Faqe kryesore arrow Historia arrow Mbijetesa, dëshmi e lavdisë shqiptare ndër shekuj
Mbijetesa, dëshmi e lavdisë shqiptare ndër shekuj PDF Print E-mail
08 Korrik 2009
nga Gjon Frani Ivezaj, historian

Duke shfletuar faqet e historisë së popullit tonë ndër shekuj, shohim se ngjarjet më të rëndësishme i përkasin shekujve të kaluar, ku dëshmohet më së miri mbijetesa si faza më e lavdishme e ndodhive, që sot pak ose shumë janë të fiksuar në librat e historisë nga autorë të ndryshëm deri në ditët tona.
Rrethimi i parë e i dytë i Shkodrës antike nga kronistët e kohës dhe autor të ndryshëm të mëvonshëm jepen me nota të dhimbshme. Aty flitet ose jepen përshkrimet e mjerimit, që kaploi popullin fisnik shkodran. Pikërisht të kësaj periudhe, janë edhe shpërnguljet e dhimbshme të banorëve autokton nepër vende të ndryshme të Europës dhe mbi të gjitha vendosja e tyre si kolonë në Italinë e Jugut, Zarë të Kroacisë etj.
Libri i Marin Barlecit: "Rrethimi i Shkodrës", u shtyp në Venedik nga venedikasit Bernardin dhe Vitalibus (10 Janar 1504), u përkthye prej origjinalit latinisht në gjuhën shqipe prej Prof. Henrrik Lacaj (Tiranë, 1962) nga Universiteti Shtetnor i Tiranës.  
Shpërngulja e parë e vitit 1474 (sikurse njihet në shkencës e demografisë emigrimi masiv i banorëve autokton arbënorë), ndodhi për arsye të masakrave të barbarëve otomanë si shenj hakmarrjeje të rezistencës së armatosur për 26 vjet të popullit të Arbërit nën udhëheqjen e Gjergj Gjon Kastriotit ndaj invazioneve mizore të taborreve të Perandorisë Otomane.
Më shumë se 260.000 arbërorë (shqiptarë) nga trungu amë Arbëria kaluan detin Adriatik dhe gjetën Atdheun e Dytë të tyre dheun latin, duke u vendosur në Kalabri e ishullin e Siçilisë (Italia e Jugut), duke krijuar katunde, qytetëza të reja me kolonë kompakt arbërorë. Ekzistenca e komunitetit të madh arbëresh është prova e një dëshmie historike të mbijetesës të një pjese të popullsisë arbërore në Jug të Italisë.

Ndonëse kanë kaluar afërsisht 6 shekuj traditat, zakonet, gjuha arbërishte me dialektet e nëndialektet, vallet, kostumet popullore, feja e të parëve të tyre të krishterë të ritit bizantin dhe katolik, ende kultivohen dhe dëshmohen me krenari se janë stërnipa të tokës së Gjergj Gjon Kastriotit…
Shpërngulja e dytë ishte ajo që ndodhi gjatë kohës që qytetit antik i Shkodrës vuante rrethimin e dytë të vitit 1478. Popullsia vendase grupe - grupe në formë kalvanesh merrte drejtimin e emigrimit drejt tokës helene. Sipas burimeve historike, mendohet se mbi 18,300 banorë të dëshpëruar nga barbaritë e Perandorisë Mizore dhe Shfarosëse Otomane, qenë të detyruar për të mos eliminuar dhe shuar si popullsi autoktone ikën drejt limaneve të Greqisë.
Në dy krahë ose drejtime të kundërta filloi ikja e popullsisë shkodrane: në drejtim të pjesës jugore drejt veriut të Greqisë dhe në pjesën veriore ose gjatë bredetit të lindor të Detit Adriatik. Më konkretisht kjo pjesë e popullsisë u vendos si kolonë në trevat e populluara dalmatine.
Disa pjesë nga libri i humanistit Martin Barleci:

“E unë sidomos e dija mirë dhe e rrëfeja sinqerisht se për një punë të tillë nuk kisha aq talent, ose nuk isha i paisun me një stil të rrjedhëshem dhe me gjykime të vlefshme, madje, nga kjo anë isha i pagdhenun, i shterpë, i thatë. Edhe në të vërtetë, në kjoftë se asht e vështirë me shkrue mbi çeshtje të tjera, aq ma tepër në histori, që asht e larme, gjenë vështirësi në kulm se aty ngjarjet e ndryshme, digresionet e ndryshme, fatet e ndryshme të njerzimit duhët të përshkruhën herë me një stil e herë me një tjetër, në mënyrë që shpirti i shqetsuem i atij që shkruen të ushqehët me veprën që krijon, gjithashtu, tu kënaqet shpirti edhe lexuesve...
Këtej rrodhi që unë i randuem nga pesha e një barre kaq të madhe, e gjykova ma të arsyeshme të rrij në heshtje sesa tua vras veshin lexuesve...
Mirëpo, nga ana tjetër kur mu kujtue fatkeqësia e madhe e Atdheut tem aq të dashtun, por edhe besnikia e pashembull që kurdoherë ka tregue populli shumë besnik i Shkodrës... kur, mu kujtue edhe fitoria lavdiplote që korrën shkodranët kundër terbimit të të gjithë atyne barbarëve të pashpirtë, merita këto të cilat në asnjë mënyrë s’duhën lanë në harresë, pse do të ishte mosmirënjohje, madje, mund të japim mbi të gjitha material të shkelqyeshëm për me shkrue e, pra, meritojnë patjetër të nxirrën në dritë, atëherë, vendosa ti përveshëm kambë e krye kësaj pune madhështore.
Qellimi ishte që të dukej se e kryej detyrën teme ndaj Atdheut si qytetar i ndershëm dhe, se u dëshroj nder’ e lavdi atyne qytetarëve aq besnikë. Aq fort i ranë Shkodrës dhe aq i shkallmuen shkodranët me muej e muej ata mijra barbarësh saqë, nuk do të na bante një përshtypje ma të madhe rrethimi i dikurshëm i Saguntit në Spanjë, ose ai i Kasilinit në Itali, kur i pat dermue me ushtritë e veta ai udhëheqësi i tmershëm i Kartagjenasve, ai burri i fortë Hanibali." (f.17-18).
"Sot Shkodra, asht qendra e bregut të Maqedonisë dhe e asaj pjesë së Dalmacisë, që e ka afër...
Mbi origjinën e saj nuk kemi fakte, nuk kemi asgja të sigurt, mandej, nuk ka mbetë asnjë kujtim rreth saj; sepse, qyteti mbasi u dogj dy herë nga barbarët dhe mbasi u shkatërrue nga Anici, pretor i Romakëve, u dogj krejt edhe vetvetiu. Edhe dihët fare mirë se, në këte kohë u dogjën të gjithë monumentët e vendit dhe të gjitha shkrimet historike të këtij qyteti... (f.27)
“Thonë, se Shkodrën e themeloi njëfarë Johani, princ shqiptar... që u dëbue, kur e detyruan të largohej prej qytetit, ndërsa po nisej, e paska namë Shkodrën tue lëshue mbi té mallkimet dhe namët ma të mëdha. Unë kishe me thanë se i Madhi Zot duhët ti ketë marrë parasyshë lutjet e atij njeriu në kjoftë se ka kenë burrë me të vërtetë i mirë, sëpse, qytetin e Shkodrës dhe krejt atë krahinë gjithmonë e kanë merzitë anmiqtë ma mizorë; të gjitha të zezat i ka provue ai vend...” (f.29)
“Ky qytet sot ka fitue nam të madh, sëpse historia e tij asht me të vërtetë madhështore... Asht një qytet i fortë prej natyre, por i fortë edhe prej dorës së njeriut.... Pjesës së poshtme të këtij qyteti i binte përmes lumi Drinit, mbi të cilën ishte ndertue një urë guri e mrekullueshme, që ishte aq e gjatë saqë shkonte e prekte Bunën... (f.30)
“... Kur u pa se vetë fortesa paraqitej si vend ma i sigurt, shkodranët filluan ta përqendronin qytetin vetëm mbrenda atij rrethi. Dhe me të vërtetë kjo qytezë, për natyrë që ka bie thik nga të katër anët me përjashtim të asaj anë që asht nga veriu, aty zbret si të thuesh me njëfarë pjerrësie dhe aty afër me distancë sa me hjedhë një shigjetë, ndodhet një kodër plot vneshta e ullishta....e, asht quejt kodra e Pashës. Nga qyteza syni i përlanë të gjitha fushat përreth. Sot rranzat e qytetit andej nga lindja i lagë një degë e vogël e Drinit, kurse nga përendimi kalon Buna..."
"Shkodra ishte qyteti ma i përmendun dhe kryeqendra e krahinës së Shqipnisë, ishte roja, syni, forca dhe mbrojtja e të gjithë mbretnisë, dera e detit Jon dhe e detit të Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të Krishtenëve. Pra, Otomani tue marrë parasyshë këte, ka ushqye një shpresë shumë të madhe me e shti në dorë, sëpse në këte mënyrë do ti vinte shumë lehtë me hy edhe në Dalmaci, n’Iliri dhe në Daunie...".
"Maji 1474. Do të shkoja shumë gjatë po të tregoja sesa mijë turq lanë jetën aty me turp, sesi shkodranët tue luftue aq burrnisht mbrojtën vetën, Atdheun, gratë e fëmijët e tyne; kështu Turku, si u lodh mëkot, u tërhoq me turpin ma të madh; ... shkodranët fituan nám e lavdi të pavdekëshme për këte fitore të lartë e të shkëlqyeshme nën udhëheqjën e Rektorit Anton Loredanit... E, sulltani, me qellim që shpirti i tij të ndezej gjithnjë e mashumë për atë fushatë, paguante njenin, që dita ditës t’ia kujtonte sulmin që duhej të bante mbi Shkodër." (f. 31-32)
"Me 15 qershor 1474, arriti edhe një numur i madh njerëzish nga garda e Sulltanit, që në gjuhën e vendit i quajnë Jeniçerë (trupa e ré). Këta burra thuajse të gjithë janë të krishtenë edhe u janë marrë me pahir prindëve të tyne... Nga këta burra kishin ardhë rreth pesëmijë vetë. ... disa ushtarakë të Sulltan Mehmetit, të cilët dëshmonin se ishin të krishtenë, iu afruan tinëz ledheve të qytetit dhe i lajmëruan shkodranët se Kruja ishte dorëzue... Krutanët kishin kenë të detyruem me iu dorëzue turkut jo nga frika, por vetëm nga nevoja sëpse kishin kalue një kohë shumë të gjatë që e kishte rrethue anmiku dhe ishin mbarue thuejse fare të gjitha ushqimet e, nuk kishin pra mëse të ushqehëshin  ...
Kruja asht një qytet i Shqipnisë, kështjellë shumë e fortë dhe një çels fare i sigurt i asaj krahinë... ajo qëndron mbi një shkamb shumë të naltë dhe nga të katër anët bie thik; rreth e përqark ka fusha të mëdha; në ato fusha luftoi Cezari kundër Pompeut ...
Thonë, se, Sulltani kur paska pa pozicionin e qytetit të Shkodrës dhe mbasi paska vërejtë mirë nga çdo anë fushat përreth e paska lavdue Shkodrën sa s’ka dhe, paska thanë: "Oh, se ç’vend të shkelqyeshëm e të lartë paska zgjedhë Shqiponja për vete dhe për folenë e zogjëve të vet" (f. 44).
"Atëherë u ngrit një shqiptar, fra Bartolomeu... ishte tregue trim dhe i zoti nën udhëheqjën e të madhit Skenderbe, në luftë kundër turqve... e dini mirë o shokë lufte, se ky tiran dinak e i poshtër asnjë vend të fortifikuem të krishtenësh nuk ka pushtue me armë, por gjithmonë vetëm me dredhi e trathti ose me marrëveshje, me premtime e me besë, të cilat masandej nuk i ka mbajtë aspak... Po a kujtoni, ju, o shkodranë, se po të dorëzoheni do të ju falë ai?... Do ta bajë copë copë mishin tuaj ashtu si ban kasapi me dhentë në thertore, ai do të ju shkyjë gjymtyrët tueja! A nuk i mbyti në mënyrën ma barbare fqinjtë tanë krutanë, të cilët nuk ka dy ditë që u dorëzuan?
... E kur u dorëzue qyteti i Theodozizë, që sot quhët Kafa dhe gjindët në bregun Taurik, sa të krishtenë i preu në besë dhe i vrau! Sa burra i nguli ndër hûnjë atje në Lesb! Po çka të tham masandej përsa të tjerë që ka vra e pré mizorisht ndonse në moshë të njomë e, gjithmonë tue i pré në besë?... Shto masandej, veç kësaj, edhe vese të tjera si shfrenimin e tij, mendjemadhësinë, ai (siç thonë) qyshë në moshën ma të vogël i mori këto vese, u ba i pashpirtë, i pafëtyrë, i pafrê, me njëfjalë i poshtër në çdo pikëpamje...
Tashti a mund të besohët se një shpirt kaq mizor e i ndytë, të shporret në pleqni prej të gjitha këtyne të zezave që prej natyre lindin në gjak qysh në moshën ma të njomë?... Çfarë poshtërsishë nuk ka ba ai njeri: çdo flligshti; ai ka shnderue, ai ka thye kunorë. Ai ka dhunue Kishë, ka hjekë të gjithë meshtarët, ka ngatrrue urdhna, ka perly mbretni e, gjithnjë asht orvatë të ngatrrojë e të shuaj çdo gja religjoze, të madhnueshme e të ndershme, a ligjët a kanunët e jetës, a zakone, a besë e nderë, apo çdo disiplinë të drejtë...
Né na asht ngarkue barra që të mbrojmë Fenë Katolike edhe të gjithë krishtënimin, pra, mjafton kjo me na nxitë që të derdhim gjakun tonë deri në pikën e fundit... Kjo do të jetë për ju dafina e përherëshme, kjo do të jetë diadema e shkëlqyeshme dhe e pavdekshme, kjo do të jetë palma, ky do të jetë ngadhënjimi i juaj i vërtetë e, qysh sot si ju, ashtu edhe Shkodrës do ti dalë nami në të katër anët e dheut. Që sot të gjithë popujt e të gjitha kombët për hirë të trimnisë suej, me të drejtë do ta quajnë Shkodrën mburojë e shtyllë të mbarë Fesë së vërtetë... mbrojeni trimënisht me hekur qytetin e Atdheun tuej, kjoftë edhe tue derdhë gjakun deri në pikën e fundit!" (f. 51)
"Sulltani vetë ju drejtue të pranishëmve me këto fjalë: "Ju po e shihni mirë burra se u bane tre muaj që e kemi rrethue këte qytet e me çfarë rrethimi! Edhe plasëm tue e rrahë nga të katër anët me artileri të çdo kalibri; ledhët thuejse i kemi rrafshue përdhé; fortifikimët i kemi rrënue... duhët trimnisht edhe të hakmerreni për kërdinë e dikurshme. Ngopuni sa të mundeni me gjakun e të krishtenëve, sëpse kështu na mëson kanuni ynë; duhët të shtijmë në punë të gjitha energjitë dhe armët tona në mënyrë që mos të mbesë gjallë asnjë shkodranë." (f. 45 - 63).
"... Njerëzia as nuk ndigjonin as nuk shihnin ma gja me sy. Toka ishte ba krejt tym e barut e dukëj se deri qielli ish turbullue e po shembëj, kaq mbizotnonte në të katër anët pështjellimi, rrëmuja, errësina."
"Të njajtin qendrim burrnor mbanin edhe gratë, të cilat në çdo pikëpamje s’u lëshonin rrugë burrave, a për zêll a për gatishmëni, a për punën e parreshtun për me pregatitë çdo gja që kishte lidhje me shpëtimin e Atdheut. Gratë, natyrisht, si seks i butë, meritojnë levdata të veçanta për veprime të tilla. Ato bashkë me burra u ngjitëshin fortifikimeve, luftonin trimnisht me armikun; shumë prej tyne mbetën të vrame nga artileria". (f. 76).
"Mirëpo turqit nuk mbaronin kurrë, sëpse ishin të panumër, ata s’pushonin kurrë së luftuemi, u vinin gjithnjë forca të reja; përkundrazi të krishtenët tashma mëzi po rezistonin, mëzi po mbrohëshin. Ndër barbarët njena palë zëvendsonte tjetrën, edhe hypnin mbi grumbujt e kufomave, në këte mënyrë formuen njëfarë shkalle për me iu futë qytetit përmbrenda. Ndërkaq armiku gjithnjë shtinte në top kundër të krishtenëve dhe, asnjë gjyle nuk shkonte bosh, kështu bahej kërdi ndër të rrethuemit. Njëherë u vranë tetëmbëdhetë vetë të krishtenë vetëm prej një gjyles së gurit e, kjo kërdi vazhdonte papushim; gjylet nuk mbaronin kurrë... toka ishte e mbulueme me gjyle e shigjeta, deri litarët e kumbonëve nuk shiheshin ma nga shigjetat e nguluna në to.
Shkodranët, për një muaj rresht për me ndezë zjarrin nuk përdornin dru tjetër përveç shigjetave të armikut. Sa neveri të vinte me shikue nëpër ajër gjymtyrët e te krishtenëve, të cilët i coptonte topi; nuk kishte vend në fortifikime e në mure ku mos të gjindeshin copa mishi. Të gjitha lagjët e qytetit, rrugë e rrugica ishin lye e zhye me gjakun e të krishtenëve. Shtëpitë shembëshin, Kishat rrafshoheshin përdhé... Kaq me shumicë vinin predhat dhe kaq të denduna ishin krizmat e goditjet e tyne, sa me të drejtë mund të krahasoheshin me breshnin." (f. 88)
"Ah sikur mos t’ia kisha ndigjue kurrë zanin Shkodrës! Kot erdha; të gjitha përpjekjët e mija shkuan kot!". Pastaj, mori guximin e çka nuk volli nga goja e vet kundër të Madhit Zot që nuk ia kishte plotsue dëshirat dhe nuk po e lente me sundue botën, ashtusi pat lanë dikur Aleksandrin, mbretin e Maqedonisë dhe Jul Cezarin. Shtonte mbasandej, se po të donte Zoti të mbahej si një rival i tij, Atij i mjaftonte sundimi i qiellit..." (f. 90).
"Flor Johima, komandant i rojeve të Shkodrës, shumë i zoti si në luftë ashtu edhe në paqë...
Brofi në kambë dhe biseda e tij kjé kjo:
Qytetarë trima! Besoj, të gjithë e dini se deri në çfarë pike arrinë zemrimi i padrejtë e i padurueshëm i barbarëve.... pa kenë ngacmue njëherë nga ana e jonë.
Na atyne nuk u kemi ba asnjë të padrejtë e ata janë që na kanë plaçkitë tokat tona, na kanë dhunue për turp çdo gja të Shenjtë e njerëzore... për një vit që jemi të rrethuem.
Po ku ka besë barbari?
Ku ka ai ndjenja njerëzore?
Ku ka ai mëshirë?
Ai, si i thonë një fjale, nuk ka as idenë e mëshirës. Ai veç në mos kjoftë i zoti, se përshpirt dhambët e vet do ti ngulte në mishin tonë dhe të fëmijve tonë edhe do të na shkyente përsëgjalli.
Do të ishte shumë e randë dhe e vështirë bashjetesa ndërmjet nesh e barbarëve, sëpse na jemi shumë larg prej tyne me fé, me zakone e me natyrë. Ata gjithnjë synojnë të hakmerrën tamam si bishat e egra ...
Po çka të thom pastaj për mënyrën e të jetuemit e për zakonët e tyne?
Për kuvendët e djallëzueme të tyne?
Për miqësinë e shoqninë e tyne?
Na me këto punë jemi aq larg sa janë njerëzit prej kafshëve të egra. Ndërsa, të gjithë popujt simbas rregullave ma të lashta kanë qëndrue të matun e të përkurmë edhe gjithmonë i kanë urrejtë ma së forti flligështitë e trupit, përkundrazi, këta kanë përhapë disa zakone që nuk mund të thuhën me gojë dhe, në këtë mënyrë i kanë hapë shteg vetës së tyne për të gjitha aktet ku janë ma të poshtrat.
Ata nuk kanë të ndalueme të thyejnë kunorën e martesës edhe me një njeri të farëfisit, të ndjekin andjet e poshtra të mishit e të gjakut, menjëfjalë, të bajnë çdo poshtërsi e paturpësi.
... Prandej, këta nuk kanë asnjë ndryshim nga bishat e egra, madje, mund të thuhët se janë edhe ma të këqij, sëpse bishat veprojnë simbas instiktit ashtusi ua ka dhanë natyra, e këta përkundrazi me një lakmi e etje të furishme, lëshohën si të tërbuem ndër të gjitha mbrapshtitë... nëkjoftëse, nuk doni të kujdeseni për vetën tuaj, të keni parasyshë të paktën fëmijët tuaj dhe mbasardhësit tuaj, sëpse këta tue jetue pranë tyne do ti kapë sëmundja, epidemia, do të infektohën randë.
Do të duroni ju që fëmijët tuaj të rritën dhe të edukohën në gjithë këte llom vesësh?
Në mes të gjitha këtyne zakoneve kaq të liga?
Kujtoni, ju, se fëmijët tuaj do të dalin njerëz të mirë e të ndershëm në mes të një murtaje kaq të randë dhe në gjithë këte pellg mbrapështishë?...
E çfarë poshtërsie! Tmer!
Ata rrëmbyen nga krahtë e nanava të krishtena foshnjët dhe fëmijët e rritun edhe ua hoqën sytë prindëve, i vërbuan. Ata dhunuan gratë ndër sytë e burrave të tyne; ua çnderuan vajzat; torturuan mashkujt ashtusi u pëlqente atyne, i banë skllavë dhe i mbajtën si bagëti. E kush do të ua ndalojë atyne që të veprojnë prap ashtu?
E kush do të ua presë hovin?
Ku do të ankohemi na?
Kujt do ti kërkojmë ndihmë e mbështetje?
Ata do të jenë vetë fajtorë e vetë gjyqtarë. Sigurisht vullneti juaj do ta ndjekë këshillen që po ju jap.
Pra, ju, o qytetarë, ju zonja e ju djelmë, mundësisht, mos të humbim kohë: Të ikim nga ky Atdhé i pafat e i mjerë; të shporremi nga këta njerzë mizorë e të humbun!" (f. 99 - 103)


Pse arbëreshët e Italisë nuk u asimiluan, ndërsa dardanët
e Kosovës nuk kanë asnjë shenjë shqiptarie në Turqi?



Ndoshta ka ardhur koha për të bërë këndvështrime ose dhënë mendime, pse shqiptarët ndër shekuj ruajtën vlerat e kulturës së tyre edhe në dhe të huaj në saj të punës përkushtuese të meshtarëve të krishterë dhe Institucionit të Kishës, që si një nënë e mirë ruajti bijtë e vet nga asimilimi.
Shtrohet pyetja: Pse arbëreshët e Italisë nuk u asimiluan edhe pse tash afërsisht 600 vjet jetojnë në dheun latin, ndërsa dardanët e Kosovës, që u larguan në shekullin XX nuk kanë asnjë shenjë si shqiptarë në Turqi!?
Në historia e shpërnguljeve ose emigrimeve të shqiptarëve ndër shekuj është përsëritur disa herë dhe kjo për arsye të ndryshme, të cilat janë trajtuar nga autorët demografë shqiptarë dhe të huaj.
Vetë dëshmitë historikë të dy shpërnguljeve masive shqiptare, që ndodhen në dy kahe të ndryshme të Europës: e para në Itali me dominim të kulturës kristiane dhe e dyta në Turqi me mbizotërim kulturës islame, kanë bërë që sot të shohim, se rezultat më pozitiv të mbijetësës së kolonëve shqiptarë janë ato që i përkasin kulturës së krishterë, e cila u krijoi mundësi shqiptarëve edhe sot mbas 6 shekujve të ruajnë identitetin e tyre edhe pse në dhe të huaj.
Në kohën e Perandorisë Turke, asnjëherë nuk ka pas shkolla në gjuhën shqipe, ku fëmijët e kolonëve dardanë të mësojnë gjuhën, traditat, zakonet dhe historinë e tokës mëmë të Dardanisë…
Ndërsa ndryshe paraqitet pamja me arbëreshët e Italisë së Jugut të Italisë, që edhe sot flasin arbërishten e kulluar të tokës së Arbërit, kanë revista, gazeta, vatra kulture, ruajnë me krenari kulturën dhe zakonet arbërore, kanë institute e qendra kërkimore shkencore të identitetit të tyre shqyptarë…  
Duhet thënë fakti, se ndryshe me shpërnguljet e shqiptarëve nga Kosova (sipas marrëveshjes të Qeverive të ish – Jugosllavisë dhe Turqisë) në Pllajën e Anadollit ose ne kufi në popullsinë autoktone kurde në pjesën verilindore të Turqisë, arbëreshët e Italisë së Jugut, edhe mbas 6 shekuj ruajtën ende me krenari dhe dhimbje (si pjesë e “gjakut të shprishur”, sikurse thonë arbëreshët) identitetin, gjuhën, traditat, zakonet e lashta arbërore nga trevat, ku ato dikur, kanë qenë detyruar të shpërnguleshin, për arsye politike dhe fetare, mundën të mbijetojnë, duke ruajtur elementët e qënësishme të kombësisë dhe fenë e parë të krishterë, të cilat po rrezikoheshin nga asimilimi i plotë prej barbarëve të Perandorisë Mizore Otomane.
Nëse do të shohim aspektin e mbijetesës të kolonëve dardanë të vendosur në Turqi, për fat të keq ata s’kanë portretin e identitetit të tyre. Kësisoj këto kolonë të freskët dardanë që i përkasin periudhës së shekullit XX, pa prova mbijetese, dëshmohet se tashmë janë asimiluar tërësisht. Kjo vërtetohet lehtësisht, mbasi në dokumentet turke nuk ka katunde me popullsi kompakte të kolonëve arnautë.
Sot rezultati i “mbijetesës” së tyre del se me me dhimbje duhet pranuar fakti, se ata në tërësi sikurse dëshmohet në ditët e sotme, asnjëherë s’kanë bërë përpjekje për mbijetesë, por shpesh ata janë identifikuar si turq. Kjo me sa duket ka qenë faktori kryesor i asimilimit të plotë të paraardhësve dhe sot nuk dëshmohet asnjë gjurmë mbijetese si shqiptarë.
Nga ana e tjetër, shohim se asimilimi i popullsisë dardane të vendosur në Turqi, ka ndodhur shumë shpejt dhe nuk u është dashur më shumë se disa vite që ata të unjisohen me popullsinë autoktone turke.
Ndërsa arbëreshët e vendosur në Italinë e Jugut edhe pse ishin të krishterë, sikurse banorët vendas italianë, përmes klubeve, shoqatave dhe organizatave të ndryshme pa sunvesimet e shtetit italian, u organizuan dhe me krenari ruajtën identitetin e tyre etnik origjinal autokton si shqyptarë.
Kjo nga ana e tjetër, tregon edhe tolerancën dhe stimulimin që kultura kristiane u krijon mundësi për të ruajtur gjuhën, traditat, zakonet dhe identitetin kombëtar pakicave kombëtare kudo kjoshin ato. Por kjo ndodh me kulturën jo të krishterë.
Arbëreshët e Zarës në Kroaci dhe ato në Italinë e Jugut kur besimtarët shkojnë në kishë për t’u lutur mund të shkojnë të veshur sipas dëshirës edhe me kostume të pasura popullore. Shpesh kishat e krishtera dhe meshtarët e tyre për arbëreshët në Italinë e Jugut etj., kanë qenë ruajtësit dhe stimuluesit e vlerave të kulturës autoktone arbërore për banorët jotalianë në Italinë e Jugut, ku gjenden të vendosur tash 600 vjet një pjesë e paraardhësve tanë që u shpërngulën nga toka e Arbërit.
Shpërnguljet në fjalë, gjatë kohës që barbaritë mizore të pushtuesve osmanllinj rrafshonin për dhe çdo gjë që kishte të bënte me kulturën, zakonet, gjuhën, fenë e të parëve, kishat, vrisnin dhe ngulnin në huj prej druri meshtarët e popullit shqiptarë, internonin në Pllajën e Anadollit me dhjetra dhe mijëra arbërorë, merrnin peng fëmijët për t’i bërë jeniçerë, grabisnin vajzat e reja arbërore për t’i përdorur si prostitute në haremet e tyre, të ndërtuar për manjakët jeniçerë dhe gjeneralëve të ushtrisë së tyre, vrisnin pa shkak popullsinë vendase dhe sillnin nga vendet që ata kishin nën zotërimin e Perandorisë së tyre, kolonë të huaj, duke u bërë privilegje dhe dhuruar shpesh tokat dhe pasuritë e grabituara banorëve vendas autoktonë arbërorë. Disktiminimi sistematik dhe i gjithanshëm i popullsisë autoktone të krishterë, u bë një modë e kohës dhe shpesh shqiptarët i detyronin të ndërronin fenë, mbasi kishat dhe meshtarët i kishin asgjësuar…
Kjo ishte “dashuria” dhe “kultura e civilizimit”, me të cilën e identifikoi vetën Perandoria Otomane e cila për krime që ka bërë tash 6 shekuj ndaj popullit arbëroro – shqiptarë asnjëherë nuk ka kërkuar ndjesë, kur dihet se presidentë të ndryshëm të amerikës i kanë kërkuar ndjesë popullit autokton indian (Native American) për krimet, që janë bërë ndaj banorëve indianë lëkurë kuq të ameirkës që nga periudha e zbulimit nga Kristofor Kolombit…
Këto shpërngulje gjatë shekujve të arbëroro – shqiptarëve u bënë për faktin se populli shqiptarë nuk dëshironte që të shkombëtarizohej, të ndryshonte fenë e të parëve dhe të ruante në atdheun e huaj zakonet, traditat, gjuhën e gjithçka nga trojet etnike shqiptare. Historia është dëshmi e mbijetësës historike të popullit shqiptar dhe asaj pjese të popullsisë që u detyrua të lërë trojet e veta për arsye të shfarosjes masive që kishte filluar të bënte Perandoria Otomane ndaj popujve autoktonë në Ballkan.
Kështu prej vitit 1478, ushtria otomane depërtoi në thellësi të territorit arbëror, duke e zgjeruar në këtë mënyrë hartën e pushtimeve në Ballkan. Viktimë e kësaj masakre masive ra edhe popullsia arbërore, që në kohën e Gjergj Kastriotit i kishte bërë ballë me shumë sukses për 26 vjet hordhive barbare të ardhur nga Gjiri i Bosforit.
Historianët dhe kronistët e kohës i përshkruajnë me note dramatike dhe të dhimbshme të gjithë gjakderdhjen e shkaktuar ndaj popullsisë autoktone nga jeniçerët dhe taborret mizore turke. Jo larg këtyre përshkrimeve janë edhe vetë kronistët otomanolog.
Disa prej historishkruesve, për të treguar triumfin shpesh pa luftë të sulltanëve të Stambollit dhe komandantëve përbindësh të tyre, tregojnë me hollësi se si turqit vrisnin, torturonin, merrnin peng fëmijë djem dhe vajza (vajzat minorene i dërgonin në sarajet e sulltanëve dhe haremet të ndërtuar në çdo kamp ushtarak turk), shkretonin ngado ku shkelnin, rrënonin dhe u vinin zjarrin qendrave të banimit në zonat urbane dhe rurale, tjetërsonin me fanatizëm çdo vlerë të artit dhe kulturës autoktone arbërore dhe trashëgimin qindravjeçare të veprave të artit dhe kulturës kristinane realizuar nga mjeshtërit vendas të kohës dhe ato të periudhës veneciane.
Megjithë rezistencën e vendosur të popullsisë, të gjithë trojet shqiptare ranë nën zotërimin e Perandorisë Osmane, e cila përmes një plani të detajuar filloi shpopullimin e vendasve, duke i detyruar ata të marrin rrugën e mërgimit pa kthim dhe nxiti e stimuloi me ligje dhe dekrete vendosjen e kolonëve të huaj kryesisht nga vendet e pellgut të Azisë së Vogël.
Për mesë 5 shekuj Shqipëria, sikurse shkruajnë edhe shumë historianë shqiptarë dhe të huaj asokohe dhe sot, filloi të popullohej me ardhacak turk safi (shtresa të ulëta dhe të vobekta turke) dhe të kombësive të ndryshme, të cilët gjetën një terren të përshtatshëm për të bërë një jetë të qetë dhe pa trazime nga qeveritë ë njëpasnjëshme turke.
Një pjesë e vezirëve “arbëror”, që u shërbenin interesave të Perandorisë së Osmanllinjve ishin joshqiptar dhe mish e shpirt punonin për otomanizimin dhe turqizimin e popullsisë autoktone jo vetëm në Arbëri por në të gjithë vendet e tjera të Gafishullit të Ballkanit, ku Perandoria Turke ishte bërë forcë e vetme sunduese dhe masakruese.
Për këtë ngjarje dhe të tjera të kësaj natyre, më së miri flet libri në katër vëllimi i studiuesit shkodranë Hamit Bushati, një pinjoll i hershëm i Bushatllinjve të hershëm të qytetit të Shkodrës. Ai në veprën e vet të titulluar: “Shkodra dhe motet”, flet me detaje se nga kanë ardhur shumë kolonë të huaj dhe janë vendosur në qytetin e Shkodrës, duke i përmendur me emra dhe mbiemra pjesën më të madhe të tyre që edhe sot ruajnë të njëjtat mbiemra qysh nga koha e ardhjes së tyre, si pasojë e politikës së shkombëtarizimit vendas shumë shekullorë, që Perandoria Otomane kishte aplikuar me sukses deri në vitin 1912.
Por nga ana e tjetër duhet thënë se jo të gjithë familjet origjinë të huaj etnike u bënë krah i djathtë i pushtuesve të huaj. Një pjesë e tyre me ndërgjegje të plotë u bërë mburojë e qytetit të Shkodrës, duke e quajtur atë si Atdheu i dytë i tyre dhe e deshtën atë me gjithë shpirt.
Gjatë kohës së sundit të Perandorisë Otomane në Arbëri dhe deri në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, në vitin 1530 lëshoi fermatin (urdhërin), që të filloi me hir ose pa hir përhapja e fesë islame, të ndërtohen objektet e kultit islam, duke rrënuar objektet shumëshekullore autoktone kulturore dhe kristiane, duke fshirë kështu çdo gjurmë të vijimsisë së kulturës dhe traditës së pastër shqiptare. Turqishtja u bë gjuhë zyrtare, që sundoi për shumë shekuj në Shqipëri, ndërsa gjuha arbërore mësohej në mënyrë klandestine me nxitjen dhe përkrahjen e klerit katolik dhe patriotëve laikë shqiptarë nga Veriu dhe Jugu i Shqipërisë.
Edhe gjatë kohës që Shqipëria shpalli Pavarësisë e saj një pjesë e rebelëve ose shërbetorëve të “baba dovletit”, nuk dëshironin mëvetësinë (sovranitetin), por kërkuan me armë dhe kryengritje rebele të tipit turkoshak Haxhi Qamili, që të kthehej koha e errësirës së osmanllinjve.
Gjatë kohës së mjerimit dhe zymtësisë së pushtuesve turq, shqiptarëve u ndalohej të demostronin identitetin e tyre kombëtarë, u mohohej ose vriteshin si heretik të gjitha ata patriotë që kërkonin të flitej dhe shkruhej gjuha e embël shqipe, ndalimi i shkollave kombëtare, ku të mësohej historia e lavdishme e popullit shqiptar, kultura dhe shkrimkëndimi në gjuhën amtare.
Me dekrete të veçanta Perandoria Turke u ndaloj besimtarëve të krishterë identitetin e tyre fetar dhe nxiti përmes takses së xhizies laramanizimin dhe islamizimin me hap të përshpejtuar në ata treva kompakte katolike dhe ortodokse. Nga periudha e viteve 1478 deri më 1633 kemi shpesh kryengritje kundërosmane spontane dhe të organizuara kryesisht nga krahinat e malësive shqiptare, për të cilat është shkruar nga shtypi i kohës dhe media e huaj…
Këtë valë shkatërrimi dhe mjerimi në shumë rrafshe kishte edhe Ulqini qyteti i lasht dhe antik jo shumë larg qytetit simotër të Shkodrës. Më 1570 trevat e Ulqinit uzurpohen nga ushtritë mizore otomane. Pa mëshirë mbi popullsinë autoktone ra shpata e përsekutimit dhe salvimi nuk kursei asnjë prej familjeve katolike. Më të njohura gjatë atyre vitëve të zeza janë ngjarjet historike që kanë të bëjnë me rrëzimin dhe shkatërrimin e shumë kishave të famshme të vjetra të Shasit.
Duke shfletuar me kujdes faqet e historisë së trevave tona etnike, fare lehtë mund të dallohete dhe shkalla e shkatërrimit total që pësuan shumë zona dhe qendra të hershme kulturore dhe historike të popullit shqiptar. Kështu është i njohur fakti, ku mbi 365 objekte kulturore kishtare digjen nga dyndja barbare otomane.
Ky tjetërsim sistematik dhe në shkallë të gjerë, u organizua nga vetë komandantët e taborreve turke, q ënë duar mbanin dekretet e barbarisë, duke mbjellur kudo mjerimin apo kohën me të errët  në historinë e popullsisë së qytetit të Ulqinit me rrethina.
Duhet theksuar se vetë Shasi, ishte një qytet antik i ndërtuar prej të parëve tanë krenarë ilirë rreth vitit 300 para Krishtit. Në këtë qytet antik ndeshën gjurmë të ndërtimeve të lashta romake dhe greke, me gjurmë të një kulture të gdhendjes në disa faqate të kështjellës së lashtë të qytetit. Aty shquhen shumë mirë elementët e periudhës së antikitetit.
Gjatë vitëve të mëvonshme dhe më saktësisht në vitin 1570 difinitivisht Ulqini antik ra në duart e sundit të mizorëve otoman. Sikurse edhe në viset e tjera shqiptare edhe Ulqini dhe banorët e tij, kalojnë në valën e përsekutimit dhe mjerimit të planifikuar me kohë nga pushtuesit osmanllinj, që kudo mbollën rrënim dhe mjerim që do të vijonte për një kohë shumëshekullore.
Nata e errët turke u shoqërua edhe me prapambetjen shumëfishe të gjithë trevës së malësisë së Ulqinit dhe trevave përreth tyre. Taksat, vrasjet, burgimit, surgjenimet, gjarderdhja, islamizimi, shkatërrimi i kishave katolike, tjetërsimi i vlerave të trashëgimisë kulturore iliro-shqiptare, do të bëhen objekt i sulmeve të njëpanjëshme të barbarëve otoman.  
Nëse do të shikohet në një plan më të gjërë, rezultati ose suksesi i dhunshëm i pushtuesve otoman del se nga viti 1633 deri më 1840 mbi 85% e popullsisë autoktone shqiptare kishte marrë fenë dhe kulturën e pushtuesit aziatik. Për të gjithë ata që kundërshtonin hapur fenë islame, shpata e vdekjes dhe e shkatërrimit ra pa mëshirë. Ky mjerim u përhap masivisht tek shqiptarët e Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës. Nga harku kohor i viteve 1590 deri më 1706 e gjithë popullsia e trevave në fjalë në masën 73% ishte islamizuar.
Por nga ana e tjetër patriotët dhe atdhedashësit e flakë shqiptarë ndër shekuj dhe me shembuj konkretë të martirizimit dëshmuan dashurinë e pakufi për trojet e të parëve të tyre. Dhe shembujt që nëna histori ruan në gjirin e vet janë të shumë e i përkasin çdo treve të trojeve etnike shqiptare. Feja krahina dhe ideja qëllmire e tyre ishte atdheu dhe vetëm atdheu.
Kryengritjet e njëpanjëshme të shqiptarëve kundër Portës së Lartë gjatë shekujve kanë qenë të shpeshta dhe të shumta. Mbi të gjitha tek këto lëvizje antiturke në Shqipëri dhe trojet e tjera etnike shqiptare një shtysë e rëndësishme e zgjimit të ndërgjegjës kombëtare kanë qenë shembulli heroik i kryetrimit të Arbërisë Gjergj Gjon Kastriotit, flamuri i të cilit me sfondin e kuq dhe shkabën dykrenare u skuq ndër shekuj nga mijëra dhe qindra martir dhe fatosa të lirisë dhe pavarësisë kombëtare.
Shembulli më i freskët është ai i filllimit të shekullit XX, ku pikërisht më 6 Prill 1911 trimat e Malësisë së Madhe të kryesuar nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli dhe qindra luftëtarë të tjerë luftuan dhëmb për dhëmb në istikamin e Deçiqit, duke ngritur me krenari flamurin arbëror stërgjyshor.
Një vit më vonë më 28 Nëntor 1912 në Vlorën e Ismail Bej Qemalit, një grup patriotësh të flaktë nga Veriu dhe Jugu i Shqipërisë, Isa Buletini me trimat e tij kreshnik nga Dardania martire (Kosova) dhe trojet e tjera iu bashkuan zërit të ndërgjegjës kombëtare.
Sëbashku me shqiptarët atdhetarë ishin gjithnjë si flamurtarë klerikët katolik si: Bardhi, Buzuku, Bogdani, Matrënga etj., për të ardhur tek nderi dhe krenaria jonë kombëtare, si: Don Nikollë Kaçorri, At Gjergj Fishta O.F.M., Pader Anton Harapi O.F.M., Imzot Vinçenc Prennushi, Pader Marin Sirdani O.F.M., Pader Alexander Sirdani O.F.M., Pader Gjon Shllaku O.F.M., Dom Ndre Zadeja, Imzot Ernest M. Çoba,  Dom Ndre Zadeja, At Pjetër Meshkalla, Dom Lazër Shantoja, Imzot Lazër Mjeda, Kardinal Mikel Koliqi, At Donat Kurti O.F.M, Dom Tom Palok Laca, Dom Anton Muzej, Dom Dedë Maçaj, At Mark Harapi S.J., Dom Lzër Jubani, Imzot Frano M. Gjini, Dom Nikollë Gjini, At Karlo Serreqi, Dom Injac Gjoka, Dom Ejell Kovaçi, At Çiprian Nika O.F.M., Dom Dedë Malaj, Dom Pjetër Gruda, Dom Ejll Deda, Dom Pjetër Nogaj (Tusha), Imzot Nikollë Nogaj (Tusha), Dom Pjetër Çuni, Dom Mark Hasi, Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Nikollë Laskaj, Dom Nikoll Gjini, At Klement Miraj, O.F.M., Imzot Gjergj Haberi, At Rrok Gurashi O.F.M., Dom Lek Sahatçija, Dom Mark Dushi, Dom Marin Shkurti, Dom Shtjefen Kurti, Dom Marin Shkurti, Dom Mikel Beltoja, Dom Mark Hasi, Dom Engjëll Kovaçi, Dom Anton Doçi, Dom Nikollë Shelqeti, Dom Rrok Frisku, At Pal Dodaj O.F.M., Dom Kolec Prennushi, Dom Mark Bicaj, Dom Dedë Plani, Don Jak Bushati, Papa Josif Papamihali, Dom Vlash Muçaj, Dom Anton Muzaj, At Lorenc Mazreku O.F.M., At Leonard Tagaj O.F.M., Dom Mark Gjani, Fratel Gjon Patalia S.J., Imzot Bonatti, Papa Pando etj., etj.
U shkatërruan totalisht objektet e kultit në Shqipëri dhe në veçanti tjetërsimit total iu nënshtruar objektet e kultit të krishterë, ndërsa disa xhami sikurse është ajo në qendër të Tiranës u kthye në monument kulture. Në Shkodër në vitin 1974 u hap muzeu i parë ateist në botë, ku nxënësit e shkollave të mesme dhe universitetit dërgoheshin në aksione në luftë kundër “fesë dhe zakoneve prapanike”, sikurse thuhej shpesh në propagandën komuniste askohe.
Me Kushtetën Komuniste të Republikës Popullore Socialiste të Shqipëri u ndalua me ligj ushtrimi i besimit fetar për shtetasit shqiptar. Kështu propaganda komuniste e quajti besimin fetar në Shqipëri “fenë si opium për popullin” dhe se dënohej me burgim të përjetshëm ai klerik që gjendej duke ushtruar misonin fisnik të tyre.
Klerikët u futën në burg njeri pas tjetrit qysh prej vitit 1944 dhe vijoi fushata antiklerikale e fetare deri më suprimimin e plotë të fesë. Filloi inkuizicioni i gjyqeve të montuara kundër ajkën me të ndritur të popullit shqiptar, që kishin studiuar në universitetet më të njohura të Europës Perëndimore.
Tashmë shkollat e shquara të artit, kulturës, dijës, nderit dhe krenarisë shqiptare u bënë objekt i shkatërrimit, vjedhjeve dhe përbaltjes nga propaganda komuniste e diktaturës së proletariatit, që ndiqme me përpikëmëri porositë e padronëve sllav rusë që zënë fill qysh nga koha e Stalinit dhe deri tek revolucioni kulturor kinez, që i vuri vulën e shkatërrimit çdo vlerë të shquar të identitetit shumëshekullor shqiptar.
Kuvendi Françeskan dhe Seminari i Jezuitve në Shkodër, u bënë objekt i goditjeve të pamëshirshme nga komunistët. Në ambientet e tyre u zhvilluan gjyqen dhe dënimet me vdekje, burgim të përjetshëm dhe internimeve të gjithë klerikëve që zënë fill prej vitit 1944 dhe deri më 1990, kohë kur komunizmi filloi të plasaritet si pasojë e tjetërsimit të saj në vendet e Europës Perëndimore…
Duhet thënë, se shpesh historia komuniste u anashkalua dhe në foto origjinale historike u fshi me gomë ose prerë më gërshërën e diktaturës komuniste në Shqipëri, që sundoi egërsisht prej datës 28 nëntor të vitit 1944 deri më 13 dhetor 1990, kur trimat shkodranë i hodhën komardaret e biçikletave dhe urinuan bustet e diktatorëve Stalinit dhe Enverit…
Nga burimet arkivore të Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë (AQSH), prej vitit 1944 deri në vitin 1974, rezulton se ka mbi 45.000 shqiptarë, të vrarë me gjyq e pa gjyq, të vdekur dhe torturuar në hetuesi, në kampet shfarosëse të ngritur në zonat e humbura të Shqipërisë, të vdekur në burgje e kampe përqendrimi (e njëjtë kjo metodë me nazistët gjermanë), të zhdukur ose me plumb mbas kokës gjatë kohës, që të ashtëquajturit etiketoheshin me përbusje “deklasuar”, kryenin shërimin ushtarak pa armë, por vetëm në në mëditje nëpër repartet e xhenieros (të puëneve më të rënda të krahur, njësoj si në kohën e skllevërve, kur në egjiptin e lashtw filluan tw ndërtohen piramidat ose qytetit bregdetar i Kartagjenës apo Colosseu të famshëm  në Romë etj.). Të gjitha këto janë kryer nga Sigurimi i Shtetit ose makina shfarosëse e Gestapos, që drejtohej nga dikatori Enver Hoxha dhe kryexhelati Mehmet Shehu…
Vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, do të shoqërohej me një luftë civile, që rrënjet e saja të përgjakshme i ka qysh në natën e zezë të lindjes së djallit të kuq me 8 nëntor 1941, në saj të importimit të propagandës komuniste, përmes ideve dhe praktikave tipike bolshevike të Rusisë, ku sundonte diktatura e proletariatit e Leninit dhe Stalinit. Lufta civile në Shqipëri filloi dhe vijoi e kaloi disa faza të përgjakshme. Periudha më ë përgjashme e saj ishte ajo që përfshiu harkun kohor të vitëve 28 Nëntor 1944 deri në vitin 1960…
 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?