Faqe kryesore arrow Emigracioni arrow Shoqata mjekësore Shqiptaro-Amerikane organizoi ceremoninë presidenciale
Shoqata mjekësore Shqiptaro-Amerikane organizoi ceremoninë presidenciale PDF Print E-mail
29 Korrik 2009
Nga  ROZI  THEOHARI—Boston

Shoqata Mjekësore Shqiptaro-Amerikane e themeluar më 20 korrik 2008 në Boston, MA,  në aktivitetin e saj njëvjeçar ka arritur suksese të njëpasnjëshme, duke zënë një vend nderi në klasën intelektuale të shqiptaro-amerikanëve në SHBA. Zgjedhja e dr.Muradit kryetar nderi i Shoqatës Mjekësore, është nderim për Bostonin, është nderim për mjekësinë shqiptare në të gjitha trojet etnike.


      Më 21 mars 2009 në një ceremoni nderimi në Houston, Teksas, dr. Ferid Muradi pranoi zyrtarisht titullin “Kryetar Nderi” të Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane. Ky titull iu dorëzua nga presidentja e Shoqatës Mjekësore dr. Lindita Çoku dhe bashkëkryetari i shoqatës dr. Sulejman Çelaj. Takimi në Teksas me personalitetin e nderuar Muradi dhe bashkëshorten e tij, zonjën Carol Ann Leopold dhe dorëzimi i pllakatës së kryetarit të nderit, kanë qenë mbresëlënëse për drejtuesit e shoqatës.  Dr. Muradi, nobelisti i dytë shqiptar  pas Nënë Terezës, premtoi për praninë e tij në veprimtaritë e Shoqatës Mjekësore. Ai firmosi certifikatat e anëtarësimit për drejtuesit e bordit dhe për anëtarët e komitetit drejtues të shoqatës, si dhe certifikatat e anëtarëve të nderit. Doktor Muradi përgëzoi mjekët shqiptaro-amerikanë për arritjet e tyre në studimet shkencore. Presidentja, dr. Lindita Çoku, dhe bashkëkryetari dr. Sulejman Çelaj e falënderuan dr. Muradin për mbështetjen qe i ka ofruar kësaj shoqate profesionale mjekësore, si dhe vlerësuan përkushtimin e tij në fushën e mjekësisë.

 

       Më 16 maj 2009 në qytetin e Nju-Jorkut Shoqata Mjekësore Shqiptaro-Amerikane organizoi  ceremoninë presidenciale të dorëzimit të certifikatave të anëtarësimit tek anëtarët e nderit dhe tek anëtarët e “trupit qeveritar”.  Presidentja, dr. Lindita Çoku, dhe bashkekryetari dr. Sulejman Çelaj nderuan publikisht anëtarët e nderit dhe “trupit qeveritar” të kësaj shoqate, duke u dorezuar certifikatën e anëtarësimit të firmosur personalisht nga fituesi i Çmimit Nobel në mjekësi dhe fiziologji, dr. Ferid Muradi.


 

      Gjatë takimit, i cili u zhvillua në restaurantin shqiptar “Club A Steakhouse” në Nju-Jork, presidentja, dr. Lindita Çoku dhe bashkekryetari dr. Sulejman Çelaj prezantuan arritjet dhe kontributin në fushën e mjekësisë, stomatologjisë, farmacisë dhe infermierisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, për secilin prej anëtarëve që nderohej në këtë ceremoni. Gjithashtu,  u kushtuan një sesion të veçantë anëtarëve të nderit të kësaj shoqate, dr. Agim Lekës dhe dr. Anna Kohen, të cilët e vlerësuan dhe e pranuan me respekt certifikaten e “Anetarit te Nderit”.

Anëtarët aktivë që u nderuan personalisht në ceremoni ishin edhe  bashkëkryetari i shoqatës dr. Xhevat Sinanaj, dr. Linda Ciu, dr. Ardita Dalipi, dr. Edlira Duro, dr. Marjana Krasnic, infermiere Juliana Mertiri, dr. Skënder Murtezani, dr. Indriti Reso dhe dr. Mentor Sejdiu. Ndërsa për drejtoreshën ekzekutive dr. Manjola Ujkaj dhe dr. Albi Qeli, që nuk mundën të merrnin pjesë  në ceremoni per shkak të orarit të punës, certifikatat e tyre u postuan.

 

       Sipas programit, në pjesën e dytë të këtij aktiviteti, presidentja, dr. Lindita Çoku, i bëri një ekspoze ecurisë së deritanishme të kësaj shoqate nëpërmjet prezantimit me aparat projektues. Ajo e cilësoi Shoqatën Mjekësore Shqiptaro- Amerikane si një domosdoshmeri dhe një sukses absolut në aktivitetin e saj prej 10 muajsh. Dr. Çoku tha: "E veçanta e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro Amerikane është se ne në një kohë fare të shkurtër kemi arritur të bëhemi një shoqate dinjitoze profesionale. Serioziteti i misionit tonë tashmë është vërtetuar, sepse shoqata është krijuar plotësisht mbi bazat e standarteve bashkëkohore amerikane. Në listën e anëtarëve bëjnë pjesë mjekë, dentistë, farmacistë, infermierë, që janë diplomuar dhe licensuar në SHBA. Shumë prej tyre kanë marrë grada shkencore dhe ushtrojnë profesionin  në qendra prestigjioze mjekësore amerikane.”  

Anëtarët e regjistruar në Shoqatën Mjekësore Shqiptaro- Amerikane kane arritur deri në numrin 50, duke përfshirë mjekë, dentistë, farmacistë, ndihmësmjekë, infermierë, teknikë, kërkues shkencorë dhe studente në mjekësi në SHBA. Faqja e internetit e kësaj shoqate mund të vizitohet në adresën www.albamedsociety.org,  e cila është në kompletim e sipër.  

      Në fund të takimit u zhvillua sesioni për ngritjen e fondeve të shoqatës. Ky aktivitet u plotësua me sukses në saje të mbështetjes financiare që kjo shoqatë mori ate ditë nga filantropistët shqiptaro- amerikanë vëllezërit Lekë dhe Pashkë Gojcaj ($1,000), dr. Lindita Çoku ($750 permes kompanisë farmaceutike Sanofi-Aventis), z. Palok Nike Rudaj ($500, i cili kishte dhuruar disa muaj me parë $200 për shoqatën), z. Rrustem Çelaj ($500), z. Ylli Çakani ($400), dr. Agim Leka ($300), dr. Anna Kohen ($250), dr. Skënder Murtezani ($200) dhe dr. Ardita Dalipi ($200). Po ashtu, me këtë rast u falënderua z. Vasel Kalaj, i cili kishte dhuruar $200 më parë.

Një dhuratë e paharruar u bë nga studioja fotografike e z. Fadil Berisha, që mbuloi dokumentimin fotografik të këtij aktiviteti. Organizimi dhe marketingu i ceremonisë u realizua nga piktori i njohur i kinematografisë shqiptare  z. Astrit Tota.

 
Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-08-26 23:40:24
Keni harruar te ftoni te nderuarin dr. Besnik Budo ne Philadelphia


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?