lehman College, NY

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?