Astrit Lulushi
Fotografia është art dhe një vepër arti nuk është zhvillim i izoluara, thotë H. Taine, prandaj është e nevojëshme që të studiohen kushtet në të cilat u krijua dhe prej të cilave mund të shpjegohet. Nën këtë dritë mund të lexohet edhe monografia “150 vjet fotografi shqiptare” (Milosao 2009) shkruar nga studiuesi Qerim Vrioni.
Libri merr në shqyrtim kushtet e fillimit të fotografisë shqiptare, që lindi vetëm pak vite pas asaj botërore. Fotografia, thotë autori, është një nga fushat me të cilat shqiptarët mund të krenohen më shumë. Gjithashtu, fotografia shqiptare është një fushë rreth së cilës shumë pak studime janë kryer.
Një kopertinë nga ku Pjeter Marubi pranë aparatit vështron sfidues; me fotografi të hedhura pa kujdes,që presin të zenë vendin e tyre; tri kapituj te ngjeshur; një fjalorth i domosdoshëm termash dhe disa faqe me fotografitë e para - kaq mjaftojnë që studiuesi Vrioni të rindërtojë “skeletin” 150 vjecar të Fotografisë shqiptare, historia e plotë e së cilës fatkeqësisht mungon. Në një hapësirë prej rreth 130 faqesh, Vrioni, i cili të shtang me qartësinë e mendimit, është i pari studiues që sjell në formë analitike sa të shtrirë aq edhe të thellë, historinë e një arti sa popullor aq edhe të shpërdorur e pavlerësuar, sic ështe arti fotografik.
Nëse vështirësitë drejt një qëllimi vijnë duke u shtuar, si kudo edhe në art, hapi i parë duket të jetë më i lehtë dhe më i sukseshëm, sepse ai hidhet nga njerëz të motivuar, të zjarrtë, të përkushtuar e të qartë në sipërmarrjen e tyre. Nisur nga kjo, Vrioni e ndan historinë 150 vjecare të fotografisë shqiptare në tri periudha zhvillimi, të cilat megjithëse të zhdrejta nga koha e pëmbajtja, të trija janë gjurmëlënëse, për mirë a për keq.
Periudhën nga viti 1858 e deri më 1944, Vrioni e cilëson si më të sukseshmen përsa i përket ruajtjes dhe përcimit të vlerave historike e të traditës. “Mes tyre gjenden mjaft foto të arrira estetikisht, madje disa hyjnë në ajkën e fotografisë..” (Q.V., 150 vjet..).
Periudha 1944 – 1990 i përket fotografisë propagandistike. Megjithëse gjatë kësaj kohëndarjeje, “spikatën mjaft emra që realizuan foto të goditura”, fotografia u bë shtrembëruesja me e madhe realitetit dhe deformuesja me e papëshirëshme e historisë, të cilën sot mjaft shqiptarë ende e ngatërrojnë. Shume fotografë të periudhës së diktaturës u pajtuan me mediokritetin, ndërsa të tjerë u dergjën burgjeve a internimeve. Si shembull, studiuesi Vrioni përmend “Makun” apo Mandi Kocin, i cili i la historisë vec të tjerash fotografitë e njohur “Greva e Bukës” (Korcë, 1936) dhe “Demonstrata kundër pushtimit fashist” (Korcë, 1943); fotografi që mendohet se Maku e realizoi menjeherë pas kthimit nga internimi në ishullin Ventotene. Më pas, Maku pranohet si fotograf pranë Shtabit të përgjithshëm të nacional-clirimtares, ndërsa më 1961 dënohet me 20 vjet burgim për “veprimtari armiqësore”.
Në periudhën e tretë, e cila vazhdon, Vrioni përfshin afro 20 vitet pas renies së diktaturës. Kjo fazë, megjithëse në kushte më të favorëshme për shprehjen e lirisë artistike dhe mundësitë e krijuara nga përhapja e gjërë e teknikës dixhitale, vuan nga forma të tjera sic është anonimiteti a nënvlerësimi. Në shumë foto të botuara mungojnë emrat e autorëve, të cilët nuk përfillen, madje edhe kur fotot “pa emër” zbukurojnë mjediset e ekspozitave a galerive të njohura, thotë Vrioni, ndërsa shtypi i kushton pak kujdes fotografisë artistike, në vend që t’a përkrahë duke krijuar madje edhe faqe të vecanta për pasqyrimin e saj.
“150 vjet fotografi shqiptare” i cili vjen 4 vjet pas librit studimor “Fotografia – një grusht diell”, tregon se autori Qerim Vrioni synon vërtet të plotësojë hap-pas-hapi një histori të parë të fotografisë shqiptare.
|