Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow Komuniteti shqiptar në Staten Island, NY, përjetoi dy gëzime në një ditë
Komuniteti shqiptar në Staten Island, NY, përjetoi dy gëzime në një ditë PDF Print E-mail
08 Korrik 2009
Nga Keze (Kozeta) Zylo


            E diela e bukur dhe me diell ndriçonjës në Staten Island , mblodhi mësues, prindër, nxënës dhe atdhetarë për të festuar së bashku përfundimin me sukses të vitit shkollor 2008-2009.

Rrezet diellore u derdhën si ar mbi qytetin tonë dhe fëshfërima e gjetheve të lisave të lartë ledhatonin me një puhize të lehtë freskie, fytyrat ëngjëllore të fëmijëve.

Ndonëse në shtetin amë në Shqipëri, ceremonitë festive shkollore bëhen gjatë ditëve të javës, Diaspora do të përdorë ditën e pushimit, ngase emigrantët bëjnë punë të tjera si ditën dhe natën, për të mbajtur familjet e tyre, si këtu dhe në Mëmëdhe.



Znj.V.Zylo Watkins, Ph.D. kandidate, uroi pjesëmarrësit për mirëseardhjen dhe ju shprehu atyre kënaqësinë e vecantë, që pas një pune të lodhshme dhe tepër fisnike po festojmë përfundimin me sukses të abetares shqipe.

Hapja e shkollës shqipe në Diasporë tha ajo, merr një rëndësi të veçantë, pasi i mëson fëmijët që lindën dhe u rritën jashtë Atdheut të mos e harrojnë gjuhën e bukur shqipe, por të vazhdojnë të ruajnë kulturën e të parëve tanë.

Ajo ftoi në skenë mësueset e palodhura, zonjat Blerina Bejleri dhe Adelina Laçaj së bashku me nxënësit e tyre, të cilët kanë ndjekur rregullisht mësimet e abetares, duke ardhur çdo javë në çerdhen e tyre për të cicëruar ëmbël gjuhën e bukur shqipe.

            Nxënësit e moshës 4-7 vjeç të veshur bukur dhe disa prej tyre me kostume kombëtare, recituan poezi dhe kënduan këngë në gjuhën shqipe.

Kështu programi i konceptuar dhe si orë mësimi 45 minutëshe, emocionoi dhe ngriti peshë zemrat e prindërve arsimdashës.

Nxënësit e moshës nga 4-7 vjeç si: D.Aliaj që shkëlqente me kostumin kombëtar, A.Leka, A.Daci, D.Uruci, E.Greva, E.Gashi, S.Fida, lexonin mësimet të shfaqura në ekran dhe recitonin poezi të bukura në shqip.

Vogëlushja D.Bejleri recitoi vjershën: “Unë e dua librin” me vargjet:

Unë e dua librin/ Bashkë me shkronjat shqipe/ Më tregojnë Atdheun/ Shqipërinë time.

            Mësuesve veteranë si Likollari, Daci, Jenisheri, Jani, Llapaj, Gjoka…, ju rrëshqisnin lotët nga nostalgjia e mësimedhënies së tyre vite më parë…

Eshtë krenari kur shikon mësuese Bejlerin, që diplomën e saj për mësuesi e ushtroi për herë të parë në Institutin “Gjergj Kastrioti Skanderbeg”.

Ajo është rritur profesionalisht, një arritje në saje të vullnetit të saj, të dashurisë dhe të ndërgjegjes së lartë për mësuesinë.

Pas programit të moshës 4-7 vjeç, mësuesja e talentuar Adelina Laçaj udhëhoqi programin me nxënësit e klasës së saj të moshës 8-13 vjeç.

Kjo klasë festoi në ditën e 7 Marsit festën e bukur dhe tradicionale të abetares.

Përparimi i tyre në të lexuar shqip ishte i dukshëm.

Të gjithë nxënësit si: E.Gashi, Xh.Hoxha, vëllezërit Laçaj, K.Uruci, vëllezërit Cadri, R.Fida, R.Sezairi, vëllezërit Ndokaj, dinë të lexojnë dhe t’u përgjigjen pyetjeve në shqip.  Disa prej tyre kur u regjistruan për herë të parë nuk dinin asnjë fjalë në shqip.

E magjishme ishte kur mësuese Adelina shfaqi në ekran, hartën etnike të Shqipërisë dhe vendet ku do të shkonin me pushime nxënësit dhe prindërit e tyre.

Ata nuk do të kenë nevojë për përkthyes kur të ndalojnë në aeroportin “Nënë Tereza” apo në Prishtinë…por ajo që është më e rëndësishmja ata do të flasin shqip me gjyshërit e tyre.

Puna e palodhur e mësueses dhe gjithë nxënësve u përshëndet me duartrokitje.

Znj.Laçaj ju shprehu mirënjohjen e pakufishme gjithë kolegëve të saj për ndihmën e dhënë në këtë punë fisnike.

Regjisori dhe aktori z.Xh.Limani interpretoi poezinë per Skënderbeun, fjalët e arta të dala nga zemra e tij i dhanë sallës një kënaqësi të veçantë.

Drejtori i Institutit z.Q.Zylo ishte krenar për përfundimin me sukses të vitit shkollor, punë që u kurorëzua me një komunikim direkt në shqip nga nxënësit e kësaj shkolle.

Ai falënderoi në mënyrë të veçantë z.Rrape Ruci për bashkëpunimin dhe bujarinë e tij i cili ka dhënë gjithë mjediset e ndërtesës në dispozicion të shkollës shqipe.

Një buqetë me lule të freskëta ju dhuroi mësuesëve të shkollës dhe znj.Sanije Ruçi, një grua fisnike që gjithmonë me buzëqeshje dhe me urtësi ka pritur dhe përcjellë nxënësit e kësaj shkolle.

Mirënjohje iu dha dhe z.M.Paçuku kryetar i bordit i cili gjithmonë ka shprehur entuziazmin e tij për këtë arritje të kënaqshme për hapjen e shkollës shqipe.

Z.drejtor falënderoi gazetën “ Illyria ” gazetë  e mirënjohur e diasporës, TV “Kultura Shqiptare, me producent z.A.Belliu, si dhe gazetat në Shqipëri si: “Tema” dhe “Ndryshe” të cilat me korrektësi kanë pasqyruar gjithë aktivitetin e shkollës shqipe.

Me dashuri dhe respekt të pakufishem z.Zylo foli dhe për prindërit si për z.Dritan Gashi n/kryetar i shoqatës Dibra, i cili kishte sponsorizuar kokteilin dhe gjithë ushqimet për këtë ditë festive.

Z.Paçuku në fjalën e tij përshëndetëse tha se duhet ta ruajmë këtë pasuri dhe ta dokumentojmë pasi është një sakrificë që bëhet në të mirë të Kombit, në ruajtjen e gjuhës shqipe.

Prof.Sakip Veliu foli me kulturë dhe dashuri për gjuhën shqipe dhe u bëri thirrje gjithë shqiptarëve në Staten Island të sjellin fëmijët në shkollën shqipe.

Programi u përshëndet dhe nga vogëlushet Xhina Cene, Sibora Boba dhe Deborah Nuro.

Ato recituan vjersha të bukura, vargje që preknin zemrat e të gjithë prindërve dhe gjyshërve.

Një vend të veçante iu la dhe fjalës së z.Ilir Hysa PH.D. kandidat i cili kishte ardhur së bashku me kolegun e tij, z.Chris Kirka, një intelektual i palodhur,  për të udhëzuar shqiptarët në regjistrimin e popullsisë që do të bëhet në Amerikë.

Z.Hysa falënderoi kolegun e tij z.Zylo dhe gjithë stafin për këtë punë të palodhur që po bëhet në Institut. Ai pohoi se punën tuaj të palodhur e kam shprehur kudo tek miqtë e mi shqiptarë.

Ai sqaroi pjesëmarrësit se regjistrimi i popullsisë shqiptare këtu në Amerikë merr një rëndësi të madhe për gjithë emigrantët, pasi ky proces kryhet një herë në dhjetë vjet, prandaj ne nuk duhet t’i humbasim shanset, ndryshe këtë do ta paguajnë fëmijët tanë që lindin dhe rriten këtu.

Plotësimi i formularëve me kujdes nga ana jonë do të tregoj numrin real të popullsisë shqiptare këtu në Amerikë dhe investimi për kulturën tonë do të jetë i pallogaritshëm përfundoi z.Hysa.

Dy gëzime në një ditë

             Muzikantët e palodhur z.Dashnor Cene dhe Odise Salillari që gjatë gjithë kohës shoqëruan nxënësit në program, e vazhduan dhe më me zjarr punën e tyre pas programit artistik të fëmijëve, për të argëtuar më vonë gjithë pjesëmarrësit.

Ata vazhdimisht i kanë dhënë jetë dhe gjallëri aktiviteteve të shkollës dhe komunitetit shqiptar.

Oborri i shkollës gumëzhinte në këtë ditë festive të bukur.

Të gjithë shijonin ushqimet e shijshme të dhuruara nga Dritan Gashi.

BBQ po përgatitej së bashku me prindërit zemërbardhë, Osman Greva, Roland Uruci, dhe Neritan Bejleri kryetar i shoqatës së Devollit.

Ata shprehnin një gëzim të madh në fytyrat e tyre, ngase fëmijët flisnin shqip.

            Ndërsa në tavolinën nën një pemë lisi, një grup shqiptarësh këndonin këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë.  I pari që e hapi këngën ishte prof.Agron Fico, ai këndonte këngë të bukura labe që cuditërisht edhe pse shumë prej korit nuk ishin nga Jugu, isoja dukej sikur po shkonte gjer në qiell…zanoret shqipe po takoheshin me Zotin…

Pranë tij ishte ulur çifti Dilo, të cilët i dhuruan prof. Ficos, librin e tyre të fundit “Diloiada” shkruar nga shkrimtari i 13 librave J.Telo dhe E. M Dilo.

Z.Fico me një gjest fisnik e mori dhe e puthi librin, pasi siç u shpreh ai, është një libër që të sjell dhimbje, është libër që sjell pranë nesh kalvarin e vuajtjeve të familjes Dilo.

Njëkohësisht mjaft prej pjesëmarrësve ishin të interesuar të lexonin librin me vlera: “Rilindje e Shqipërisë etnike” me autor z.Fico.

Të gjithë gëzonin, këndonin, shijonin ushqimet, vallëzonin dhe bisedonin për tema të ndryshme.

            Gjatë kësaj pasditeje tepër të këndshme u njoftua se në orën 8:30 në darkë do të shikonin së bashku valët televizive me program shqiptar, që do të transmetohej në kanalin 57 nga TV Alba Life, TV më i ri shqiptar.

Ky lajm ishte një surprizë e madhe do të shprehej studjuesi dhe patrioti A.Boba, prindërit Zhaneta Hoxha, Stela Aliaj dhe z.F.Gashi i cili kishte ardhur së bashku me nënën e tij znj.A.Gashi, ish mësuese me dekada të tëra në Prishtinë.

Lajmi gëzoi pamasë të gjithë pjesëmarrësit, kështu ata në orën e caktuar u mblodhën në dhomën e TV, e cila u mbush plot e përplot dhe me duartrokitje dhe emocione u prit kur në ekran u shfaq: “TV Alba Life”.

TV Alba Life u realizua në saje të një pune këmbëngulëse të stafit të këtij TV me producent z.Q.Zylo

Emisioni filloi me me një orë mësimi në shqip nga Instituti Shqiptaro-Amerikan “Gjergj Kastriot Skanderbeg”, shkollë shqipe që është hapur para një viti, dhe po vazhdon mësimim me mësues të kualifikuar në mjedise komode dhe mjete të teknikës së fundit.

Kjo na ngazëllen shpirtin dha folësja e emisionit dhe na gëzon pamasë, kur shikojmë fëmijët e emigrantëve që kanë lindur dhe po rriten këtu, të mos asimilohen, por vargjet e Naimit: “Gjuha jonë sa e mire”, për gjuhën shiqpe të jenë frymëzim për cilindo fëmijë shqiptari.

Këtë bukuri dhe vlerë të gjuhës shqipe duhet ta ruajmë me fanatizëm, sepse është një pasuri e pallogaritshme, një pasuri që të parët tanë e mbrujtën vetëm me gjak.

Janë këta poetë, janë këta martirë që na frymëzuan për të transmetuar emisionin e pare me një mësim të hapur në gjuhën shqipe. Folësja e programit tha se: “ Po citoj vargjet e Fishtës që i bëjnë thirrje cdo shqiptari kudo në botë të mos harrojnë gjuhën e nënës, gjuhën e ëmbël shqipe.

 

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.

 

Femijët e ulur në tapet gjallëroheshin akoma më shumë dhe ju ndrisnin sytë nga gëzimi kur shikonin mësueset apo veten e tyre duke folur shqip para ekranit në kanalin 57 në Staten Island .

Pas përfundimit të emisionit prof.Fico falënderoi stafin e TV Alba Life, dhe shprehu emocion që emisioni i parë i këtij TV ishte një mësim i hapur në shqip.

Ndersa znj.Linda Daci dhe znj.Lili Qose me sytë e lagur nga lotët, kujtonin profesionin e mësuesisë dhe duke falënderuar për punën e palodhur stafin e TV, Qose bëri regjistrimin e djalit të saj si nxënës i ardhshëm i shkollës shqipe në Shtator.

Pas këtij emisioni bashkatdhetarët tanë u larguan të kënaqur dhe uruan që të kenë sa më shumë të diela të tilla, të diela që do të ngelen gjatë në kujtesën shqiptare.

Gjithë programi në këtë ditë festive u filmua nga z.Todd Watkins.

Qershor, 2009
Staten Island, NY



Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive