Faqe kryesore arrow Emigracioni arrow Në Bronx të New Yorkut, një rrugë merr emrin e Nënë Terezës
Në Bronx të New Yorkut, një rrugë merr emrin e Nënë Terezës PDF Print E-mail
15 Shtator 2009
Nga Këze (Kozeta) Zylo

            Kishte kohë që aktivisti i palodhur i Diasporës, z.Esad Rizai, kryetari i fondacionit “Shoqëria Shqiptaro-Amerikane” së bashku me n/kryetarin dr.Haxhi Berisha, po punonin me Bashkinë e New Yorkut për të pagëzuar një rrugë në Bronx me emrin e shenjtores me origjinë shqiptare, Nënë Terezës.

Kjo punë këmbëngulëse e tyre, patriotike dhe me forcën e dashurisë për Kombin, u realizua pikërisht, më 30 Gusht, 2009, në praninë e një pjese të komunitetit shqiptar, të disa senatorëve dhe përfaqësuesve të Bashkise së New Yorkut.

Në sfond kishte thënie të veçanta të Nënë Terezës, të cilat janë thënie kumt për popujt e botës dhe veçanërisht për popullin shqiptar.

Çdo shqiptar krenohet kur lexon se çfarë ka thënë shenjtorja në fjalimin e saj gjatë marrjes së çmimit Nobel: "Për nga gjaku jam shqiptare. Për nga nacionaliteti indiane. Nga feja, jam katolike. Për atë çka është përkushtimi im - i përkas gjithë botës.  Përsa i përket zemrës sime, ajo është tërësisht në Zemrën e Krishtit  ..."

Pllakata e shkruar me fjalët anglisht dhe shqip si: Nënë Tereza, vajza e Shqipërisë, ishin vënë në sfondin përballë të pranishmëve, të cilat ndriçonin një nga rrugët e kryeqytetit të botës, në New York .

Ceremonia u hap me hymnin amerikan dhe shqiptar, kënduar me aq ngrohtësi dhe po aq mjeshtërisht nga këngëtarja elegante, Merita Halili, shoqëruar nga muzikanti i mirënjohur Raif Hyseni.

            Ceremoninë e drejtonte këshilltari Bashkiak z.James Vacca, i cili është përfaqësues i Bashkisë, në zonën më të populluar me shqiptarë, në Pelham Parkway , në Bronx .

Ai është një dashamirës i shqiptarëve dhe po ndihmon kauzën kombëtare.

Z.Vacca së bashku me z.Esad Rizai, ishin organizatorët kryesorë të festimit të vitit të pare të Pavarësisë së Kosovës, në Bashkinë e New Yorkut.

Ishte hera e parë që organizohej një feste shqiptare e përmasave të tilla në Bashkinë e New Yorkut.

Ndërsa ai fliste në podium, motrat e Nënë Terezës, të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë me shiritat e kaltër mbi mantelin e bardhë, kishin zënë vendin e nderit në presidium.  Ato se ç’i jepnin diçka hyjnore asaj dite të bekuar për shqiptarët.

Ishte bija e Shqipërisë, që kishte zbritur si një ëngjëll pranë nesh, ishte Nënë Tereza që siç ka thënë Papa Gjon Pali II se: ajo i kishte kushtuar tërë jetën e vet me plot flijime, në të mirë të të varfërve, të të dëbuarve, të të sëmurëve, të atyre që s’kishin strehim dhe ishin pa dashuri…

            Z.Vacca ftoi senatorë, përfaqësues të Bashkisësë New Yorkut, të Bronxit, të cilët folën  me respektin e veçantë dhe dashurinë e pakufishme për Nënë Terezën.

Kryetari i Bashkisë së Bronxit z.Ruben Diaz Jr., vlerësoi punën e shkëlqyer të shqiptaro-amerikanëve, si një komunitet me vlera të mëdha, kurse Nëna Tereza tha ai është shëmbëlltyra e sakrificës në të gjithë botën.

Në emër të shtetit shqiptar përshëndeti konsulli i përgjithshëm në New York, dr.Albert Jerasi.  Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme për Amerikën, Bashkinë e New Yorkut dhe punën e palodhshme të Diasporës, për këtë ditë të shënuar për popullin shqiptar.

Kurse në emër të qeverisë së Kosovës, përshëndeti z.Arsim Bajrami, ministër i administratës publike, duke e quajtur rrugën Mother Tereza Way, një rrugë të bashkimit dhe të afrimit, një urëlidhëse e miqësisë së përhershme midis Amerikës dhe Shqipërisë.

            Pasi mbaroi ceremonia, të gjithë të pranishmit, hodhën vështrimin tek emri i Nënë Terezës, që ishte shkruar me shkronja të mëdha, “Mother Teresa Way” në rrugët midis Lyding dhe Holland , në Bronx të New Yorkut.

Njerëzit me lot në sy dhe me krenari të ligjshme, takoheshin dhe gëzonin për këtë ditë të bukur që festuam së bashku, si motra dhe vëllezër të një gjaku të Nënë Terezës.

Motrat e Nënë Terezës shpërndanin medaljone të portretit të saj me mbishkrimin:

“Nënë Tereza e Kalkutës”.

Syte e tyre rrezatonin dritë e mirësi, mirësi si misionare në shërbim të të varfërve.

Rrallë njeriu takon në jetë njerëz kaq të thjeshtë, gra kaq ëngjëllore…

Edhe pse unë kishja dëshirë për t’i intervistuar, ato përgjigjeshin gati-gati njëlloj, se po bënin punën e Zotit dhe asgjë më shumë…

Ndërsa njëra prej tyre, të cilës po i flisja me krenari për Nënë Terezën dhe sigurisht dhe për këtë ditë, ajo më tha se: Jam e gëzuar që takoj një shqiptare, dhe se unë dua t’ju kujtoj ju se ç’ka thënë NënëTereza, kur e kanë vlerësuar me çmimin Nobel:

“Mua ma kanë dhënë Dhuratën Nobel për paqe. Unë nuk kam kurrfarë nevoje për këtë mirënjohje, as për të holla, por këtë ma kanë dhënë mua, sepse kanë menduar t’i ndihmojnë me këtë të varfërit, të cilëve ne u shërbëjmë, sepse të gjithë janë vëllezërit dhe motrat tona...”

Tepër e prekur nga biseda me këtë vajzë ëngjëllore, nuk ke se si të mos i duash për punën sakrifikuese dhe vetëmohuese të jetës së tyre, që bëjnë në emër të Zotit.

Dhe ajo vazhdoi më tej fjalën e Nënë Terezës:
“Atë çka jeni duke bërë për mua, nuk e bëni vetëm për mua, por për të varfërit e mi, për Krishtin i cili vuan në ta...
Mos grumbulloni për vete shumë pasuri mbi tokë, ku tenja e ndryshku i brejnë e ku vjedhësit birojnë muret e i vjedhin, por bashkoni për vete visare në qiell, ku nuk i brejnë as tenja as ndryshku, ku vjedhësit nuk i birojnë muret e s’mund t’i vjedhin.

Sepse ku është visari yt, aty ka për të qenë edhe zemra jote”.

Kuptova që kjo ishte e gjithë intervista e saj, ishin fjalët e Nënë Terezës që i inspironin më tej këto ëngjëllushe të të varfërve…

Edhe z.Sali Bollati, kryetar i shoqatës “Çamëria” në New York , i cili kishte ardhur së bashku me bashkëshorten e tij fisnike, znj.Bule, si dhe z.Ilir Hysa, përfaqësues i shtetit amerikan për regjistrimin e popullsisë, ishin tejet të lumtur, që një rrugë në New York iu vendos emri i Nënë Terezës.

Aty takova disa aktivistë të shquar të Diasporës, por me keqardhje them se duhet të kishte më shumë pjesëmarrje dhe më shumë përfaqësues organizatash, personalitete të shquara që po debutojnë denjësisht në Amerikë, pasi për nga rëndësia dhe nderi që i bëhej popullit shqiptar në këtë ditë i kalonte përmasat e së zakonshmes.

Megjithatë Nënë Tereza është siç thotë Mahatma Gandi:

“Trëndafili s’ka pse të predikojë, aroma është predikimi i tij”.

Ajo është një nënë e botës, është një ndër personalitetet më të shquara të shekullit XX, ajo është shenjtore…

Ceremonia do të publikohet në gazetat “ Illyria ”, “Dielli”, “Bota Sot”, dhe në TV “ Kultura Shqiptare”, “Alba Life” dhe 21…

 

30 Gusht, 2009
Bronx, New York

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-10-24 00:48:20
ME duket nje veprim shume i bukur qe nje vend si Bronxi i New Yorkut te kete nje rruge te tille. 


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?