Faqe kryesore arrow Politika arrow Problemet e kodit të ri zgjedhor
Problemet e kodit të ri zgjedhor PDF Print E-mail
02 Korrik 2009
Rishkrimi i kodit zgjedhor pas zgjedhjeve të 2005 u bë për disa arësye. Në radhë të parë Rama dhe Berisha synuan eliminimin e partive të vogla që iu kishin sjellë jo pak telashe drejtuesve të PD dhe PS. Në këtë mënyrë shkohej drejt një sistemi bipolar të dominuar nga çifti PD-PS dhe shmangej rreziku nga ndonjë forcë tjetër politike në ngritje. Arësyeja e dytë kishte të bënte me autoritetin e liderëve brenda partisë. Duke qenë se me kodin e ri lista e kandidatëve kalon nga kryetari i partisë, ky kryetar merr fuqi të jashtëzakonshme e autoritet të plotë dhe fenomeni i deputetëve rebelë nuk ekziston më. Pra deri këtu kemi çimentimin e pushtetit PD-PS dhe të drejtuesve aktualë të këtyre partive. Kishte edhe një arësye të tretë "morale" e cila ishte më shumë për t'i bërë qejfin opinionit dhe ndërkombëtarëve: ky kod evitonte problemin e devijimit të votës ose "fenomenin e Dushkut".  Kjo arësye shërbeu edhe si justifikim kryesor dhe i pranueshëm për ndryshimin e kodit zgjedhor.

 Sot, 4 ditë pas zgjedhjeve numërimi ende nuk ka përfunduar, koalicionet e PD dhe PS kanë deri tani nga 70 deputetë secili dhe tensioni është jashtë mase i lartë në vendet e numërimit të votave për kutitë e fundit. Ia vlen të shtrohet pyetja: a ishte i mirë ky kod zgjedhor?
 Në radhë të parë u pa në këtë proces zgjedhor se fenomeni i Dushkut nuk u zhduk, por vetëm ndryshoi kah. Nëse në zgjedhjet e vitit 2005 votat e PD shkuan për disa nga aleatët e vegjël, kësaj radhe votat e aleatëve të vegjël shkuan për PD-në. Kjo u realizua nëpërmjet presionit para-zgjedhor të PD-së ndaj elektoratit të partive të vogla, dhe marifeteve të tjera në ditën e votimit dhe më pas.
Kjo shpjegon rezultatin mjaft të ulët të këtyre partive, fenomen që i përfshiu  të gjitha pa përjashtim të majta apo të djathta.
 Kodi i ri zgjedhor bipolarizoi në mënyrë ekstreme spektrin politik: 95% e deputetëve i përkasin çiftit PD-PS. Në historinë e shkurtër të demokracisë shqiptare, ekzistenca e partive të vogla ka shërbyer për të zbutur disi përplasjet në ditë të këqia midis PD-PS dhe daljen nga disa situata të bllokuara. Kurse "rebelët" brenda partive kanë frenuar disi autoritarizmin e drejtuesve partiakë. Kurse parlamenti i 28 qershorit është thuajse bardh e zi. Ka shumë të ngjarë që ky parlament të jetë jo-funksional dhe të ketë në Shqipëri në 4 vitet e ardhshme një mungesë stabiliteti politik që do të shkaktojë tensione të vazhdueshme dhe do të pengojë çdo vendimmarrje.

Sistemi proporcional rajonal i kodit të ri zgjedhor normalisht duhet të sillte një përfaqësim më të mirë të partive të vogla në parlament. Por kjo nuk ndodhi në Shqipëri, sepse procesi i votimit dhe i numërimit nuk është plotësisht i lirë dhe është larg standarteve të vendeve europiane që e përdorin këtë sistem. Ky kod nxorri një parlament shumë më tepër uniform se sistemi i mëparshëm  mazhoritar. Nga ana tjetër nëse iu hedhim një sy shifrave mbi 10% e votuesve mbetet pa u përfaqësuar në Parlamentin e ri. Më keq akoma: PD-PS me 81% të votave marrin 95% të deputetëve. Shkak për këtë është pragu i lartë zgjedhor për partitë që detyron futjen në koalicione si dhe pragu i lartë për koalicionet.
Një rrezik tjetër që sjell ky sistem zgjedhor është krijimi i një klase politike statike që i pret rrugën çdo rinovimi të vetvetes, duke mos lejuar ngritjen e një force të re politike apo edhe të elementeve të reja brenda partive. Kështu rrezikojmë që edhe këtu e 20 vjet të kemi z. Berisha në krye të PD-së dhe z. Rama në krye të PS-së pasi të kenë shkëmbyer disa herë pushtetin midis tyre. Sigurisht që kjo nuk është e mirë për demokracinë dhe as për Shqipërinë.
Siç shihet kodi i ri zgjedhor me sistemin e tij rajonal proporcional shmangu një problem, fenomenin e Dushkut, por solli probleme të tjera: krijimin e një parlamenti bipolar me vështirësinë e krijimit të një shumice parlamentare, mos-përfaqësimin e tendencave të vogla, despotizmin e kryetarëve të partive të pushtetit.

Për të krijuar një sistem më të përshtatshëm për Shqipërinë, duke ruajtur sistemin rajonal proporcional, do të duheshin bërë disa ndryshime në këtë kod:

1. të ulej pragu zgjedhor për partitë dhe koalicionet, për një përfaqësim më të drejtë të votuesve
2. të lehtësoheshin kushtet për regjistrimin e një partie në zgjedhje, kjo do të evitonte detyrimin e hyrjes në koalicione
3. formula e llogaritjes së mandateve të privilegjojë partitë e vogla, qofte edhe duke iu rezervuar një përqindje të caktuar të mandateve
4. të përdoret sistemi preferencial për listat e kandidatëve ku brenda listës së partisë votohet për kandidatin e preferuar
5. të mos jenë partitë që të numërojnë votat dhe të automatizohet dhe sinkronizohet numërimi në nivel kombëtar

Pika e fundit ka një rëndësi të veçantë. Deri më sot votat janë numëruar nga komisionerët e partive, kryesisht nga ata të partive të mëdha. Shpesh herë komisionerët janë akuzuar për devijim të votës, bllokim të procesit të numërimit, prishje të fletës së votimit etj. sipas interesave të partisë që përfaqësojnë. Jo vetëm kaq, por shpesh janë shndërruar edhe në biznesmenë të  votës për interesa personale. Si pasojë në shumë raste proces-verbalet e numërimit nuk pasqyrojnë realitetin e votës. Problemi qëndron tek fakti që kodi zgjedhor i jep një vlerë ligjore këtyre proces-verbaleve dhe jo fletës së votimit.  Lind pyetja: përse kodi zgjedhor i shton procesit edhe hallkën e komisionerëve dhe proces-verbalet e numërimit? Dhe përse këta komisionerë të jenë përfaqësuses të subjekteve kryesore politike? Dhe pse të mos jenë nga të gjitha subjektet politike?  Ka këtu diçka që nuk shkon, sepse nuk mund t'i besosh numërimin e votave dikujt që ka interesa direkte në këtë numërim, pra ka një konflikt interesi. E mira do ishte që subjektet politike të mos merrnin pjesë në numërim, por vetëm të kishin mundësi të vëzhgonin. Numërimi të bëhej nga funksionarë të përhershëm të shtetit, të paluajtshëm nga ekzekutivi, dhe ky numërim të merrte thjesht formën e një skanimi të fletës së votimit pa u parë rezultati. Në fund të bëhej përllogaritja e kompjuterizuar e rezultatit njëkohësisht në të gjithë vendin. Kjo do të evitonte manipulimet dhe tensionet e panevojshme gjatë procesit të numërimit.

A.M

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-07-03 00:52:25
Nuk punuat thuajse fare kjo eshte ajo qe ju coi ne kete rezultat skandaloz,kryetarin tuaj pyeteni,ky ishte qellimi qe i kish vene vetes, kjo rrodhi nga pa aftesia.per tu oremtuar ne situaten e krijuat,sbehet nami o kryetar trego shenjen me te vogel te emancipimit qytetar dhe tregoju te gjitheve qe aty ishe pozicjonuar fale nje ideali qe e udhehoqe gabim ,e largohu ,ose thuaju qe aty ishe pozicjonuar per te perfituar dhe lejo te tjeret te te largojne. 
A.B

Koment nga GUEST më 2009-07-03 00:52:33
Prape me keto gjera.jepni doreheqjen


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?