Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Shoqëria arrow Gazetat partiake, paradokse
Gazetat partiake, paradokse PDF Print E-mail
27 Qershor 2009
Astrit Lulushi

Për monizmin thuhet se tashmë i përket historisë, por ekzistenca e shtypit partiak dhe betejat e ashpra politike për pushtet me cdo kusht deri në zvetënimin e kundërshtarit lë të kuptohet se monizmi është mentalitet, më tepër sesa institucion.

Sot në botën demokratike perëndimore, partitë politike nuk kanë organe shtypi - gazeta, radio a stacione televizivë. Në këtë oaz mediatik ka gazeta që përkrahin të djathtët a të majtët, ose që kundërshtojnë njërin krah ose tjetrin, ndërsa politikanët përpiqen të jenë miq të shtypit. Sepse për të bërë të njohur programet e veta, partitë kanë veprimtarë dhe ekzistenca e gazetave partiake shihet si paradoks.

Dëshira e papërmbajtur a padurimi për të informuar publikun mbi sukseset vetiake është njohur si karakteristikë e sunduesve më autokratë. Historikisht kjo zë fill me Jul Cezarin me 59 p.e.s., kur ai filloi të nxirrte gazetën e përditëshme Acta Diurna – Ngjarje Ditore, në të cilën zvillimet pasqyroheshin në mënyrë të njëanëshme. Kjo e shtyu Senatin të botonte menjëherë gazetën e vet, Acta Senatus. Kështu mund të thuhet se këto dy organe përbëjnë edhe fillimet e para të Gazetave Zyrtare dhe Parlamentare

Gazeta zyrtare mund të quhet deri diku gazetë e partisë në pushtet, sepse aty pasqyrohet puna për zbatimin e programit të saj, duke lënë jashtë ngarkesat ideologjike. Nga ana tjetër, partitë opozitare, që luajnë rolin e tyre nëpërmjet përfaqësuesve në parlament, shprehin qëndrimet e tyre, pro a kundër, nëpërmjet debateve a diskutimeve, që pasqyrohen me shkrim në aktet apo Fletoren e Parlamentit.

Gazetat e sotme partiake janë rrjedhojë e zhvillimeve historikisht të vonëshme. Më 1912, Lenini ishte një prej themeluesve të Pravdës, që do të bëhej më pas organ i partisë komuniste të BRSS-së. Sot Pravda është ndarë, dhe nje variant i saj botohet vetëm online. Në Shqipëri, gazeta Zëri i Popullit, titulli i traktit të parë të PKSH-së kundër pushtimit fashist dhe kundër atyre që nuk pajtoheshin me komunistët, më pas u bë organ i Partisë së Punës së Shqiqërise.

Kanë kaluar ofro 20 vjet nga rënia e komunizmit. Përmbysje e  reforma të shumta kanë ndodhur, megjithëse organi i ish PPSH-së vazhdon të ekzistojë si gazetë e një prej partive kryesore të politikës shqiptare.  Gjithashtu nuk mund të quhet gazetë Rilindja Demokratike, kur që të rilindësh duhet të kesh lindur dhe historikisht Shqipëria kurre nuk pat njohur ndonjëherë demokraci.

Paradoksi tjetër është se ndërsa cdo parti, në pushtet ose jo, zotohet për shtyp të lirë e të paanëshëm, ky shtyp nuk mund të jetë i tillë ndërsa rivalizohet nga shtypi partiak. Të thuash se lufton për lirinë e shtypit dhe nga ana tjetër t'i kundërvihesh me njëanshmërinë tënde, do të thotë të shkatërrosh atë që je zotuar të mbrosh.

Gjithashtu, të mbash në qarkullim gazetën në një treg konkurues nevojiten fonde të shumta. Me heqjen dorë nga gazetat vetiake, partitë jo vetëm do të cliroheshin nga barra financiare por edhe do të ndihmonin për një klimë më të shëndetëshme të shtypit të lire, sic parashikojnë programet e tyre.

Por vazhdimi i ekzistencës së shtypit partiak duket se është pasqyrim i mendësisë të së djeshmes, sic janë edhe shumë përvjetorë, emra rrugësh e institucionesh që fyejnë e provokojnë disa dhe ndihmojnë të tjerët të mos i humbasin shpresat sepse edhe e shkuara mund të përsëritet.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive