Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Rrethanat e Luftës Civile
Rrethanat e Luftës Civile PDF Print E-mail
04 Gusht 2009

Prof. ABAS ERMENJI

Prof. Abas Ermenji

U bënë 66 vjet nga mbajtja e Mbledhjes së Mukjes, një moment kyç i historisë së vonë shqiptare, një rast i humbur për bashkimin kombëtar dhe shmangien e Luftës Civile. Në këte analizë të Prof. Abas Ermenjit dalin qartë  shkaqet dhe rrethanat që paraprinë Mukjen si dhe arësyet e dështimit të saj.

 

Pushtimi italjan ja nxori në shesh rrënjët e kalbura regjimit të vjetër politik e shoqëror, dhe iu hapi shtek vepërimi forcavet të reja kombëtare që ishin pjekur në heshtje ndënë mbulesën e atij regjimi. Me të vërtetë, pjesa m'e madhe e maqinës burokratike që kish krijuar ai regjim, u-vu automatikisht në shërbim t'okupatorit. Po ashtu edhe klasa drejtonjëse politike e gjeratëherëshme, që përbëhëj prej bejlerësh, bajraktarësh, klerikalësh e kaporjonësh, si do që të kishin qënë, partizanë t'ish-mbretit Zog a po armiq personalë të tij, u-pajtuan si pa gjë të keqe ndënë shenjat e Liktorit dhe u-mbluadhë rreth Luogotenences.

Por nuk ngjau ashtu me popullin Shqiptar. Ai e ndjeu gjer në palcë dramin e 7 Prillit, u-trondit i tëri si një trup, dhe nisi të vështrojë rreth e përqark për të gjetur një udhë-dalje nga hendeku ku kish rënë. I veselitur gjer në grykë me klasën drejtonjëse të vjetër që ia kish lënë trashëgim sundimi turk, dhe duke pasur përpara syvet qëndrimin e saj në lidhje me pushtimin Italian, populli Shqiptar e hodhi vështrimin tek të rinjtë.

Italianët u-pështetën natyrisht në klasën drejtonjëse të vjetër, bejlerë, agallarë ose klerikalë, dhe bënin hesap t'a kontrollonin popullin nëpërmjet t'asaj klase. Nuk menduan se kohët kishin ndryshuar, se populli Shqiptar punohej prej forcash të reja, influencohej prej gjeneratës së re, dhe ish pjekur e kish formuar një vetëdije politike të re. Këtë e ndjenë pak më vonë kur panë se elementët tek të cilët ishin pështetur ata, iu ngelën në dorë si gjëra të kalbura, që s'kanë më rrënjë në tokë. Dhe e panë akoma më mirë kur populli, pas disa muajsh, u-shkund nga të mpitët e parë dhe nisi të bëhej agresif kundër pushtuesit të huaj. Atëhere nisën t'i heqin postat prej katundavet, dhe xhandarëvet shqiptarë i ua jepnin pushkët pa fishekë kur i nxirnin në roje, sa për formë, me karabinierët italianë.

Pas tronditjes së 7 Prillit, populli Shqiptar qëndroi disa muaj si i hutuar. Me gjithë propagandën e zhurmëshëme që bënin poshtë e lart njerëzit vegla t'okupatorit për t'a "sistemuar në kuadrin e Perandorisë fashiste", ai mbahej i mënjanuar. Pushtimin e huaj e ndjen për pushtim të huaj dhe lidhjet në mes të tij dhe klikavet vegla t'okupatorit tani janë këputur fare.

Një tjetër propagandë është ajo që e punon tani me sukses popullin Shqiptar ; në fillim e nënëdheshme, e pazhurmëshme por shumë e efekshme : propaganda kombëtare që i vjen sidomos nga intelektualët dhe të rinjtë e shkollës. Kjo ka për qëllim t'a mbajë popullin hë për hë në qëndresë pasive, dhe pastaj t'a hedhë, sipas rastevet, në luftë të hapët kundër pushuesit të huaj. Nuk vonoi shumë që kjo propagandë të pushtojë masat të cilat ishin vet-vetiu të gatëshme për t'a mirëpritur. Dhe nisi të kthehet në lëvizje dinamike me rastin më të parë që iu dha, në manifestimin e Ditës së pamvarësisë Shqiptare, 28 Nëntor 1939. N'atë ditë, në të gjithë qytetet kryesore të Shqipërisë, Tiranë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, etj., populli shpërtheu në masë në demonstrata të fuqishme anti-italiane, i grumbulluar rreth rinisë së shkollavet që përbënte bërthamën e demonstratavet. Zyrat e fashizmit, bankat, kazermat e karabinierisë dhe t'ushtërisë italiane u-qëlluan me gurë, ndërsa hierarkët fashistë dhe italianët përgjithësisht ishin mbyllur nëpër shtëpitë e tyre. Kjo lëvizje aktive erdhi gjithnjë duke u-shtuar, sidomos gjatë luftës italo-greke ku Shqiptarët refuzuan të shkojnë ushtarë dhe qenë gati të bënin front të përbashkët me Grekët sikur këta të kishin njohur independencën dhe tërësinë tokësore të tyre. Më në funt mori formë kryengritjeje dhe u-hap në luftë frontale më 1942-43.

Duket që Italianët e kuptuan mirë realitetin e brendshëm shqiptar pas demonstratavet të 28 Nëntorit 1939. Pse qysh atëhere e hoqën besimin nga propaganda idilike e "bashkimit dhe vëllazërimit midis dy popujvet" dhe nisën të pështeten vetëm në masa policore praktike. Spastrimet në masë të gjerë filluan menjëherë, sidomos ndër intelektualë e të rinj shkolle, por u-arrestuan aty-këtu edhe patriotë të vjetër, tregëtarë, katundarë, e popull të çdo kategorije. E shumëta e këtyre t'arrestuarëve dërgoheshin nëpër burgjet dhe ishujt e Italisë. Dhe numuri i tyre vinte gjithnjë duke u-shtuar sa më fort shtohej lëvizja kryengritëse në Shqipëri.

Në fillim lëvizja nisi si një gjë spontane, e frymëzuar nga ndjenja kombëtare, dhe nuk pat ndonjë qendër politike drejtuese, pasi në Shqipëri, gjer atëhere, s'pat patur parti a organizatë politike në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kjo vjen nga se Shqipëria s'kish shumë kohë që kish dalë shtet më vehte dhe i ish dashur të kalojë sëmundjet e fëmijërisë : luftë klikash e influencash personale, regjim diktature e shtypje feodale, që s'kishin lejuar liri fjale e mendimi as formim partish politike. Por kjo nuk do të thotë se ndënë këto shtypje e peripecira s'ish formuar një gjeneratë e re Shqiptare me kulturë e mendime progresiste, dhe s'ish formuar një opinion politik Shqiptar që kish pushtuar masat e gjëra. Kjo gjeneratë e re dhe ky opinion politik pra i dhanë shtytjen e parë lëvizjes dhe kërkojnë të krijojnë organet politike për t'udhëhequr popullin në luftë. Këtu lind nevoja e formimit të partive a organizatave politike.

Hyrja e Rusisë në theatrin e Luftës dhe përzjerja e saj drejt për drejt në punët evropjane, nga njëra anë, dhe fuqija tërheqëse që ka ushtruar propaganda komuniste tek popujt e shtypur e të çfrytëzuar prej klikavet, nga ana tjetër, do të sillnin fatalisht krijimin e një lëvizjeje komuniste në Shqipëri : edhe e suallë. Kështuqë kur erdh puna të krijoheshin organet politike të lëvizjes kombëtare, tendencat e reja u-çanë në dysh : një pjesë që besonte në vleftat kombëtare dhe n'idenë e lirisë e të përparimit shoqëror mbi baza demokratike, formoi, bashkë me patriotët e vjetër, organizatën që u-quajt "Balli Kombëtar". Pjesa tjetër u-hoth në lëvizjen komuniste. Në këtë mënyrë, tendencat e reja Shqiptare u-thurën rreth dy boshtesh politikë.

Në fillim komunistët kanë qënë fare të pakët në Shqipëri. Edhe ata që ishin, nuk merreshin vesh plotësisht me njëri-tjetrin. Kishin formuar disa grupe të vegjël e të mbyllur që haheshin në mest tyre pse seicili vetë-quhej si i vetëmi orthodhokës në vijën Marksisto-komuniste. Përsa kohë që Rusija mujti të qëndrojë jashtë theatrit të Luftës duke furnizuar Gjermaninë me vaj-guri, ushqime e lëndë të para, komunistët Shqiptarë qëndronin si të vakët dhe nuk bënë asnjë vepërim për t'u-shënuar kundër pushtimit fashist. Përkundrazi, disa prej tyre mbronin tezën që hë për hë nuk duhej luftuar fashizmi mbasi Demokracitë e Perëndimit ishin një armik m'i rrezikshëm për njerëzinë se sa sistemi fashist-nazist. Ata që e kundërshtonin me tërë fuqinë pushtimin fashist në këtë periudhë, për arsye kombëtare dhe jo ideologjike, ishin elementi që formoi më vonë "Ballin Kombëtar". Vetëm pas hyrjes së Rusisë në Luftë, Qershor 1941, dhe nënë shtytjen e dy emisarëve t'ardhur nga Jugosllavia, komunistët Shqiptarë u-hodhën në një veprimtari t'ethëshme. Dy emisarët qenë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, antarë të partisë komuniste jugosllave, të cilët mujtën t'i pajtojnë e t'i disiplinojnë grupet e veckël Shqiptarë dhe të formojnë me'ta një parti komuniste shqiptare, në Nëntor 1941. Por duke e ditur se, si komunistë, nuk munt të tërhiqnin pas masat e gjera popullore, të mësuar prej ustallarëvet të Kominternit, komunistët t'anë bënë sikur mblodhë një "Kongres Kombëtar", në Shtatorin e 1942-së, nga i cili nxuarë një "Këshill Nacjona1-Çlirimtar" dhe kështu u-pagëzuan "Lëvizje Nacional-Ç1irimtare". Kjo lodër u-bë kudo prej partivet komuniste, në çdo vend t'Evropës a të Lindjes së Largët që e përfshiu fërtuna e Luftës. Çudija është që kjo manevër iu bëri mjell, pasi në këtë mënyrë gënjyen jo vetëm masat popullore të brendëshme por deri diku edhe opinionin e jashtëm dhe diplomacinë e Perëndimit.

"Balli Kombëtar" u-nis jo si parti porsi një organizatë e gjerë politike me qëllim që të mblithte të gjitha forcat e shëndosha kombëtare, pa dallim klase a konditash shoqërore, në luftën e vështirë për çlirimin e Shqipërisë. Por forcën kësaj organizate ia jepte sidomos elementi i ri progresist dhe bazat i kish mbi masat fshatare. Pasi në kohët t'ona nuk munt të ndahet lufta kombëtare nga aspiratat shoqërore e politike të masavet, Balli Kombëtar, si vijë bashkimi midis elementave të tij, hodhi një program-bazë që u-quajt Dekallog pasi përbëbej prej dhjetë pikash. Ky program parashikonte reforma të gjera në fushën shoqërore e politike, pasi të çlirohej vendi prej pushtuesit të huaj, dhe synonte n'emancipimin e masavet bujke e punëtore dhe në sistemimin e jetës së lirë Shqiptare mbi baza demokratike. Kryesija e organizatës i qe ngarkuar patriotit Midhat Frashëri, i cili gëzonte besimin e përgjithshëm.

Në fillim nuk pat ndonjë fërkim t'ashpër midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste. Përkundrazi, Balli Kombëtar nuk e shihte me sy të keq të qënurit e një partije komuniste, mjafton që kjo të vërtitej brenda kuadravet t'interesavet kombëtare dhe t'i shtrohej parimit të demokracisë. Por komunistët nuk mendonin në këtë mënyrë për Ballin Kombëtar. Sa qenë të dobët dhe s'kishin marrë akoma hov, ata mbajtën raporte të mira me Ballin Kombëtar, fshiheshin e ushqeheshin nëpër bazat e Ballit. Gjatë vitit 1942 dhe gjer në Verën e 1943-it, pat edhe një farë bashkë-punimi a koordinim vepërimesh midis çetavet të Ballit Kombëtar dhe të Partisë komuniste. Megjithëse, pas lodrës së t'ashtuquajturit "Këshill Nacional-Çlirimtar", partija komuniste ruante monopolin e "Luftës Nacional-Çlirimtare" dhe s'njihte asnjë lëvizje tjetër Shqiptare që s'i shtrohej autoritetit të saj. Por këtë të "drejtë" e ruante vetëm në theori përsa kohë që nuk ish mjaft e fortë.

Qysh në çapat e parë të saj, partia komuniste e filloi vepërimin me anën e terrorit. Vrau disa agjentë e policë që i shërbenin karabinerisë italiane, dhe në këtë mënyrë vuri në shërbim të saj të tjerët që qëndronin akoma në zyrat e sigurimit fashist - por kështu e tutje për t'i shërbyer partisë komuniste. Në këtë mënyrë u-krijua një gjendje ku elementët komunistë vinin rreth lirisht nëpër qytetet, të shoqëruar e të mprojtur bash prej agjentavet me uniformë të zyravet të sigurimit fashist.

Mirëpo pastaj, duke u-forcuar, komunistët nisën t'a zbatojnë këtë methodhë terroristike edhe n'elementë të ndershëmn e patriotë që nuk i nënështroheshin vullnetit të tyre. Aty këtu nisën të frikësojnë e të vrasin edhe njerës të Ballit Kombëtar atje ku ua hante syri e ku Balli nuk ish në gjendje për të marrë kundër-masa. Pastaj e bënë zakon të marrin njerëz natën nëpër shtëpira e t'i vrasin, për të përhapur terror mbi të tjerët, nisën të mbledhin popullin me forcë nëpër katundet dhe t'i mbajnë konferenca me revole në dorë, etj..

Balli Kombëtar zu të shqetësohet nga këto sjellje të komunistëvet, dhe provoi me durim e gjakftohtësi që t'i sjellë n'udhë me anën e fjalës e t'arësyes. Por shpejt e kuptoi që komunistët s'ishin njerës që lidheshin me fjalë as që viheshin në xhep. Ata munt të bënin çfardo lidhje e munt të jepnin çdo lloj premtimi atje ku ishin të dobët, për t'a thyer aty për aty porsa të merrnin pakë fuqi ose për të mos e zbatuar në krahinën tjetër ku ishin më të fortë. Gjendja u-bë më shqetësonjëse akoma kur komunistët, të favorizuar nga një radhë faktorësh të brendshëm e të jashtëm, e ndjenë vehten mjaft të fortë dhe nisën të shkojnë me çapa të shpejta drejt luftës civile.

U-duk që midis Ballit Kombëtar dhe partisë komuniste kish një kundërshtim të papajtuarshëm methodhash e pikëpamjesh. Pikë së pari, komunistët çdo vepërim të tyren e lidhin me nevojat politike e strategjike të Rusisë edhe në qoftë se vinë në kundërshtim diametral me interesat kombëtare. Fjalët "atdhe", "liri" a "çlirim kombëtar" tek ata janë një cinizëm neveritës për të tallur e gënjyer popullin. Për shembull, një ditë përpara se Titua të deklarohej rebel prej Kominformit, komunistët e Tiranës e quanin "shpëtimtar të Shqipërisë", ose, sipas fjalëvet t'Enver Hoxhës, Titua ndodhej "jo në malet, as në qytetet e Shqipërisë, por në zemrat e popullit Shqiptar". Menjëherë pas prishjes me Kominformin, Titua na dolli armiku numur një i Shqipërisë, ai që e kish shtrydhur Shqipërinë ekonomikisht dhe donte t'a skllavëronte politikisht, ai që kish therur e masakruar dhjetra mijë Kosovarë, etj.. Mirëpo sikur Titua të mos ish prishur me Rusinë gjer tani, do të figuronte akoma për komunistët e Tiranës si "shpëtimtar i Shqipërisë", megjithëqë e paska shtrydhur Shqipërinë ekonomikisht, paska dashur t'a bëjë provincë jugosllave politikisht, dhe paska therur e masakruar Kosovarët.

Balli Kombëtar nuk mund të pajtohej me këtë farë mentaliteti të komunistëvet. As nuk e kuptonte gjuhën e tyre kur thoshin se ata luftonin vetëm fashizmin, por po t'ishin komuniste ushtëritë e huaja munt të hynin e të delnin në Shqipëri kur të donin. As kur thoshnin që s'kishim të drejtë të thërrisnim për Shqipëri Ethnike dhe për të drejtat e popullit Kosovar, pasi të drejtat e Kosovarëvet i mpronte Lëvizja Nacional-Çlirimtare jugosllave !

Balli Kombëtar nuk mund të pajtohej gjithashtu me taktikën e komunistëvet, kur këta hithnin disa pushkë kundër ushtërisë okuponjëse, buzë rrugëve e pranë qendrave të populluara, me qëllim që armiku, për hakamarrje, të diqte qytete e katunde e të rrënonte pasuritë kombëtare, që kështu të shtohej numuri i proletarëvet ! As munt të pajtohej me methodhën politike komuniste që kish për mjet therrorin, gënjeshtrën, cinismën, mashtrimin. As munt t'aprovonte "drejtësinë" komuniste ku çdo bari dhish a shegert dyqani, që ish bërë tani "komisar politik" i ndonjë çete a kryetar lagjeje, mund të vriste kë të donte dhe sa të donte duke e paraqitur që e dënoi "gjyqi i popullit". As nuk mund t'ulte xverkun vullnetarisht ndënë satërin e komunistëvet, ashtu siç kërkonin ata.

Për të gjitha këto arsye pra, horizonti midis partisë komuniste dhe Ballit Kombëtar po mbushej me re të dëndura, që linin të parashihej afrimi i një rrebeshi të përgjaktë.

Lëvizja e resistencës kombëtare, që ish zhvilluar me aqë lavdi dhe dëgjuar në botën e jashtëme, aqë sa Ministrat e jashtëm të të tri Fuqivat të Mëdha, të Shtetevet të Bashkuar, të Rusisë e t'Anglisë, patën deklaruar në Dhjetorin e 1942-së, se e njihnin përsëri Shqipërinë si shtet independent, kish arritur tani, në Verën e 1943-së, në pikën ku munt të degjeneronte në luftë civile. Komunistët, me cinizmin e tyre të zakonshëm, s'linin gjë pa çpifur kundër Ballit Kombëtar, duke e paraqitur si një organizatë në shërbim t'okupatorit, duke u-munduar të futnin frikë e të sillnin përçarje në rradhët e Ballit, dhe po pregatitnin haptazi luftën civile. Kemi në dorë dekumenta e qarkore të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste, ku u-jepen instruksione degëvet të saj se si të vepërojnë për likuidimin sa më të shpejtë të Ballit Kombëtar, duke u-munduar qenërisht t'ia hedhin këtij përgjegjësitë e luftës civile.

Më e famëshmja në këtë drejtim është qarkorja e 9 Shtatorit, me vulën e partisë dhe e firmuar "Shpati", e cila qe kapur prej çetavet të Ballit Kombëtar. Ndër të tjerat thuhet :

"Zbarkimi i Aliatëvet në Ballkan ose edhe në Shqipëri nuk është një perspektivë shumë e largët. Prandaj organizatat t'ona duhet të punojnë për të përballur një situatë të tillë. Duhet që në rastin e zbarkimit t'Aliatëvet, Këshillat Nacional-Çlirimtare të jenë me të vërtetë pushteti i popullit, të mobolizojnë gjithë popullin rreth tyre dhe të mos lejojnë forca të tjera, si Balli Kombëtar, që të kenë një influencë në popull. Duhet që ushtëria Nacional-Çlirimtare të jetë shumë e fortë, të ketë gjithë popullin pas dhe të mos lejojë të ketë grumbullime të tjera ushtarake kundërshtarë të saj, si p.sh. të Ballit Kombëtar. Duhet të dini se fuqitë aliate të zbarkimit do të përkrahin të gjitha forcat shqiptare që do të gjejnë përpara, pa preferencë për ata të lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe bile, po të marrim parasysh çështjen e Darlanit, me preferencë për ato reaksjonaret. Që të munt t'evitohet një gjë e tillë, fuqitë Nacional-Çlirimtare duhet të fillojnë t'imponohen që tani kudo, dhe në rastin e zbarkimit, t'u paraqiten Aleatëvet me anën e Këshillëvet Nacjonal-Çlirimtare si i vetmi pushtet i popullit Shqiptar."

Ja pra tek përmblidhet, në këto pakë radhë të një qarkoreje komuniste, shkaku i luftës civile.

Megjithëse i shihte të gjitha këto, Balli Kombëtar, i vetëdijshëm për tragjedinë e pashembullt ku munt t'a hidhte kombin një luftë civile, u-mundua të bëjë udhë dhe të përpiqet me durim për të larguar të keqen. Dhe u-duk një çast sikur përpjekjet e tij në këtë misjon të lartë kombëtar u-kurorëzuan me sukses kur komunistët, me thirrjen e Ballit Kombëtar, mbajtën një konferencë me këtë organizatë, në Mukaj, katund i vogël afër Tiranës, më 1 e 2 Gusht 1943, dhe arritën në këtë marrëveshje :

1) Të formohej një Komitet prej 12 antarësh (6 nga çdo anë) me emrin "Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë".
2) Të dy palët do të luftonin kundër armikut pushtonjës dhe kundër çdo armiku tjetër pushtonjës eventual.
3) Të dy palët do të luftonin për një Shqipëri Ethnike të pamvarur.
4) Komiteti i përbashkët do të pushonte s'ekzistuari porsa të formohej një qeveri provizore.
5) Forma e regjimit do të vendosej prej popullit vetë.
6) Komiteti i përbashkët, përpara së gjithash, duhej të përgatiste Çpalljen e Independencës Kombëtare.

Kjo marrëveshje përhapi një gëzim të përgjithshëm në tërë Shqipërinë dha largoi për një çast nga shpirtrat ankthin e luftës civile. Por ky gëzim qe fare i shkurtër : Komunistët, sipas zakonit, e prishnë shpejt marrëveshjen e Mukajt dhe e dënuan si një gabim të tyren në një kongres të partisë që mbajtën në katundin Labinot t'Elbasanit, në Shtator 1943.

Ky ishte preludi i luftës civile.

Ndoshta komunistët Shqiptarë s'do t'a kishin prishur aqë kollaj marrëveshjen e Mukajt, jo sepse s'donin, porse s'guxonin, sikur të mos kish qënë shtytja dhe imponimi i emisaravët jugosllavë. Kjo shihet qartë në librin "Gjaku i trathëtuar", botim zyrtar i qeverisë jugosllave, shtypur më 1949, pas çkëputjes së Jugosllavisë nga Kominformi dhe prishjes me qeverinë e Tiranës. Aty thuhet se disa nga antarët e Komitetit Qëndror të partisë komuniste, ndër' ta edhe Enver Hoxha, i jepnin rëndësi të madhe Ballit Kombëtar dhe bisedimevet për marrëveshje me'të. E prandaj ranë në pozitat e Ballit Kombëtar në "marrëveshjen e turpëshme të Mukajt". Kështu që u-desh e tërë shtytja e emisarëvet jugosllavë për t'i nxjerrë nga ato pozita.

Ja si e tregon Miladin Popoviçi, në raportin që i drejton Komitetit Qëndror të partisë Komuniste Jugosllave, më 19 Tetor 1943 :

"Shokët delegatë ranë në Mukaj mbi poziojonet e nacjonalistëvet dhe qenë mbushur me oportunizëm, duke u-kënaqur vetëm me ndonjë ndyshim fjale ose fraze të programit. Ndodhej atëhere këtej shoku Tempo (Svetozar Vukmanoviç-Tempo, tjetër emisar jugosllav). E rrahëm çështjen edhe me Komitetin Qëndror duke e studjuar krejt punën, gjendjen, etj., dhe vendosëm t'a kthejmë manifestën e të mos e njohim mënyrën e organizimit të "Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë", as fonksjonin e tij si autoriteti m'i lartë në luftën e çlirimit kombëtar, të mbledhim menjëherë konferencën dhe ta zgjerojmë Komitetin Qëndror të Nacional-Çlirimtares".

Pastaj më poshtë, në të njëjtin raport :

"Menjëherë pas konferencës së Mukajt u-thirr në Labinot konferenca e dytë e komitetit qëndror të Nacional-Çlirimtares, në gji të së cilës u-muar një qëndrim i qartë e i prerë kundrejt Ballit Kombëtar".

Thamë më sipër se komunistët, për t'arritur gjer n'atë shkallë sa të hedhin zaret e luftës civile, qenë ndihmuar nga një radhë faktorësh ndër të cilët më me rëndësi janë :

1) Ndihma materiale e morale që iu dhanë misjonet ushtarake aliate. I pari misjon britanik që zbriti në Shqipëri, në Maj 1943, shkoi tek komunistët, dhe kështu bënë edhe të tjerët. E para njësi e rregullt ushtarake komuniste, brigata e parë e tyre, u-formua në Shtyllë të Korçës, në Korrik 1943, përpara misjonit ushtarak britanik, e pajisur me materialin që i furnizoi ai misjon. Dhe kështu vazhduan të tjerat.

2) Kapitullimi i ushtërisë italiane i shumëfishoi forcat e komunistëvet, në njerës, n'armë të rënda e në material lufte. Mjafton të përmendim Gjenera1 Azzi-n që shkoi tek komunistët bashkë me divizjonin e tij, në Shtator 1943. Kështu bënë pothuajse të gjitha garnizonet dhe repartet ushtarake italtane në Shqipëri, qoftë pse qenë të punuar prej propagandës komuniste, qoftë sidomos pse komunistët njiheshin zyrtarisht si të lidhur me ushtërinë aliate nëpërmjet të misjonevet ushtarake dërguar në Shqipëri. Një pjesë e këtyre Italianëve pranuan edhe të militojnë në radhët e komunistëvet, duke e plotësuar kështu ushtërinë e tyre me teknikë e elementa të xhenjos.

3) Situata ndërkombëtare ish krejt në favor të komunistëvet. Hije e rëndë e Rusisë zu të ndihet në Ballkan. Sidomos pas konferencës së Teheranit, u-pa qartë që Rusia dolli në Ballkan si një faktor i pakundërshtuarshëm. Nga ana tjetër, njohja e qeverisë së Titos nga Anglo-Amerikanët pat një rëndësi të jashtëzakonëshme në zhvillimin e ngjarjeve të brendëshme të Shqipërisë. Kjo situatë e krijuar në Ballkan iu dha komunistëvet sigurinë e fitores dhe e ngriti në qiell enthusiazmin e tyre ; ndërsa ulte moralin e Ballit Kombëtar dhe të fuqivet të tjera nacjonaliste.

Prishja e Marrëveshjes së Mukajt qé preludi i luftës civile. Komunistët nisën menjëherë një propagandë t'egër e agresive kundër Ballit, dhe u-hodhë me tërbim në vepërime terroriste vrasjesh e presjesh. Më 8 Shtator, zunë në Zeqisht të Korçës 6 intelektualë të rinj të Ballit dhe i vranë mizorisht. Më 20 Shtator, ranë trathëtisht mbi forcat e Ballit Kombëtar në Kuçovë, por qenë prapsur me humbje. E kështu me radhë.

Kjo qëlloi pikërisht në kohën kur ushtëritë gjermane zbrisnin në Shqipëri për të zënë vendin e lënë zbrazur nga Italianët e kapitulluar. Dhe Balli Kombëtar i kish sistemuar fuqitë e tij për të luftuar invadonjësin e ri. Në Barmash, në rrugën Qafëthanë-Strugë e në rrethet e Vlorës fuqitë e Ballit kishin ardhur në përpjekje me kollonat gjermane. Pikërisht në këtë kohë komunistët e qëlluan Ballin Kombëtar prapa krahëvet.

I vënë përpara kësaj situate, Balli Kombëtar vazhdoi t'iu bëjë thirrje të tjera komunistëvet, që të hiqnin dorë nga plani djallëzor i tyre dhe të mendonin pakë me ndërgjegje shqiptari se në ç'pellg gjaku e tmerri po e krithnin vendin. Një nga këto thirrje, lëshuar më 20 Tetor 1943, fillonte kështu :

"Sot, për fat të keq, jemi duke i përdorur kundër njëri tjetrit këto armë që njëherë i përdorëm me aqë sukses kundër armikut. Tani që kanë ardhur Gjermanët, në vend që të jemi të bashkuar më fort se kurrë për të luftuar ushtërinë e tyre, e cila është shumë m'e fortë dhe m'e egër nga ajo e Italianëvet, ne jemi në grindje dhe, ajo që është më keq akoma, në luftë civile".

Por të gjitha këto thirrje kaluan si një zë i humbur në shkreti. Komunistët vazhduan si të tërbuar në vepërën gjakatare te tyre, dhe brenda muajvet Tetor e Nëntor lufta civile qe ndezur më çdo anë. Dhe vazhdoi kështu, e egër, e rreptë, fyt për fyt, një vit të tërë, gjer në Nëntorin e 1944-ës, kur komunistët, pasi e bënë vendin gjak e gërmadhë, mujtën më në funt t'a ngulin në Tiranë yllin e kuq.

S'munt të shkruhen, në një kapitull të shkurtër, peripecitë dhe epizodet e shëmtuara t'asaj lufte. As barbarizmat e komunistëvet që janë nga më çnjerëzoret. Vetëm në përruan e Shipskës, në krahinën e Korçës, u-gjetën në Janar të 1944-ës, trupat e 185 burrave, shumica antarë të Ballit Kombëtar, të masakruar në mënyrën më shtazore e të mbuluar në një gropë. Brigata komuniste e kumanduar prej Mehmet Shehut, një bishë me fytyrë njeriu, zuri në një katund afër Lushnjës, më 21 Tetor 1943, 68 ushtarë të Ballit Kombëtar, fshatarë të thjeshtë, dhe i shkoi të gjithë në plumb. Në Gjirokastër arritën sa të vrasin edhe një djalë 15 vjeçar përpara syvet të s'ëmës.

Ai vit qe një vit ferri për popullin Shqiptar, ku s'shihesh gjë tjetër veç vrasje, mizerje e shtëpi të djegura ; e u-bë një bjeri-burri-burrit, sidomos kur hyri në mes edhe ushtëria gjermane me bandat që çoi pas saj.

Plani djallëzor i komunistëvet ish që t'a shtërngonin Ballin Kombëtar të hidhej në krahë të gjermanëvet, për të mbetur ata vetë si të vetëmit shampionë të Luftës së "Çlirimit Kombëtar". Me këtë mënyrë, jo vetëm që donin t'a paraqitnin Ballin tek Aliatët si një organizatë kolaboracioniste, por kërkonin edhe të justifikoheshin përpara popullit Shqiptar se gjoja e luftonin Ballin si një armik të lirisë kombëtare dhe jo si një pengesë për revolucjonin e tyre komunist.

N'atë konfuzjon të përgjithshëm, ku u-nda krahina prej krahinës, qyteti prej qytetit, e ku s'merrte vesh i pari të dytin, natyrisht Balli Kombëtar pësoi tronditje, çkallmime e paralizim. Qendra s'i kontrollonte dot më degët, ish e pamundur të mbahej uniteti e disiplina, dhe shumë elementë, sidomos nga ata që s'lidheshin edhe aqë fort me parimet e Ballit, u-çkëputën prej organizatës dhe vanë nga i hodhi era a bënë si ua mori mendja. Por pjesa e vendosur e organizatës u-mundua t'i qëndrojë furtunës, dhe gjatë dimrit 1943-44 i solli sa më të shkrirë forcat komuniste dhe u-duk sikur do t'a fitonte dyelin. Porse në Pranverën dhe Verën e 1944-ës u-pa qartë që komunistët s'munt të përmbaheshin vetëm prej fuqivet të ngrëna e të rraskapitura të Ballit, kurse e tërë situata ndërkombëtare ish në favor të tyre.

Eshtë e vërtetë që, përveç Ballit Kombëtar, pat edhe një farë lëvizje zogiste në Shqitpëri, që u-quajt "grupi i Legalitetit", si edhe ndonjë bandë të vogël personale në malësitë e Veriut. Por këta s'erdhë në përpjekje me komunismin deri vonë, do me thënë gjersa u-shpartalluan fuqitë e Ballit Kombëtar dhe komunistët mbetën zotër të situatës. Atëhere, në kontaktin më të parë me komunistët, u-shkatërruan.

"Grupi i Legalitetit" kryesohej nga Abas Kupi, oficer i vjetër i Zogut, dhe përbëhej prej disa mehmureve e përfitonjësve të regjimit të vjetër. Abas Kupi vetë në fillim u-shoqërua me komunistët dhe pat marë pjesë në "Këshillin Nacional-Çlirimtar" të tyre. Por pastaj, kur u-hap lufta civile, përfitoi e u-largua prej tyre dhe formoi "grupin e Legalitetit".

Vetëm në vjeshtën e 1944-ës pat një bashkëpunim ushtarak midis Ballit Kombëtar dhe grupit të "Legalitetit" për të kryer sidomos disa aksjone kundër ushtërisë gjermane dhe për t'i paraqitur një rezistencë të fundit komunizmit. Por atëhere ish tepër vonë. Ushtëria ruse kish dalë në Bullgari, Titua ish bërë zot i Jugosllavisë, dhe kudo në Ballkan lëvizjet komuniste ishin predestinuar të triumfojnë. Aqë sa edhe në Greqi, ku shkarkuan trupat britanike, komunistët zotëruan për disa muaj të tërë vendin, edhe Athinën vetë, përveç lagjes së Kollonaqit ; dhe ndoshta do t'ishin në fuqi edhe tani sikur të mos kishin ndërhyrë trupat britanike atëhere dhe ndihma e Amerikës më pastaj.

Në Nëntor të 1944-ës komunistët ngrehën qeverinë në Tiranë. Fuqitë e armatosura të Ballit u-shpërndanë, ose formuan grupe të vegjël gueriljesh malevet. Një pjesë e antarëvet të tij mujti t'arratiset jashtë atdheut. Pjesa tjetër që mbet brënda, u-kosit nga "gjyqi i popullit" ose kalbet nëpër burgjet e fushat e përqëndrimit. Por prapë vijnë të tjerë nga shtresa e të rinjvet, që mbushin radhët e zbrazëta. Dhe lëvizja e Ballit Kombëtar në Shqipëri iu rri gjithnjë si shpata e Damokleut gjakësorëvet të Tiranës.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive