Faqe kryesore arrow Emigracioni arrow Nga i kryqëzuar në Mëmëdhe, sot i ringjallur me këngët e tij në Diasporë
Nga i kryqëzuar në Mëmëdhe, sot i ringjallur me këngët e tij në Diasporë PDF Print E-mail
29 Korrik 2009

Nga Këze (Kozeta) Zylo

“Qengj i vogël pse mendueshëm, be-be-ba,
Pse më sheh ashtu trishtueshëm, be-be-ba
Eja bashkë të shkojmë në arë, tring-tring-tring
Unë mbledh lule, ti ha barë, tring-tring-tring…”
 
Marrë nga libri: “Nje artist nën pentagrame të kryqëzuara” të autorit Leon Lekaj 

Vogëlushja 4 - vjeçare Sibora Boba nga Brooklyni, fituese e çmimit të dytë të librit midis moshatarëve të saj, erdhi si një xixëllonjë dhe me mikrofonin në dorë, filloi të këndonte para publikut këngën: “ Qengji i vogël pse mendueshëm…”
Ishte një ditë e bukur, ku do të festohej përfundimi i vitit shkollor, 2008-2009, në Staten Island , New York .
            Të magjepsur të gjithë të pranishmit nga zëri i Siborës, filluan ta shoqëronin vogëlushen duke interpretuar dhe shoqëruar me duartrokitje fjalët e këngës:
 

Unë i vetëm u mërzita,
tring-tring-tring
Zilet më ftojnë dhe mua te grigja,
 tring-tring-tring…
            Ndërsa këndoja së bashku me Siborën para mikrofonit këtë këngë, që u gjakos qysh në cicërimën e saj, si në ekran më dilte kompozitori i kësaj kënge, artisti shkodran Zef Lekaj.
Para pak kohësh më erdhi si një dhuratë e çmuar libri me titullin:
“ Një artist nën pentagrame të kryqëzuara” shkruar nga z.Leon Lekaj i biri i kompozitorit të mirënjohur, që e kryqëzuan fizikisht, por kurrë nuk ja lidhën dot shpirtin. 
Shpirti i tij është në këngë, në poezi, në pentagram, është tek ne, por dhe në gjeneratat që do të vijnë.
            Programi përveçse që kishte recitime me poezi të bukura në shqip, kishte dhe këngë nga kompozitorë të ndryshëm shqiptarë.
Tri këngë që dominonin në këtë koncert fëmijësh, ishin këngët me titujt: “Tring zilja”, “Macja le të lahet” dhe “Qengji i vogël”.
Pra kompozitori shkodran i burgosuri Lekaj, ishte i pranishëm më shumë se çdokush në atë ditë të veçantë për komunitetin shqiptar në New York .
Notat e muzikës së bashku me tekstin ishin në një harmoni që konvergonin fuqishëm së bashku.
Muzikaliteti dhe leksiku i gegërishtes nëpërmjet metaforave që përqaseshin aq bukur, i jepnin një hijeshi të rrallë krojeve të pashterrshme të botës së artit dhe fëmijëve në atë program të paharrueshëm.
Tingujt melodiozë të këngës aq popullore: “Qengji i vogël”, vazhdojnë edhe sot të përcjellin mesazh të paqtë, me një parafytyrim të lëndinave të gjelbëruara, me be-be-be-n blegëruese të qingjave, dhe që interpretohet me aq dashuri nga të gjitha moshat, por veçanërisht për moshën parashkollore.
            Edhe pse kënga u sfumua u la në hije për shkak të persekutimit që i bën kompozitorit, ajo vazhdon të mbetet një nga perlat e muzikës shqiptare për fëmijë.
Pasi vajza mbaroi së kënduari këngën dhe përshëndeti gjithë të pranishmit me përkulje të kokës dhe të trupit të saj, salla u çua në këmbë dhe vazhdonte duartrokitjet e tejzgjatura për të nderuar kujtimin e artistit shkodran Zef Lekaj dhe interpretimin e vogëlushes.
            Kjo sallë ku u dha koncerti për fëmijë, nuk ishte salla e konferencave në Kuçovë, ku para 30 vjetësh kishin dënuar kompozitorin e këngës, por ishte vendi që këndonin këngën e kompozuar nga vetë ai, të gjithë së bashku si shqiptarë të Diasporës.
Ata këndonin dhe mua më endeshin në tru pjesë drithëruese, se çfarë kishja lexuar rreth konferencës të udhëhequr nga Fronti Demokratik në ish qytetin “Stalin” (emër i pagëzuar në kohën e diktaturës), sot Kucovë.
Po vazhdoja të kujtoja kapitullin rreth arrestimit të tij.
Ja çfarë shkruhet në libër rreth asaj dite të zezë, kur kryqëzuan artistin:
“…ka dhe këtu në mesin tonë armiq të pushtetit popullor, që presin me ankth përmbysjen e këtij pushteti, siç është edhe armiku i betuar Zef Lekaj…”
Kompozitori Lekaj sa dëgjoi këto fjale, i erdhi salla rrotull, por ishte përmendur menjëherë, kur një zë kërcënues, i fortë si i bishës i kishte thënë:
-Në emër të popullit je i arrestuar.
-Unë?!- pyeti i tronditur.
Autotmakisht e kishin lidhur…
Por salla e mbushur plot e përplot, ra për disa sekonda në heshtje varri. 
Ajo tingëlloi ogurzezë për xhelatin, por dikush filloi të përplasë pëllëmbët dhe të gjithë si me komandë filluan ta shoqëronin atë.
Kur lexon të gjitha këto me të drejtë autori thotë që këto veprime të çojne tek vepra madhore e George Orwel, “Ferma e kafshëve”, ku delet e urta e të bindura brohorisnin me të madhe “…dykëmbeshi i keq, katërkëmbëshi i mirë.”
I kryqëzuan duart me gishtat e tij që luajtën aq mjeshërisht në tastierë, por nuk i ndalën dot muzën, princeshën e shpirtit të tij.
Edhe pse ishte brenda telave me gjëmba, ai shkruajti vargjet rrënqethëse:
 
Më duket vehtja,
Një trung pajetë e formë,
Mes uniformash gjelbër-blu!
A nuk shikoni?
Kërkoj pak oksigjen se mushkëritë,
Kanë marrë ngjyrën e tymit,
Njgjyrën e blozës,
Në këtë buzëmbramje kaq të vonë!
 
Ballsh, 10 mars 1983
 
            Eshtë vështirë të dallosh Zefin kompozitor dhe Zefin poet, do të shprehet Fadil Kraja.
Vargjet dhe meloditë e këngëve janë të shoqëruara gjithmonë me një buzëqeshje të ëmbël dhe gjysmë të trishtë, ashtu siç ishin dhe krijimet e tij.
Ndërsa mjeshtri Miho Gjini e ka takuar kompozitorin në Rrathët e Ferrit.
Ai shprehet se pas një rrugëtimi të gjatë që zgjati rreth katër orë, prisnin me ankth kërcitjen e llozit, për të hapur derën e makinës së burgut, që s’dihej se ku po i shpinin.
Dhe ja, llozi u tërhoq me zhurmë rrënqethëse, për t’i lejuar kufomat e gjalla, të zbrisnin një e nga një përpara gardianëve shoqërues, që numëronin me zë dhe thërrisnin emrat…
            Në sy i kishte rënë një mesoburrë me vështrim të zbehtë e të tretur diku…
O Perëndi pëshpëriti…Përpara tij qëndronte Zef Lekaj…Ai i qengjit të vogël, blegërima e të cilit u mek në këtë rrëzë mali të tharë, të zhveshur, të mbrojtur nga qyta pushkësh e gryka mitralozash. 
Artisti u ngrit dhe mbeti i ngrirë, si të kishte përpara një fantazmë të dytë.
Z.Gjini pohon se ishte një shokim i natyrshëm dhe kurrë nuk e priste ta gjente në rrethin e ferrit Zef Lekën. 
Ata u ndodhën përballë njeri-tjetrit, kompozitori dhe kritiku i artit…
Një skenë e dhimbshme, një skenë që lexuesit i ngelet gjatë në kujtesë.
            Këto më endeshin para syve atë ditë, kur vogëlushja Sibora këndonte këngën:
“Qengji dhe fëmija” të kompozitorit Lekaj, i cili ishte arrestuar 30 vjet më pare, edhe pse një pjesë e prindërve nuk e dinin historinë e dhimbshme të kompozitorit…
Ndërsa sot, të gjithë pjesëmarrësit shoqëronin këngën ku dëgjohej blegërima e butë e qengjit, blegërimë që u mek dikur nga grabitqarët dhe që u ringjall përsëri, nga zërat hyjnorë të femijeve ëngjëllorë të Diasporës.
 
Korrik, 2009
Staten Island, New York

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?