Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Arti arrow Dilemë e krijimit
Dilemë e krijimit PDF Print E-mail
08 Korrik 2009
Astrit Lulushi

Cdo njeri krijon, por artisti, shkrimtari, poeti, shkencëtari, nuk mund të krijojë nëse mungon ndjenja, energjia, të cilat përbëjnë atë që quhet frymëzim. Në se frymëzimi shihet si baticë e zbaticë tërhequr nga një forcë mistike, atëherë në nivel kryeveprash mund të ngrihen ato krijime që lindin kur autori rrethohet, ndikohet a pushtohet nga një dallgë ndjenjash a frymë e brendëshme.

Pa këte frymëzim, krijuesi - pavarësisht se cilës fushe i përket – e sheh veten në udhëkryq; shkrimtari pyet, të shkruajë për hir të profesionit apo të presë kohën e duhur a frymëzimin? Në raste të tilla, ai/ajo ndodhet në të njëjtën pozitë me atë të njeriut të etur dhe uritur kur përpara i vihet ushqimi dhe uji. Teorikisht, nëse shkalla e urisë është përsosmërisht e barabartë me shkallën e etjes, njeriu mund të vdesë ndërsa përpiqët të vendosë se cfarë duhet të bëjë më parë; të hajë apo të pijë? Kjo përbën prej shekujsh një prej paradokseve që shkencëtarët e mendimit edhe sot përpiqen të zgjidhin.

Edhe shkrimtari provon dilemma të ngjashme. Historia ka plot raste kur njerëzit kujtohen për një krijim të vetëm, si Homeri i botës antike, apo At Pllumi mes shqiptarëve të kohës sonë. Shkrimtarë, si Antonio Porchia, i njohur vetëm me një libër, “Voce” prej jo më shumë se 100 faqesh, “vdesin” duke humbur mes reve të bardha të ndjenjës, mendimit, frymëzimit, e në dilemë. Të rrosh për me tregue apo tregosh për me jetue, kjo është cështja, do të thoshte At Zef Pllumi me stil shekspirian. Njerëz të tillë presin lirinë, frymëzimin, krijojnë dhe shuhen.

Po ashtu ka krijues që njihen për vepra të shumta, si Shekspiri në letërsinë angleze, apo Kadare në letrat shqipe sot. Edhe ata “jetojnë” mes reve të ndjenjës, mendimit, frymëzimit, por vendosin se c’duhet të bëjnë, jetojnë. Për Shekspirin thonë se nuk është autor i shume prej dramave, por ai la mbi to emrin e vet. Në kohën kur Shkespiri jetoi, njerëzit edhe mund të kenë debatuar rreth kësaj cështjeje, por koha është si gjykatësi që vendimin e shpall vetëm pasi njerëzit të kenë zbrazur sallën; Shekspiri, autor i padiskutueshëm, dihet se është vendimi.

Për Kadarenë, shqiptarët bashkohen në mendim për nivelin e lartë artistik të veprave të tij. Vlerësim të tillë do t’a endërronte cdo shkrimtar, sikur të mos endej mjegulla e diktaturës nën të cilën krijoi. Debati që i bën shqiptarët të ndahen është se kush përfitoi më shumë prej artit të Kadaresë; i shtypuri, tirani apo vetë shkrimtari. Idea është se të tre përfituan, si në një kaledioskop, që duke e rrotulluar, secili mund të shohë anën që do; të vuajturit dritën, tiranët vetëshkëlqimin dhe autori udhën për të jetuar.

Megjithatë cështja, si në shumë raste, shndërrohet në “nyje gordiane” ku “shpata” rekomandohet si zgjidhja më e mirë; nga arti i Kadaresë është kultura që përfitoi. Kjo të thuhet të paktën tani për tani, sepse koha është gjykatësi, dhe kur vendimi të jepet, asnjë prej të sotmëve nuk do të jetë më.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive