Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow Interviste me kritiken e letersise znj.Klara Kodra, dhene gazetares se Blue Sky, Vera Pelaj
Interviste me kritiken e letersise znj.Klara Kodra, dhene gazetares se Blue Sky, Vera Pelaj PDF Print E-mail
16 Qershor 2009
Blue Sky: Zonja Klara Kodra, poete, kritike e letërsisë, përkthyese. Po merrni pjesë në Festivalin Ballkanik të Poezisë. Cilat janë përshtypjet e juaja?
Klara Kodra: Unë u gëzova shumë kur më ftuan dhe mendoj që është një përvojë e bukur që kam mundur të komunikojë me publikun këtu, me dy vjershat e mia të fundit.

Blue Sky: Ç’ka të ofron kënaqësi më shumë poezia, kritika apo përkthimet?
Klara Kodra: Poezia është dashuria e parë, se ka filluar që kur isha fëmijë. Mbaj mend që isha 4 vjet e gjysmë, që vendosa të bëhem shkrimtare. Pastaj më vonë, në moshën 14 vjeçare, botova vjershat e para dhe atëherë i bëra një betim poezisë, që nuk do të heq dorë prej saj. Kurse në moshën 20 vjeçare, u bëra historiane e Letërsisë, në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë. Dhe kështu kuptohet se Kritika e Letërsisë dhe Historia e Letërsisë, janë motra. Nuk do të më kishte shkuar mendja që do të bëhesha edhe kritike në fillim fare, sepse ka qenë njëfarë konflikti midis kritikëve dhe shkrimtarëve. Pastaj, kur je edhe kritike edhe shkrimtare, sikur dyzohesh në njëfarë mënyre. Kolegët e mi më thoshin që poezia, ishte dashuria ime ilegale.


Blue Sky: Ç’farë thonit ju në kritikat e juaja, për novelat e tij?
Klara Kodra: Vija re disa kontradikta te “Kush e solli Doruntinën”. Më dukej që kishte si një prirje për të lavdëruar ligjet e pashkruara, që më dukej pak anarkiste. Më kujtohet se ka qenë redeaktor Dalan Shaptu te “Nëntori” dhe më tha: “Mos të shkon mendja që të thuash se Ismal Kadareja, nuk e do diktaturën e proletariatit”. Mua nuk më kishe vajtur në mendje, megjithatë ai e zbuti pak këtë kritikë. Merrja Konstandinin, si përfaqësues të një ekzaltimi të ligjeve të pashkruara. Ligjet e pashkruara, mund ta kenë atë bukurinë e tyre por, sidoqoftë, kur i kundërvihesh shtetit, krijohet njëfarë konflikti. Në atë kohë historike, ndoshta mund të kishin më tepër vlerë ligjet e pashkruara por më vonë, në shekullin e 20 - të, sigurisht ishte ndryshe. Pastaj, në vërtetë ishim në diktaturë por, këtë nuk e kisha mbajtur në mendje. Nuk isha kaq e djallëzuar sa ta akuzoja Ismailin, për dicka të tillë. Në një kohë të tillë, sigurisht rrezikoje po ta kritikoje për dicka të tillë. Ishte edhe problemi i incestit aty, që mu duk sikur e prekte atë bukurinë e dashurisë vëlla – motër, në baladë që ishin shndërruar në novelë. Ishe edhe problemi i ç’mitizimit nga një anë, pastaj sikur lind edhe një nip i ri. D.m.th, atë procesin e ç’mitizimit, ndoshta se kishte çuar deri në fund, Ismaili.

Blue Sky: Si ishte, të jesh krijuese në kohën e komunizmit?
Klara Kodra: Unë kam pasur iluzione në fakt për socializmin. Kam ëndërruar se mund të realizohej, pikërisht edhe i kam shprehur këto iluzione. Më vonë kur u zhgënjeva, kam shkruar edhe një poezi për të shprehur këtë dramën e iluzioneve dhe zhgënjimeve të brezit tonë, “Mirazhi”. Duke e përfaqësuar atë ëndrrën tonë si mirazh, ëndrrën për socializmin edhe them aty që, ne ishim në mes të shkretëtirës edhe me sy të qepur të mirazhit, vdisnim nga etja.

Blue Sky: A e ka vendin letërsia shqiptare, aty ku duhet edhe në letërsinë botërore?
Klara Kodra: Jo, nuk e ka. Ka shumë potenciale dhe shumë vlera por, problemi është te gjuha shumë e veçantë e një populli të vogël. Mendoj që duhet të kishte përkthyes të nivelit të lartë, që mund t’ia përçon edhe popujve të tjerë. P.sh Ismail Kadare, u bë i famshëm që pati fat të përkthehej në frëngjisht edhe nga një përkthyes i nivelit të lartë, siç ishte Isuf Vrioni. Ne kemi pasur edhe poetë të kohës së Rilindjes e të traditës, që ishin me vlera evropiane por, nuk e patën këtë fat. P.sh De Rada ynë, shkroi “Këngët e Milosaos”, që është një vepër e nivelit evropian, 23 vjet para “Mirelës” se Mistralit. “Mirela” e Mistralit pastaj, gëzoi famë evropaine kurse “Milosao”, jo! Mendoj për këtë se ishte për shkak të gjuhës tepër të veçantë, për më tepër si e ka shkruar në dialekt të kësaj gjuhe, në arbërisht. Përkthimin në italisht e bëri vetë, jo me nivel shumë të lartë. Po të kishte pasur mundësi që të përkthehej në frengjisht ose italisht, mbase do të kishte fituar famën e merituar. Kemi pasur edhe poetë të tjerë të nivelit të lartë si Noli, Mjeda ... Edhe ata pikërisht për këtë kanë vuajtur, se nuk janë  përfaqësuar sa duhet. Mjedën e kishte përkthyer italisht mamaja ime, në kohën e socializmit.

Blue Sky: Ju keni pasur një mama italiane dhe një baba gjirokastrit!
Klara Kodra: Po është e vërtetë. Jam fëmijë e një martese të përzier edhe thonë se këta fëmijë kanë cilësi të veçanta por, në njëfarë mënyre janë edhe pak të copëzuar midis dy kulturave.

Blue Sky: Sigurisht kjo është një gjë e mirë?
Klara Kodra: Nuk e di, krijon njëfarë konflikti. Njëherë në një poezi kam thënë se, kisha zili detin që mund të përqafojë dy vende kurse, për njeriun është pa e vështirë që t’i rrok të dyja.

Blue Sky: Kemi kritikë të mirëfilltë sot?
Klara Kodra: Është një problem se tani kritika letrare është në krizë. Bile janë disa që thonë që ka vdekur. Them ndoshta vdekur jo, por në letargji. Është një problem, se disa nga kritikët që kanë jetuar në diktaturë, ishte dashur që të bënin kritikë sociologjike – marksiste edhe nuk kishin zgjedhje në atë kohë. Kurse tani, ekziston një pluralizëm edhe mund të zgjedhin por, jo të gjithë i përshtaten sa duhet këtyre kritikave moderne. Ata të asaj kohe, njëherë e kanë të vështirë t’i përqafojnë metodat moderne kurse të rinjtë, edhe ata jo gjithmonë i asimolijnë sa duhet. Megjithatë ka talentë edhe në kritikë, kritikë të rinjë që japin shumë shpresa.

Blue Sky: Disa thonë se sot për librin bëhen vetëm lavdërime, nuk bëhet kritikë. A pajtohesh me këtë?
Klara Kodra: Po. Jo vetëm lavdërime por, ka edhe sharje. Por nuk duhet të ketë as lavdërime as sharje, duhet të ketë kritikë objektive. Shpesh nisen nga simpatitë ose antipatitë personale edhe nuk bëjnë një kritikë shkencore. Duhet të zhvillohej edhe kritika e kritikës.

Blue Sky: Si mendoni kritika e kritikës, kush mund ta bëjë atë?
Klara Kodra: Ne të shkencës letrare. Kritikë ose historian letërsie. Ndoshta më mirë historianët e letërsisë, që janë pak të shkëputur në një dimension historik.

Blue Sky: Ju merreni edhe me përkthime.
Klara Kodra: Po është e vërtetë, merrem edhe me përkthime. Më kujtohet dikur, mamaja ime ka përkthyer autorët shqiptarë në italisht. Mamaja ime ishte përkthyese e nivelit të lartë. Në fillim mu më dukej se nuk mund të arrija nivelet e mamasë. Kështuqë, për një kohë të gjatë nuk kisha besim se mund të bëja përkthime të mira. Por, vitet e fundit kam bërë edhe përkthime nga italishtja në shqip edhe nga shqipja në italisht. Më duket se i kam disa mundësi edhe në këtë fushë.

Blue Sky: Cilët autorë i keni përkthyer?
Klara Kodra: Nga italishtja kam përkthyer Tomazo Landolcin, që është një shkrimtar shumë interesant bashkëkohor, që nuk njihej fare në Shqipëri. Kam përkthyer një vëllim me tregime prej tij. Pastaj kam përkthyer edhe Injacio Siluonën edhe ky një shkrimtar italian bashkëkohor, kam përkthyer një roman të tij. Romani e kishte titullin “E fshehta e Lukës”, por pastaj shtëpia botuese ia ndërroj titullin, për ta bërë më interesant për lexuesin dhe u botua me titullin “Një dashuri e pamundur”. Kam përkthyer gjithashtu një përmbledhje me artikuj “Kritikët e kroçës”, poezia antike dhe moderne. Pastaj nga shqipja në italisht, kam botuar përmbledhje me poezi nga disa poetesha si Iliriana Sulkuqi, Mirela Sula, Vojsava Nelo etj. Kam përkthyer edhe romanin për fëmijë të Bedri Dedjes “Një udhëtim i rrezikshëm” por, nuk është botuar akoma, nuk ka qarkulluar.

Blue Sky: Ju edhe vetë merreni me letërsi për fëmijë.
Klara Kodra: Po, me letërsi për fëmijë kam filluar të merrem kur u tregoja përralla fëmijëve të motrës edhe djalit, që më vonë e kam adoptuar, Eltonit. Kështu, pastaj fillova edhe të shkruaj letërsi për fëmijë. Më thoshin se nuk do të kesh sukses në poezinë për fëmijë, se ti merresh me probleme serioze. Përkundrazi, pastaj pata njëfarë suksesi edhe në letërsinë për fëmijë. Fillova me vëllimin “S’janë lulebore” i botuar në ’87-tën, pastaj më vonë kam botuar një me titullin “Pasqyra magjike”, e tani vonë një me titull “Vjen pranvera”. Kam shkruar edhe një tregim për fëmijë “E vogla e shtëpisë”, që i kushtohet një maceje, që e kam dashur shumë. Është botuar shqip dhe italisht.

Blue Sky: Cili është mendimi juaj, për letërsinë që krijohet në Kosovë?
Klara Kodra: Unë e kam admiruar gjithmonë letërsinë kosovare. E kam vënë re që në njëfarë mënyre, ka qenë një letërsi me e avancuar. Sikur kishte më tepër liri nga censura ndoshta, në njëfarë kuptimi. Nga censura e brendshme e kam fjalën, sigurisht që nuk flasë për serbët. Mua më ka pëlqyer mjaftë edhe antiromani “Oh”, i Anton Pashkut. Tani vonë e kam edhe një artikull te revista jonë shkencore “Studime filologjike”, që duhet të dalë së shpejti. Natyrisht, në atë kohë nuk mund ta lavdëroja sepse atëherë këto eksperimentet moderniste, nuk shiheshin me sy të mirë. Mua më ka pëlqyer mjaftë edhe poezia kosovare. Që në atë kohë kam shkruar një artikull për prirjet e ndryshme të poezisë kosovare dhe është botuar te “Studimet filologjike”, që në vitin 1984.

Blue Sky: Vini shpesh në Kosovë?
Klara Kodra: Në fakt, në Kosovë kam ardhur për herë të parë në vitin 2000, tamam në kohën midis dy shekujve dhe jam gëzuar shumë. Pastaj, që nga atëherë, kam ardhur shpesh në seminaret albanologjike dhe shpresoj të vij prapë edhe sivjet.

Blue Sky: Rexhep Qosja, pati një konflikt me Ismail Kadarenë. Çka mendoni për këtë?
Klara Kodra: Unë kam shkruar dicka edhe për këtë konflikt. Më ka ardhur keq, që të dy janë personalitete të mëdha të kulturës shqiptare, e nuk janë marrë vesh mes vete. Sigurisht , mendoj se që të dy janë patriotë por, nuk e kanë kuptuar si duhet problemin. Janë treguar pak ekstremistë, njëri nga njëra anë, e tjetri nga tjera. Në ato që unë kam shkruar në një gazetë, uroja që t’i jepnin fund, sa më shpejtë keqkuptimeve të tyre.

Blue Sky: Domethënë, ju nuk i jepni më shumë të drejtë asnjërit?
Klara Kodra: Më duket që secili kishte ngapak të drejtë dhe në të njëtën kohë, që të dy e kishin edhe gabim.

Blue Sky: Mendoni që e kanë bërë në kohën jo të duhur?
Klara Kodra: Po, në të vërtetë nuk ishte në kohën e duhur sepse është një kohë pikërisht tani, që duhet të qëndrojmë të bashkuar. Tani që Kosova, më në fund u bë e pavarur.

Blue Sky. Zonja Klara, kemi njerëz të denjë për çmimin Nobel për Letërsi, ne shqiptarët?
Klara Kodra: Po. Unë kam qenë e mendimit që ta mirrte Ismail Kadare çmimin Nobel. Mua më ka ardhur keq që nuk e ka marrë gjer tani, se mendoj që vepra e tij e meriton. Por, kam frikë se janë nisur edhe nga arsye politike që nuk ia kanë dhënë.

Blue Sky: Dikend tjetër nga autorët shqiptarë do ta propozoje, pos Ismail Kadaresë?
Klara Kodra: Mua më pëlqen shumë edhe Dritëro Agolli. Edhe ai ka një origjinalitet, që e plotëson atë që nuk e jep Ismaili. Ai ka më tepër një lëng të ngrohtë jete, një frymë popullore edhe në njëfarë mënyre, e plotëson spektrin e letërsisë sonë. Ndoshta edhe ai, mund ta merrte.

Blue Sky: A presin lexuesit ndonjë libër të ri nga ju?
Klara Kodra: Po, unë kam në dorë tani edhe studime edhe vëllime me poezi. Kam një monografi për Santorin si poet dhe romansier, që nuk paranjohet sepse njohet si dramaturg. Për veprimtarinë e tij dramatike, kam shkruar në një përmbledhje që flet për dramaturgjonë e arbëreshëve të Italisë. Kurse për poezinë, kam edhe një përmbledhje me poezi lirike “E shkruar me kompjuterin e kaltër të qiellit”. Edhe një përmbledhje tjetër me poezi satirike “Thumbi i  bletës”, ku flasë për konfliktet midis kritikëve dhe shkrimtarëve. Kam edhe dy libra për fëmijë “Epopeja e maceve” dhe “Top i mrekullueshëm”. I kam në shtëpi botuese private dhe po pres që të dalin.

Blue Sky: Sa i përket letërsisë, keni besim tek brezat e rinjë?
Klara Kodra: Po, kam shumë besim. Shoh që po dalin talentë të ri por, vetëm kanë nevojë të inkurajohen. Gjithashtu edhe publiku duhet të lexojë më shumë, se tani është ky fenomen se të rinjtë janë larguar ca nga leximi, se janë dhënë shumë pas televizionit. Por, besoj se do të kthehen sepse libri është gjithmonë më i thellë.

Blue Sky: Porosia për dëgjuesit e radios Blue Sky?
Klara Kodra: Unë u gëzova shumë që pata rastin që ta flasë dhe të komunikojë me publikun kosovar sepse unë kam pasur gjithmonë një dashuri të veçantë për kosovarët. Mbaj mend se kemi pasur dy shoqe kosovare kur isha studente dhe gjithmonë, e kam pasur ëndrrën për lirinë e Kosovës. Mbase e çoj një ëndërr edhe më tutje, një ëndërr për bashkimin por është e parakohshme ajo.

Blue Sky: Besoni që do të ndodh?
Klara Kodra: Ndoshta në një të ardhme. Duhet ta vendosin vetë shqiptarët dhe kosovarët. Dhe dëgjuesve, do t’ju thosha, se ju dua si vëllezër e motra.

Bisedoi Vera Pelaj – radio “Blue Sky”

 
Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2010-05-26 02:10:12
Pyetje dhe pergjigje interesante.Me pelqen shume. 
BRAVO!!!!

Koment nga GUEST më 2013-04-24 14:50:04
gjeta ide dhe mendime qe i perqafoj dhe gezohem qe do tju njoh nga afer prof,KLARA. 


International
English
Faqe interaktive