Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Aktualiteti arrow Fillon periudha e heshtjes zgjedhore
Fillon periudha e heshtjes zgjedhore PDF Print E-mail
27 Qershor 2009
Të shtunën 27 qershor ora 0h00 ka filluar heshtja zgjedhore sipas percaktimit që i bëhet në Kodin zgjedhor. Gjatë kësaj periudhe ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në media ose në terren nga subjektet politike, për t'i lejuar votuesit të marrë një vendim në qetësi për shprehjen e vullnetit të tij politik.
Në zgjedhjet e së dielës 28 qershor janë regjistruar 45 subjekte të ndara në 4 koalicione zgjedhore. Vetëm 34 subjekte kanë paraqitur lista kandidatësh, kurse numri i përgjithshëm i kandidatëve i kalon 4000 për 140 mandate. Kodi i ri zgjedhor aplikon për herë të parë sistemin zgjedhor proporcional rajonal (një nga variantet e tij), i cili është më i thjeshtë sepse ka vetëm një tur dhe vetëm një fletë votimi ku votohet vetëm për një parti politike. Kodi zgjedhor parashikon një formulë për ndarjen e mandateve midis koaliconeve/subjekteve, sipas votave të marra nga secili  koalicion/subjekt. Në rastin e koaliconeve, mandatet ndahen sipas votave të secilit subjekt brenda koalicionit.

Votimi në datën 28 fillon në orën 7:00 dhe përfundon në orën 19:00. Procesi zgjedhor do të ndiqet nga grupe të shumta vëzhguesish vendas dhe të huaj midis të cilëve edhe OSBE/ODHIR, asambleja parlamentare e NATO-s etj. Po ashtu Komisioni Qendror i zgjedhjeve, KQZ, ka vendosur të filmojë me kamera të gjithë procesin e numërimit pranë Komisioneve zonale, për të siguruar më shumë transparencë.
Rezultatet e zgjedhjeve pritet të mësohen në fillim të javës së ardhëshme. Ndërkohë duhet shpresuar që procesi zgjedhor të jetë sa më korrekt dhe sa më larg problemeve të konstatuara në procese të kaluar zgjedhore.  

A.M

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive