Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Ã‡eshtja Kombetare arrow 28 Nëntori në Luginë
28 Nëntori në Luginë PDF Print E-mail
01 Dhjetor 2006

Shkruan: Blerim N. Krasniqi

 Për arsye të rrethanave politike, 28 nëntori si festë kombëtare, nuk festohet njëjtë në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët etnik. Që nga shpërbërja e RFSJ-së, në Serbi janë ndërruar shumë shpesh kushtetutat, por në asnjërën nga ato e as në këtë më të rejën  flamuri dhe festat kombëtare shqiptare nuk figurojnë si festa të lejuara, të një pakice që jeton në hapësirën administrative të Serbisë.
Në Preshevë dhe Bujanoc, pas konfliktit të armatosur të UÇPMB-së, ka filluar të kremtohet edhe jashtë shtëpive dhe lokaleve dita e flamurit, pa ndonjë leje nga organet e rendit publik. Kjo situatë, e cila është duke u përsëritur qe pesë vite, mund të definohet si një pat politik, pa fitues dhe pa humbës. Arsyeja për këtë “mirëkuptim” të pushtetit serb, është situata e pazgjidhur e Kosovës. Në qoftë se do të intervenonte dhunshëm ndaj këtyre kremtimeve publike të palejuara, do të hapte problem brenda territorit të saj dhe do të krijoheshin komplikime politiken në dëm të saj.

II
Edhe këtë vit, dita e flamurit do të festohet në pesë realitete të ndryshme. Vetëm në Shqipëri do të kremtohet si festë kombëtare dhe shtetërore, ndërsa në pjesët tjera shqiptare si festë kombëtare.
Festimi i 28 nëntorit, në Kosovën Lindore varet prej vullnetit dhe organizimit të qytetarëve të vet. Në mungesë të infrastrukturës ligjore, ky kremtim do të duket si rebelim. Bajrami si festë fetare ka një ditë pushim nga institucionet, ndërsa dita e flamurit do të jetë një ditë e zakonshme pune. Në këtë datë qytetarët do ta ndiejnë veten krenarë për identitetin e tyre, edhe pse kjo ndjenjë i ndalohet me ligj.
Kjo ndalesë për shqiptarët është një mesazh se ata janë të padëshirueshëm në shtetin serb edhe pse janë qytetarë dhe tatimpagues të atij shteti. Mundësia e vetme që mbetet nga ky shtet dhe legjislacioni i saj për shqiptarët është vetëm një: asimilimi, për të cilën nuk nevojitet ndonjë angazhim i madh, pasi ajo ndodhë me kohën e cila kalon.
Mundësia alternative për mbrojtjen e identitetit kombëtar është ngritja e Krahinës Autonome e Luginës apo bashkëngjitja me Kosovën.
Përndryshe kjo gjendje dhe festimi i këtillë mund të zgjasë edhe disa vite, derisa të shpërngulet rinia, nga ky vend i pa perspektiv për ta.

III
Në referendumin për kushtetutën e re serbe, partitë politike të Kosovës Lindore, ftuan elektoratin e tyre ndarazi dhe me arsyetime të kota, të bojkotojnë referendumin. Sipërfaqësisht ky veprim dukej shumë korrekt. Bojkotimi do të thotë mospajtim dhe pika e paarsyetuar nga këto parti shqiptare ishte se a janë për kushtetutën e vjetër pasi nuk po pajtohen me të rejën? Për shqiptarët çfarë dallimi ka kushtetuta e vjetër nga kjo e reja?
Ky bojkotim njëkohësisht është edhe absurd, pasi shqiptarët dalin si mbrojtës të kushtetutës së vjetër të Sllobës. Mospajtimi njëkohësisht është kuptuar edhe si dëshirë për të qëndruar në të njëjtin shtet, por e vetmja pengesë është kushtetuta e re, pasi merr kohë deri sa të adaptohen!!!
E vërteta është se shqiptarët nuk janë në pozitë për të zgjedhur dhe imponuar zgjidhje, por thjesht janë qytetarë të dorës së dytë në një shtet. Bojkotimi i tyre as që i ka bërë përshtypje ndokujt, pasi është pritur kundërshtimi.
Në vend të bojkotit, ka qenë e pritur dhe e arsyeshme shpallja e autonomisë territoriale dhe shfrytëzimi i datave të njëjta për referendumin e Kushtetutës së Krahinës Autonome të Luginës. Atëherë, kjo iniciativë do të kishte lëvizur të gjithë mekanizmat politik ndërkombëtar, për ta trajtuar edhe njëherë më seriozisht problemin e shqiptarëve të mashtruar të Luginës nga vetë ata, në maj të 2001-tës.

IV
Në Kosovën Lindore, identiteti kombëtar mbrohet dhe stimulohet nga vetë qytetarët e saj. Edhe pse pushteti lokal udhëhiqet nga shqiptarët, të cilët vjelin taksa të ndryshme nga popullata, deri më tani nuk kanë arritur të stimulojnë dhe të mbrojnë identitetin kombëtar të tyre, duke mësuar më tepër për historinë kombëtare në shkollat e mesme dhe ato fillore; duke zyrtarizuar simbolin kombëtar dhe duke krijuar kushte për shkollim superior në gjuhën shqipe.

V
Sipas kushtetutës së shtetit Shqiptar, presidenti është i të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm i atyre që jetojnë brenda kufijve aktual. Presidenti aktual dhe ata të mëparshmit deri më tani publikisht asnjëherë nuk kanë përmendur problemin e Kosovës Lindore, e as nuk kanë stimuluar në çfarë do forme identitetin kombëtar të shqiptarëve që jetojnë ende në Kosovën Lindore, qoftë me ndonjë vizitë, me dhurimin e ndonjë libri, flamuri  etj. Ambasadorët e shteteve evropiane dhe SHBA-ve në Beograd vizitojnë shpesh dhe stimulojnë me donacione të ndryshme shqiptarët e Kosovës Lindore. Ndërsa ambasadorët shqiptar në Beograd, nuk stimulojnë as me vizita këto treva, për tu dukur së paku si përkrahje morale.  
Kosova ndihmon dhe është më afër shqiptarëve të këtyre trevave në çdo aspekt. Edhe pse në aspektin politik në Kosovë mungon një politikë e qartë për problemet, territorin dhe shqiptarët e Kosovës Lindore. Pavarësisht rrjedhave politike që ndodhin rreth statusit të Kosovës, shqiptarët e Kosovës Lindore presin të jenë të përfshirë në Kushtetutën e Kosovës si qytetarë të saj.

VI
Pas aprovimit të kushtetutës së re në Serbi, ku shqiptarët e bojkotuan, normalisht ata duhet të jenë jashtë të gjitha kornizave ligjore që ka ky shtet. Deri më tani nuk ka asnjë lëvizje për vetorganizim politik, si shenjë  kundërshtimi të kësaj kushtetute të aprovuar dhe të bojkotuar nga shqiptarët.
Pëshpërimat e disa liderëve politik të Luginës për pjesëmarrje në zgjedhjet e Serbisë më 21 janar ‘07, është treguesi më i mirë i injorancës njerëzore.
Partitë politike në Luginë ftojnë elektoratin për bojkotimin e  kushtetutës, pas tri javëve, po të njëjtit njerëz ftojnë popullatën të dalin në zgjedhjet që vijnë pas, si vazhdimësi e aprovimit të kushtetutës së bojkotuar nga shqiptarët.
Edhe pse nuk janë dhënë sqarimet për këtë veprim të mundshëm, por kjo ka vetëm një arsyetim të ultë: pushtetin lokal.
Me bojkotimin e referendumit, vetit ia kanë dhënë edhe një mundësi, për tu vetorganizuar politikisht në njësi më vete administrative, për të cilën ka ende kohë.
Me këto deklarata apo edhe veprime të mundshme për dalje në zgjedhje, popullata e Luginës duhet ta kuptojë se nuk ka parti politike që i përfaqëson interesat e tyre, por ka vetëm klube të shahistëve pensionist, që kujdeset për lojërat e tyre...., e jo të hap perspektiva për rininë e cila po shpërngulet.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2006-12-04 13:54:24
Eshte e drejte e tyre qe te festojne diten e flamurit. 
Eshte gabim i politikaneve te gjithe kraheve qe kur nuk kerkojne ate cka boterisht eshte e jotja duke u lene hapsira e krijuar mundesi te tjereve (serbo greket e tjere ) te ta mohojne e ta pervetesojne, si territoret e pupullsite shqipetare te lene jashte kufive te Shqiperise. 
Kerko cfare ta takon me te gjitha mjete e format(politike, diplomatike,juridike kulturore .. edhe ushtarake) deri sa tte drejtat e tua te realzohen. ''Se na te paret nji amanet na kane lane ma pare me lane armet e mandej gjane''.

Koment nga GUEST më 2007-12-09 22:53:22
shum mir e pasni shkru 

Koment nga GUEST më 2008-11-19 00:41:47
falemderite qe keni shenuare per ket dite shqiptare


International
English
Faqe interaktive