Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Shkencë arrow Hëna. ku njeriu nuk shkon më
Hëna. ku njeriu nuk shkon më PDF Print E-mail
07 Gusht 2009
Astrit Lulushi, Zeri i Amerikës

Në dhjetor të vitit 1972, astronautët amerikanë lanë në Hënë një pllakë metalike me këtë mbishkrim: “Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës…” .Kështu, eksplorimet në Hënë që kishin filluar me anijen Apollo 11 më 1969, përfunduan me anijen Apollo 17 në vitin 1972. Vera e vitit 1969 ishte një kohë e veçantë në histori. Kjo ndodhi kur njerëz nga Toka – astronautë amerikanë – shkuan me anijen *Apollo 11* në Hënë, zbritën dhe u kthyen në Tokë pa problem. Bota i nderoi këta astronuatë si heronj.

Neil Armstrong dhe Edvin Aldrin ishin të parët që zbritën në Hënë. Po ata nuk ishin të fundit. Agjencia amerikane për fluturime në Hapësirë e njohur me akronimin Nasa, ndërmorri edhe 6 misione të tjera në Hënë me anije Apollo.

*Apollo 12 *u nis për në Hënë vetëm 4 muaj pas kthimit të Apollo 11. Një natë më parë kishte rënë shi. Retë ishin shpërndarë, por shira të tjerë parashikoheshin. Zyrtarët e Nasa-s arritën në përfundimin se moti ishte i përshtatshëm dhe kështu Apollo 12 u nis nga Toka për në Hënë.

36 sekonda pas nisjes, një rrufe goditi raketën Saturn 5 që shtynte anijen. Anija Apollo humbi rrymën elektrike në sistemin e kontrollit. Aparaturat e ndërprenë funksionimin. Astronautët punuan me gjakftohtësi dhe e ktheyn rrymën. Por një tjetër rrufe ra dhe rryma elektrike u ndërpre përsëri.

Rrufeja e dytë nuk e preku raketën Saturn 5. Kështu kjo vazhdoi t’a shtynte anijen në udhën e saj. Astronautët shumë shpejt ndreqën defektin. Gjendja u normalizua dhe Apollo 12 mundi të vazhdonte fluturimin drejt Hënës.

Tre astronautët në bordin e Apollos ishin pilotë të marinës. Çarls Konrad ishte komandant i fluturimit. Richard Gordon, pilot i modulit komandues dhe Alan Bean ishte pilot i sondës për zbritjen në Hënë.

Pas katër ditësh, Apollo 12 arriti afër vendit të uljes. Zona quhej Stuhitë e Oqeanit, rreth 2 mijë kilometra në perëndim të zonës ku ishte ulur Apollo 11.

Richard Gordon qëndroi në komandë të modulit duke i ardhur Hënës përrreth. Çarls Konrad dhe Alan Bean fluturuan me sondë dhe e ulën në sipërfaqe të Hënës. Ata iu afruan sondës Surveyor 3, një anije pa pilot që kishte mbërritur 2 vjet më parë dhe kishte dërguar në Tokë rreth 6 mijë fotografi të Hënës, para se të ndalte së funksionuari.

Konrad zbriti në sipërfaqen e Hënës. “Sipërfaqja është e butë, shpresoj të mos fundosem në të” tha ai dhe zëri regjistrohej në qëndrën e kontrollit të fluturimit në Tokë.

Alan Bean ndoqi Konradin në sipërfaqen e Hënës dhe të dy mblodhën rreth 35 kilogram gurë. Ata lane aty 5 instrumente shkencorë që do të dërgonin informata në Tokë. Para se të iknin, Bean dhe Konrad vizituan edhe sondën Surveyor që kishte kohë që nuk funksiononte. Këta dy astronautë qëndruan në Hënë rreth 30 orë. Pastaj u kthyen në anijen Apollo e cila i priste në orbitë dhe prej andej u nisën për në Tokë. Kapsula me 3 astronautët ra në oqeanin Atlantik, vetëm 6 kilometra nga vendi ku po i priste anija e flotës detare.

*Apollo 13*
Gjatë projektit amerikan prej 8 fluturimesh në Hënë,vetëm Apollo 13 nuk mundi të zbriste në sipërfaqen hënore. Tre ditë pas nisjes nga Toka, një shpërthim e dëmtoi anijen. Astronautët humbën shumë prej sasisë së oksigjenit. Atyre iu desh të anulonin zbritjen në Hënë dhe e përdorën sondën e zbristjes si “varkë shpëtimi”. Oksigjeni i saj i mbajti astronautët gjallë gjatë udhës së kthimit në Tokë.

*Apollo 14*
Apollo 14 u nis në janar të vitit 1971 dhe u ul në Hënë në zonën Fra Maouro paksa në lindje të rajonit ku kishte zbritur Apollo 12. Fra Maouro është një zonë kodrash të larta të krijuara miliona vjet më pare nga rënia e një meteori të fuqishëm. Për këtë arsye shkencëtarët donin t’a studionin këtë sipërfaqe. Ata besojnë se nga studimi i të dhënave nga Fra Maouro mund të sigurojnë infomata të rëndësishme rreth historisë së herëshme të Hënës.

Komandant fluturimi i Apollo 14 ishte Alan Shepard. Ai njihej atëhere si amerikani i parë në Hapësirë. Stuart Rosa dhe Edgar Miçëll ishin dy anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Në Apollo 14 astronautët kishin marrë me vete edhe një pajisje udhëtimi dy rrotëshe që ata do t’a përdornin për të mbajtur kamerat e mjete të tjera kur të zbriznin në Hënë. Ky mjet u krijoi atyre mundësi të udhëtonin larg nga vendi i zbritjes, për të mbledhur gurë e për të bërë eksperimente. Astronautët mundën të ecnin deri në 3 kilometra larg nga sonda. Edhe pse kishin mjetin dy rrotësh, Shepard e Miçëll nuk mundën të arrinin në njërin prej objektivave të tyre, kraterin e quajtur Kone. Ata nuk kishin mjaft oksigjen për të udhëtuar aq larg dhe u kthyen në sondën që i priste.

Apollo 12 dhe Apollo 14 grumbulluan për shkencëtarët shumë informacione, që e shtynë Nasa-n të vazhdonte projektin e udhëtimeve në Hënë.

Tre misionet e tjera do t’u lejonin astronautëve të qëndronin më gjatë në Hënë. Ata tani do të përdornin një mjet me katër rrota për të udhëtuar në sipërfaqen e Hënës. Ky automjet u quajt Rover hënor dhe punonte me bateri. Me të astronautët mund të shkonin më shumë se 30 kilometra larg nga vendi i zbritjes. Roveri hënor mund të mbante pajisje me peshë prej 110 kilogramësh dhe në të ishte instaluar edhe një kamer televizive që u dërgonte stacioneve në tokë pamje me ngjyra me cilësi transmetimi.

*Apollo 15*
Ekuipazhi i anijes Apollo 15 përbëhej nga atronautët David Skot, Alfred Uorden dhe Xhejms Irvin. Ata u nisën nga Toka në korrik 1971 dhe zbritën në Hënë në zonën e quajtur Hadley Rille afër Maleve Apenine, në veriperëndim të vendin ku ishte ulur Apolli 11. Astronautët e Apollo 15 u kthyen pa problem në Tokë. Shkencëtarët u befasuan nga gurët që ata sollën me vete. Njërin prej tyre shkencëtarët e quajtën Guri i Gjenezës, sepse besohet të ketë një moshë prej 4 miliardë vjetësh. Sipas shkencëtarëve, ky gur ishte krijuar kur Hëna kishte qënë në moshën e saj më të herëshme.

Gjithashtu, dheu që astronautët sollën nga Hëna përmbante copa zhami në ngjyrë portokalli. Shkencëtarët thonë se ky xham ishte rezultat i materialeve të krijuara në një thellësi prej 300 kilometrash nën sipërfaqen e Hënës.

*Apollo 16*
Në prill të vitit 1972, Apollo 16 u nis për në Hënë. Në bord ndodheshin astronautët Xhon Jang, Thomas Mattingly dhe Çarls Djuk. Jang dhe Djuk zbritën në jugperëndim të vendit ku ishte ulur zbritur Apollo 11. Ata qëndruan në Hënë 45 orë. Gjjatë asaj kohe mblodhën gurë dhe vendosën në sipërfaqe disa aparate shkencorë.

*Apollo 17*
Astronautët Juxhin Kerman, Harrison Shmid dhe Ronald Evans ishin të fundit që udhëtuan në Hënë me misionin Apollo 17. Ishte dhjetor i vitit 1972. Kerman dhe Shmid zbritën në një luginë thuajse në veri të vendit ku ishte ulur Apollo 11. Ata qëndruan në sipërfaqen e Hënës 72 orë dhe më shumë se 24 orë i kaluan duke punuar jashtë sondës me të cilën kishin zbritur. Këta astronautë kryen 3 udhëtime me Roverin hënor duke bërë fotografi e mbledhur gurë. Ata gjithashtu lane atje edhe shumë pajisje shkencore që do të vazhdonin të dërgonin në Tokë informata të ndryshme rreth Hënës.

Kerman dhe Shmid u nisën nga Hëna më 14 dhjetor dhe para se të largoheshin lane atje një pllakë metalike ku thuhet: “Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës. Shpirti i paqes me të cilin ata erdhën le të pasqyrohet në jetën e të gjitha qenieve njerëzore”.Pllaka metalike me këtë mbishkrim, sigurisht në anglisht, ka mbetur në sipërfaqen e Hënës si e vetmja shenjë e përherëshme e mbërritjes së njeriut atje.

Me anijen Apollo 17 morri fund edhe prodhimi i raketës Saturn 5 si dhe projekti i anijeve Apollo. Eksplorimet e Amerikës me njerëz në Hënë kishin përfunduar. Kjo ishte një kohë e veçantë në historinë e njerëzimit, sepse për herë të parë njerëzit shkuan përtej planetit të tyre të vogël brenda sistemit gjigand diellor. Pas kësaj, Hëna përsëri do të bëhej e paarritëshme për njeriun, por jo për imagjinatën e tij.

Ndonjëherë dëgjohen njerëz që pyesin; përse duhej shkuar në Hënë, thjesht nga kureshtja? Përgjigjia mund të jetë edhe ”Po”, sepse është kurioziteti që nxit eksplorimin, nga i cili vjen zbulimi i pasuar nga kënaqësia , që e bën njeriun t’a përsërisë deri në përftimin e vlerave dhe aftësive, të cilat krijojnë vetëbesim për t’a hedhur atë në eksplorime të tjera.

Parë nga ky kënd, 40 vjet pas shkeljes së njeriut të parë në Hënë, njerëzimi duket se ndodhen tani në fazën e krijimit të vetëbesimit për eksplorime të tjera. Por ka nga ata që thonë se suksesi i 4 dekadave më parë vështirë të përsëritet, apo se njerëzimi pak ka përfituar nga ky eksplorim ose shkuarja në Hënë ishte aventurë. Dhe shpesh harrohet se epoka e eksplorimeve vetëm në planetin Tokë, që filloi rrreth fundshekullit XV, zgjati të paktën 200 vjet para se njerëzimi të shihte përfitimet e para; krijimin e kolonive, shteteve a qytetërimeve të reja. Prandaj edhe sikur për kthimin e Hënës në një vendbanim a “koloni” të pritej edhe 200 vjet të tjera, përsëri do të ishin pak, sepse sa më e përparuar është teknologjia e udhëtimeve sot në krahasim me 5 shekuj më parë, qindra herë më larg ishin edhe zonat e eksplorimeve të dikurshme të Tokës krahasuar me ato në Hënë në kohën tonë.

Zbulimi i Hemisiferes perëndimore, me mendësinë e shek. të XV, ishte vërtet “hap i vogël per njeriun dhe hop gjigand për njerëzimin”. Gjithashtu, ndërsa mjetet e sotme të udhëtimit as që mund të krahasohen me ato të Kristofor Kolombit, edhe eksplorimet në Hapësirë kanë zgjuar të tjera përmasa të kureshtjes njerëzore. Eksplorimet gjeografike të shek. XV – XVII, nxitën fantazinë e shkrimtarëve për të krijuar vepra si “Robinson Kruzo”, “Aventurat e Guliverit”, “20 mijë lega nëndet” a “Rreth tokes në 80 ditë”, ndërsa sot udhëtimet në Hapësirë e kanë shpënë imagjinatën përtej cdo kufiri të menduar ndonjëherë. Jashtë tokësorët, UFO-t, udhëtimi në të kaluarën a në të ardhmen janë ide po aq nxitëse sa c’ishin dikur ëndërrat për të shkuar në zonat e pashkelura ekzotike të rruzulit tokësor.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive