Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow Ata qė e rrahin Vetėvendosjen-popullin e vet nuk e meritojnė lirinė, as Pavarėsinė!
Ata qė e rrahin Vetėvendosjen-popullin e vet nuk e meritojnė lirinė, as Pavarėsinė! PDF Print E-mail
12 Dhjetor 2006

BAROMETRI KOMBËTAR
Prof.Dr.Mehdi HYSENI

* Në vijimësinë historike popullin shqiptar të Kosovës nuk ka mundur ta frikësojë, ta gjunjëzojë, t’ia “mbyllë gojën” kundër lirisë dhe pavarësisë së tij, asnjë ushtri, asnjë polici e huaj terrorizuese okupatore; asnjë ushtri dhe asnjë polici e Serbisë gjenocidale imperialiste. Prandaj, as policia e sotme transitore shqiptare nuk mund t’ia arrijë një qëllimi të tillë absurd për ta heshtur Lëvizjen Vetëvendosje, sepse ajo ëshë lëvizje masovike, që gëzon mbështetjen gjithëpopullore shqiptare jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj në hapësirat e tjera të Shqipërisë Etnike, si dhe në mbarë diasporën shqiptare në botë.

* * *

Historia e praktikës së derisotme ka provuar se ato regjime(diktatoriale antipopullore) dhe titullarët e tyre, të cilët duke përdorur forcën dhe dhunën policore, ushtarake apo paraushtarake (vetjake apo të huazuar nga mercenarizimi i jashtëm kontraktues) kanë ardhur në pushtet dhe në institucionet dhe organet e tij, ashtu me turp dhe me “bisht ndër këmbë” janë “avulluar” nga postet e tyre sunduese.

Shembull i këtillë më karakteristik dhe më i freskët ishte edhe regjimi çetniko-fashisht gjenocidal i Serbisë së Slobodan Milosheviqit, i cili për shkak të ushtrimit të dhunës, të torturës psiko-fizike dhe formave të tjera ataviste antihumane, antiligjore dhe antidemokratike kundër veprimtarëve politikë shqiptarë dhe pjesëmarrësve të protestave dhe demonstratave të popullit shqiptar në Kosovës, në fund qe i gjykuar të dështojë me turp dhe me vurratë të përjetshme kriminale-gjenocidale, ashtu siç pat dështuar makineria e boshtit nazifashist të regjimeve gjenocidale dhe kriminale të Adolf Hitlerit dhe të Benito Musolinit.

Simetria iracionale

Duke qenë se si mijëra shiptarë të tjerë të Kosovës, edhe unë jam viktimë e politikës dhe e praktikës gjenocidale e terroriste të regjimit ushtarako-policor të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, titullarëve pushtetarë shqiptarë të Kosovës ua bëj këto pyetje: (1) Pse politika e sotme zyrtare e Kosovës ka zgjedhur rrugën e gabuar dhe të pajustifikueshme, që ta instrumentalizojë dhe ta politizojë policinë, organet dhe institucionet e tjera juridike të rendit dhe të drejtësisë, me qëllim që ato në emër dhe për hir të mbrojtjes së interesave të saj të “panjohura”, t’i “qërojnë hesapet” me veprimtarët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe me pjesëmarrësit e tjerë të protestave publike, paqësore dhe demokratike, të mbajtura nëpër qendrat e Kosovës? (2) Pse organet policore dhe të sigurisë të përzihen në politikë, duke i marrë në “biseda informative”, duke i kërcënuar, duke i frikësuar dhe duke i keqtrajtuar fizikisht aktivistët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin? (3) Pse ndaj veprimtarëve të kësaj Lëvizjeje të aplikohen të njëjtat forma kërcënuese, të ushtrimit të dhunës psikike dhe fizike (duke ua dëmtuar gjymtyrët e trupit: thyer duart, hundën, këmbët etj.), sikurse policia dhe udbashët e regjimit policor të Serbisë së Slobodan Milosheviqit ndaj veprimtarëve politikë dhe demonstruesve shqiptarë anembanë Kosovës(për shkak se edhe ata, para se të lindëte dhe të shihte dritën Lëvzija Vetëvendosje dhe Albin Kurti, parashtruan botërisht kërkesën e tyre të drejtë dhe të ligjshme, që Kosova ta fitonte të drejtën e vetëvendosjes dhe të pavarësisë së plotë nga Serbia) gjatë viteve të stuhishme dhe të përgjkashme (1981-1999)? (4) Pse këta djemë dhe vajza (fëmijë tanë) në lulen e moshës më të mirë, të perkuizohen nëpër shtëpitë dhe nëpër banesat e tyre, të merren me dhunë në “biseda informative”, të paraburgosen, të burgosen dhe të keqtrajtohen nga organet policore shqiptare(sikurse para shtatë vitesh që terrorizoheshin së bashku me prindërit, me edukatorët, me mësuesit dhe me profesorët e tyre nga ana e policisë kriminele serbe të Slobodan Milosheviqit), kur dihet se pikërisht kjo gjeneratë (1981-2006) e re e fëmijëve tanë nuk kanë pasur kurrfarë fëmijërie, sepse ishin të diskriminuar, të traumatizuar, të torturuar, të frikësuar, të uritur, të zdeshur, të zbathur, të përzënë nga kopshtet fëmijërore, nga shkollat dhe nga fakultet, si rrjedhojë e ushtrimit të forcës dhe të dhunës së gestapos policore çetniko-fashiste serbe të Beogradit? (5) Deri kur do ta imitojnë dhe demonstrojmë në praktikë politikën policore dhe kërbaçin “demorkatik” të regjimeve gjenocidale kolonialiste të Serbisë së Slobodan Milosheviqit mbi popullin liridashës shqiptar të Kosovës, për shkak se ai (qe 100 vjet) është i pabindshëm dhe i papajtueshëm me sundimet të regjimeve të huaja gjenocidale dhe skllavëruese?

Sikurse ata që po japin urdhra, ashtu edhe ata që po i zbatojnë ato urdhra për ta “qetësuar” psikikisht dhe “disiplinuar” fizikisht, në mënyrë që t’ia “mbyllin gojën” Lëvizjes Vetëvendosje, duhet ta mbajnë parasysh faktin se brenda një kohe të shkurtër do të ballafaqohen me ligjin dhe me drejtësinë popullore shqiptare, sepse kjo Lëvizje ka karakter dhe strukturë gjithëpopullore shqiptare. Kjo Lëvizje është vetë populli shqiptar i Kosovës, i cili në formën më demokratike dhe paqësore me të drejtë po kërkon dhe po proteston që, jo vetëm të përshpejtohet procedura e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por që “shtetarët” e qeverisë së përkoshshme(transitore) të Kosovës, të mos pranojnë asnjë “formulë”, as zgjidhje politike tjetër të statusit të Kosovës, përveç të së drejtës së vetëvendosjes, që do të thotë lirinë dhe pavarësinë e plotë juridiko-politike të Kosovës nga Serbia gjenocidale kolonialiste.

Kjo është një nga motivet krysore pse Lëvija Vetëvendosje ka dalë në dritë dhe, pse në mënyrë demokratike dhe paqësore po proteston kundër të të gjitha parregullsive dhe devijimeve të deritashme të “kastës” politike zyrtare të Kosovës, kur është fjala për zvarritjen e procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, si dhe për porblemet e tjera serioze me të cilat po ballafaqohet i gjithë populli i Kosovës brenda këtij gjashtëvjeçari(1999-2006), si shkak dhe pasojë e politikës dhe të politikanëve të burokratizuar dhe të korruptuar, që për interesa të tyre vetjake dhe grupore karrieriste dhe profiterike kanë bërë edhe gabimet kardinale në difavor të interesit të përgjithshëm të Kosovës ngase para kohe, domethënë para se Kosova të njihet si subjekt juridik ndërkombëtar, kanë pranuar që në forma të ndryshme të “grupeve teknike”, të hyjnë në dialog me politikanët serbomëdhenj të Beogradit zyrtar(!?)

Gabimet e deritashme politike të qeverisë së Kosovës nuk mund të korrigjohen duke e përdorur forcën dhe dhunën policore për të asgjësuar Lëvizjen Vetëvendosje, sepse kjo në asnjë mënyrë nuk është fajtore për “gafat” e diletantëve politikë të qeverisë së Kosovës, të cilët kanë pranuar “standardet decentralizuese”, përkatësisht “standardet” e copëtimit të territorit të Kosovës, ashtu si ka kërkuar në mënyrë imponuese dhe ultimative Beogradi zyrtar dhe Kisha Ortodokse Serbe (të mbështetura nga faktorët evro-ndërkombëtarë).

Në fakt, Lëvizja Vetëvendosje me veprimin e saj politik, kombëtar, demokratik dhe paqësor po orvatet që t’i përmirësojë gabimet politike 6-vjeçare të “elitës politike” shqiptare në Kosovë, duke e bërë me dije atë që të heqë dorë nga format dhe klishet stereotipe dhe triviale të politikës së dikurshme dhe të sotshme të Serbisë, si dhe të distancohet nga politika e huaj e ndërvarësisë dhe e diktatit, sepse është në diskurs me realizimin e së drejtës së vetëvendosjes së Kosovës.

Duhet ta rikujtojmë qeverinë dhe parlamentin e Kosovës, se në çdo shtet në botë ku sundojnë ligji, e drejta, drejtësia, rendi dhe demokracia, policia nuk e ka “fajlën kryesore” për zgjidhjen e problemeve të ndcryshme politike dhe shoqërore, por politika është ajo vetë që merret me shqyrtimin dhe me rrugëzgjidhjen e tyre.

Nëse titullarët e politikës zyrtare të Kosovës vazhdojnë me gabimet e politikës së tyre të deritashme, duke e anatemuar, injoruar, përçmuar dhe keqtrajtuar Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë s’ka dyshim se policia do të jetë substitut i saj. Mirëpo, atëherë, gjithashtu, duhet të llogaritet edhe në fundin e dështuar të asaj politike, sepse policia në asnjë vend të botës nuk mund të luajë rolin e politikës dhe të diplomacisë shtetërore, por vetëm se është në shërbim të tyre.

Kontestin politik ndërmjet politikës zyrtare të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mund ta zgjidhë policia duke e përdorur forcën dhe dhunën e saj antiligjore mbi veprimtarët dhe mbi qytetarët e pafajshëm, të cilët me të drejtë po kërkojnë liri, pavarësi, drejtësi dhe demokraci të njëmendtë, sikurse të gjithë popujt e tjerë në Ballkan, por vetë institucionet politike të Kosovës, duhet të jenë ato që sa më parë të jetë e mundur, ta zgjidhin këtë kontest politik me përfaqësuesit legjitimë dhe legalë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndryshe, nga ky konflikt politik, do të përfitojnë të gjithë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të pavarësisë së Kosovës shqiptare. Ja, ky do të ishte “kulmi i suksesit” i politikës policore zyrtare të Prishtinës(!) Kësaj politike ANTIVETËVENDOSJE më së shumti do t’i gëzohej politika zyrtare antishqiptare e Beogradit dhe e Kishës Ortodokse Serbe, që me çdo kusht po luftojnë, që Kosovën ta rikthejnë nën sundimin e dikurshëm kolonial dhe hegjemonist të Serbisë së Madhe.

Fundja, ushtrimi i forcës policore mbi Lëvizjen Vetëvendosje nuk mund të jetë kurrfarë kompensimi për gabimet e bëra të deritashme të politikës zyrtare të Kosovës, as kurrfarë jusitifikimi ndaj faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë. Përkundrazi, instrumentalizimi dhe manipulimi i organeve policore dhe gjyqësore shqiptare në favor të interesave të titullarëve të politikës zyrtare të Kosovës (e jo kursesi në dobi të mbrojtjes me çdo kusht të interesave vitale të popullit shqiptar dhe të Kosovës shqiptare) për ta thyer Lëvizjen Vetëvendosje, provon sheshit minusat dhe dështimin katastrofik të politikës së tyre aktuale, politikë kjo, e cila qe shtatë vjet radhazi është nën varësinë dhe nën diktatin e politikave dhe të interesave të huaja lidhur me Kosovën.

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-11-22 12:10:21
eshte me te vertet per te ardhur keq per ngjarjet efundit qe po ndodhen ne kosove.por kjo nuk do te thote qe populli kosovar,te bjeri viktim e disa klaneve anti shqiptare qe aktualisht veprojn brenda kosoves.eshte momenti me kritik per te ardhmen e vet popullit kosovar,por e te gjith shqiptareve kudo qe ndodhen .uroj nji pavarsi sa me te shpejt .te shofim nje shqiperi dhe kosove nji komb ,ate nuk ethem un por ''historia'' dhe e gjith bota. 
 
pershendetje atdhetar 
dritan.mule.toronto 
 
 
 
 
 
 


International
English
Faqe interaktive