Faqe kryesore arrow Aktualiteti arrow Mbi pronën...kur nuk përdoret
Mbi pronën...kur nuk përdoret PDF Print E-mail
04 Shtator 2009
Astrit Lulushi

Në kapitalizëm, prona private mbrohet nga shteti. Kjo mund të kuptohet edhe se prona private ekziston pavarësisht nga shteti dhe para shtetit. Në “the the Second Treatise..", John Locke (1632 – 1704), thotë se shoqëria u krijua pikërisht për t'a mbrojtur pronën më mirë. Madje edhe fjalën “pronë” ai e shpjegon me latinishten “proprius” - "i përket vetes" - “private”.
Mendohet se prona private lindi së bashku me nevojën e njeriut për të ngrënë, që solli nevojën për të punuar. Shembullin klasik e sjell po Loku, i cili pronën e krahason me mollën që njeriu këput nga pema dhe ndërsa e ha, fruti bashkohet me organizmin, duke u bërë pronë e tij. Pra për të të mbajtur veten njeriu duhet të zotërojë, dhe për këtë duhet të punojë.

Por që cdo individ të mund t’a fitojë pronën me të drejtë, Loku mendon se fillimisht duhen krijuar dy kushte;
a)- prona  duhe të përdoret;
b)- cdo individ duhet të ketë qasje në pronë, ose në të mirat që rrjedhin prej saj, përderisa ai i fiton ato me punë.

Gjatë këtij pocesi, një individ do të arrijë të zotërojë më shumë sesa tjetri, dhe si rezultat do të ketë edhe pabarazi ekonomike. Por vlera në formë prone ose paraje që një individ zotëron duhet të jetë në përpjestim të drejtë më punën që e tij. Kështu pabarazia ekonomike bëhet e shfajësueshme dhe të drejtat e individit për pronë nuk cënohen; ata që nuk kanë prona, zotërojnë punën, të cilën mund shkëmbejnë me para, me të cilat mund të blejnë pronë.

Që prona të përligjet, ajo duhet shfrytëzuar. Dhe për të justfikuar pronën private, individi duhet të ketë jo më shumë pronë sesa ajo që i duhet për të mirat e veta. E drejta e jetës, lirisë dhe pronës është natyrale, thotë Loku, dhe kur ato nuk përdoren njeriu e humbet këtë të drejtë.

Që toka të përdoret, ajo duhet punuar në formë bujqësore a ndërtimore, përndryshe shkon dëm. Njësoj si  "mollët" e Lokut; nëse dikush këput më shumë sesa është në gjendje të hajë, disa prej mollëve prishen e kalben, dhe kjo përbën shkelje të të drejtave natyrore të atyre që nuk kishin mundësi t’i këpusnin dhe hanin ato mollë, edhe pse ishin në gjendje të punonin për t’i siguruar ato.

Përsa i përket pronësisë së tokës, rasti i indianëve të Amerikës merret nga filozofët si shembull klasik. Këta banorë indigjentë kontrollonin toka, por besonin se ato ishin pronë e natyrës. Kjo krijoi paradoksin; indianët nuk i shfrytëzonin të gjitha tokat që kishin në zotërim, sepse nuk i shikonin si pronë vetiake. Ky kuptim ndaj pronës kishte bërë që kontinenti të mbetej i pazhvilluar; dhe pas ardhjes së evropianëve, indianët t’i humbisnin tokat. Në rast të kundërt, nëse kolonizatorët evropianë do t’i bënin indianët të merrnin tokën në pronësi, vendasit do të vepronin në kundërshtim me kulturën a besimin e tyre. Ky kontrast midis dy kulturave ndaj pronës solli eleminimin e njërës prej tyre.

Në kapitalizëm, ligji mbron përdorimin e pronës, sepse ky përdorim shton vlerën e pronës, ndërsa prodhimet prej saj përmirësojnë mirëqënien e secilit e si rrjedhim gjithë shoqërisë. Që në vitet 1700, Loku mendonte se Amerika kishte toka pafund, por përdersa njerëzit nuk e shfrytëzonin, vlera e saj ishte më e ulët. Sipas tij, Anglia prodhonte më shumë në më pak tokë, vlera e tokës ishte e më e lartë, dhe mirëqenia e njerëzve më e mirë, sepse atje shumë pak tokë mund të gjendej e pashfrytëzuar.

Në shekullin e XX-të, ideologët marksitë  e shihnin Lokun si themelues të “kapitalizmit borgjez”, ndërsa kundërshtarët e komunizmit e pranuan filozofinë e tij. Që nga ajo kohë emri i Xhon Lokut përmendet sa herë flitet pronën private që bëhet pengesë zhvillimi vetëm kur nuk përdoret.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?